Izraelitët qëndruan në heshtje ndërsa sirenat u dëgjuan në të gjithë vendin në orën 20:00, me rastin e Ditës Përkujtimore për ushtarët që humbën jetën si dhe viktimave të sulmeve terroriste. Menjëherë më pas filloi ceremonia zyrtare e përkujtimit në Jerusalem.
Miliona izraelitë u ndalën të hënën në mbrëmjë, ndërsa një sirenë u ndez në kujtim të gati 25,000 ushtarëve që kanë humbur jetën që nga themelimi i Shtetit të Izraelit, si dhe atyre që u vranë në sulme terroriste.
Ndërsa sirena filloi të zbehej, ceremonia zyrtare e qeverisë filloi në Murin Perëndimor në Jerusalem, ku të pranishëm ishin Presidenti izraelit Isaac Herzog dhe kreu i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), gjeneralllejtënant Herzl Halevi.
“Qytetarë të Izraelit, sirena e këtij viti është një thirrje zgjimi për të gjithë ne. Sirena që përshkoi heshtjen tani, duke bërë rrugën e saj nga një skaj i vendit tonë në tjetrin, ushton nëpër shpirtrat tanë dhe i hap rrugë kujtimit, që na pushton në heshtje. Pyes veten, pyes neve: cili vend tjetër në botë ka një tingull kaq të veçantë? Është tingulli i dhimbjes dhe i shpresës, i pikëllimit dhe i krenarisë. Është tingulli i shtetit të Izraelit”, tha Presidenti në ceremoni.
“Ne duhet të bëjmë gjithçka – gjithçka – për të mbrojtur këtë shtëpi të përbashkët,” vazhdoi Herzog. “Të debatojmë dhe të mos pajtohemi, si gjithmonë, me gjithë entuziazëm dhe pasion, por ta duam njëri-tjetrin si motra dhe vëllezër, sepse jemi një popull!.
Në ceremoni foli edhe shefi i shtabit të IDF, gjenerallejtënant Herzl Halevi: “Nesër, varrezat ushtarake në mbarë vendin do të mbushen me vizitorë. Ka nga ata që të dashurit e të cilëve vdiqën në betejë nga duart e armikut tonë, ata që vdiqën në stërvitje apo aksidente trafiku, ata që vdiqën nga sëmundja dhe ata që morën jetën e tyre. Barra e dhimbjes është mbi supet e të gjithëve”, tha ai.
Aktivitetet e Ditës Përkujtimore nisën të hënën, kur kryeministri Benjamin Netanyahu foli në një ceremoni në Yad Labanim në Jerusalem.
“Këtë vit, pas humbjes së çifteve të mrekuellueshme të vëllezërve e motrave, ndjenja e të qenit vëllezër duhet të forcohet,” tha Netanyahu duke iu referuar një vale sulmesh gjatë disa muajve të fundit.
“Këto sulme vijnë me aspiratën që ata mund dhe do të na zhvendosin nga këtu, dhe nëse do të mundeshin do të na vrisnin të gjithëve”, tha Netanyahu, njofton “Haaretz”, duke shtuar se “ne krijuam një shtet të lavdishëm me një ushtri të lavdishme dhe një forcë policore të lavdishme, me një çmim tronditës”.
Sot, pas perëndimit të diellit, deri nesër në mbrëmje, Izraeli shënon 75-vjetorin e Pavarësisë.