Ish-kryeministri Berisha dhe Kryeministri Rama replikuan në Parlament edhe për dekoratat e dhëna nga Presidenti Nishani pak ditë më parë për 67 nacionalistë në zonën e Lushnjës.
Berisha i ka kërkuar kreut të qeverisë qëm pavarësisht prejardhjes që kam duhet ta përshëndesë gjestin e kreut të shtetit dhe të vendosë lule në memorialin e tyre, raporton “Panorama”, duke zbardhur debatin pa mikrofon mes tyre.
“Ju vërtet vini nga bllokmenët, por juve ju takonte që ndaj Luftës të mbani qëndrim. Në vend se të përshëndesësh gjestin e Presidentit të Republikës, në vend se të shkosh të vendosësh një tufë me lule tek ata fshatarë që u ekzekutuan vetëm se urdhëroi Dushani, i cili donte me çdo kusht të mbillte farën e luftës vëllavrasëse në Shqipëri”, ka deklaruar Berisha.
Përgjatë gjithë fjalës së tij, ish-kryeministri i ka lexuar Kryeministrit Rama shkrimin e tij “Refleksione”, në të cilin flet për Enver Hoxhën dhe Partinë Socialiste. Ndërkohë Kryeministri Rama, pavarësisht se nuk e mori fjalën për të replikuar nga foltorja e Kuvendit me Berishën, përgjatë gjithë fjalës së këtij të fundit i ka kujtuar funksionet që ka pasur gjatë regjimit komunist.
Rama ka debatuar me Berishën nga vendi. Sipas Kryeministrit, deputeti i LSI-së, Spartak Braho, i di përpjekjet e Berishës për të hyrë në Partinë Komuniste, por ai ka vendosur të mos tregojë.
“Për atë të dëgjoj unë ty se ti e di mirë atë parti. Ti e di ç’ke hequr për të qenë në atë parti. Baba Taku e di ç’ke hequr ti për të hyrë, po nuk tregon ai. Tani e mohon ti”, ka deklaruar pa mikrofon Kryeministri. Berisha e cilësoi diktatorin Enver Hoxha si një tradhtar të ndyrë dhe të pashembullt në historinë tonë kombëtare. Sipas tij, Hoxha bëri gjithçka për të bashkuar Shqipërinë me Jugosllavinë.
Berisha gjithashtu deklaroi se është e vërtetë që një pjesë e konsiderueshme e Ballit pas Konferencës së Mukjes filloi rrugën e bashkëpunimit, dhe ajo është tradhti e mirëfilltë kombëtare. Por sipas tij, në këtë bashkëpunim nuk u përfshi i gjithë Balli, pasi një pjesë e madhe e tyre nuk bashkëpunoi kurrë dhe u vranë duke qëndruar besnikë ndaj flamurit kombëtar dhe çështjes kombëtare.
BATUTAT
Sali Berisha: A doni t’jua lexoj shkrimin e tij te “Refleksionet”? A doni t’ju lexoj se ç’thotë ky për gjeneral Enver Hoxhën të udhëhequr nga jugosllavët? I keni te libri. Ky njeri ka marrë fund, dhe unë ju them se i ka përpëlitjet e fundit në pushtet. Njeri që s’ka kurajë, i mban dekretet e Presidentit në sirtar. Shkon i lutet Ilir Metës me orë të tëra që mos t’i sjellë për votim, se përndryshe bie. Po s’ka burrëri ai, ndaj është bërë pelte, qull është bërë. T’i lexoj këtu unë ty: “Për sa kohë PS nuk ka bërë denoncim të plotë të origjinës së historisë së saj, ajo s’mund të ketë të drejtën për të qenë parti e ligjshme”. Janë të miat apo të këtij zotërisë (Ramës) këto?
Edi Rama: Ça bën kshu mo, gjithë ai komunist u katandise në ballist?
Sali Berisha: Vazhdojmë më tutje ç’ka thënë: “U ulëm për zbërthimin e mitologjisë së 28 mijë dëshmorëve. Gjaku i rremë, në themel të kolltukëve nisi tërmetin. Pra ata mund të kenë harruar historinë e Shqipërisë, kujtojmë se në konferencën e Pezës është vendosur çështja e shtetit kurse …”
Edi Rama: Lexoi korrekt, mos të vij unë aty edhe të kap gabim, siç të kam kapur edhe herë tjetër. Lexoji fjalë për fjalë ato, jo siç të interesojnë ty…
Sali Berisha: Jo, jo, t’i lexoj korrekt, fare mirë, unë. Fjalë për fjalë t’i lexoj. T’i lexoj me korrektesën më të madhe dhe nëse unë të deformoj qoftë edhe një fjalë të vetme, hajde thuaje. Ja e kam këtu unë: “Kongresi i Përmetit quhet si legalizim i fitores së komunistëve në luftën civile dhe që i mohoi të drejtat kombit shqiptar”. Ja ku e keni. S’e thashë unë. S’më kuptove drejt kur të thashë qëparë se kur i vjen ngordhja qenit, vjen dhe bën shurrën në derë të selisë.
Gent Strazimiri: Bravo, ashtu bën ai.
Edi Rama: Po ti Sali ku e bën shurrën, në Parlament?
Sali Berisha: Se ky (Rama) do të ikë nga selia, s’ka punë me ju ky, ja ç’ka thënë për ju ky. Ja, o socialistë, çka thënë për ju ky që ju udhëheq sot. Meqë e hapa temën, do të them edhe vetëm dy fjalë. E kam thënë dhe e them prapë se është një faqe e ndritur Lufta Çlirimtare. E kam thënë, e them dhe do ta them gjithë jetën time. Duke thënë këto, e them dhe do ta them se që në momentin e themelimit të saj nga Mugosha dhe Begoviçi si reparte të Partisë Komuniste të Serbisë, me porosi të komitetit. Tani do të më dëgjosh pak mua ti për këtë çështje.
Edi Rama: Për atë të dëgjoj unë ty, se ti e di mirë atë parti. Ti e di ç’ke hequr për të qenë në atë parti. Baba Taku e di ç’ke hequr ti për të hyrë, po nuk tregon ai. Tani e mohon ti.
Sali Berisha: Në fakt, unë i përkas asaj kategorie të njerëzve që asgjë nuk mohoi. Organizoi Luftën nën udhëheqjen e Mugoshës. A e di ti që nuk u emërua sekretar i parë ai? A e di ti që i dhanë çelësat e financës dhe sekretar i parë e mbajti Dushani për kohë të tërë, deri sa e rekrutuan? Lexoni historinë. Pasi e rekrutuan, e vunë në krye, natyrisht Dushani urdhëronte. Erdhi një moment brilant në historinë tonë me ndihmën e qeverisë britanike, dhe ky moment i jashtëzakonshëm ishte Konferenca e Mukjes, e cila bashkoi forcat e shqiptarëve, pavarësisht nga dallimet ideologjike, në luftë kundër pushtuesit, por mbi të gjitha, përcaktoi si zgjidhje të çështjes kombëtare Shqipërinë etnike.
Edi Rama: Pse nuk ia thoje Hysniut këto ti? Ore, e ke pasur 25 vjet Hysniun, pse nuk ia thoje këto?
Sali Berisha: Zgjodhi Komitetin e Shpëtimit Kombëtar me në krye një eksponent kryesor të Ballit, intelektual i shquar, Hasan Dosti, dhe zgjodhi komandant të njësive partizane të Shqipërisë njeriun që në Konferencën e Pezës ishte krah për krah me partizanët, komandantin legjendar Abaz Kupi. Brenda një jave, ndërhyrja e serbëve ishte violente, ishte shkelmim dhe detyruan edhe Enver Hoxhën, duke kryer edhe aktin e madh të tradhtisë kombëtare. U bë debat këtu këtë javë për ata që dekoroi Presidenti i Republikës. Ore të mjerë, krimet e luftës nuk parashkruhen kurrë, nuk do të thotë se pse je në luftë, të kryesh krime monstruoze. Gjenocidi nuk parashkruhet kurrë. Krimet kundër njerëzimit nuk parashkruhen kurrë.
Edi Rama: Ore, pse nuk ia thoje Hysniut të gjitha këto, meqë i paske ditur ti…?!
Flamur Noka: Ia ka thënë Spiros, pa merak…
Sali Berisha: Dhe këtu del një avokat i xhelatëve serboshqiptarë dhe përmend origjina. Në vend se të dënonte me ashpërsinë më të madhe. Po, pas abrogimit të Mukjes është shumë e vërtetë që një pjesë e konsiderueshme e Ballit filloi rrugën e bashkëpunimit, dhe ajo është tradhti e mirëfilltë kombëtare. Por një pjesë e madhe e tyre nuk bashkëpunoi kurrë, u vranë dhe nuk bashkëpunuan, por qëndruan besnikë ndaj flamurit kombëtar dhe çështjes kombëtare. Ju na thoni se Tito deshi të fuste divizionet dhe Enver Hoxha ia refuzoi. Enver Hoxha pranoi divizionet, pranoi bashkimin.
Edi Rama: Po ishte burrë i zgjuar ai…
Sali Berisha: Jo nuk ishte burrë i zgjuar ai. Ai ishte një tradhtar i ndyrë, i pashembullt në historinë tonë kombëtare, i cili bëri gjithçka për të bashkuar Shqipërinë me Jugosllavinë. Të njëjtën gjë mbajti ai në ‘68, në ‘82, ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe e vërteta është se në njëfarë mënyre po vazhdon edhe ti kështu. Ju vërtet vini nga bllokmenët, por juve ju takonte që ndaj Luftës të mbani qëndrim. Në vend se të përshëndesësh gjestin e Presidentit të Republikës, në vend se të shkosh të vendosësh një tufë me lule tek ata fshatarë që u ekzekutuan vetëm se urdhëroi Dushani, i cili donte me çdo kusht të mbillte farën e luftës vëllavrasëse në Shqipëri.
Edi Rama: Pse s’Ia thoje Hysniut? Mirë Mehmeti nuk të pyeste, po t’ia thoje atij tjetrit.
Sali Berisha: Në vitin ‘90 ka me qindra artikuj. Asnjë prej tyre nuk ka thënë që PS-në ta nxjerrin jashtë ligjit. Asnjë prej tyre, përveç teje, pasi je i vetmi, je një ekstremist. E di pse e ke thënë këtë? Pasi e nisi Nexhmija me çdo kusht të merrte PD-në dhe mori atë që meritonte, u kthye ta merrte ky PS-në. U bë copa të merrte PS-në. Dhe pasi nuk e mori dot PS-në, shkroi mbrapa në librin “Refleksione” se këtë parti duhet ta nxjerrin jashtë ligjit. Unë të kam ty libër të lexuar, nuk ka libër më të mërzitshëm, por prapë se prapë unë t’i them gjërat.
Edi Rama: E di që s’ka për të të dalë shpirti pa më lexuar edhe një herë…
Komentet