Një Vend fashist tek dyert do t’ishte një tragjedi e një kërcënim vdekësor për Evropën e për shoqëritë evropiane. Debati italian, gjithënjë e më i ndezur, mbi armët që shërbejnë për të mbrojtur Ukrainën do të duhej të bënte llogari me pasojat që do të kishte qoftë edhe vetëm një gjysmë-fitoreje e Moskës. Sepse e vërteta e trishtuar është që Putini e ka kthyer Rusinë në një Vënd që tashmë ka praktikisht të gjitha karakteristikat që e bëjnë një Komb fashist. Drejtuesi i Kremlinit ka vetëm një mundësi që të mos humbasë: që t’a lejojmë ne. Për këtë është e rëndësishme të dihet se çfarë pasojash dramatike do të kishte një sukses, qoftë edhe i pjesëshëm i agresionit të tij.
Një përcaktim shkencor i fashizmit nuk ekziston. Por të gjithë mund të bijen në ujdi mbi disa karakteristika që kanë regjimet e atij lloji. Nuk kanë zgjedhje të lira. Përndjekja e kundërshtarëve dhe shtypja e së drejtës së kritikës janë rregulli. Shteti është i policisë. Të gjithë institucionet janë të kontrolluar nga pushteti politik. Ekziston kulti i udhëheqësit. Propagandohet miti i së shkuarës së lavdishme të Kombit. Përdoret ideja e familjes tradicionale për të mënjanuar të ndryshmin. Por më pas bijtë e këtyre familjeve hidhen në luftë me këpucë kartoni, si mish për top. Ngrihet lart kulti i vdekjes. Organizohen mësymje pushtimi kundrejt Vëndeve të tjera. Shpiken simbole për të shtirë tmerre, si kryqi i thyer apo gërma Z. Gjindet një armik, i nevojshëm për të ligjësuar çdo veprim të regjimit: ata kundër nesh. Janë karakteristika që i përshtaten përsosmërisht Rusisë së Putinit. Me një shtesë: është ai vetë që shpik një armik nazist, në mënyrë që të tregohet trashëgimtar i lavdive të Bashkimit Sovjetik. Por nuk janë fjalët e propagandës që ndryshojnë realitetin: sot Vladimir Vladimiroviçi drejton një regjim fashist. Jo rastësisht është i paditur për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës.
Nëse në ndonjë farë mënyre do të kishte ndonjë fitim në Ukrainë, për demokracitë e gjithë botës, veçanërisht për ato evropiane, do të hapeshin vite, ndoshta dhjetëvjeçarë errësire. Çdo lëvizje jo liberale do të ndihej e fuqizuar. Duke mbajtur parasysh atë që ka ndodhur në Ukrainë, pjesë ndoshta jo të parëndësishme të opinioneve publike do t’ishin të gatëshme të mos kundërshtonin kërcënimet që sigurisht Moska do të kishte bërë, e siguruar nga politika e saj agresive: “më mirë të nënështruar se të vdekur” do të ishte një frazë që vrapon. Liria e tregut do të dorëzohej për t’u zëvendësuar nga një drejtueshmëri mbytëse e Shtetit. Disa Vënde, gjeografikisht më afër Rusisë – e për këtë sot kundër saj – do të kërcënoheshin drejtpërsëdrejti në pak kohë: tre Shtetet balltikë, Polonia, Sllovakia, Republika Çeke, me gjasë Finlanda. Jo mësymje, që ndoshta nuk do të ishin as të nevojshme më për Kremlinin, por trysni ekonomike, fushata të rënda çinformimi e sabotimi.
Dhe në Vënde të tjera evropiane, financime forcave kundër-demokratike, fushata propagandash deri në nxitje për destabilizim. Ndoshta veçanërisht fushata për të thyer qëndrueshmërinë e NATO-s e për të lënë Evropën të prekëshme siç nuk ka qënë prej dhjetëvjeçarësh. Truaj mbi të cilët Putini sigurisht do të gjente mbështetjen e fuqishme të Kinës së Xi Jinpingut. BE vështirësisht do t’i qëndronte diçkaje të tillë. Shtatë dhjetëvjeçarë integrimi e rritjeje demokratike, përveç ekonomike, do të rrezikoheshin të merrnin fund. Do të shtoheshin grindjet mes evropianëve. Më shumë se një Vënd do të gjëndej i vetëm e i veçuar. Si do t’a përballonte një trysni të këtij lloji kuadri politik i dobët e shpesh i çatrafilluar italian? A do t’i qëndronte kërcënimeve e miklimeve të Moskës e Pekinit? Shkopit e karotës që do të bëheshin rregulla e marrëdhënieve ndërkombëtare?.
Kuadri me ngjyra të zeza i ravijëzuar mund të quhet i tepruar. Jo gjithshka do të sendërtohej në mënyrën e përshkruar. Por është e sigurtë që një Vënd fashist fitues e n’atë pikë i fuqishëm në dyert e Evropës do të nxiste një krizë qenësore të demokracive evropiane e të insitucioneve që kanë krijuar. Do të shkatërronte modele jete të shoqërive të tëra. E do të kishte përmbysur kuadrin politik në një numër jo të vogël Vëndesh: sigurisht në Itali, me gjasë në vetë Francën e në Gjermaninë gjithmonë të tërhequr nga Rusia; Vëndet e ish bllokut sovjetik do të dridheshin.
Por veçanërisht Putini ka treguar gjithë paqëndrueshmërinë e dobësinë e tij dhe skenari i natës së errët do të sendërtohej vetëm nëse ne do t’i a lejonim. Armët për ukrainasit që vdesin edhe për ne janë armë për të ndaluar fashizmin e Putinit e për të mos lejuar që të përhapet. I duhet thënë italianëve.
“Corriere della Sera” 24 mars 2023 Përktheu Eugjen Merlika