Ushtria izraelite tha se filloi sulme “precize ” ndaj objektivave në Iran, si hakmarrje për sulmet iraniane ndaj Izraelit, të kryera në fillim të këij muaji.
“Në përgjigje të sulmeve të vazhdueshme të regjimit në Iran kundër shtetit të Izraelit, tani Forca e Mbrojtjes e Izraelit (IDF) po kryen sulme precize ndaj objektivave ushtarake në Iran”, tha një zëdhënës i IDF-së përmes një video-deklarate.
“Regjimi në Iran dhe përfaqësuesit e tij në rajon kanë sulmuar pamëshirshëm Izraelin që nga 7 tetori në disa fronte, duke përfshirë edhe sulmet e drejtpërdrejta nga toka iraniane”, shtoi ai.
Njoftimi erdhi pas raporteve për disa shpërthime në kryeqytetin e Iranit, Teheran, dhe qytetin e afërt, Karaj.
Televizioni shtetëror i Iranit dhe agjencia e lajmeve Fars, e cila është e lidhur me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të Iranit, ashtu si edhe CNN, raportuan për shpërthimet.
Pas sulmit që kreu javë më parë në Izrael, Teherani tha se ishte hakmarrje për një sulm paraprak nga Izraeli.
Zëdhënësi i IDF-së shtoi se, “si çdo vend tjetër sovran në botë, shteti i Izraelit ka të drejtë dhe detyrë të përgjigjet”.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, “është informuar dhe po ndjek nga afër zhvillimet”, raportoi televizioni CBS.
Sulmet izraelite raportohet se nuk kishin në shënjestër objektet energjetike apo bërthamore.
Disa media raportuan për një valë të dytë të sulmesh në qytetin iranian të Shirazit, por televizioni shtetëror iranian tha se nuk kishte sulme diku tjetër, ndërsa Izraeli nuk komentoi.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Sean Savett, tha se Uashingtoni është këshilluar për sulmet paraprakisht.
Sipas tij, sulmet janë “ushtrim i vetëmbrojtjes dhe në përgjigje të sulmit me raketa balistike të Iranit kundër Izraelit, që u krye më 1 tetor”.
Rreth së njëjtës kohë, agjencia shtetërore siriane e lajmeve SANA raportoi se një sulm ajror i Izraelit shënjestroi disa lokacione ushtarake në pjesët qendrore dhe jugore të Sirisë.
Shqetësimet janë rritur se Irani dhe Shtetet e Bashkuara mund të tërhiqen në një luftë rajonale, derisa Izraeli i intensifikon sulmet në Liban kundër Hezbollahut – grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe të Libanit jugor.
Sulmet ajrore që kanë goditur Bejrutin dhe Libanin jugor, janë shoqëruar edhe me operacion tokësor.
Hezbollahu – i cilësuar organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara – mbështet Hamasin, i cili ka qenë shënjestër e Izraelit gjatë gjithë vitit të kaluar.
Kjo, pasi Hamasi – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – sulmoi Izraelin më 7 tetor të vitit të kaluar, duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke marrë peng qindra të tjerë.