Izraelitët e Shqipërisë
PARATHËNIE
Duke filluar që nga viti ‘70 i erës sonë, historia e diasporës (shpërhapjes) së popullit izraelit është historia e bashkësive izraelite të shpërndara nëpër botë dhe të ngulura në vende të ndryshme. Ka pasur bashkësi që kanë qenë të mëdha si numër dhe të organizuara; ka pasur të tjera të cilat, qoftë edhe më të vogla, kanë qenë vatra kulturore me rëndësi. Për bashkësi të tilla, historia e tyre e pasur është mjaft e dokumentuar. Kështu që ata që kanë shkruar për to kanë mundur të mbështeten në monumente e dokumente. Por ka pasur jo pak bashkësi, siç është edhe ajo e izraelitëve të Shqipërisë, që kanë histori që nuk njihet aq sa duhet.
Qëllimi im është që, duke u nisur nga ato pak dokumente që ekzistojnë, në traditën gojore që na kanë transmetuar të vjetrit tanë brez pas brezi dhe në përvojën e gjyshërve të brezit tonë, të shkruaj për ngjarjet më të rëndësishme të bashkësisë izraelite të Shqipërisë. Në këtë mënyrë do të lihen gjurmë, të cilat mund t’u hyjnë në punë atyre që në të ardhmen do të merren me këtë histori.
Historia e dokumentuar e izraelitëve që kanë shkelur truallin arbëror nis qysh të paktën nga shekulli XII i erës sonë, qoftë edhe me pak elemente, dhe vazhdon me ndonjë ndërprerje të shkurtër deri në ditët tona. Gjatë kësaj periudhe të gjatë kohe ka pasur ndonjë ngjarje të zakonshme, por në vitet e Luftës së Dytë Botërore ajo është e ngjeshur me ngjarje të jashtëzakonshme. Në këtë periudhë kohe, përveç izraelitëve me banim të përhershëm në Shqipëri, këtu erdhën edhe qindra të tjerë për të shpëtuar kokën nga persekutimet çnjerëzore të nazistëve gjermanë. Në kohën kur izraelitët e Europës së pushtuar po i digjnin në furrat e kampeve famëkeqe të shfarosjes në masë, në Shqipërinë e vogël populli i saj i priti izraelitët me krahë hapur, i strehoi, i ushqeu, i veshi dhe i shpëtoi nga thonjtë e xhelatëve të tyre. Bashkësia hebreje e Shqipërisë, është, në mos e vetmja, një nga bashkësitë e rralla të Europës së pushtuar nga nazistët, e cila shpëtoi pa u dëmtuar pothuajse fare.
Në ndonjë vend të botës, si në Shqipëri dhe në Izrael, njihen episode të këtyre ngjarjeve, sepse në këto dy vende jetojnë dy protagonistët e tyre, populli shqiptar që i shpëtoi dhe ata izraelitë që shpëtuan dhe që sot jetojnë kryesisht në Izrael. Por prapë ngjarjet kanë qenë aq të shumta dhe të larmishme saqë as njihen dhe as mund të njihen të tëra. Ndihma fisnike që populli shqiptar dha në këtë drejtim, pa rënë në kurthet e propagandës hitleriane dhe në llumin e racizmit, nuk mund të tregohet e gjitha. Ngjarjet në fjalë përmbajnë një dozë të tillë ndjenjash lartësisht njerëzore, shpirtmadhësie, bujarie dhe guximi saqë duhet patjetër t’i bëhen të njohura të gjithë botës. Ato janë të tilla saqë mund të bëhen shembull e mësim për të gjithë popujt.
Ka njerëz shpirtvegjël që nuk e tresin dot faktin që populli shqiptar gjatë gjithë historisë së tij të ketë dhënë shembuj fisnikërie. Këta njerëz mundohen të hedhin baltë në sjelljen bujare të popullit shqiptar, duke përhapur poshtë e përpjetë fjalë se qëndrimi i mbajtur nga populli shqiptar ndaj izraelitëve ishte i lidhur me interesin e tij material, sepse ai paska qenë shpërblyer nga ata që ndihmoi. Ka të tjerë që, duke falsifikuar ngjarjet, shpifin se populli shqiptar, jo vetëm që nuk i ndihmoi izraelitët, por madje i paska përndjekur dhe i paska ndihmuar persekutuesit nazistë.
Ky shkrim ka si qëllim që të hidhen poshtë shpifje të tilla të përbindshme dhe të ulëta. Vetë qëndrimi i popullit shqiptar karshi izraelitëve ka qenë aq madhështor sa nuk ka njeri në botë që të mund ta errësojë. Për të shkruar këtë libër unë u konsultova dhe u ndihmova nga shumë protagonistë të ngjarjeve si dhe nga shumë pjesëtarë të bashkësisë izraelite të Shqipërisë, të cilëve u mora kujtimet. Faktet janë të vërteta, pa shtesa e zbukurime. Ato nuk kanë nevojë për shtesa dhe zbukurime, sepse flasin vetë ashtu siç janë.
Falënderoj të gjithë ata, shqiptarë dhe izraelitë, që më nxitën dhe më ndihmuan që t’i hyja kësaj pune aq të vështirë për fuqitë e mia.
HYRJE
Shqiptarët janë popull shumë i vjetër. Ata banojnë në trojet e veta qysh prej kohëve të lashta. Gjatë shekujve paraardhësit e tyre janë njohur në histori me emra të ndryshëm. Që prej kohës kur të dhënat historike bëhen më të sigurta, territori i vendit ishte populluar nga fise ilire. Më vonë, në mesjetë, banorët e Shqipërisë filluan të quheshin árbër, emër që e mbajnë edhe sot në bashkësitë që jetojnë jashtë vendit. Në kohën e re ata filluan ta quanin veten “shqiptarë”, emër nga i cili vjen edhe emri i sotëm i vendit – Shqipëri.
Territori i banuar prej popullit shqiptar shtrihet në perëndim të Gadishullit të Ballkanit, në brigjet e deteve Adriatik dhe Jon, të pajisura me vende të përshtatshme për skela. Ai ndodhet në kryqëzim të rrugëve midis Perëndimit dhe Lindjes dhe në vijën detare që shkon nga Veriu në Jug. Në perëndim të këtij territori shtrihet një fushë bregdetare pjellore e formuar nga aluvionet e lumenjve që e përshkojnë nga lindja në perëndim. Në lindje të kësaj zone fushore bregdetare fillojnë të ngrihen male të larta masive që mbulojnë pjesën më të madhe të truallit të banuar prej shqiptarëve. Këto male shtrihen në përgjithësi në drejtim VP-JL. Në këto lugina e rrafshina të pakta e të vogla, malet e Shqipërisë së Veriut dhe të Mesme formojnë blloqe të gërryera nga shumë lumenj dhe të ndara nga gryka të thepisura që i bëjnë të vështira lidhjet midis krahinave të ndryshme. Këtu ka vetëm një luginë të rëndësishme – ajo e Matit. Në Shqipërinë e Jugut luginat e tre lumenjve të mëdhenj – Shkumbin, Devoll dhe Vjosë – i bëjnë të mundshme lidhjet midis bregdetit dhe viseve të brendshme. Vetëm në lindje të këtyre vargmaleve dhe të lumit Drin ka rrafshina të gjera pjellore siç janë rrafshinat e Kosovës, Dukagjinit dhe Dibrës.
Kushtet e favorshme natyrore i dhanë mundësi zhvillimit të bujqësisë dhe blegtorisë. Në bregdet dhe në tre liqenet e mëdhenj – të Shkodrës, Ohrit dhe Prespës – u zhvillua dhe peshkimi. Mbi këtë truall ka krijuar historinë e tij mijëravjeçare populli shqiptar. Ajo është historia e lëvizjes së tij të pandërprerë drejt përparimit. Në këtë rrugë popullit shqiptar i është dashur të kapërcejë vështirësi të mëdha. Përparimi i tij historik u krye gjatë shekujve jo pa mundime. Në fillim i pambrojtur para forcave të natyrës, ai gradualisht u kalit, u rrit. Atij iu desh të bënte një luftë të vazhdueshme kundër shtypësve të brendshëm e të jashtëm. Historia e tij ka njohur periudha ritmesh të ngadalshme zhvillimi, periudha amullie dhe madje periudha regresi të përkohshëm, të shkaktuara ose nga dhuna e forcave të reaksionit, ose nga pasojat shkatërrimtare të luftërave të pushtimit dhe të invadimeve të ndryshme, ose nga bashkimi i njërës me tjetrën.
Historia e popullit shqiptar ka qenë lidhur me atë të popujve dhe të vendeve të tjera, në mënyrë të veçantë të atyre fqinj. Por lidhjet reciproke midis Shqipërisë dhe shteteve të tjera kanë pasur zakonisht karakter kontradiktor dhe, në shumicën dërmuese të rasteve, karakter dhunues e grabitqar nga ana e shteteve më të fuqishme. Këta të fundit gjatë shekujve e kanë bërë Shqipërinë objekt të shtypjes dhe të shfrytëzimit të tyre të egër, dhe kanë qenë faktorët kryesorë të prapambetjes së saj. Lufta kundër pushtuesve të huaj zë vend të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Gjatë më shumë se dymijë vjetëve popullit shqiptar i është dashur të mbrojë vazhdimisht lirinë dhe pavarësinë e tij.
Me punën dhe luftën e tij populli shqiptar krijoi historinë e vet, krijoi vlera materiale e kulturore, dha një kontribut edhe në historinë e përgjithshme të njerëzimit. Edhe sot ruajnë rëndësinë e tyre të madhe monumentet e kulturës antike të vendit. Shqiptarët mund të mburren me krijimtarinë e mrekullueshme popullore, me veprat e letërsisë dhe të artit, me realizimet në fushën e kulturës materiale. Faqe të lavdishme të historisë botërore shkroi ky popull me heroizmat e tij në luftën kundër invazioneve të huaja dhe shtypjes politike e sociale që ato sollën me vete. Qëndresa e ilirëve kundër pushtimit romak dhe lufta e tyre e gjatë, e cila u shkri me kryengritjet e skllevërve dhe të kolonëve dhe me dyndjen e fiseve barbare, kontribuoi në përmbysjen e Perandorisë skllavopronare Romake. Analet e historisë mesjetare flasin për kryengritje të arbërve kundër zgjedhës feudale bizantine. Pushtuesit e rinj që erdhën në Gadishullin Ballkanik, turqit osmanë, me dyndjen e tyre drejt Europës ndeshën në qëndresën heroike të popullit shqiptar, i cili për gati njëqind vjet e pengoi përparimin e tyre të mëtejshëm në Perëndim. Në kujtesën e të gjithë popujve do të ruhet ndër shekuj ndjenja e mirënjohjes dhe e respektit ndaj luftëtarit të madh të Shqipërisë, Gjergj Kastriotit Skënderbeu.
Kryengritje të panumërta kundër zgjedhës osmane mbushin faqet e historisë së Shqipërisë në shekujt XVI-XVIII. Dhe më vonë, krahas me lëvizjet nacional-çlirimtare të popujve të Gadishullit Ballkanik të shtypur nga Perandoria Osmane, forcat përparimtare të Shqipërisë e ngritën përsëri flamurin e Skënderbeut dhe udhëhoqën luftën për çlirim kombëtar të Shqipërisë. Shqiptarët luajtën gjithashtu rol të dorës së parë në lëvizjen revolucionare të dhjetëvjeçarit të parë të shekullit tonë (XX) kundër autokracisë së Sulltanit dhe me luftën e tyre dhanë kontribut për shembjen e Perandorisë së kalbur mesjetare turke.
Lufta e popullit shqiptar për lirinë dhe formimin e shtetit të pavarur shqiptar arriti fazën e lartë në periudhën që njihet me emrin Rilindja Kombëtare dhe që nis në vitet 30-40 të shek. XIX. Kjo ishte lëvizje e madhe demokratike dhe revolucionare, e cila u kurorëzua me shpalljen e pavarësisë. Atdhetarët shqiptarë me Ismail Qemalin në krye hapën në Vlorë Kuvendin Kombëtar që mori vendimin historik për shpalljen e Pavarësisë duke ngritur flamurin kombëtar më 28 Nëntor 1912. Më 1913, pas shpalljes së pavarësisë kombëtare të Shqipërisë, u përcaktuan kufijtë politikë të shtetit. Ato, me ndryshime të vogla ekzistojnë dhe sot. Duke qenë rezultat i pazarllëqeve të fuqive imperialiste, ato nuk përfshijnë mjaft krahina me popullsi kompakte shqiptare, të cilat padrejtësisht u shkëputën nga trungu i Shqipërisë dhe mbetën nën zgjedhën e huaj.
Me fillimin e Luftës së Parë Botërore Shqipëria u kthye në shesh lufte. Vendi u pushtua nga forcat italiane, serbe, malazeze, greke, franceze dhe austrohungareze. Konferenca e Paqes në Versajë nuk e zgjidhi çështjen shqiptare. Me mbarimin e Luftës së Parë Botërore trupat pushtuese italiane mbetën në Vlorë dhe në krahinën përreth. Dëbimi i pushtuesve u arrit në Luftën e Vlorës, gjithashtu u kundërshtua me armë ndërhyrja jugosllave në disa krahina të tjera.
Në maj të vitit 1924 shpërtheu kryengritja demokratike dhe antifeudale e cila arriti fitoren më 10 qershor. Në fuqi erdhi qeveria demokratike e kryesuar nga Fan S. Noli. Kundërshtarët, të mbështetur në trupat serbe dhe bjellogardiste ruse, e shtypën revolucionin dhe në 24.12.1924 në Tiranë u vendos regjimi i Ahmet Zogut. Më 21 janar 1925 u shpall Republika Shqiptare me president Ahmet Zogun dhe më 1 shtator 1928 u shpall monarkia. Në fushën e marrëdhënieve me botën e jashtme, në kohën e regjimit të Zogut Shqipëria u kthye në një gjysmë-koloni të imperializmit italian. Më 7 prill 1939 forcat italiane zbarkuan në Shqipëri dhe vendosën diktaturën fashiste. Fashistët italianë e kthyen vendin në shesh lufte (Lufta italo-greke 1940-1941). Pas kapitullimit të Jugosllavisë (17 prill 1941) shteti i atëhershëm shqiptar i zgjeroi kufijtë duke përfshirë nën administrimin e vet një pjesë të tokave shqiptare që i ishin dhënë Serbisë më 1913.
Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare e popullit shqiptar zuri fill me qëndresën popullore që në muajin e parë të pushtimit italian me demonstratat, protestat, grevat, manifestimet etj. Në mars 1941 u bë përpjekja e parë e luftëtarëve të lirisë me fashistët italianë. Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare shkoi duke u rritur dhe gozhdoi në territorin e Shqipërisë 15 divizione italiane e gjermane. U vranë 28.000 veta. Më 29 Nëntor 1944 Shqipëria u çlirua dhe më 11 janar 1946 u shpall Republika Popullore e Shqipërisë. Populli shqiptar iu vu punës për rindërtimin e vendit dhe për ndërtimin e shoqërisë së re.
Palestina e lashtë, që sot quhet Izrael, shtrihet në skajin veriperëndimor të kontinentit aziatik, në brigjet juglindore të detit Mesdhe. Pra, Shqipëria dhe Izraeli janë shumë larg njëra nga tjetri, kështu që mund të mendohet se në historinë e popujve të këtyre dy vendeve nuk ka asnjë të ngjashme apo të përbashkët. Në të vërtetë faktet flasin ndryshe. Ashtu si populli shqiptar, edhe izraelitët banojnë në territorin e tyre qysh prej fillimit të mijëvjeçarit të dytë para erës sonë. Pas një skllavërie në tokë të huaj që zgjati rreth 600 vjet, izraelitët zunë vend në tokën e Kanaanit që sot është pjesë e Izraelit.
Të dy popujt kanë banuar në vende ku kanë lënë gjurmë të thella të historisë së tyre. Kjo vërtetohet edhe nga zbulimet e mëdha arkeologjike që janë kryer këto kohët e fundit. Të dy vendet janë lakmuar nga të huajt dhe janë pushtuar disa herë prej tyre. Në shumicën dërmuese të rasteve pushtimet kanë pasur karakter dhunues e grabitqar. Kështu gjatë historisë së saj të gjatë, që në kohën e ilirëve, që janë paraardhës të popullit të saj, Shqipëria është shkelur nga helenët, romakët, nga dyndjet e barbarëve, nga sllavët e bizantinët, nga turqit osmanë, nga italianët dhe nga nazistët gjermanë. Edhe Izraeli gjatë historisë së tij mijëvjeçare është pushtuar nga asirët, babilonasit, persianët, helenët, romakët, arabët, selxhukët, kryqtarët, turqit osmanë dhe së fundi nga britanikët.
Të dy popujt nuk janë pajtuar asnjëherë me pushtimin e vendit të tyre nga të huajt. Historia e popullit shqiptar është ngjeshur me luftëra dhe heroizma që kanë sjellë admirimin e botës mbarë. Ndër këto spikat lufta që populli shqiptar ka bërë nën udhëheqjen e Heroit legjendar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut kundër pushtuesve osmanë. Në këtë luftë të pabarabartë që zgjati njëzetepesë vjet, një grusht trimash u bëri ballë ushtrive të panumërta turke, që asokohe quheshin më të fuqishmet në botë. Po kështu ndodhi në Palestinën e dikurshme, [që quhej Jehuda atëhere] kur izraelitët të udhëhequr nga Makabejtë legjendarë, për njëzetepesë vjet tronditën nga themelet pushtuesit e huaj.
Luftërat kanë pasur përfundime të ndryshme, herë me sukses dhe herë me disfata. Në çdo rast popujve të të dy vendeve ato u kanë sjellë vuajtje, rrënime, varfëri, shtypje dhe kanë ngadalësuar rëndë zhvillimin e tyre. Në vitin 70 të erës sonë, izraelitët u hodhën në një kryengritje të madhe shumëvjeçare që tronditi Romën e fuqishme. Prandaj, pasi e shtypën kryengritjen me hekur dhe zjarr, romakët rrënuan vendin, kryen krime të patregueshme kundër popullit dhe rrafshuan tempullin madhështor të Solomonit në Jeruzalem, të rindërtuar nga mbreti Herodi i Madh, tempull që ishte simbol dhe krenari për izraelitët. Pasi pushtuan Shqipërinë turqit u vërsulën kundër çdo vlere materiale dhe shpirtërore të popullit shqiptar, u munduan me çdo mjet që t’i zhduknin gjurmët e shkëlqimit të dikurshëm të vendit, rrafshuan kalanë famëmadhe të Krujës, që ishte simbol krenarie për popullin shqiptar se u kujtonte kohën heroike të Skënderbeut. Në vendin e saj mbeti vetëm kodra ku dikur ajo lartësohej krenare.
Pas shtypjes së kryengritjes, për izraelitët filloi shpërhapja që njihet me emrin Diaspora. Populli izraelit rravgoi nëpër botë dhe zuri vend atje ku mundi, në mes armiqsh dhe miqsh që i toleronin, por i trajtonin pothuajse kudo si popull të radhës së dytë. Qysh atëherë popullin izraelit e ka ndjekur urrejtja e të tjerëve, në fillim për shkak të qëndresës së tij heroike, pra, për “shkaqe” politike, më vonë për arsye fetare, kohët e fundit për “arsye” racore dhe në ditët tona për “arsye” përsëri politike. Izraelitët i detyruan të rronin në lagje të veçanta, të ashtuquajtura geto, ku kanë jetuar në kushte të tmerrshme, përherë në mëshirë të armiqve të tyre që nuk i pushuan përndjekjet dhe pogromet, deri në Holokaustin e llahtarshëm që kreu kundër tyre Hitleri i urryer.
Një gjë e ngjashme me Diasporën ndodhi edhe me popullin shqiptar. Pas pushtimit të vendit nga turqit, për të ruajtur identitetin e tyre, shqiptarët rravguan dhe qëndruan në vende të ndryshme ku ende sot janë me qindra mijëra. Ata kanë ruajtur në vend të huaj identitetin e tyre, gjuhën, zakonet, folklorin dhe sidomos mallin e zjarrtë e të pashuar për atë Atdhe që u detyruan të braktisin. Edhe shumë nga ata që mbetën në vend për të jetuar të lirë, u strukën maleve, atje ku shqipet bëjnë foletë e tyre. Në ato male ata hasën vështirësi dhe vuajtje, varfëri dhe të këqija të tjera, por i duruan të gjitha për të ruajtur identitetin, gjuhën dhe sidomos zjarrin që i digjte për liri.
Në kohët e lashta Palestina [Toka e Izraelit] është quajtur “vendi ku rrjedh qumësht dhe mjaltë”, sepse e tillë ka qenë begatia e viseve të saj. Kishte qytete madhështore dhe kulturë të lashtë, e cila u përhap edhe ndër popuj të tjerë. Pushtuesit shkaktuan që vendi të kthehej gradualisht në shkretëtirë, ku mbinin vetëm ferra e gjembaçe, me qytete të rrënuara. Po kështu në Shqipëri, qytetet dikur të gjalla dhe me veprimtari të shumëllojshme që sillnin begati, humbën shkëlqimin e tyre saqë u katandisën si fshatra, me bujqësi të prapambetur e cila nuk ishte në gjendje ta ngopte me bukë popullin e saj.
Pastaj për të dy popujt erdhi Rilindja. Nga gjiri i të dy popujve dolën atdhetarë e luftëtarë, shkrimtarë e poetë, trima që i hynë punës për të shkundur pluhurin e skllavërisë me të cilin i kishte mbuluar fati i tyre. [Një nga elementet më të rëndësishme në këtë lëvizje të rilindjes për të dy popujt ishte gjuha]. Secili lëvroi gjuhën e vet.
Hebraishtja flitej nga njerëz të ditur, por, me gjithë letërsinë [fetare] kolosale që kishte, ishte varfëruar shumë, nuk i përgjigjej kërkesave të shkencës dhe të teknikës bashkëkohore. Thuhej me të drejtë që ajo nuk kishte fjalë për t’i përdorur përpara një sporteli për të kërkuar një biletë udhëtimi me tren. Për lëvrimin e gjuhës i hyri punës Ben Jehuda [Eliezer Itzak Perlman], i cili filloi një [proces të jashtëzakonshëm për të risjellë në jetë e për të modernizuar hebraishten e lashtë duke krijuar fjalë të reja, gjithnjë duke u bazuar në fjalorin e pasur të Biblës], punë që po vazhdon edhe sot [nga Akademia e Gjuhës Hebraike]. Ajo sot është gjuha zyrtare e Izraelit, flitet pastër dhe e pasur nga populli, përdoret në kopshte fëmijësh, në shkolla që nga filloret e deri në universitete. [Ringjallja e hebraishtes është një rast unik në historinë e filologjisë, ku një gjuhë e “fjetur për shekuj” u shndërrua brenda një kohe të shkurtër në një gjuhë të gjallë e aktive].
Kështu ndodhi edhe me gjuhën shqipe. Edhe ajo ishte varfëruar e molepsur me huazime nga gjuhë të huaja, nuk ishte në gjendje t’u bënte ballë kërkesave bashkëkohore. Punës i hyri Kostandin Kristoforidhi dhe ajo po vazhdon edhe sot. Shqipja flitet e pastër dhe e pasur nga populli, kështu që ajo gjuhë që sot e njëqind vjet nuk kishte as alfabetin e saj, sot përdoret në kopshtet e fëmijëve dhe në të gjitha shkollat e arsimit, që nga arsimi fillor e deri në atë universitar.
Pastaj për të dy popujt, si rrjedhim i luftës së tyre të gjatë e të paepur, lindi dielli i pavarësisë. Pavarësia për Shqipërinë u shpall më 28 nëntor 1912 dhe për Izraelin më 14 maj 1948. Fill pas shpalljes së pavarësisë fqinjët e të dy vendeve u turrën kundër tyre për t’i mbytur qysh në djep. Vetëm qëndresa i shpëtoi të dy popujt nga skllavëri të reja. Më vonë Shqipëria u bë shesh lufte dhe rrezikoi prapë. Ajo u pushtua nga fashistët dhe nazistët, por u çlirua falë luftës legjendare të popullit të saj. Ajo po lufton për demokraci dhe për të ngritur nivelin e jetesës së popullit të vet. Po ashtu edhe Izraeli, i rrethuar nga vende armiqësore, po u përgjigjet kanosjeve të tyre me punë, për t’i siguruar një jetë të qetë dhe të begatshme popullit të tij.
Shënime për kapitullin “Bashkësitë izraelite në Shqipëri që nga kohët e lashta deri në prag të shekullit XVIII
1). – Apollodori, Biblioteca, III, 39, faqe 11.
2). – Scymni, Orbis Descriptio, v. 437.
3). – Straboni: Geografica, VII, 321.
4). – Shtipçeviç. Ilirët. Prishtinë 1980 faqe 46.
5). – Bonfante. Who were the Philistines? në “American Journal of Archaelogy, vol. 50 (1946) faqe 251 etl.
6). – Josephus Flavius “Histoires des Juifs”, shkruar me titull “Antiquités Judaiques, Paris 1600, Tome premier, Chapitre V faqe 477
7). – Gazeta “Israelitische vollentilalt fur di Shvarc 20.IV.1990.
8). – Selim Islami dhe Kristo Frashëri: Historia e Shqipërisë, vëllim i parë, Tiranë 1959, faqe 123.
9). – Engjëll Koliqi. Bisedë radiofonike e datës 20.8.1990 nga Radio Vatikani.
10). – Rae Dalven. The Jews of Joanina. Botues Cadmus Press, Filadelfia, shtypur në Greqi në vitin 1990. Kapitulli “History” faqe 3.
11). – Jakov Milaj: Raca Shqiptare. Botues Ismail Malosmani, Tiranë 1944.
12). – Alain Ducellier: La façade marittime de l’Albanie au moyen age: Durazzo et Valona du XI au XV siecle. Botuar në Thesaloniki nga Instituti i Studimeve Ballkanike në 1981, faqe 425.
13). – Alain Ducellier: vepër e cituar faqe 282.
14). – Alain Ducellier, vepër e cituar faqe 528.
15). – Alain Ducellier, vepër e cituar faqe 528.
16). – Idem si më lart.
17). – Alain Ducellier: vepër e cituar faqe 531.
18). – Fjalori Enciklopedik Shqiptar, zëri “Çifutët e Shqipërisë” faqe 159.
19). – Selim Islami e Kristo Frashëri: vepër e cituar faqe 344.
20). – Fjalori Enciklopedik Shqiptar, zëri “Çifutët e Shqipërisë”.
21). – Idem si më lart.
22). – S. Islami, K. Frashëri; vepër e cituar faqe 344.
23). – Gazeta Israelitische rohenbllat für di Shvaic date 20.IV.1990.
24). – Finnbert: Isreael.
25). – B. Tendler: Studim maket i bërë në vitin 1990.]
26). – Jakov Milaj, vepër e cituar.
27). – Fjalori Enciklopedik Shqiptar: Zëri “Aleksandër Moisiu”.
BASHKËSITË IZRAELITE NË SHQIPËRI QË NGA KOHËT E LASHTA DERI NË PRAG TË SHEKULLIT XVIII
1. Nga Iliria e lashtë në tokën e Kanaanit
Legjendat që vijnë nga mugëtirat e shekujve janë të shumta. Një botë e çuditshme heronjsh, vendesh e mesazhesh miqësore, gëzime, drama, luftëra e beteja të përgjakshme, tragjedi tronditëse. Flitet për grekët, trojanët, romakët, ilirët, pellazgët e ndonjë legjendë ballkanike na çon gjer në tokën e largët dhe epike të Kanaanit, ku sot ndodhet Izraeli. Por jo rrallë, në legjendat, tregimet e moçme, rrëfimet e autorëve antikë përkojnë disa fakte të përbashkëta që të bëjnë të mendosh se, edhe pse dymijë kilometra larg, dy popujt tanë, ilirët dhe hebrenjtë, të vendosur që të dy në brigjet e Detit Mesdhe, të kenë komunikuar e shkëmbyer mesazhe miqësie me njëri-tjetrin, të kenë dhënë e të kenë marrë nga njëri-tjetri.
Në një nga rrëfimet e Apollodorit, shkrimtar grek i shekullit II para erës sonë, thuhet se mbreti i fenikasve, Agenori, dërgoi të birin, Kadmin, për të gjetur motrën e vet, Europën që e kishte rrëmbyer Zeusi. Pas shumë bredhjeve Kadmi u ndal me njerëzit e tij në Beoti, ku themeloi qytetin Tabë. Aty Kadmi u martua me Harmoninë dhe pastaj shkoi tek enkelejdët, ku u bë mbreti i tyre.¹) Që Kadmi u vu në krye të enkelejve ilirë, para Apollodorit, e thotë edhe gjeografi tjetër grek Skymni,²) kurse origjinën e Kadmit nga Feniki e pohon edhe Straboni.³)
Disa studiues të historisë së ilirëve mendojnë se legjenda e lashtë e Kadmit, ashtu si dhe shumë të tjera, shprehin ngjarje që kanë ndodhur me të vërtetë. Sipas tyre, arkeologët dhe historianët, në bazë të fakteve arkeologjike, historike dhe linguistike, kanë shprehur mendimin se midis viseve jugore ilire dhe brigjeve të Lindjes së Mesme kanë ekzistuar shkëmbime intensive të vlerave kulturore.4) Në disa studime shkencore jepet një tezë tjetër që flet për marrëdhëniet shqiptaro-izraelite qysh aty nga fundi i mijëvjeçarit të dytë para erës sonë. Sipas saj, midis fiseve ilire që u shpërngulën aty nga shekulli XII para erës sonë, nga Gadishulli Ballkanik në Azinë e Vogël, ishin edhe pelestët, të cilët u vendosën në bregdetin jugor të Sirisë, duke i dhënë atyre viseve emrin Palestinë.5)
Gjurmë lanë në tokën shqiptare edhe izraelitët e vjetër. Në Shqipëri është edhe sot fshati i Finiqit, dhe dijetarët mendojnë se ky emër, bashkë me Jerikon (Orikumi në jug të Vlorës) dhe Palasën (e lashta Palaste e Cezarit) në bregdetin e Himarës, nuk janë të rastit. Ato përkojnë me emra të lidhura historikisht me Izraelin: Finiqi (Phoinike e lashtë) me Fenikinë e lashtë, Jerikoja me Jerikon e Biblës dhe Palasa me vetë emrin e Palestinës.
Ka pasur edhe migrime nga Palestina në drejtim të Gadishullit Ballkanik. Lidhur me këtë, historiani izraelit i shekullit të parë pas erës së re Josephus Flavius përmend një letër që aty rreth vitit 115 p.e.s, Ariusi, mbret i Laqedomonisë, ia ka shkruar Oniasit, therortarit të madh të Izraelit, ku thuhet: “Ariusi mbret i Laqedemonisë, Oniasit, shëndet. Ne kemi konstatuar nga disa të dhëna se Izraelitët dhe Laqedemonasit kanë një origjinë të vetme, meqenëse të dy rrjedhin nga Abrahami. Meqenëse, pra, jemi vëllezër, dhe meqenëse në këtë mënyrë të gjitha interesat tona duhet të jenë të përbashkëta, është e drejtë që ju të na bëni të njohur me liri të plotë çfarëdo që dëshironi nga ne, dhe që edhe ne të sillemi në të njëjtën mënyrë kundrejt jush. Këtë letër do t’jua sjellë Demoteli, të shkruar në një fletë katrore dhe të vulosur me një vulë ku është gdhendur figura e një shqiponje e cila mban një gjarpër në kthetrat e saj.”6) Pra ka të ngjarë që izraelitët të kenë jetuar edhe në Shqipërinë e sotme qysh prej kohës së grekëve të lashtë7).
[Historianë të ndryshëm të antikitetit si Straboni, Filo, Seneka, Ciceroni dhe Josefus Flavius përmendin faktin e pranisë së hebrenjve në vendet rreth pellgut të Mesdheut qysh në vitet që paraprinin mijëvjeçarin e parë të erës së re]. Sipas historianit romak të shekullit I-II Suetonit, kryengritja ilire e viteve 6-9 të erës së re ka qenë më e tmerrshmja nga të gjitha luftërat që bëri Roma pas luftës së Kartagjenës. Kështu vetëm pas një lufte të gjatë, e cila me ndërprerje u shtri për më se një shekull e gjysmë, romakët mundën më në fund ta thyenin qëndresën ilire. Pas kësaj në Iliri u vendos sistemi ekonomiko-social i Romës, çka solli ndryshime të mëdha në marrëdhëniet ekzistuese shoqërore. Në qytetet e Ilirisë u vendos një popullsi e shumtë, e ardhur nga Italia dhe krahinat e tjera të largëta të Perandorisë si Siria, Palestina, brigjet veriore të Afrikës etj.8) Në Dardani janë gjetur gjurmë sinagogash që u përkasin shekullit I dhe II të erës sonë.9)
Tradita gojore ndër izraelitët e Janinës thotë se izraelitët u ngulën në viset e Epirit aty rreth vitit 70 të erës sonë, pas shkatërrimit të tempullit të dytë të Jeruzalemit. Sipas traditës, perandori romak Titus, pasi zaptoi Jeruzalemin në shtator të vitit 70, po transportonte shumë izraelitë për në Romë si skllevër, kur anija e tij u përplas nga furtuna në brigjet shqiptare. Në vend që t’i mbyste këta skllevër në det, ai i liroi ata dhe ka të ngjarë që ata të jenë shpërndarë mandej në shumë drejtime, ndër të cilat dhe në Janinë. Krahina e Epirit ishte nën sundimin Romak prej vitit 168 para erës së re deri në vitin 375 të erës sonë.10) Gjatë sundimit bizantin, si në të gjithë perandorinë, edhe në trevat e Ilirisë duhet të ketë pasur një numër të vogël izraelitësh, që ndofta kanë jetuar aty deri në kohën e pushtimit të vendit nga Turqia.11) [Një dëshmi e rëndësishme arkeologjike është zbulimi i një mozaiku me simbole të qarta hebraike si shandani shtatëkrahësh i quajtur Menora, shofari (briri i dashit) dhe fruti i qitros në mozaikun e dyshemesë së një kishe të shek. V-VI në qendër të Sarandës së sotme. Me sa duket, më parë se të shndërrohet në kishë, struktura ka qenë sinagogë, dëshmi e një komuniteti të mirëvendosur dhe aktiv, e cila në periudhën bizantine, me sa duket me largimin ose konvertimin e bashkësisë izraelite, u bë kishë].
⦁ Udhëtari izraelit i shekullit XII Beniamini nga Tudela, i cili në atë kohë vizitoi disa bashkësi izraelite të Ballkanit, duke shkruar për viset që sot janë pjesë e Shqipërisë, bën të ditur se populli jeton në male. “…Ata nuk janë të besimit të krishterë… Emrat e tyre janë me prejardhje izraelite. Madje disa thonë se ata kanë qenë hebrenj, dhe e cilësojnë atë komb si vëllezërit e tyre”.
⦁ [Dokumentat e para të shkruara për praninë e hebrenjve në qytete të Shqipërisë janë të shekullit XIII-XIV nga arkivat e Raguzës (Dubrovnik i sotëm) që ishte në atë periudhë pjesë e Republikës së Venecias].
⦁ Krahas grekëve dhe latinëve, izraelitët përbënin një bashkësi të vogël në Durrës, [i cili duke qenë port, përbënte një pikë të rëndësishme në lidhjet me vendet e tjera fqinje].
“Durrësi ishte gjithashtu i banuar nga disa izraelitë, padyshim fare të paktë në numër, aq sa do të mbeteshin ende në kohën veneciane.”12)
“Një tjetër akt i regjistruar në Raguzë më 24 mars 1281 na jep një provë tjetër: veneciani Nikola Martini i famullisë së Shën Mërisë Nova ishte në marrëdhënie shkëmbimi me dy izraelitë nga Durrësi: Leon dhe Mishel nga Kara Kalia…”13)
“Një akt raguzan i datës 11 gusht 1319 na tregon se komuna e Raguzës ishte gati të blinte nga një izraelit nga Durrësi ngarkesën e tij me kripë……”14) Në vitin 1366 një akt tjetër na tregon se aty ishte një i quajtur “David” magister Judayos nga Durrësi”, padyshim po ai që në muajin gusht të vitit 1366 i kishte shitur kripë një raguzani.15)
Shkëmbimet tregtare të kryera nga izraelitët nuk dukeshin dhe aq me rëndësi dhe nuk japin ide të qartë të pasurisë së tyre. Nga ana tjetër një dokument venecian i vitit 1401 nënvizon në të njëjtën kohë numrin e vogël dhe varfërinë e bashkësisë izraelite të Durrësit. Sipas të njëjtit dokument ata i nënshtroheshin një takse të posaçme…”.16) [Në këtë periudhë një numër familjesh izraelite jetonin në qytetin e Durrësit dhe merreshin me tregtinë e kripës].
Po ashtu, në Vlorë në atë kohë “izraelitët duhet të kenë qenë të rrallë: kemi njoftim vetëm për një të quajtur David, i cili ishte ambasador i Marko Zarkoviçit në vitin 1398”17). [Një tjetër akt i vitit 1414, po nga arkivi i Raguzës, pra tre vjet para pushtimit turk të Shqipërisë, na jep disa të dhëna për praninë e izraelitëve në Vlorë].
2. Bashkësitë izraelite në Shqipëri në shekullin XV deri në shekullin XVIII
Për praninë e izraelitëve në Shqipëri nga shekulli XII deri në fund të shekullit XV nuk ka njoftime e të dhëna të mjaftueshme. Komunitete izraelite të mirëfillta e me peshë ndeshen më vonë në Shqipëri, [pas pushtimit otoman, kur do të vihet re një rritje e popullsisë izraelite në qytetet e Vlorës, Durrësit, Elbasanit e Beratit. Pas pushtimit të Vlorës nga Turqit më 1417, porti i saj u shndërrua në portin më të rëndësishëm të Jonit dhe Adriatikut dhe kjo u dha zemër disa grupe hebrenjsh të vendosen në Vlorë qysh më 1426. Në dekadat në vazhdim popullsia hebraike do të rritet me ardhjen e izraelitëve nga Franca, Korfuzi dhe territoret veneciane dhe sidomos nga Italia e Jugut, Pulja dhe Sicilia]. [Edhe pse Pulja dhe Vlora janë shumë pranë njëra-tjetrës kushtet klimatike në Shqipërinë mesjetare ishin shumë të vështira. Si rezultat i hapësirave kënetore sëmundje si malarja dhe tifo bënin kërdinë, e megjithatë izraelitët puljezë vendosën të qëndrojnë aty me shpresë se kur kushtet në vendin e origjinës do të përmirësoheshin do të mund të ktheheshin në vendin e tyre. Rabinë të shquar të zgjedhur nga vetë komunitetet, si Perez Bonfilio apo Rabini David Meser Leon drejtonin jetën shpirtërore dhe fetare të tyre].
[Prania më e rëndësishme do të vihet re] në vitet e fundit të shekullit XV kur grupe izraelitësh të degës mesdhetare të sefardimëve, të ndjekur nga inkuizicioni spanjoll dhe portugez [dhe të dëbuar për arsye fetare nga mbreti dhe mbretëresha e Spanjës, Ferdinandi II i Aragonës dhe Izabela I e Kastiljes, u vendosën edhe ata] në Shqipëri në kohën e Sulltan Bajazidit II. [Kjo ardhje e elementit hebraik ndikoi në ngritjen dhe forcimin e ekonomisë otomane duke ndërfutur profesione, ide, dhe metoda të reja në çdo fushë. Ndërmjet tyre do të ketë edhe punonjës në burokracinë otomane si edhe do të shërbejnë edhe në misione diplomatike]. Të porsaardhurit në Shqipëri iu shtoheshin hebrenjve puljezë të vendosur tashmë prej disa dekadash duke krijuar në Vlorë bashkësitë e tyre të cilat do të përhapen më vonë edhe në Berat e Elbasan.”19) [Këto grupe të ndryshme izraelitësh do të ruajnë gjuhën, zakonet dhe traditat e tyre sipas vendit nga ku kishin ardhur çka dallonte njërin grup nga tjetri. Këto ndryshime do të rezultojnë ndonjëherë edhe në rivalitete të ashpra].
⦁ Lidhur me ardhjen në Shqipëri të izraelitëve të asaj kohe ekzistojnë mendime të ndryshme. Disa pohojnë se ata kanë ardhur sipas kërkesës që ata vetë i kishin bërë këtij Sulltani që të strehoheshin në Shqipëri dhe t’i merrte nën mbrojtje sipas amanetit që kishte lënë Muhameti. Të tjerë pohojnë se ata erdhën sipas ftesës që u kishte bërë Sulltani vetë, i cili nëpërmjet tyre kërkonte të gjallëronte tregtinë në disa limane të Shqipërisë. Më e pranueshme është hipoteza e dytë, sepse në këtë mënyrë veproi edhe Republika Veneciane, e cila ftoi në Venecie izraelitë ashkenazë nga Europa Qendrore e Lindore, dhe disa shekuj më vonë Grandukati e Toskanës, kur themeloi limanin e ri të Livornos në detin Tirren [duke ftuar hebrenjtë e përzënë nga Spanja]. Sidoqoftë, aty rreth vitit 1497, një kontingjent familjesh izraelite të larguara nga Spanja u vendos në qytetin bregdetar të Vlorës, kurse pak më vonë një pjesë e tyre kaloi në Berat, që ishte qendra e sanxhakut të Vlorës.
⦁ Në fillim të shekullit XVI, qytetet e Shqipërisë nuk e kishin marrë ende veten nga rrënimi që pësuan në shekullin XV. Ato kishin shumë pak banorë, sa edhe fshatrat e zakonshme. Vlora, qyteti më i madh i Shqipërisë, nuk kishte veçse 4 mijë banorë. [Sipas të dhënave të gjetura në arkivat e kësaj periudhe, në regjistrimin e bërë më 1520] më tepër se gjysma e popullsisë së saj përbëhej nga izraelitë (528 familje) të emigruar nga Spanja, të cilat ishin vendosur aty nga qeveritarët turq. Në qytetin e Beratit ishin 25 familje, pra në krejt Sanxhakun kishte 553 familje izraelite.20)
⦁ Izraelitët merreshin kryesisht me tregti dhe me dhënie fajde. Bashkësitë izraelite krijuan, si kudo, institucionet e tyre fetare, administrative, si edhe ato gjyqësore, të cilat rregullonin punët civile e fetare e marrëdhëniet e tyre me shtetin. Në qytete jetonin në lagje të veçanta dhe gëzonin të drejtat e kultit [dhe të fesë]. Lagje të veçanta izraelite kishte në Vlorë, dy në Berat dhe një në Elbasan, të shpërngulur nga Berati. Si shtetas osmanë ata ishin të detyruar t’i paguanin Portës së Lartë detyrimet përkatëse.21) Bashkësitë izraelite të Shqipërisë luajtën në shekujt XVI-XVII rol ndërmjetës [të rëndësishëm] midis izraelitëve të Perëndimit dhe atyre të Lindjes [si edhe në zhvillimin e tregtisë në këto qytete].22)
⦁ Gjatë shekullit XVI qytetet e Shqipërisë u rritën shumë ngadalë për shkak të karakterit natyror që mbisundonte në ekonominë fshatare. Vetëm nga pjesa e fundit e këtij shekulli, kur filloi të rimëkëmbet bujqësia, edhe qytetet filluan të rimëkëmbeshin si qendra ekonomike. Veçanërisht në qendrat e sanxhaqeve u grumbulluan zejtarë e tregtarë. Në fund të shekullit XVI qendra më e rëndësishme ekonomike tregtare vazhdonte të ishte Vlora,23) ku, siç përmendëm, më shumë se gjysma e popullsisë ishte izraelite. Në skelën e Vlorës tani vinin prodhime të ndryshme nga vende të Europës, si pëlhura pambuku e mëndafshi, coha leshi e kadifeje, stolira prej floriri e argjendi, prodhime lëkure, sixhade etj. të cilat shpërndaheshin pastaj në qytetet e tjera të vendit. Nga Vlora eksportoheshin prodhime bujqësore, veç tyre edhe kripë e serë.
⦁ Përveç bashkësive kompakte izraelite, në Shqipëri kanë kaluar izraelitë të vetmuar ndër të cilët ka pasur edhe nga ata që kishin rëndësi për të gjithë botën izraelite. Një nga këta ka qenë Sabatai Cvi [Zevi]. Gjatë historisë së gjatë të Diasporës, izraelitët nuk e humbën asnjëherë shpresën se do të vinte dita që të ktheheshin në Tokën e Premtuar. Aty-këtu janë shfaqur “udhërrëfyes” të çuditshëm dhe të flaktë që vetëquheshin dhe konsideroheshin si Mesia, ose të dërguar të Zotit për t’u vënë në ballë të popullit, për ta udhëhequr atë drejt Tokës së Premtuar. Ndër këta më i dëgjuari ka qenë pikërisht Sabatai Cvi nga Izmiri (1625-1676). [Lindur në një familje tregtarësh të mëdhenj, që i ri ai nuk tregoi asnjë interes për aktivitetet tregtare dhe ekonomike dhe iu përkushtua studimit të Talmudit dhe Kabalasë, mistikës hebreaike, duke u bërë rabin. Në kuadrin historik të gjendjes së mjerë të hebrenjve, të përndjekjeve dhe vuajtjeve të tyre, e falë inteligjencës së rrallë dhe karakterit jashtëzakonisht karizmatik, ai u vetëshpall si mesiah, “shpëtimtar”]. Ky tërhoqi pas vetes izraelitët e Egjiptit dhe të Palestinës. Shkoi në Gjermani, në Itali, në Holandë e në Francë. Kudo ai u prit si shpëtimtari, si i dërguari i Zotit, si Mesia. [U krijua kështu një lëvizje kolosale që u përqafua nga mijëra hebrenj kryesisht brenda Perandorisë Osmane, të cilët shpresonin se ai do t’i udhëhiqte drejt Tokës së Izraelit, tokës së premtuar]. Në Turqi hapi fjalë se ushtritë e tij do të marshonin së shpejti drejt Stambollit. Prandaj Sulltani [i shqetësuar nga popullariteti i tij dhe kërcënimi që ai paraqiste për të, e arrestoi dhe] e hodhi në burg [në kalanë e Galipolit]. Ai nuk e dënoi me vdekje, por i propozoi të vishte çallmën dhe të bëhej mysliman i mirë. Me këto kushte ai do të mbetej i lirë. Sabatai Cvi pranoi, por nuk pushoi së predikuari ithtarëve të tij të panumërt që e ndiqnin dhe e nderonin. [Megjithatë, pas konvertimit në Islam, brenda në burg ai vazhdoi të praktikojë judaizmin në fshehtësi dhe nuk pushoi së predikuari ithtarëve të tij të panumërt që e ndiqnin dhe e nderonin edhe kur u lirua nga burgu. Kështu u krijua sekti “Donmeh”, që do të përmendet edhe më poshtë, i cili është një sekt kripto-judenjsh që vazhdoi të ekzistojë në Turqi deri në fillim të shekullit XX]. Prandaj e kapën përsëri dhe e internuan në Ulqin, në Elbasan e në Berat. [Pikërisht në Berat u krijua një komunitet ithtarësh të Sabatai Cvi, që drejtoheshin nga rabini Hananel Ben Salomo].
[Mendohet gjithashtu se] Sabatai Cvi vdiq në Berat në vitin 167624), dhe është varrosur anës bregut të lumit Osum, në kodrën e quajtur të Shëndellisë në veri të qytetit. [Sipas mendimit të disa studiuesve të tjerë, varri i Sabatai Cvi është në Ulqin, ku ai kaloi vitet e fundit të jetës e ku edhe vdiq. Megjithatë mund të thuhet se ende nuk është vendosur përfundimisht se ku është vendi i varrosjes së tij.]
⦁ Në Izrael, në muzeumin e Jeruzalemit u paraqit për herë të parë i vetmi dokument i shkruar nga Sabatai Cvi. Është një letër që ai u drejton ithtarëve të tij në qytetin Arenhut Belograd (qyteti Berat), në qendër të Shqipërisë, e firmosur me dorën e tij si Jehuda Shabtai Mohamed Cvi, ku u kërkon një mehzor, ose libër lutjesh për të kremtet izraelite të Rosh Hasanas (e kremtja e Vitit të Ri hebraik) si dhe të Jom Kipurit (e kremtja e madhe e hebrenjve, që quhet edhe e Shtuna e të Shtunave ose dita e Pendesës së Madhe). Sipas etnografes izraelite Rivka Gonen, letra u gjet në vitet ‘50 të shekullit tonë midis faqeve të një libri që u përkiste ithtarëve të sektit sabataen, të njohur me emrin Doenmeh, të cilët jetonin në Selanik e praktikonin publikisht islamin, po fshehurazi praktikonin një përzierje të judaizmit tradicional dhe heretik.25 [Sot kjo letër gjendet në Institutin Bev Cvi në Jeruzalem].
⦁ Historia e këtij njeriu të çuditshëm do të na ndihmojë për t’i përcaktuar shkaqet e zhdukjes së bashkësive izraelite në Shqipërinë e mesjetës si dhe kohën e zhdukjes së tyre.
⦁
⦁
⦁ 3. Zhdukja e bashkësive izraelite të Shqipërisë në shekullin XVIII
⦁
⦁ Në gjendjen e tanishme të hulumtimeve historike është vështirë të ndiqet fati i mëtejshëm i kësaj bashkësie të konsiderueshme izraelitësh në Shqipëri. Ka mendime se një pjesë e tyre u largua nga Shqipëria dhe një pjesë tjetër qëndroi këtu. Një nga arsyet e zhdukjes është se ata u larguan meqë vendi nuk i tërhiqte më sepse ishte i varfër dhe i pasigurt për begatinë që kishin grumbulluar.26 [Ka disa arsye të pakësimit dhe zhdukjes së këtyre bashkësive. Rënia në numër e popullsisë izraelite të Vlorës dhe qyteteve të tjera është e lidhur edhe me mundjen e flotës otomane nga ana e fuqive të bashkuara Europiane në betejën detare të Lepantos më 1571 që shkaktoi pasigurinë e jetës në bregdetin e Jonit dhe Adriatikut. Në Vlorë në 1583, pra fundi i shekullit XVI, numërohen 211 familje, çka do të thotë më pak se gjysma e popullsisë hebraike të fillimit të atij shekulli]. [Me sa duket kjo gjendje e krijuar nga humbja e madhe e flotës turke dhe pasiguria që pasoi, ndikoi në vendimin e izraelitëve për t’u larguar) meqë endi nuk i tërhiqte më, sepse ishte i varfër dhe i pasigurt për begatinë që kishin ndërtuar.26)
⦁ Dihet se në shekullin XVII numri i izraelitëve në Vlorë ishte pakësuar së tepërmi, kurse numri i banorëve izraelitë të Beratit ishin rritur. Ata banonin në dy lagje të veçanta të qytetit, ndërsa një pjesë e tyre kishte kaluar në Elbasan, qendër e sanxhakut homonim. Siç thamë më sipër, Sabatai Cvi u internua në Ulqin; pastaj në Elbasan dhe në Berat, prej nga dërgoi letrën e tij. Kjo tregon se bashkësia e Beratit jo vetëm që ekzistonte ende në gjysmën e dytë të shekullit XVII, por madje duhet të ketë qenë asokohe e lulëzuar, përderisa asaj i kërkoheshin libra me karakter fetar. Kemi parasysh se Sabatai Cvi vdiq në vitin 1676.
⦁ [Në vijim edhe bashkësitë e Beratit dhe të Elbasanit do të zhduken]. Një nga supozimet që lidhet me zhdukjen e bashkësive izraelite të Beratit dhe të Elbasanit është edhe se tregtarët izraelitë të këtyre dy qendrave kishin shtënë në dorë tregtinë e drithërave dhe spekulonin me çmimet e tyre. U krijua kështu një situatë reagimi kundër izraelitëve të Shqipërisë, për të cilën nuk dihet sa kohë vazhdoi. Dihet vetëm se gjatë shekullit XVIII izraelitët nuk përmenden më si banorë të Shqipërisë. Besohet se pjesa më e madhe e tyre u largua nga Shqipëria, kurse një pjesë e vogël, për të shpëtuar nga diskriminimi politik e fetar, u islamizua, si në Berat, ose përqafoi ortodoksinë, si në Elbasan. Ata lanë në vend një numër gjurmësh. Kështu, për shembull, ndër banorët e lagjes Kala të Elbasanit është rrënjosur mendimi se ata vetë janë pasardhës të izraelitëve që mbetën në vend dhe përqafuan ortodoksinë. Aty tregohet një vend ku thuhet se ka qenë sinagoga (faltorja) e izraelitëve. Mandej, në muzeun e Elbasanit gjendet një gur në të cilin është gdhendur ylli me gjashtë cepa i Davidit, gur që mendohet se ishte rozon i ngjitur në mur mbi derën e sinagogës. Po ashtu, në Berat, disa të moshuar të fshatit Molisht kujtojnë se në tregimet e vjetra të të parëve të tyre thuhej se banorët e dikurshëm të fshatit kanë qenë izraelitë që përqafuan fenë islame.
⦁ Procesi i islamizimit ka filluar qysh në kohën e Sabatai Cvi, ithtarët e të cilit publikisht hiqeshin si myslimanë, ndërsa fshehurazi praktikonin ritet e fesë hebraike me huazime islame. Kjo shpjegon ndoshta ekzistencën e emrave me origjinë hebraike edhe sot ndër shumë banorë të atyre viseve dhe të viseve të tjera të Shqipërisë. Kurse në ato vende ku izraelitët u kthyen në fenë ortodokse, emra të tillë hasen ndër banorët e krishterë ortodoksë. Ndër emrat që kanë mbijetuar qysh në ato kohëra është edhe mbiemri Moisiu në Kavajë. Aleksandri, aktori me famë botërore dhe bir i familjes Moisiu, u persekutua nga nazistët më 1932, sepse ata e konsideronin me origjinë izraelite. Për të shpëtuar, më 1933, ai plotësoi pranë Ambasadës Shqiptare në Vjenë dokumentet për të marrë nënshtetësinë shqiptare, e cila iu akordua në prill 1934.27 Padyshim që studimet e mëtejshme të historianëve e studiuesve të tjerë të historisë së Shqipërisë do t’i nxjerrin në dritë ato periudha që ende kanë mbetur në errësirë dhe pa asnjë informacion apo mesazh nga jeta e gjallë njerëzore.
⦁ Të duket sikur rrjedha e ngjarjeve që kanë të bëjnë me izraelitët në Shqipëri ndërpritet papritur, por padyshim lumi i vjetër diku humbet nën tokë, përshkon kilometra, vite, shekuj dhe rishfaqet sërish. Kështu na zhduken nga kronikat e historisë bashkësitë e Beratit dhe të Elbasanit, dhe në fund të shekullit XVII na përngjan se edhe bashkësia e Vlorës sikur përjeton agoninë e vet.
⦁ Në vitin 1945 erdhi në shkollën tregtare të Vlorës si pedagog i historisë Petraq Pepo. Historiani i shquar dhe “Mësuesi i Popullit”, Prof. Pepo i mobilizonte nxënësit aloglotë që të shkruanin “tezina” siç i quante ai, ku të tregonin ato që dinin lidhur me bashkësitë ku bënin pjesë. Kështu ngarkoi edhe nxënësit Viktor Jakoel dhe Jesua Matathia që të shkruanin se çfarë dinin ata për izraelitët e Vlorës. Kjo rrethanë u bë shkak që të kryhej një punë e mirë për të përcaktuar çfarë kishte ruajtur tradita gojore dhe të vjetrit lidhur me bashkësinë e hershme izraelite të Vlorës.
⦁ Kështu, doli që izraelitët në Vlorë i kishin të gjitha elementet e një bashkësie të organizuar. Ajo kishte sinagogën e saj në një shesh të vogël të rrugës që sot quhet Rruga Ceno Sharra. Ndërtesa e sinagogës ka ekzistuar deri në vitin 1915, kur Italia, që atëherë kishte pushtuar Vlorën, hyri në luftë. Atëherë fronti i luftës ishte në Mifol, në brigjet e lumit Vjosë. Pazari i qytetit ishte në vendin ku sot ngrihet tregu i qytetit, me Orën e Madhe.
⦁ Të moshuarit e mbanin mend atë treg me rrugicat e tij të ngushta, me shtëpi dykatëshe, me dyqane në katin përdhes dhe banesa në katin e dytë. Godina e ish-sinagogës përdorej atëherë si depo e ushtrisë italiane. Kur këta sollën furnizimet e para me armë për frontin, pikasën se artileria nuk kalonte dot përmes pazarit, pasi rrugicat ishin shumë të ngushta. Atëherë, pa e zgjatur fare, i vunë flakën pazarit, dhe bashkë me të u dogj edhe godina e sinagogës.
⦁ Në të dalë të qytetit, në rrugën që sot të çon në Fabrikën e Çimentos, rreth njëqind metro më tutje se gjimnazi i qytetit, bashkësia kishte varrezat e veta. Fillimisht këto ishin në fushë, siç është i gjithë mjedisi përqark, por me kalimin e kohës toka ka shkarë dhe mbuloi atë pjesë të fushës dhe bashkë me të edhe disa varre të kohës së bashkësisë mesjetare të Vlorës. Në vitet ‘30 u desh të hapej një hendek për të përcaktuar kufirin e varrezave. Duke hapur hendekun u zbulua një varr i cili i përkiste asaj kohe. Më vonë u gjetën edhe shenja të varreve të tjera izraelite.
Siç ndodh në të gjitha bashkësitë izraelite të njëfarë rëndësie, sinagoga ishte e pajisur me librat e ligjit që në gjuhën hebraike quhen Sefer Torà. Këto janë rrotulla pergamene, të shkruara me dorë dhe që përmbajnë porositë fetare për besimtarët. Përbëhen edhe nga dy boshte, ku mblidhet pergamena kur libri përdoret për t’i lexuar lutjet fetare. Sipas gjendjes ekonomike të bashkësisë, pergamena futet në arkëza të rrumbullakëta druri, të stolisura me ar, argjend, madje edhe me gurë të çmuar. Këto libra ruhen në një vend të posaçëm të sallës së lutjeve brenda në sinagogë, dollapi i cili quhet Dollapi i Besëlidhjes. Librat nxirren që andej ditët e kremte për t’i psallur lutjet nga besimtarët që ftohen për këtë, sepse leximi i Torásë konsiderohet deri më sot gjëja më e nderuar. Në të gjitha të kremtet Sefer Toràja nxirret vetëm në ceremonitë e mëngjesit. Përjashtim bën vetëm mbrëmja e vigjiljes të ditës së Pendesës së Madhe, ose Jom Kipurit [në të cilën Libri i Shenjtë nxirret në darkë]. Pra, edhe bashkësia e Vlorës kishte Sefer Toràtë e veta dhe ndër këto edhe një Sefer Torà shumë të lashtë. Kjo ishte gjendja kur izraelitët u detyruan t’i shkrijnë tërësisht bashkësitë e tyre dhe të largohen të gjithë. Por ka edhe një shpjegim tjetër, ai i traditës gojore, që këtë fakt historik të zhdukjes së bashkësisë hebraike e përshkruan kështu:
⦁ Siç veprohet ende sot në dasmat izraelite, ceremonia fetare e martesës zhvillohet në sinagogë, në prani të krushqisë dhe të të ftuarve. Por ndodhi që sapo përfundoi një martesë, kur nusja po dilte nga sinagoga me të shoqin dhe me të tjerët, ia befën njerëz të panjohur të armatosur, hipur në kuaj, dhe e rrëmbyen atë. Kjo ngjarje u quajt nga izraelitët “gexera e rëndë” (fatkeqësi e madhe).
Prandaj ata vendosën që të largoheshin të gjithë nga Vlora. Dhe kështu u bë. Tradita gojore tregon se ata hipën në anije me vela dhe u larguan. Sefer Torànë e morën me vete dhe e dërguan në bashkësinë e Janinës, e cila e ruante në sinagogën e lashtë që ishte brenda mureve të atij qyteti dhe që e ruante me emrin e qartë dhe të plotë “Sefer Toràja e Vlorës”. Këtë Sefer Torà e kanë parë në
Janinë edhe shumë izraelitë nga Vlora kur shkonin atje për të kremtuar festa të ndryshme fetare.
⦁ Në vitin 1936, në Vlorë u mendua që të ndërtohej një sinagogë e re për t’i plotësuar kërkesat e besimtarëve. Me këtë rast izraelitët vlonjatë i kërkuan bashkësisë izraelite të Janinës që t’i kthente bashkësisë së Vlorës Sefer Torànë e saj, që ishte dërguar atje mbi 150 vjet më parë. Bashkësia e Janinës u tregua e gatshme ta kthente me ceremoni madhështore, siç i takonte Sefer Toràsë së Vlorës për shkak të lashtësisë dhe vlerës së saj. Vetëm disa rrethana nuk lejuan që të ndërtohej në Vlorë sinagoga e re, kështu që Sefer Toràja në fjalë mbeti në Janinë. Financuesja e rindërtimit të Sinagogës do të ishte Stela Matathia Levi, e cila kishte premtuar një shumë parash për këtë, por vdekja e parakohshme e të shoqit Nisim Levi, në moshën 56-vjecare, e theu shpirtërisht dhe fizikisht atë, dhe Stela dha shpirt disa muaj pas tij në një sanatorium në Milano.
⦁ Në kohën e pushtimit nazist, izraelitët e Janinës mundën të shpëtojnë një pjesë të Sefer Toràve, ndërsa një pjesë u dogj nga nazistët. Nuk ka qenë e mundur të përcaktohet nëse Sefer Toràja e Vlorës ka shpëtuar nga djegia dhe, në një rast të tillë, a ka mbetur ende në Janinë apo është dërguar në Izrael.
⦁ Del pyetja: Ku shkoi bashkësia e Vlorës [e shekullit XVII] kur u shkul nga ky qytet?
Nuk ka dyshim se izraelitët e Vlorës kishin lidhje të ngushta me ata të Beratit. Por prapë, kur ikën nga Vlora, ata nuk shkuan në Berat ose mund të kenë shkuar vetëm një numër i vogël, pa rëndësi.
Ata duhet të jenë shpërndarë në disa qytete jashtë Shqipërisë. Ata mund të kenë shkuar si grup në ndonjë qytet tjetër. Po të kishte ndodhur kështu, atëherë duhet pranuar se ata kanë shkuar në Janinë, jo vetëm sepse aty dërguan edhe Sefer Torànë e tyre, por edhe sepse më shumë se një shekull e gjysmë më vonë, izraelitët që erdhën rishtas në Vlorë dinin vendin ku ishin varrezat dhe i përdorën ato me të drejtën e trashëgimisë. Gjithashtu dinin ku kishte qenë dhe sinagoga. Këto padyshim i kanë marrë vesh nga izraelitët që ishin larguar më parë nga Vlora dhe këto informata i kishin trashëguar nga brezi në brez.
⦁ .
Shënime për kapitullin IZRAELITËT NË SHQIPËRI NGA SHEKULLI XIX DERI NË PRAG TË LUFTËS SË DYTË BOTËRORE.
1). – Rae Dalven: The Jews of Joanina. Botim Cadmus Press, Filadelfia, shtypur në Greqi. Kapitulli “History” faqe 27.
2). – Profesor Fejzi Hoxha: “Njoftime historike mbi zhvillimin e mjekësisë në Shqipëri” Tiranë 1962.
3). – Profesor Fejzi Hoxha, vepër e cituar.
4). – Sipas dëshmisë së shkruar që Niqita Averbahu i dërgoi autorit më 25.7.1990.
5). – Sipas dëshmisë së Leks Thanit dhënë autorit në muajin Gusht 1990 dhe nga Anastas Dhimitri, veteran i luftës nga fshati Dhërmi i rrethit të Vlorës.
6). – Profesor Kadri Kërçiku: Zhvillimi i shëndetësisë në Shkodër gjatë shekujve XVIII-XIX. Tiranë 1962 faqe 240.
7). – Profesor Fejzi Hoxha: Vepër e cituar, faqe 184.
8). – Profesor Kadri Kërçiku, vepër e cituar.
9). – Dëshmi e shkruar e Moisi Arditit dhënë autorit në letrën e tij të datës 5 gusht 1990.
10). – Nga dëshmia e sipërpërmendur e Moisi Arditit.
11). – Profesor Kadri Kërçiku, vepër e cituar.
12). – “Izrail”, stihia qe ikones”. Botim në gjuhën greke i Drejtorisë së informatave të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Izraelit, faqe 36.
13). – Profesor Fejzi Hoxha. Njoftime historike mbi zhvillimin e shëndetësisë në Shqipëri”, Tiranë 1962, faqe 93.
14). – Shih “Izrail, stihia qe ikones, faqe 30.
15). – Rae Dalven. The Jews of Joanina. Botim Cadmus Press, shtypur në Greqi në 1990. “Hyrje”, faqe XI.
16). – Rae Dalven, vepër e cituar, hyrje, faqe XI.
17). – Marcus Xathan Adler. “The itinerary of Beniamin of Tudela”. (New York 1965).
18). – Rae Dalven, vepër e cituar, “hyrje”, faqe 18.
19). – Rae Dalven, vepër e cituar, “hyrje”, faqe 20.
20). – Rae Dalven, Kapitulli History faqe XI.
21). – Rae Dalven, f. 112.
22). – D. Salamanga, referuar nga Rae Dalven në veprën e cituar, faqe 106.
23). – Rae Dalven, vepër e cituar, faqe 155.
24). – Rae Dalven, po aty, f. 152
25). – Arben Puto: Nëpër analet e diplomacisë angleze, botim i dytë (i ripunuar). – Shtëpia Botuese “8 nëntori” Tiranë 1980, faqet 102-103 dhe 104.
(Vijon me IZRAELITËT NË SHQIPËRI NGA SHEKULLI XIX DERI NË PRAG TË LUFTËS SË DYTË BOTËRORE)