Parlamenti i Kosovës ndërpreu punimet të martën pak pas fillimit të seancës, pasi që deputetët nga radhët e partive opozitare qëlluan me vezë mbi kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.
Ai u qëllua në kohën kur kishte filluar raportimin në parlament lidhur me marrëveshjet e arritura më 25 gusht në bisedimet me Serbinë.
Opozita tha se veprimet e saj janë në funksion të pengimit të kryeministrit që, siç thuhet, “t’i gënjejë qytetarët dhe deputetët për marrëveshjet e Brukselit”.
Më 25 gusht Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshje mbi telekomin, energjinë lëvizjen e lirë dhe asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Sipas marrëveshjes, serbët në veriun e Kosovës do të kenë më shumë te drejta dhe asociacioni i komunave do të ketë përgjegjësinë për disa fusha siç janë shëndetësia, arsimi, zhvillimi ekonomik e planifikimi urban e rural si dhe do të ketë të drejtë të marrë fonde nga Beogradi.
Opozita thotë se është e vendosur që të mos pranojë e as të lejojë të zbatohen marrëveshjet që sipas tyre rrënojnë shtetin e Kosovës.
Jahjaga: Sulmi ndaj kryeministrit Mustafa – i papranueshëm
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e dënoi sulmin ndaj kryeministrit Isa Mustafa gjatë seancës së Parlamentit të Kosovës.
Në një reagim ajo e quan “këtë sulm të papranueshëm dhe në kundërshtim me frymën e demokracisë së mirëfilltë, me përpjekjet tona për të fuqizuar institucionet e Republikës ë Kosovës dhe vlerat që po i ndërtojmë. Akte të tilla të shëmtuara e vështirësojnë diskutimin e mirëfilltë publik dhe zbehin besimin e qytetarëve në institucionet e vendit”, thuhet në reagim në të cilin u bëhet thirrje deputetëve dhe subjekteve politike që “t’i respektojnë institucionet e vendit ku përfaqësohet vullneti i popullit, të denoncojnë dhunën dhe që mospajtimet politike t’i shprehin përmes rrugëve institucionale në respektim të plotë të parimeve të demokracisë“.

Komentet