Voal – Pas një kërkimi studimor, “Finance Football” ka publikuar para tre ditësh pagat vjetore të trajnerëve që do të drejtojnë ekipet kombëtare pjesëmarrëse në UEFA Euro2016, në Francë.
Një studim, mbi bazë të të cilit, nuk është surprizë që trajneri që udhëheq Shqipërinë, kombëtaren që merr pjesë për herë të parë në një Europian, Gianni De Biasi, nuk është më i paguari, por nga ana tjetër, është e çuditshme që trajneri italoshqiptar, i katërmbëdhjeti më i mirë paguari, lë pas vetes, plot 10 trajnerë, madje nga ata që udhëheqin ekipe me pretendime në këtë kompeticion.
Lista e publikuar nga “Finance Football” udhëhiqet nga Roy Hodgson, trajneri i Anglisë, me 5 milionë euro në vit, i pasuar nga trajneri i Italisë, Antonio Conte me 4.6 milionë euro në vit.
Treshen e podiumit e mbyll trajneri i Turqisë, Fatih Terim, i cili përfiton një pagë vjetore në shumën €3,5 milion.
Mund të duket e çuditshme por është e vërtetë, trajneri që udhëhoqi Gjermaninë drejt titullit Kampion Bote, Joachim Low renditet i katërti me një përfitim prej €3,2 milion në vit, i ndjekur nga trajneri i Spanjës, Vicente del Bosque, përfiton pagën prej €3 milion në vit.
Trajnerët e Francës, Austrisë, Portugalisë, Irlandës, Zvicrës, Belgjikës, Islandës dhe Irlandës së Veriut, paraprijnë trajnerin e Shqipërisë Gianni De Biasi, sa i përket përfitimeve ekonomike vjetore.
Me një kuotë shpërblimi vjetor në shifrat 280 000 euro, trajneri i Shqipërisë, De Biasi, lë pas në listën e të ardhurave financiare, plot 10 trajnerë të tjerë.
Ndërkohë që për trajnerin e Hungarisë, Bernd Storck, nuk ka informacion mbi pagesën vjetore, surpriza më e madhe mban emrin e trajnerit të Rusisë. Leonid Slutsky punon falas në detyrën e trajnerit të Rusisë, ndërkohë që paraardhësi i tij Fabio Capello ka qenë një nga trajnerët më të paguar në botë.
Komentet