Nga çadra e lirisë kreu i Partisë Demokratike ka reaguar lidhur me shkarkimin e ministrave nga ana e Partisë Socialiste. Ai është shprehur se nuk do të tërhiqen nga beteja e tyre deri në shkarkimin e Rames dhe jo të shërbëtorëve të tij.
“Ajo që po ndodh pak metra më tej është një karikaturë e shëmtuar e të vetëquajturës Rilindje. Ai ka ndërtuar një aleancë të rrezikshme. Kjo është aleanca midis politikës dhe krimit. Ky është inkriminimi i kësaj partie.
Ky nuk ka për detyrë të bëjë karikaturën apo qypa balte që të mbushë zyrën e tij. Ai nuk po e dëgjon zërin e qytetarëve. Ne nuk jemi mbledhur këtu as për koka turku as për koka kecash as për koka delesh. Jemi mbledhur për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk jemi këtu që padrino të shkarkojë shërbëtorët e tij. Ne jemi këtu deri në largimin e padrinos.
Ne nuk ja vëmë fajin Lindita Nikollës për kanabisin. Ky nuk ka qenë një nënprodukt i shërbëtorëve por një produkt i drejtpërdrejtë i Edi Ramës. Nuk jemi këtu për të ngrënë sapunin për djathë apo Tahirin për Ramën. Ne nuk largohemi nga këtu pa u dorëhequr Edi Rama” tha Basha.
Komentet