Lojtarët e Kombëtares tonë po kalojnë një moment të mirë me skuadrat e tyre në Europë, por akoma më mirë po ia kalojnë në këtë periudhë futbollistët kuqezi që kanë zgjedhur të luajnë në Major League Soccer në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një prej tyre është Jahmir Hyka, mesfushori fenomenal shqiptar, i cili, pas një eksperience të vlefshme e të gjatë në Zvicër zgjodhi të luajë në SHBA me San Hoze Erthkuejks. Jo më kot e quajnë “toka e mundësive”, sepse Jahmir Hyka ka nisur një jetë të re në Amerikë ku vlerësohet së tepërmi. Edhe pse yjet e futbollit europian nuk mungojnë në MLS, ku falë milionave luajnë emra si David Vija, Pirlo apo Xhiovinko, Hyka ja ka dalë të lërë shenjën e tij me San Jose Erthkuejks dhe revista e njohur ndërkombëtare “Four Four Two” (4-4-2) në një artikull e cilëson si një ndër 7 lojtarët e kampionatit që meritojnë të vlerësohen më tepër duke evidentuar veçanërisht aftësitë teknike të Hykës. Përshkrimi për 29-vjeçarin nga Tirana është plot elozhe, por të merituara. Në artikullin në fjalë shkruhet madje se më spektakolari për sa i përket aspektit individual në MLS mund të jetë “Mesi i Shqipërisë” magjia e të cilit me topin i ka dhënë një dimension të ri sulmit të San Jose, duke luajtur një rol vendimtar në objektivin e skuadrës për të arritur për herë të parë në “play off” në këto pesë vjet si dhe faktin që për herë të parë skuadra kaliforniani shkoi në gjysmëfinalet e Kupës. Hyka shtatshkurtër është fatal në sulmet e tij nga e djathta dhe falë aftësive të tij është shumë më tepër se një organizator i lojës së San Jose. Në analizë shkruhet se Hyka është më i miri i kampionatit në lojën një kundër një, me 29-vjeçarin që është i aftë të dhurojë diçka speciale sa herë që ka topin, dhe jashtëzakonisht i aftë për të shpërthyer edhe në hapësira të vogla veprimi. Hyka shkruan “4-4-2” surprizon mbrojtësit kundërshtarë duke i bërë shokët e tij të skuadrës Kris Vondolovski dhe Dani Hësen më të rrezikshëm, çka i evidentua edhe në ecurinë e ekipit në Kupë. Një analizë me fjalë të ëmbla mjaltë për Hykën që padyshim nuk duhet të jetë bërë pishman që la Luzernën dhe Europën për tu transferuar përtej Atlantikut, aty ku po tregon aftësitë e tij në “Tokën e Mundësive”. Hyka është ftuar nga trajneri Kristian Panuyçi për ndeshjet kundër Lihtenshtejnit dhe Maqedonisë dhe duke qenë lojtar që nuk bën “naze”, apo i gjindshëm kur e kërkon trajneri ndaj tij ka mirëbesim dhe natyrisht edhe mundësi të dhëna, gjë që nuk vlen me Xhakën, sjellja agresive e të cilit këtë herë e la jashtë skuadrës përfaqësuese.
Komentet