Përmes një mesazhi që ndërthur krishtërimin, patriotizmin dhe të qënit nënë, Giorgia Meloni ka fituar një mbështetje kaq të madhe saqë muajin që vjen, ajo mund të bëhet gruaja e parë në postin e kryeministrit të Italisë dhe udhëheqësja e parë e ekstremit të djathtë, që nga Lufta e Dytë Botërore. Edhe pse partia e saj “Vëllezërit e Italisë” ka rrënjë neofashiste, zonja Meloni është përpjekur ta largojë vëmendjen nga e kaluara e saj, duke u shprehur se votuesit janë lodhur nga diskutime të tilla.
Zgjedhjet e 25 shtatorit do të përcaktojnë nëse 45 vjeçarja Giorgia Meloni do të bëhet kryeministrja e ardhshme e Italisë. 100 vjet më parë, në shtatorin e vitit 1922 erdhi në pushtet Benito Musolini, diktatori fashist i Italisë.
Në vitin 2019, zonja Meloni prezantoi me krenari kandidatin Caio Giulio Cesare Mussolini, stërnip i diktatorit, si një nga kandidatët e saj për Parlamentin Evropian, megjithëse ai përfundimisht humbi.
Lorezo Pregliasco, i cili drejton firmën e sondazheve “YouTrend”, thotë se shumica e italianëve nuk i kushtojnë shumë vëmendje pikëpyetjeve lidhur me atifashizmin dhe neofashizmin.
“Anketat e opinionit publik tregojnë se trashëgimia e fashizmit shihet si diçka e së kaluarës”.
Por zonja Meloni dëshiron që në arenën ndërkombëtare partia e saj të vlerësohet si konservatore dhe jo e ekstremit të djathtë, kur flitet për mundësinë që ajo të marrë postin e kryeministres.
Përmes video-mesazheve në anglisht, frëngjisht dhe spanjisht, zonja Meloni shprehet se fashizmi i përket së kaluarës, duke dënuar qartë shtypjen e demokracisë dhe ligjet poshtëruese kundër popullsisë hebraike.
Në Italinë e viteve 1938, komuniteti i vogël hebre e kishte të ndaluar me ligj arsimin, biznesin dhe pjesëmarrjen në shumë aspekte të jetës së përditshme. Shumë hebrenj italianë u dërguan në kampet naziste të vdekjes gjatë viteve të fundit të Luftës së Dytë Botërore.
Partia Vëllezërit e Italisë, emri i së cilës rrjedh nga fjalët hapëse të hymnit kombëtar, gëzonte një mbështetje relativisht të vogël pesë vite më parë, me rreth 4.4% të votave.
Aktualisht, anketat tregojnë se kjo parti mund të zërë vendin e parë në zgjedhjet e shtatorit dhe të fitojë 24% të votave, duke lënë mbrapa Partinë Demokrate të qendrës së majtë, të udhëhequr nga ish-kryeministri Enrico Letta.
Italia ka një sistem zgjedhor kompleks, pjesërisht proporcional, çka do të thotë se zgjedhja e kryeministrit ndikohet nga koalicionet dhe jo vetëm nga votat. E djathta ka bërë punë më të mirë sesa demokratët në krijimin e partneriteteve elektorale me bazë të gjerë.
“Ka gjasa që Giorgia Meloni të bëhet kryeministrja e ardhshme e Italisë dhe gruaja e parë kryeministre në këtë vend. Kjo vjen nga fakti se partia e saj është më e madhja në koalicionin që duket se do të fitojë”, thotë Lorenzo Pregliasco me “YouTrend”.
Zonja Meloni është futur në aleancë me partinë e djathtë “Lega Nord” të udhëhequr nga Matteo Salvini dhe ndajnë të njëjtin qëndrim kundër migracionit të paligjshëm. Aleati tjetër i saj elektoral është partia e qendrës së djathtë “Forza Italia” e ish-kryeministrit Silvio Berlusconi.
Qeveria e Kryeministrit Mario Draghi ra muajin e kaluar, e braktisur papritur nga Salvini, Berlusconi dhe Guseppe Conte, të shqetësuar nga sondazhet dhe zgjedhjet lokale, që tregonin rënien e mbështetjes për partitë e tyre.
Në qershor gjatë një fjalimi në Spanjë në mbështetje të partisë Vox të ekstremit të djathtë, zonja Meloni u shpreh ashpër kundër komunitetit LGBT. Ajo ka kërkuar falje për tonin, po jo për përmbajtjen. Zonja Meloni, e cila ka një vajzë të vogël, ka thënë se “fraza më e censuruar” është “gruaja dhe nëna”.
Si Salvini, ashtu edhe Meloni thonë se po mbrojnë atë që ata e quajnë identitetin e krishterë të Evropës.
Partia e zonjës Meloni mbështeti fuqishëm vendimin e Kryeministrit Draghi për t’i dërguar armë Ukrainës, edhe pse Salvini dhe Berlusconi, admirues të hapur të presidentit rus Vladimir Putin, ofruan një mbështetje të vakët.
Zonja Meloni është mbështetëse e NATO-s, ndërsa në shumë raste i cilëson rregullat e Bashkimit Evropian si shkelje të sovranitetit të Italisë.
Komentet