Ardit Ferizi që u arrestua në Malajzi për llogari të Shteteve të Bashkuara të Amerikës se i kishte dorëzuar ISIS materiale të autoriteteve amerikane, është identifikuar me emërtimin ‘KHS’(Kosova Hackers Security).
Një punonjës i kompanisë amerikane, që ra viktimë e hakerit Ardit Ferizi në gusht të 2015 kishte vërejtur se dikush kishte hyrë pa autorizim në faqen e tyre. Në dosjen e hetuesve të FBI shkruhet se bëhej fjalë për llogarinë me emër KHS, në përdorim nga 20-vjeçari nga Gjakova Ardit Ferizi. Ai kishte krijuar akses në serverin e kompanisë amerikane përmes llogarisë “KHS”, që e kishte krijuar më 13 qershor 2015, dy muaj para se punonjësit të binin në gjurmët e tij dhe ta denonconin në FBI.
Kompania ia kishte fshirë tre herë llogarinë hakerit gjakovar, por më 15 korrik të këtij viti sërish kishte hapur “dosjen” e tij brenda të njëjtës kompani. Pas kësaj, hakeri kishte kërcënuar kompaninë se do të publikonte të dhënat e tyre nëse i fshinin sërish llogarinë.
“Përshëndetje Administrator,
Është hera e tretë që i fshini dosjet e mia dhe humbni punën time hakuese në këtë server! Po ju paralajmëroj se nëse e bëni prapë, do ta bëj publik secilin klient në këtë server! Nuk dua ta bëj këtë, sepse nuk fitoj asgjë! Por, pse po mundoheni të ma humbni qasjen në server, haha! Pse po shpenzoni kohë në një gjë që nuk mund ta bëni? Ju lutem mos bëni të njëjtin gabim, sepse gjëra të këqija do t’ju ndodhin. Nuk kam prekur asgjë në dosjet tuaja të hostingut, ju lutem as ju mos i prekni të mijat.
Kontaktoni me mua? Khs-crew@live.com
Përshëndetje nga një haker Shqiptar! #SkyNet #KHS”, ishte mesazhi i Ferizit për kompaninë”.
Më 20 gusht, punonjësi i kompanisë i ishte përgjigjur letrës së Arditit, duke i kërkuar atij që të mos tentojë ta sulmojë sërish serverët e kompanisë. E kosovari i ishte përgjigjur me një tjetër mesazh të koduar.
“2BTC 1f5Vgh7wMU9ofZWZno9ABsLSQ7XXkLsrG dhe do të dal nga serveri juaj dhe do ta bëj një raport për metodën se si kam marrë akses në serverët tuaj”, shkroi ai.
Në raportin e agjentit federal të FBI thuhet se Ardit Ferizi i identifikuar si “KHS” ka kërkuar nga kompania dy bitcoin(monedhë dixhitale) në vlerë rreth 500 Dollarë për ta rikthyer aksesin e kompanisë në serverët e tyre dhe t’u tregojë me anë të një raporti metodën e hyrjes së tij në serverët e kompanisë.
Në atë periudhë, FBI ka ndërhyrë me pëlqimin e kompanisë dhe ka rishikuar të gjitha informacionet, duke gjetur kështu prejardhjen e adresës IP, e cila u lokalizua në një qendër interneti në Malajzi, e që më pas rezultoi të jetë përdorur nga Ardit Ferizi që studionte shkenca kompjuterike në një institut privat në kryeqytetin Kuala Lumpur.
Aksesi i Ardit Ferizit në serverët e kompanisë amerikane i mundësoi atij hyrjen e të dhënave personale si emri, mbiemri, numrat e telefonit, numrat identifikues, llogaritë bankare, fjalëkalimet etj., të mbi 100 mijë personave, përfshirë edhe të dhënat e rreth 1000 ushtarakëve dhe zyrtarëve federalë të SHBA, të cilat dyshohet se ia dërgoi militantëve të ISIS.
Ferizi u arrestua më 15 shtator 2015 nga autoritetet e Malajzisë dhe pritet ekstradimi i tij në SHBA ku mund të vuajë dënimin me burgim deri në 35 vjet për veprat penale “Hyrje e paautorizuar në kompjuter”, “Vjedhje e rendë e identitetit” dhe “Sigurim i materialit për një grup të caktuar terrorist”.



Komentet