Ismail Kadare, më 26 gusht 1998, i është drejtuar Presidentit francez Jacques Chirac me një letër në të cilën i shkruan të bëjnë ç’mos të shpëtojnë popullin shqiptar nga gjenocidi i paralajmëruar serb.

Zoti President,
Me një ndjenjë trishtimi të thellë, po ju drejtoj këtë letër, për të tërhequr vemendjen tuaj, e natyrisht, të shtetit që ju drejtoni, Francës, për një nga dramat më të rënda që është duke u zhvilluar në sytë e krejt botës: dramën e popullit tim.
Në sytë e Europës e të Perëndimit të krishterë, qytetërimi i të cilit, bazohet sot më tepër se kurrë mbi vlerat e lirisë e të drejtave të njeriut e të popujve, po kryhet një krim me pärmasa të padurueshme. Një shtet i egër stalinist, po djeg e po rrënon fshatra e qytete, vret gra e fëmijë, shpërngul me dhunë qindra e mijëra njerëz e kryen spastrim etnik, pa u ndëshkuar prej askujt. Cili shtet né Europe do të guxonte të masakronte me tanke, helikopterë dhe flakëhedhëse shtetasit e vet? Shteti i egër serb e bën këtë, nga që këta shtetas, i përkasin një populli tjetër, se ata janë shqiptarë, pra, janë të huaj për të.
Jemi përpara një racizmi brutal, që nuk është larg nazizmit. Unë merrem prej kohësh me letërsi dhe e di peshën e fjalëve, ndaj, kur e përdor në këtë rast fjalën “nazizëm”, mbaj përgjegjësi përpara ndërgjegjes sime. Ky nazizëm ballkanik, i ka të gjitha tiparet e murtajës së njohur prej të gjithëve.
Kjo, që po ndodh sot në Kosovë, nuk është as rastësi dhe as surprizë. Ky krim është pergatitur prej kohësh, dhe Europa dhe SHBA, janë paralajmëruar me kohë për të. Megjithatë veshi është bërë i shurdhër.
Ju, me siguri, jeni në dijeni, zoti President, për pyetjen që bëhet sot gjithkund në botë: ç’është kjo shpërfillje e Perëndimit, për një krim të përsëritur, ndërkaq? Cilat janë shkaqet e mëdyshjes, për ta ndalur atë?
Në qoftë se nuk ka shkaqe serioze të shpallura, atëherë, pyetja mund të bëhet ndryshe: Cilat janë shkaqet e pashpallura? Ngaqë populli shqiptar është një popull pa miq e pa mbrojtës tradicionalë, siç ka në këtë rast Serbia, mbrojtësen e vet, Rusinë? Ngaqë ky popull, ndonëse është një popull me kulturë thellësisht laike e me tolerancë të admirueshme fetare, ka një përqindje të ndjeshme myslimane? Ngaqë pritet të kapërcehet njä limit i krimit (me fjalë të tjëra, nga që quhen të pamjaftueshme kaq shkatërrime e vrasje njerëzish të pafajshëm?). Së fundi, ngaqë populli shqiptar, ndryshe nga popujt e tjerë, duhet të mos jetojë si familje e përbashkët, por ta ketë gjysmën e vet koloni në një vend armik?
Zoti President, populli shqiptar nuk ka bërë asnjë krim ndaj askujt, për t’u trajtuar ndryshe nga çdo popull tjetër. Edhe në qoftë se bashkimi i tij paraqet vështirësi, tani për tani për Europën, askush nuk ka të drejtë që, në mënyrë cinike e provokative, t’i deklarojë atij se ai nuk ka të drejtë asnjëherë, as në perspektivë, të gëzojë atë që nuk i mohohet asnjë populli në botë: jetën e lirë, bashkarisht. Aq më pak, askush nuk ka të drejtë, lirinë e tij imediate, ta quajë të rrezikshme.
Jam i sigurt, zoti President, se ju, ashtu sikurse keni qenë i shqetësuar për pranverën e vitit 1997 kur Shqipëria pati probleme të mëdha, edhe sot jeni i shqetësuar për fatin e këtij populli. Megjithatë, më lejoni të shfaq sinqerisht mendimin tim, se ekzistojnë disa rrethana që unë nuk i di, të cilat paralizojnë, në çastin e fundit, vullnetin fisnik për të ndalur, sa nuk është tepër vonë, këtë masakër. Lejimi i mëtejshëm i masakrimit të popullit të vogël shqiptar, një ndër më të vjetrit e Europës, do të ishtë një njollë e errët në ndërgjegjen europiane, në ndërgjegjen e krejt Perëndimit.
Ju, me siguri, jeni në dijeni, zoti President, se në agresionin e tyre të djeshëm në Bosnjë, ashtu dhe në barbarinë e sotme në Kosovë, serbët janë afishuar e vazhdojnë të afishohen si mbrojtës të krishtërimit kundër myslimanizmit. Përveç që ky është një mashtrim kryekëput vulgar, a nuk shqetësohet diplomacia perëndimore se, për shkak të këtij afishimi mashtrues, qytetërimi i krishterë perëndimor rëndohet pa të drejtë me një krim, hija e të cilit mund ta ndjekë për një kohë të gjatë?
Nuk është e rastit, që qysh prej konfliktit në Bosnjë, valët e integrizmit islamik, janë duke u ngritur përherë e më rrezikshëm. Krimet serbe në Ballkan shërbejnë si minierë floriri për propagandën integriste. Në sytë e një miliard myslimanëve në botë, këto masakra, si dhe mosndëshkimi i tyre prej Perëndimit, interpretohen si sfidë dhe armiqësi e hapur kundër tyre.
Ju, zoti President, drejtoni sot shtetin, që përbën një nga kështjellat e para të demokracisë dhe të lirisë së njeriut e të popujve. Ndërgjegja europiane nuk mund të kuptohet pa ndërgjegjen e Francës. Franca ka patur e vazhdon të ketë një prestigj të padiskutueshëm në krejt kontinentin e, sidomos, në popujt e gadishullit të madh ballkanik. Franca mund të shikojë në horizont, atë që të tjerët e kanë ndoshta më véshtirë ta kapin, ajo e ka edhe autoritetin moral edhe mundësinë të prijë një nismë të fuqishme, për t’i dhënë fund kësaj tragjedie.
Unë ju drejtohem juve, zoti President, duke i bërë thirrje ndërgjegjes suaj njerëzore, në tagrin që ju jep detyra e lartë e drejtimit të këtij vendi të madh, që është edhe atdheu im i dytë, të bëni diçka të ngutshme dhe energjike, për të ndaluar këtë krim. Kur viktima thërret për ndihmë, asnjë arsye shtetërore, asnjë konventë, asnjë shkak tjetër, asnjë moral nuk mund të justifikojë mëdyshjen. Populli shqiptar i Kosovës është sot viktima e ka thikën në fyt. Në emër të tij, unë ju drejtohem, me shpresë dhe besim se do të më kuptoni.
ISMAIL KADARE

JA PËRGJIGJA
PRESIDENTI REPUBLIKÉS FRANCEZE PÉRGJIGJE ISMAIL KADARESÉ
Paris, 9 shtator 1998
I dashur Mjeshtër,
Ju falenderoj per letrén tuaj té datës 26 gusht, të cilén e lexova me një vëmendje të madhe.
Koncepti juaj, lidhur për detyrimet e Francës, përputhet me imazhin që unë kam për atdheun tim. Idetë e lirisë dhe të tolerancës, që frymëzojnë këtë vend, i japin zërit të tij një jehonë universale në mbarë botën. Janë këto ide që përbëjnë forcën e mesazhit të tij. Eshtë kjo, kërkesë morale, që drejton aksionin e tij diplomatik, në mënyrë të veçantë, kur ky aksion vihet përballë me të tilla kriza, që ne kemi njohur e vazhdojmë të shohim ende sot në ish-Jugosllavi.
Më 1995, situata në Bosnjë më është dukur si një cënim i parimeve demokratike të Europës, parimë ne jemi përpjekur t’i ruajmë, qysh prej pesëdhjetë vitesh e këtej. Unë kam marrë iniciativën që t’i nis përsëri bisedimet diplomatike dhe, meqenëse kjo ishte e nevojshme, të vinim në veprim forcën ushtarake, gjë që i dha aksionit tonë besueshmërinë e duhur. Kjo vendosmëri, bashkë me atë të Shteteve të Bashkuara, bënë të mundur të arrihet marrëveshja e Paqes, e nënshkruar në Elizé më 14 dhjetor 1995.
Para së njéjtës sfidë jemi sot, ndaj Kosovës. Ju ma përshkruani me fjalë, ndaj të cilave unë jam shumë i ndjeshëm, këtë dramë njerëzore të përjetuar nga qindra e mijëra viktima të pafajshme: gra, fëmijë, të këtij populli paqedashës.
Unë e kuptoj plotësisht fatin, që luhet në këtë krizë për ruajtjen e vlerave që ne ndajmë bashkarisht, në ruajtje të drejtpeshimit të këtij rajoni, në qendër të kontinentit tonë. Është kjo arsyeja që, qysh në fillim të kësaj krize, unë kam mobilizuar të gjitha mjetet e aksionit francez. Në planin diplomatik, në radhë të parë, sepse nuk mund të ketë zgjidhje globale e të vijueshme, pa një marrëveshje politike. Këtu është fjala për të përcaktuar një status të një autonomie shumë të gjerë, duke respektuar kufijtë ndërkombëtarë. Duhet që Grupi i Kontaktit, që bashkon fuqitë kryesore të interesuara, të shënojë gjurmët e tipareve të këtij statusi e, të bëjë të mundur, marrëveshjen e angazhimit për të.
Por, nëse zëri i arsyes nuk arrin të bëjë atë që duhet, atëherë do të duhet përdorimi i armëve, për ti bërë armët të heshtin. Atëherë, Franca do t’i kërkonte Këshillit të sigurimit t’i jepte të drejtë NATO-s, për të ndërhyrë me të gjitha mjetet e nevojshme.
Çdo ditë është e çmuar ngaqë dimri po afron, luftimet po vazhdojnë dhe gjendja e refugjatëve sa vjen e po bëhet më e dhimbshme. Unë, personalisht, jam angazhuar për të mobilizuar Komunitetin ndërkombëtar. Për këtë, i kam telefonuar partnerëve tanë të Grupit të Kontaktit, Presidentit Clinton, Presidentit Jelcin, Kancelarit Kohl, Kryeministrave Blair e Prodi. Neve na duhet të bëjmë gjithë përpjekjet, për të shmangur një ndërlikim, që më vonë do të bëhej i pamundur të vihej nën kontroll. Jam i ndërgjegjshëm, që na mbetet pak kohë për ta kryer. Të jeni i sigurt që kjo, për mua, mbetet nga prioritetet më të domosdoshme.
Ju lutem, të pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë.
Me gjithë përzemërsinë time,
JACQUES CHIRAC
Paris, 9 shtator 1998
Nga Faqja Letërsi Topkadare nën kujdesin e Luan Lapit
Komentet