Fjala e mbajtur në Parlamentin e Shqipërisë, me 02.11.2017
Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë!
E nderuar zonja kryetare e seances!
Fjalën e sotme dua ta filloj me ngjarjet e ndodhura këto ditë në Bashkinë e Himarës, për shkak të rëndësisë që ka, në këndvështrimin tim, një trajtim i kujdesshëm i problemit të krijuar:
“Rilindja Urbane në Himarë”, e shpallur sot me bujë nga zoti Kryeministër në Parlament, nuk është një gjë tjetër veçse një maskë për të fshehur një ndërhyrje krejtësisht të gabuar, të pakujdesshme të qeverisë që ai drejton, në të mirë të klientelës private, që ka vërshuar në pronësitë komunitare tradicionale të banorëve të Bregut.
Të drejtat e parashikuara nga kushtetuta të banorëve të Himarës, do të duheshin mbrojtur nga institucionet e këtij shteti, sikurse do të duhet të ndodhë një gjë ë tillë për të gjithë shtetasit e Republikës. Në fakt, ndodhi e kundërta: ndërhyrja e sotme e qeverisë për Himarën edhe në këtë sallë, ishte një diversion për të mbuluar një sjellje administrative të pakujdesshme, të realizuar me dy objektiva: a-për të zhvendosur vëmendjen e publikut nga skandali që ka përfshirë kupolën e pushtetit prej dy javësh dhe (b) për të vendosur në veprim një zënie të mëtejshme të hapësirave qytetare të banorëve autoktonë në asaj krahine, nga entet investuese aktualisht më afër qeverisë.
Në pikëpamje të së drejtës pronësore, me duhet t’ju kujtoj, se pronat e banorëve të Himarës, Dhermiut, Palasës dhe Vunoit, etj., ku banon prej kohesh që nuk mbahen mend, popullsia e origjinës shqiptare, që nga historia e saj e rezistencës dhe e mbijetesës, na rezulton sot dygjuhëshe, janë të palegalizuara për shkak të djegies së dokumenteve kadastrale në kohën e Luftës Italo-Greke, 1940-1941. Bëhet fjalë për ndërtesa deri edhe 100 vjeçare, për të cilat nuk ka dokumente kadastralë, por ka regjistrime të vitit 1946 të kufijve të pronësive. Ndaj, detyra e qeverisë është pritja, sjellja e kujdesshme dhe krijimi i kuadrit ligjor për njohjen e të drejtave pronësore të banorëve autoktonë. Në vend që të sillej në këtë menyrë, qeveria bëri të kundërtën: vendosi në mënyre selektive buldozerët mbi pronat e banorëve që u kanë dalë para projekteve të tyre prioritare. Si munden organet ekzekutive shqiptare të shkatërrojnë banesat 100 vjecare të banorëve të këtij komuniteti, ndërkohë që kushtetuta dhe ligji i imponojnë sjellje krjetësisht të ndryshme? Ku është maturia e sjelljes politike?! Me lejoni t’ju them se ekzekutivi shqiptar, përmes departamenteve të tij ka shkelur të drejtat e patjetërsueshme të banorëve të kësaj qendre tradicionale historike të Shqipërisë, me veçanti të spikatura kulturore. Dhe ky është një veprim i dytë tërësisht i pastudiuar dhe i panevojshëm provokativ, pas deformimit të hartes territoriale-administrative të krahinës, realizuar për interesa të kontrollit politik të përfaqësisë së krahinës. Duhet të bëni kujdes të nderuar përfaqësues të ekzekutivit: ju nuk mundeni që për interesa parciale të klienteles suaj, të prishni jetën normale dhe bazen e trojeve familjare të një popullsie autoktone, edhe pse ajo gjendet sot me shumicë në emigracion.
Është koha të merrni shembullin e shtetit shqiptar të viteve 1920’, 1930’, për qendirmin ndaj Himares: interesat e popullsisë së Himarës i mbron shteti shqiptar, jo shteti grek, ndaj: përfaqësim i lirë dhe adekuat i himariotëve në kuvendin ndërshqiptarë; respektim i të drejtave pronësore; mos ndërhyrje fyese në qendrueshmërinë e komuniteteve; investim me përparësi për zhvillim, mbrojtje e shqiptarisë së vetëdijshme, në mënyrë të atillë që nuk i kundërvihet nderlidhjeve të tyre kulturorë me boten helene, me të cilen, banorët aty kanë lidhje të hershme që i përkasin së paku kohës së fillimit të emigrimit ndër anët e Ishujt Jonianë. Banorëve të Himarës që ua keni prishur shtëpitë, u duhet kërkuar falje dhe u duhet premtuar zgjidhja në rrugë ligjore dhe me ekspertizë, e problemit të pronave të tyre. Para së gjithash duhet të ndalet procesi tjetërsues i pronës në krahinë për qellime të konsorcuimeve të Tiranës. Një ekip vullnetmirë ekspertësh të ligjit, politikës, arkivistikës dhe urbanistikës duhet të angazhohet me përparësi, për një zgjidhje afatgjatë të krizës së krijuar artificialisht.
Tani më lejoni të kaloj tek buxheti faktik 2016:
Paraqitja i këtij buxheti bëhet sot në këtë institucion të një vendi jo të lirë nga kontrolli i forcave të errëta të një pushteti ilegjitim, jo të pastër nga ndërhyrja e krimit të organizuar, një vend kontrolluar nga sistemi i patronazhit, nepotizmit dhe klientelizmit, një vend me deviacione nga praktika e qeverisjes së mirë demokratike, model i papërgjegjshmërisë demokratike.
Në fakt, jemi duke shqyrtuar një buxhet të një kohë të kaluar, sot në kohën e krizës më të rëndë të sistemit parlamentar shqiptar pas vitit 1997-ës. Kryeministri i vendit, përtej fasadës altruiste të komportimit të tij, është vendosur në mbrojtje të majës së një rrjeti klientelist, i cili përfshin, nga manjatët e padukshëm të Tiranës, që zhvendosin me një fjalë-kod, krerët e pambrojtur të institucioneve të pavarura, deri tek ushtarët lëvizës të modelit të skandalit të fundit. Ai ka qënë në gjendje të kamuflojë pushtetin tij të prejardhur përmes forcës dhe parasë dhe të vazhdojë të ecë përpara, sikur asgjë nuk ka ndodhur, sikur legjitimiteti i pushtetit të ri është i arsyetuar, qeverisja vazhdon normalisht, buxheti aprovohet, projektet investuese në zonat elektorale të deputetëve të qeverisë vijojnë normalisht, dhe kusuret e fondeve u rrjedhin pa ndërperje si lëmoshë në xhepave e bashkësive jo konformiste me socializmin jo demokratik në pushtet.
Në fakt, ky diskutim bëhet në ditët kur një forcë e padukshme me përfaqësim në këtë sallë, preson nën rrogoz, drejtuesit e institucioneve të pavarura, duke realizuar me skema tipike të shantazhimit të mafias, goditjen e kolonave shtetërore të ligjzbatimit.
Një goditje anti-shtetërorë, e ngjashme me atë të fillesës së modelit të rënies së Republikave Parlamentare në Perëndim në vitet 1920, 1930, është në zhvillim e sipër në Shqipëri, me përdorim të parasë së trafiqeve. Dhe kjo goditje duhet të ndalet në kohë. Publiku po ndjek dita-ditës dorëheqjet spektakolare “vullnetare” të drejtuesve institucionalë, mbi të cilët mbahej deri tanimë ai pak shtet ligjor në kambë, i pa depërtuar dot nga “oborri i prapëm” ku luhet mekanizmi i varrosjes të shtetit ligjor. Janë ata oborre nga ku ka ndodhur kapja e pushtetit, nga aty kontrollohet balanca e skuadrave private operacionale të përgjimeve, në vend që një gjë të tillë ta kryenin vetëm organet shtetërore me ligj, nga aty rrëzohen shefat e shërbimeve të specializuar, nga aty maten forcat e poleve të pushtetit, ndahen rezervat publike për përfitime private, etj. Po aty ndërtohet skema e komunikimit publik dhe urdhërohet fabula e radhës e kamuflimit të skandaleve të pushtetit për median.
Një shtet i kapur në këtë mënyrë nuk mund t’i sherbejë një populli të varfër
Gjithë ky “investim” në kapjen dhe konservimin në duar të papastra të pushtetit politik ka sjellë si rrjedhojë rritjen e varfërisë, largimet masive të familjeve shqiptare, të brezit të ri dhe trurit antikonformist të këtij vendi dhe ndërprerjen e plotë të procesit të kthimit të teknicieneve të shkolluar jashtë.
Zoti Kryeministër! Unë e kuptoj se qeveria, me politikat fiskale të ndjekura, deformimet në standardet e sigurisë publike, me bllokimin prej pasigurisë dhe korrupsionit të investimeve të huaja, me një borxh të madh public që ka kaluar mbi 73%, nuk mund të kishte një realizim buxhetor më të mirë në vitin e kaluar.
Është buxheti i një vendi të varfër, me ekonomi nën potencial, të penguar në politikat zhvillimore, nga kanceri i korrupsionit, krimit të organizuar dhe politikat diskriminuese krahinore. Është buxheti i një qeverie të një vendi që nuk arrin dot të krijojë frymëmarrjen dhe kushtet e nevojshme për të ecur vetë ekonomikisht.
Këtë insuficencë menaxheriale të sistemit, po e ndjejnë më së shumti banorët e Qarkut të Shkodrës, të Kukësit dhe të Dibrës, të harruara për katër vite të shkuara dhe të projektuara sërish në një skemë investimesh, me të njëjtat standarde.
Jam i ngarkuar posaçërisht t’ju adresohem Ju, zoti Kryeministër, nga elektorati i Shkodrës dhe krahinës, që ende jetojnë në ish- kryeqendrën e Shqipërisë, por edhe nga shumë emigrantë, për t’ju komunikuar se: politikat e ndjekura nga ana juaj në heshtje, kanë çuar në zbrazjen e Shkodrës, në përmbylljen e procesit të rrënimit ekonomik, në kolapsin e investimeve të huaja dhe në një papunësi që kalon shifrat mbi 40% të forcës aktive të punës.
Me lejoni t’ju tregoj, se nga vlerësimi i të dhënave të buxhetit të parashikuar për Bashkinë Shkodër, me shifrat e parashikuara për të gjitha Bashkitë e tjera të RSH • Bashkia Shkodër për vitin 2016 është përfituese e vetëm 0.5% të fondeve. • për vitin 2017 është përfituese me 0.1% të fondeve. • Fondi Shqiptar i Rajonit për vitin (2015 – 2016) ka akorduar 1% të investimeve për Bashkinë Shkodër. • Për shpërndarjen e fondit të investimeve për ujitje dhe kullim është akorduar 2% e fondit.
Qeveria nëpërmjet instrumentit të Fondit të Zhvillimit të Rajoneve (FZHR) s’ka akorduar fonde. Gjatë viteve (2014-2016) gramatura e fondeve është vlerë tmerrësisht e papërfillshme, krahasuar me totalin e shpërndarë për pushtetin vendor: Përqindja e investimit mbi totalin e FZHR: (për vitin 2014)=0.4%; ( për vitin 2015) =0.6%; ( për vitin 2016) =0.4%;( Janar – Mars 2017) =1.3%
Fondi i Zhvillimit të Rajoneve – Financimet sipas qarqeve – 2017:
Shkodra (6.5 %), Lezha (3.5 %), Dibra (2.6 %), Kukësi (0.8 %), Korça (16.0 ), Fieri (14.8 %), Durrësi (9.0 %), Elbasani (8.0 %), Vlora (7.5%).
Kam studiuar me kujdes Listën e Investimeve me Financim të Brëndshëm, që qeveria e RSH ka parashikuar për përiudhën 2018-2020 për Bashkinë Shkodër: Nuk ka pothuajse asgjë nga tërësia e projekteve të dorëzuara në agjencitë qeveritare nga ana e Bashkisë Shkodër. Me rezulton se jo vetëm, që nuk do të ketë kompensime në buxhet për mungesën e investimeve për përiudhën (2013-2017), por do të ruhen të njëjtat nivele si katër vitet e mëparshme të qeverisjes suaj.
E ndjej për detyrë t’ju kujtoj, se akuzoheni për diskriminim krahinor sistematik, për thyerje të betimit mbi Kushtetutë dhe për përçarje të heshtur të krijuar në popull. Sa më sipër është një kujtesë për Ju, për të kryer detyrën njëlloj në territor ndaj të gjitha komuniteteve pa dallim
Uroj që të ketë ardhur koha që ju të reflektoni sadopak..
Shkodra dhe krahina kanë nevojë urgjente për një ndërhyrje të programuar me investime themelore, që duhet të fillojnë nga kryeqendra drejt zonave që kanë nevojë për një frymëmarrje të bashkërenduar me frymemarrjen e qendrës së vet historike. Nuk mund të lejohet më edhe një katërvjeçar tjetër diskriminues ndaj saj, në aspektin e investimeve dhe krijimit të shanseve të
barabarta në zhvillimin krahinor.
Komentet