“Izraelitët në Shqipëri” i autorit shqiptaro-hebre, Josef Jakoel, është një nga librat autentikë të historisë së pranisë të hebrenjve në Shqipëri. Një histori në pamje të parë familjare, por në thelb, një libër plot fakte dhe i shoqëruar me foto të shumta që hedh dritë në të vërtetën e mbajtur të fshehur nga diktatura. Libri ka vlerë të madhe si dokument historik, sepse personazhet dhe ngjarjet e librit janë reale, aq më tepër kur janë të treguara nga një dëshmitar hebre, sikur autori Josef Jakoel, i cili lindi në Shqipëri dhe aty kaloi pothuaj gjithë jetën.
“Izraelitët në Shqipëri” është botuar nga Botime Çabej. Librin e redaktuan dhe përgatitën për botim Feliçita Jakoel, e bija e autorit dhe Agron Alibali; për shtyp u përgatit nga Brikena Çabej dhe Kleida Maluka. Librin autori ia kushton së motrës së tij Eftihia, burrit të saj Rafo, dhe dy fëmijëve të tyre, djalit 5-vjeçar Niso dhe vajzës 2-vjeçare Lina, viktima të Holokaustit. Fotoja e Eftihisë me djalin dhe vajzën janë në kopertinën e librit punuar nga Feliçita Jakoel. Në koperinë veç atyre janë disa lule të kuqe dhe disa gurë të lëmuar që sipas tradites hebreje çohen nëpër varreza në kujtimin e të dashurve.
“Ne, izraelitët e Shqipërisë, izraelitët që erdhën këtu për të shpëtuar jetën e tyre dhe ata të mbarë botës, jemi dëshmitarë të shpëtimit të izraelitëve që u ndodhën në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kur qytetërimi po njollosej dhe po merrej nëpër këmbë me sadizëm nga barbarët më gjakatarë të historisë njerëzore, këtu po shtjellohej kjo ngjarje që është epope. Shqipëria, ky vend “me katër gure”, siç e kishte quajtur një mbret që nuk ngurroi të dërgonte trupat e tij për ta dhunuar, po i jepte Europës dhe botës një shembull që nuk do të harrohet kurrë.”
Fjalët e mësipërme i shkruan Josef Jakoel autori i librit Izraelitët e Shqipërisë. Ai lindi në Vlore me 1922 në nje familje me origjine hebraike, bir i Rafael Jakoelit dhe Sandra Matathias. Si kreu shkollën fillore në qytetin e lindjes, shkon në Greqi ku kreu të mesmen në Institutin Teknik Tregtar në Korfuz. Gjate luftes, si shtetas i huaj, u internua nga greket për disa muaj në kampin e Korintit, ku vuajti nga të ftohtët e uria dhe u semur rënde. Kur arriti më ne fund të kthehej ne Shqiperi me 1941 – sigurisht pa mundur te lajmeronte familjen ishte dobësuar e kish ndryshuar aq shume, sa e ëma që i hapi deren nuk e njohu. Gjate pushtimit nazist së bashku me të motrën u fsheh dhe u shpetua ne Kavajë nga familja Myrto. Studimet universitare i kreu ne Fakultetin Ekonomik të Universitetit Shtetëror në Tirane. Panoi si financier, pedagog ne shkolla bujqesore dhe pedagog kontabilitetit ne Fakultetin e Agronomise në lnstitutin e Lartë Bujqesor në Kamëz. Eshte autor i disa librave dhe teksteve universitare per lenden e kontabilitetit. Më 1974 qe nje nga themeluesit e qendrës së pare të mekanizimnit të evidences (komjuterizimit të të dhënave) në Shqipëri. Në vitin 1990 ishte një nga nismëtarët dhe themeluesit e Shoqatës së Miqësisë Shqipërl-Izrael. Po atë vit shkrol librin e tij të parë për historinë e izraelitëve në Shqiperl. Më 1991 largua per ne Izrael së bashku me familjen. U nda nga jeta ne nentor 1992.
Pjesë nga libri
Ka njerëz që përpiqen të njollosin me shpifje të ulët qëndrimin fisnik dhe burrëror që mbajti populli shqiptar karshi izraelitëve duke i shpëtuar ata nga duart e nazistëve. Këta njerëz thonë se ky qëndrim i shqiptarëve karshi izraelitëve ka qenë i diktuar nga interesi, sepse izraelitët kishin para që të paguanin përkrahjen që u jepej. Nuk përjashtohet fakti që ndonjë izraelit të ketë pasur para, por këtu nuk është fjala për të përballuar nevojat jetësore të një periudhe të shkurtër kohe.
Këtu është fjala për muaj e vite me radhë. Më shpesh, këta emigrantë izraelitë të ikur me ngut dhe në rrethana tragjike nga vendi i tyre, kanë ardhur në Shqipëri vetëm me rrobat e trupit. Kurdoherë që ishte e mundur, ata punonin që të nxirrnin kotheren e bukës. Kishte izraelitë që në kohën e pushtimit italian punonin si fotografë, të tjerët merreshin me tregti ambulante, dikush tjetër punonte si çirak, e kështu e me radhë.
Por kur e shkelën nazistët vendin, u pre çdo mundësi pune, sepse izraelitëve iu desh të fshiheshin në qytete e fshatra, ku rrinin mbyllur që të mos binin në dorë të armikut gjakatar. Ka dokumente që provojnë gjendjen ekonomike të tyre të dobët.
Në kohën kur disa emigrantë izraelitë hynë në Shqipëri, janë mbajtur procesverbale nga autoritetet kufitare. Në to shkruhet se, përveç rrobave të trupit, ata nuk kishin asgjë tjetër.
Prefektura e Durrësit më 5 korrik 1943 njoftonte Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë se katër familje izraelite që duhej të dërgoheshin nga Kruja në Lushnjë nuk kishin as me se t’i paguanin shpenzimet e udhëtimit. Disa emigrantë izraelitë të ardhur nga Prishtina, nga Shkupi etj., u trajtuan si refugjatë dhe atyre u është akorduar një kuotë ditore për ushqim. Edhe më keq paraqitej gjendja e atyre izraelitëve që u arratisën nga shtetet fqinje. Disa prej tyre u detyruan t’i kërkojnë Ministrisë së Punëve të Brendshme që t’i lejonte të shkonin në Tiranë për të shitur plaçka shtëpiake për të përballuar ushqimin ditor.
Përkundrazi, ka shumë raste kur shqiptarët jo vetëm që nuk kërkuan shpërblime, por as që i pranuan ato. Po ashtu ka raste që shqiptarët kthyen të paprekura sendet me vlerë që izraelitët u kishin besuar kur po bëheshin gati të arratiseshin fshatrave. Më sipër përmenda rastin e Avram Eliasaf Ganiut, të cilit Beqir Qoqja ia ktheu paratë letër e flori që ai i kishte besuar në prag të daljes në ilegalitet. Po ashtu ndodhi edhe me Nadire Binxhiun, e cila ruajti dhe ktheu të paprekura sendet që i kishin besuar izraelitët.