Veprimi përcaktues, i ndërmarrë nga Italia në Shqipërinë e Poshtëme, i jep fund një gjëndjeje tragjike e, në të njëjtën kohë, të padurueshme që, nga të parat mësymje greke gjatë luftës ballkanike të 1913-ës, cfilit dhe torturon atë krahinë të palumtur. Tashmë janë ende të gjalla në kujtesën e të gjithëve ngjarjet tragjike të tre viteve të fundit në Epirin e Veriut nga vepra e kobëshme e Greqisë, pra është e kotë t’a përsërisim.
Mbas autonomisë tragjikomike epirote, Greqia pushtoi Epirin Verior, gjoja thjesht si policí për një kohë të pacaktuar, deri në përfundimin e konfliktit evropian. Kjo qe garancia që dha Qeveria greke, sipas së cilës Fuqitë e Katërlidhjes, përfaqësuese tashmë të vullnetit evropian, e kthyen pushtimin e përkohshëm të krahinës të kundërshtuar nga ana e trupave greke. Ngjarjet që po zhvillohen në Helladë sollën, ndërmjet pasojave të tjera, edhe mbarimin e misionit grek në Epirin shqiptar, përderisa qeverisja e keqe e Mbretit Kostandin kufizohet vetëm mbi qarqet e Athinës dhe Peloponezit, ndërsa të gjitha provincat e tjera jetojnë në një anarki në rritje e gjithmonë më të ndërlikuar, duke marrë pjesë në një Qeverí të përkohëshme revolucionare, të formuar nga Venizellosi në kryeqytetin e ishullit të Kretës, të panjohur ende nga Katërlidhja si garante të Shtetit shqiptar.
Duke mbajtur parasysh gjëndjen e sotme të Mbretërisë së Greqisë, të quash Qeverinë greke të aftë për të kryer detyrën e besuar nga Fuqitë në Epirin e Veriut, është një krim kundër njerëzimit e kundër drejtësisë. Anarkia e mbrendëshme e Greqisë , më së fundi, e ka vënë në dritën e vërtetë përpara Katërlidhjes çështjen e vështirë e të brishtë t’Epirit. Italia, si e besuar e saj në Shqipëri e si Fuqi e interesuar më shumë e më drejt për së drejti, nuk mund të qëndronte në heshtje përballë ngjarjeve greke e nuk mund të lejonte të përfshihej në flakën greke edhe ajo pjesë e Shqipërisë jugore.
Duhet të vërejmë se, me gjithë garancitë formale të përkohshmërisë të Qeverisë Greke, të pohuara në mënyrë të përsëritur Katërlidhjes për të marrë përgjegjësinë e rastit, i gënjyer nga premtimet pozitive dhe të parealizueshme të Perandorive Qëndrore, ajo vazhdonte në aneksimin e ngadaltë e të shkallëzuar të Epirit të Lartë, me pranimin në Parlament të deputetëve epirotë renegatë e satelitë të Gunarisit e shkoëve të tij, me ngritjen e Gjykatave civile dhe vendosjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në emër të Mbretit Kostandin. Qeveria u krenua për këto duke thënë se kishte imituar kancelarin gjerman, Bethinann Hollweg, në interpretimin e traktateve ndërkombëtare.
Shtohet se, megjithëse Fuqitë, nëpërmjet deklaratash të përsëritura, e kanë qortuar Greqinë për mbajtjen e premtimevet dhe angazhimeve të lidhura me pushtimin e përkohshëm ushtarak të krahinës së diskutuar, duke ripohuar që në fillim se vendimet e Londrës ishin ende në fuqi, dalja nga marrëveshja evropiane e Austrisë dhe e Gjermanisë nuk e kishte thyer por përforcuar vullnetin evropian, të përfaqësuar nga Fuqitë katërpalëshe, megjithatë Qeveria e kunatit perandorak vazhdonte në Epir bëmat e saj jezuitike.
Shtrirja e pushtimit italian në Shqipërinë Jugore ka, në vetvete, tre domethënie : politike, ushtarake dhe humanitare. Politike, sepse rivendos një gjëndje të turbulluar nga Greqia në dëm të Shtetit të ri shqiptar dhe t’Italisë, kundër paktit të Londrës ; ushtarake, sepse, me pushtimin e të gjithë brigjeve jugore shqiptare, shmanget çdo lloj komunikimi dhe marrëveshje ndërmjet kontrabandistëvet grekë me nëndetset austriake vepruese n’Adriatik dhe se i jep mundësi italianëve dhe aleatëve të tyre të kenë një zotërim më të mirë të territorit ngjitur në perëndim të frontit maqedon; humanitare sepse i jep mundësi popullsisë shqiptare të shpëtojë nga një zotërim barbar dhe i kobshëm e të përmirësohet.
Thirrja e njëzëshme e shqiptarëve ishte dhe vazhdon të jetë, me që një pjesë e mirë e territorit kombëtar mbetet ende pushtuar nga armiku, çlirimi i Shqipërisë së Poshtëme nga zgjedha greke e detyruar me rrëmbime dhe lakmi të papërmbajtura. Shqiptarët shpresonin t’a arrinin kryesisht prej Italisë, duke pasë treguar kjo në të vërtetë e në çdo rrethanë se dëshëron sinqerisht qënien e një Shqipërie të lirë e të pavarur. Që prej dyzet vitesh italia zyrtare ka kundërshtuar me forcë e pa mëdyshje secilën Fuqí, të madhe o të vogël, që do të kishte shfrytëzuar rastin dhe rrethanat për të përvehtësuar tokat shqiptare.
Veprimi i ri i ndërmarrë nga Italia në Shqipërinë jugore – veprim që un mendoj se ka karakter përcaktues – kurorëzon përsosmërisht shpresën e shqiptarëve, të cilët, para se ushtarët trimat’Italisë të vdisnin për çlirimin e Toskërisë së bukur nga zgjedha greke, ishin torturuar nga një vepër e tmerrshme dhe të pushtuar nga ndjenja të një farë mosbesimi kundrejt politikës shqiptare të Konsultës. Austria, në fakt, ka ushtruar në Shqipëri – gjatë përcaktimit të kufijvet jugorë të Shtetit shqiptar dhe mbas pushtimit italian të Vlorës – një propagandë shumë të përhapur, të qëndrueshme dhe të aftë kundër Italisë, duke akuzuar për synime pushtuese të bregut tjetër t’Adriatikut e për marrëveshje të fshehta për një ndarje të mundëshme të Shqipërisë nga Italia në një anë dhe Greqia, Serbia e Mali i Zi n’anën tjetër.
Ankthi i shqiptarëve ishte thellësisht i ligjëruar, duke marrë parasysh gjëndjen e tyre tepër të mjerueshme. Pjesa më e madhee popullsisë së Shqipërisë jugore mbetet në mëshirë të ngjarjeve : pa çati, pa pronë, pa mjete jetese, e shpërndarë aty këtu, larg vatrave të tyre në strehime ku thika greke nuk mund të godiste, mbasi xhelatët e fëmijëve tanë, nënshtetasit e Mbretit Kostandin, egërsisht e barbarisht dogjën dhe shkatërruan më shumë se treqind fshatra të lulëzuara në Epirin e Veriut. Për fatin e këtyre popullatave tepër fatkeqe, viktima të barbarisë greke, shtypi italian foli gjërësisht në atë kohë. Me që një pjesë shumë e madhe e atyre popullsive të ikura e shëtitëse u strehuan në Vlorë e rreth saj, ato patën kujdesin e gjërë e bujar dhe mbrojtjen e vlefshme të Italisë.
Mbas shtrëngatës vjen edhe qetësia. Ushtarët e vlefshëm italianë shkojnë përpara hap mbas hapi dhe mbas tyre njerëzit tanë kthehen në shtëpitë e tyre, së fundi të lirë e të sigurtë për t’ardhmen e tyre. Ja përse shtrirja e pushtimit italian në Shqipërinë e Poshtëme përbën një ngjarje të gëzueshme për Kombin tonë ; ja sepse veprimi i ri, i ndërmarrë nga Italia në këtë Vënd, pritet ngrohtësisht e festueshëm nga gjithë populli shqiptar.
Corriere delle Puglie, 13 -10 – 1916 S. GJIKA
Pёrktheu nga italishtja Eugjen Merlika
Komentet