Sekretari amerikan i Mbrojtjes Ash Karter u takua sot në Izrael me Kryeministrin Benjamin Netanyahu për bisedime që vijnë një javë pas finalizimit të një marrëveshjeje bërthamore me Iranin, të cilën zoti Netanjahu e kundërshton me forcë.
Zoti Carter u përpoq dje të qetësojë zyrtarët izraelitë, duke e quajtur Izraelin “themelin e strategjisë amerikane në Lindjen e Mesme.”
Zoti Netanyahu është shprehur kundër negociatave bërthamore në të gjithë procesin e tyre dhe e ka quajtur “gabim historik” marrëveshjen e arritur nga SHBA, Britania, Kina, Franca, Rusia dhe Gjermania.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi dje njëzëri marrëveshjen, duke u dhënë shkas kritikave të reja nga ambasadori i Izraelit në OKB, Ron Prosor. Ai e quajti rezolutën një “tragjedi”.
“Irani tani do të ketë tani 150 miliardë dollarë për të financuar grupet terroriste,” tha zoti Prosor. “Sa para do të shkojnë për Hezbollahun dhe Hamasin? Sa para do të shkojnë për Asadin? Po për të financuar aktivitetet terroriste në mbarë botën?” pyeti ambasadori.
Ambasadorja amerikane në OKB, Samantha Powers vlerësoi Këshillin e Sigurimit për “testimin e diplomacisë”, dhe tha se marrëveshja nuk i pakëson shqetësimet amerikane rreth Iranit. Ajo tha se këto shqetësime përfshijnë shkeljet e të drejtave të njeriut, mbështetjen e Iranit për terrorizmin dhe programin e tij të raketave balistike.
Ndërkohë, Ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius njoftoi sot se ai do të shkojë në Iran javën e ardhshme për një vizitë që do të përfshijë një takim me presidentin Hassan Rouhani. Zoti Fabius tha javën e kaluar se homologu i tij iranian Mohammad Javad Zarif e kishte ftuar në Teheran në mbarim të bisedimeve bërthamore.
Komentet