AP
Palestinezët në Gaza u rreshtuan jashtë furrave të bukës të enjten, pasi kaluan natën në errësirë të rrethuar nga rrënojat e lagjeve të bëra pluhur, ndërsa Izraeli nisi sulme të reja ajrore dhe tha se po përgatitej për një pushtim të mundshëm tokësor.
Grupet ndërkombëtare të ndihmës paralajmëruan se vdekjet në Gaza mund të përshpejtohen pasi Izraeli ndaloi dërgimin e furnizimeve.
Lufta, e cila u ndez nga një sulm i përgjakshëm dhe i gjerë në Izrael nga grupi militant i Hamasit, të cilin SHBA-ja dhe BE-ja e kanë shpallur grup terrorist, tashmë ka marrë të paktën 2.400 jetë nga të dyja palët.
Nënkolonel Richard Hecht, një zëdhënës i ushtrisë izraelite, u tha gazetarëve të enjten se forcat “po përgatiten për një manovër tokësore nëse vendoset”, por se udhëheqja politike nuk e ka urdhëruar ende një të tillë. Një ofensivë tokësore në Gaza, e para që nga viti 2014 lufta, ka të ngjarë të sjellë viktima edhe më të mëdha nga të dyja palët në luftimet brutale shtëpi më shtëpi.
Në Gaza, palestinezët që ikin nga sulmet ajrore mund të shihen duke vrapuar nëpër rrugë, duke mbajtur gjërat e tyre dhe duke kërkuar një vend të sigurt. Qindra mijëra njerëz janë grumbulluar në shkollat e drejtuara nga OKB-ja, ndërsa të tjerët po qëndrojnë te të afërm apo edhe të huaj që i lejuan të hyjnë brenda.
Jashtë furrave të bukës dhe dyqaneve ushqimore formohen radhë të gjata brenda atyre pak orëve sa guxojnë të hapen furrat e bukës, që mund të mbyllen së shpejti për mungesë karburanti ose energjie.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u zotua se do të “shpartallojë dhe shkatërrojë” Hamasin me mbështetjen e një kabineti të ri lufte të formuar të mërkurën, i cili përfshin një kritik të gjatë të opozitës.
“Çdo anëtar i Hamasit është një njeri i vdekur”, tha Netanyahu në një fjalim televiziv.
SHBA-ja ka premtuar mbështetje të palëkundur për përgjigjen e Izraelit. Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, mbërriti në Tel Aviv të enjten për t’u takuar me Netanyahun dhe udhëheqës të tjerë izraelitë.
Ushtria izraelite tha se sulmet gjatë natës kishin në shënjestër forcat elitare të Hamasit, Nukhba, duke përfshirë qendrat komanduese të përdorura nga luftëtarët që sulmuan Izraelin të shtunën, dhe shtëpinë e një operativi të lartë detar të Hamasit që tha se përdorej për të ruajtur armë të paspecifikuara.
Një tjetër sulm ajror vrau një komandant të grupit të armatosur të Xhihadit Islamik në shtëpinë e familjes së tij në qytetin verior të Beit Lahia, sipas mediave të lidhura me krahun e armatosur të grupit.
“Tani për tani ne jemi të fokusuar në largimin e lidershipit të tyre të lartë”, tha Hecht, zëdhënësi ushtarak duke shtuar: “Jo vetëm udhëheqja ushtarake, por edhe udhëheqja qeveritare, deri në (udhëheqësin e lartë të Hamasit Yehiyeh) Sinwar. Ata ishin të lidhur drejtpërdrejt.”
Ministria e Brendshme e drejtuar nga Hamasi tha se sulmet izraelite shkatërruan dy shtëpi shumëkatëshe mbi banorët, pa paralajmërim, duke vrarë dhe plagosur “një numër të madh” njerëzish, kryesisht civilë. Hamasi ka kërcënuar se do t’i vrasë pengjet izraelitë nëse Izraeli godet civilët palestinezë pa paralajmërim.
Izraeli ka ndaluar furnizimin me ushqim, ujë, karburant dhe ilaçe në territor. Të martën, termocentrali i vetëm i Gazës mbeti pa karburant dhe u mbyll, duke lënë vetëm dritat që furnizoheshin nga gjeneratorët privatë të shpërndarë. Ato gjithashtu do të fiken nëse karburanti nuk lejohet të hyjë.
Një zyrtar i lartë i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq paralajmëroi se nga mungesa e energjisë elektrike mund të pësojnë spitalet, ndërsa bëri thirrje që Hamasi t’i lirojë pengjet.
“Derisa Gaza humbet energjinë, spitalet humbasin energjinë, duke vënë në rrezik të porsalindurit në inkubatorë dhe pacientët e moshuar me oksigjen. Dializa e veshkave ndalon dhe rrezet X nuk mund të merren”, tha Fabrizio Carboni, drejtori rajonal i ICRC-së . “Pa energji elektrike, spitalet rrezikojnë të kthehen në morgje”.
Në Izrael, udhëheqësi i opozitës Benny Gantz, një ish-ministër i mbrojtjes dhe kundërshtar politik i Netanyahut, iu bashkua një kabineti të ri të kohës së luftës. Izraeli ka mobilizuar 360.000 rezervistë, ka grumbulluar forca shtesë pranë Gazës dhe ka evakuuar dhjetëra mijëra banorë nga komunitetet aty pranë.
Qeveria izraelite është nën presion të madh publik për të rrëzuar Hamasin pasi militantët e tij hynë në një gardh kufitar të shtunën dhe masakruan qindra izraelitë në shtëpitë e tyre, në rrugë dhe në një festival muzikor në natyrë.
Netanyahu pretendoi se sulmuesit kryen mizori, duke i lidhur djemtë dhe vajzat dhe duke i qëlluar ata në kokë, duke djegur njerëz për së gjalli, duke përdhunuar gra e vajza dhe duke ua prerë kokat ushtarëve.
Pretendimet e kryeministrit nuk mund të konfirmoheshin në mënyrë të pavarur dhe autoritetet nuk dhanë menjëherë detaje të mëtejshme. Punonjësit e shpëtimit dhe dëshmitarët kanë përshkruar skena të tmerrshme, duke përfshirë masakrimin e të moshuarve dhe gjetjen e dhomave të përgjakshme të mbushura me civilë të masakruar.
Militantët në Gaza po mbajnë rreth 150 njerëz të marrë peng nga Izraeli – ushtarë, burra, gra, fëmijë dhe të moshuar – dhe ata kanë gjuajtur mijëra raketa në Izrael gjatë pesë ditëve të fundit.
Sulmet ajrore gjithnjë e më shkatërruese të Izraelit në Gaza kanë rrafshuar blloqe të tëra të qytetit dhe kanë lënë një numër ende të panjohur trupash nën mbeturina. Një ofensivë tokësore në Gaza, 2.3 milionë banorët e së cilës janë të mbushur dendur në një rrip toke vetëm 40 kilometra (25 milje) të gjatë, ka të ngjarë të rezultojë në një rritje të viktimave nga të dyja anët.
OKB-ja tha të mërkurën vonë se numri i njerëzve të zhvendosur nga sulmet ajrore ishte rritur 30 për qind brenda 24 orëve, në 339.000, dy të tretat e tyre duke u grumbulluar në shkollat e OKB-së. Të tjerë kërkuan strehim në numrin në tkurrje të lagjeve të sigurta.
Qeveria egjiptiane hodhi poshtë një propozim amerikan për të lejuar palestinezët që ikin nga bombardimet e Izraelit të largohen nga Gaza, tha një zyrtar i lartë egjiptian të enjten herët, duke folur në kushte anonimiteti, sepse ai nuk ishte i autorizuar të fliste për shtypin.
Egjipti beson se largimi i palestinezëve nga Gaza do të dëmtonte kauzën palestineze dhe media e tij shtetërore raportoi se ofensiva izraelite është pjesë e një skeme për të zbrazur enklavën.
Autokolona qëndronin të ngarkuar me karburant dhe ushqim të mërkurën në anën egjiptiane të kalimit Rafah, por nuk ishin në gjendje të hynin në Gaza, tha zyrtari. E vetmja pikë kalimi midis Egjiptit dhe Gazës u mbyll të martën pas sulmeve ajrore izraelite aty pranë.
Zyrtari tha se Egjipti po bisedonte me Izraelin dhe SHBA-në për krijimin e korridoreve të sigurta brenda Gazës dhe dërgimin e ndihmave humanitare për palestinezët e rrethuar, dhe me Izraelin dhe qeveritë e tjera të huaja për të evakuuar të huajt përmes pikës së kalimit Rafah.
Rreziku i përhapjes së luftës ishte i dukshëm të mërkurën pasi grupi militant libanez i mbështetur nga Irani, Hezbollah, qëlloi me raketa antitank në një pozicion ushtarak izraelit dhe pretendoi se kishte vrarë dhe plagosur trupa.
Ushtria izraelite konfirmoi sulmin, por nuk komentoi për viktima të mundshme. Ushtria izraelite bombardoi zonën në Libanin jugor ku filloi sulmi.
Numri i të vdekurve në Gaza u rrit në 1200 mëngjesin e së enjtes, tha Ministria palestineze e Shëndetësisë.
Spitali më i madh i Rripit të Gazës, Al-Shifa, ka karburant të mjaftueshëm për të mbajtur energjinë për tri ditë, tha Matthias Kannes, një zyrtar me bazë në Gaza për Mjekët pa Kufij. Grupi tha se dy spitaleve që ai drejton në Gaza po u mbaronin pajisjet kirurgjikale, antibiotikët, karburantet dhe furnizimet tjera.
Ghassan Abu Sitta, një kirurg në al-Shifa, tha se kishte 50 pacientë që prisnin të shkonin në sallën e operacionit.
“Ne jemi tashmë përtej kapacitetit të sistemit për t’u përballur”, tha ai. Sistemi shëndetësor “ka vetëm pjesën tjetër të javës para se të kolapsojë, jo vetëm për shkak të naftës. Të gjitha furnizimet po mbarojnë”.
Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tha se karburantet e gjeneratorëve të spitaleve të tjera do të mbarojnë brenda pesë ditësh. Ndërtesat e banimit, në pamundësi për të siguruar sa më shumë naftë, ka të ngjarë të errësohen më shpejt.
Tronditja, pikëllimi dhe kërkesat për hakmarrje ndaj Hamasit po shtohen në Izrael.
Në Bregun Perëndimor, kolonët izraelitë sulmuan një fshat në jug të Nablusit, duke hapur zjarr ndaj palestinezëve dhe duke vrarë tre persona, tha Ministria e Shëndetësisë e territorit. Më shumë se njëzet palestinezë kanë vdekur në luftimet në Bregun Perëndimor që nga fundjava.
Në një taktikë të re, Izraeli po paralajmëron civilët që të evakuojnë lagjet e tëra të Gazës, në vend të ndërtesave individuale, duke rrafshuar më pas zona të mëdha në valë sulmesh ajrore.
Toni i Izraelit, gjithashtu, ka ndryshuar. Në konfliktet e kaluara, ushtria e saj këmbënguli në saktësinë e sulmeve në Gaza, duke u përpjekur të shmangë kritikat për vdekjet e civilëve. Këtë herë, njoftimet ushtarake theksojnë shkatërrimin që po bëhet.
Edhe me paralajmërimet e evakuimit, palestinezët thonë se disa nuk mund të shpëtojnë ose nuk kanë ku të shkojnë dhe se familje të tëra janë dërrmuar nën rrënoja.
Herë të tjera, goditjet ndodhin vijnë pa njoftim, thonë të mbijetuarit.
“Nuk kishte asnjë paralajmërim apo asgjë”, tha Hashem Abu Manea, 58 vjeç, i cili humbi vajzën e tij 15-vjeçare, Joanna, kur një sulm të martën vonë rrafshoi shtëpinë e tij në qytetin e Gazës.
Ushtria izraelite tha se më shumë se 1.200 njerëz, përfshirë 189 ushtarë, janë vrarë në Izrael – një numër tronditës i paparë që nga lufta e vitit 1973 me Egjiptin dhe Sirinë që zgjati me javë.
Izraeli thotë se rreth 1500 militantë të Hamasit u vranë brenda Izraelit dhe se qindra të vdekur brenda Gazës janë anëtarë të Hamasit.rel