Abstrakt: Historia me racionalitetin e saj koherent dhe folklori me emocionin karakteristik e vlerësojnë meritueshëm Ismail Qemal Vlorën për aktin e madh të Pavarësisë, si themeluesin e shtetit shqiptar. Me bulëzimin e Demokracisë, sidomos gjatë viteve 1995-’97, pati një vërshim botimesh folklorike apo të ashtuquajtura folklorike, por që nuk e morën statusin e korpusit “Trashëgimi kulturor i popullit shqiptar” për të plotësuar e vijuar tre vëllimet e serisë së “Epikës historike”. Cikli i këngëve historike, që ka të bëjë me përgatitjen e shpalljes së shtetit të pavarur shqiptar, me të cilin përfundon periudha e këngëve të pushtimit osman, është jo shumë pasur. Ka vlera njohëse, edukative e artistike; por mbi të gjitha, ngjizja e ndjenjës kombëtare, si dukuri e re që lindi me Lidhjen e Prizrenit e kthjelloi më tej ndërgjegjësimin atdhetar- kombëtar. Njohja e kombit u bë si njohja e vatrës ndër shqiptarë. Shtëpia e vogël e familjes në Kurvelesh, në Dibër, Himarë, Skrapar, Tepelenë, Koplik, Korçë, Prizren, Shkodër, Berat, Gjirokastër, Berat, Mirditë, Gramsh, Tetovë, Drenicë, Gjakovë, Arpicë, Lushnjë, Lezhë, Has, Kavajë, Krujë, Ulqin, Çamëri apo Labëri … u barazua me Shtëpinë e madhe Kombëtare; u bë dëshirë e kërkesë e secilit njohja e kombit – këtë na tregon kënga. Veçse, edhe për këngët epike të Pavarësisë bazë është kriteri kronologjik dhe ato, “duke patur si mision kryesor pasqyrimin emocional të ngjarjeve të ndodhura realisht, kanë përmbajtje të angazhuar historike”(Dibra) 1), duke iu përgjigjur flakë për flakë ngjarjes madhore të Pavarësisë dhe rolit të saj vendimtar për jetën shqiptare. Në këtë punim do të trajtojmë pikërisht ravën folklorike të çelur nga Qemal Haxhihasani e Zihni Sako, qysh më 1956 me “Këngë popullore historike”. Mendojmë se ravijëzimi kronologjik na çon në gjurmët e arketipit dhe se krijimet foklorike, parë nga ne në konteks, jetojnë e qarkullojnë vetëm brenda atij komuniteti të caktuar që i pëlqen, që i dëshiron natyrshëm, jo teatrisht, nëpër skena folklorizante.
1. Hyrje në rrafshin krahasimtar: histori – epikë historike
Pavarësia e kombit shqiptar është tempulli ku shqiptarët i falen Flamurit dhe Plakut të Bardhë, që së bashku me Bacën Isë, me Luigj Gurakuqin, me Rasih Dinon (nga treva e Çamërisë), me tërë ata burra të lartë e me fisnike si Marigo Posio e trimëreshat e tjera shqiptare, i zbardhën faqen Atdheut tonë të lashtë, larë me diell, qëlluar me furtunë. “Luftrat ballkanike do ta përshkonin rajonin si një nëmë biblike” (Salleo) 11). Nga literatura historiografike mësojmë se ai fillimshekull i XX qe i stuhishëm, se në atë kohë lëvizja kombëtare për liri shtrihej anë e kand Shqipërisë, se ishin mbledhur shqiptarët e Rumanisë të kryesuar prej Ismail Qemal Vlorës e vendosën “mprojtjen e të drejtavet kombtare e shpëtimin e Atdheut prej lakmimeve sllave e greke, dhe në Vlonë me 28 Nanduer 1912 i u gjegj mbledhja e përgjithëshme e përfaqsivet të të gjitha visevet shqiptare qi shpalli mvehtësín e Kombit. Kronisti i asaj dite historike, kështu shkruen: Më 3 ½ hapet mbledhja… Në krye të sofrës rrin Ismail Qemali… Afër tij âsht Don Kaçorri… Aty pranë gjindet edhe Luigj Gurakuqi, i cili, në ketë çashtje âsht, me të vertetë dora e djathtë e Plakut” (Kamsi) 7).
Pavarësia mbart sakrificat e shumë brezave, duke u kthyer në një vepër popullore, në themelet e së cilës kishte vënë gurë gjithë Shqipëria. Akti historik për shpalljen e Pavarësisë pati qëllim shpëtimin e vendit nga copëtimi i huaj, ruajtjen e tërësisë tokësore dhe fatin e kombit (FESH, 2009:2560) 4), por shteti i ri shqiptar, në vijimësi, pati një sërë problemesh e vështirësish, “për ngjarje të ndryshme, akte uzurpimi të tokave shqiptare nga fuqitë ndërluftuese të kohës, si austrohungarezët, francezët e italianët, bukur na e sjellin një situatë të tillë edhe vargje popullore të shkëputura nga një tekst kënge i kohës: “Shqipëri, o shkëmb e gur,/ Vrite, prite për Flamur,/ Bota hiq e ti-në vur”. Këngët e kësaj periudhe të re historike për Shqipërinë dhe për shqiptarët bashkëudhëtojnë përgjithësisht me vetë historinë, brenda specifikës së folklorit, që në tërësinë e vet nuk është fotografim i realitetit, por pasqyrim artistik” (Xhagolli) 13) i asaj ngjarjeje reale, me personazhe konkretë, zhvilluar në kohë të caktuar dhe në hapësirë përkatëse.
2. Në gjurmë të botimeve të para folklorike
Nga botimet më të vjetra folklorike, Qemal Haxhihasani e Zihni Zako, më vitin 1956 na japin tri këngë, që janë nga lulet e para të ciklit të periudhës së Pavarësisë. E para, regjistruar në Kabash-Gramsh, me 9 vargje të ngjeshura, lakonike, të thjeshta por domethënëse, na vjen me këtë variant: “Medet, shokë, na mori malli,/ Ku gjindet Smail Qemali?/ Në Paris, brend te krali,/ hyn e del si zog sorkadhi:/” Shqipërinë dua t’ma ndani,/ Kanë zbritë komitat nga mali,”/ “ Fol, o Smail Be me gojë!/ Merre Flamurin në dorë,/ Ngule në Sazan e Vlorë.” (Këngë popullore historike, 1956:248) 8). Një tjetër këngë simbolike e Pavarësisë, shumë e përhapur dhe në treva të tjera, që qarkullon me variantet e komuniteteve përkatëse, edhe në Himarë, në Vranisht, në Tërbaç, në Dukat, më gjerë në Labërinë e Gjirokastrës, Tepelenës, në Mallakastër e më tutje hapësirave polifonike, herë si këngë, herë si valle, diku duke shtuar një varg apo duke hequr një tjetër, por gjithsesi thotë artistikisht bukur profilin historik të Uratës së Flamurit Kombëtar, e regjistruar në Radhimë-Vlorë: “O Qemal kur të përzunë,/ Kur desh të të zij’ Turqia/ Dhe një çikë prá të zunë;/ Erdh e të mori gjemia,/ Brënda në Paris të shpunë,/ Atje ku ish katimia./ Seç u ngrit krali në gjunjë,/ Mbretëresha dhe e bia./”Cili je ti, more burrë,/ Që kërkon vulat e mia?”/ “Unë jam Smail Qemali,/ Prapa më vjen historia.”/ Të shtatë vulat ja dhanë,/ Po do mos dojë Turqia./ “ Do dojë, se s’është punë,/ Është e jona Shqipëria!/ Sazan e Karaburun/ Janë vatanet e mia,/ Nëpër mes i ndan një lumë,/ Nga juga është Greqia”. (Këngë popullore historike, 1956:248) 8.1). Në 20 vargje memoria sociale e popullit na sjell një epos të tërë, me hartën e duhur gjeografike, në konteks, me udhëtimin historik, atlasin moral dhe etnopsikologjik të një kombi dhe nga ku kuptojmë sesi një njeri me emër të përveçëm shndërrohet, nga bëmat e tij, në një idhull, në një shenjt, në një Emër të Përgjithshëm, me të cilin kuptohen gjithë shqiptarët, sepse ai bëhet simbol i shqiptarit të lirë, të pavarur e demokrat në ballafaqimet ndërkombëtare, në mejdanet diplomatike për civilitetin e vendit të të parëve të tij.
Me 10 vargje na vjen kënga e regjistruar në Kuç- Kurvelesh: “Më njëzet e tet’ nëntorë/ Më këmbë u ngre Shqipëria;/ Smail Qemali në Vlorë,/ Me gjithë shokët e tia,/ Çi tha popullit me gojë: “Posht’ o shokë, robëria! Evropa le ta dëgjojnë:/ Nuk ka vënt këtu Turqia!/ Ja të vdesim, ja të rrojmë,/ Është e jona Shqipëria! ”. (Këngë popullore historike, 1956:249) 8.2). Kënga flet vetë; ajo bëhet zëdhënëse e historisë, kronikë e ngjarjes sipas mendësisë popullore, i cili derdh artin e shpirtit të tij nëpërmjet këngës. Më 28 nëntor Shqipëria u bë shtet i pavarur. Kryengritjet dhe gjaku i derdhur për pesë shekuj me radhë sollën frytin e dëshiruar: Populli shqiptar theu prangat e robërisë dhe fitoi pavarësinë e tij kombëtare duke u njohur si shtet më vehte. “Ku ngrihet Flamuri, ngrihet Kombi! Kur rrëzohet Flamuri, rrëzohet Kombi” (Luarasi) 9). Studiuesi i njohur i fushës prof. Bardhosh Gaçe, kur trajton ngjarjen kombëtare të shpalljes së Pavarësisë, ndër më të ëndërruarat e shqiptarëve përgjatë gjithë kohës së pushtimit pesëshekullor osman, nënvizon se ky çast i njohur historik u reflektua në të gjitha trevat shqiptare me kushtime atdhetarie dhe këngë. Po citojmë: “Plakut të Vlorës dhe gjithë dërgatës nga gjithë vendi iu kënduan këngë heronjsh dhe trimash, mendje ndriturish dhe patriotizmi shqiptar” (Gaçe) 5. Në librin e tij kushtuar përjetësimit të emrit të Atit të Pavarësisë në shpirtin e popullit prof. Gaçe ka botuar një monografi shkencore (Gaçe) 6, ku përfshihen 466 materiale folkorike, nga të cilat 262 njësi folkorike – këngë të gjinisë së Epikës popullore, lloji i Epikës historike; 94 njësi folklorike të gjinisë së Poezisë lirike të llojit të Lirikës familjare, nga të cilat 57 vaje [vajtime], 37 këngë të lindjes e të djepit [ninulla], si dhe 110 rrëfime popullore, gjurmuar e mbledhur te burimi, në trevat mbarëshqiptare me dashuri e vërtetësi, sipas kritereve shkencore të fushës së Folkoristikës. Vlen të theksojmë se, krijimet folklorike të Selim Hasanit, në vijim kronologjik të botimeve, që kanë lënë gjurmë në formimin atdhetar të komunitetit dhe në zbukurimin e botës ndjesore, duke i përmirësuar njerëzit jo vetëm estetikisht, i boton më 1966 Instituti i Folklorit, ku krahas kontributit të prof. Zihni Sakos e Arsen Mustaqit, është e tejdukshme puna e “profesorit të pashpallur”, të bardhit Qemal Haxhihasani, që “në fushën e botimeve të folklorit shqiptar është më i shquari” (Xhagolli) 14). Ja si këndon xha Selimi i Brate, në shtratin e folklorit tradicional të krahinës së tij. Tre këngë të botuara, marrë nga hejbeja me këngë labe e xha Selimit po i citoj, sipas kërkesave fonetike, edhe për kujtim e mirënjohje ndaj folklorit të tij sinkretik: Kënga e parë – me 16 vargje:” Më dymbëdhiet’ senè/ flamuri në Vlor’ u ngre,/ me zhëgabë Skënderbe. /Pesëqint vjetë ku qe?/- I kishnë vënë perdè./ (e kishin lënë në errësirë) – Kush e qirti shiqarè?/ – Ai plaku halleve./ patërjoti Smail Be;/ me gazeta nënë dhe,/ me shokë nja dy a tre./ Mëretit vajte i the,/ Dua sha përmi ylqe,/ do të hap një mod’ të re;/ do vë lule një bahçe!- unë të sho’ se ç’mëndje ke,/ po, sa të mund, do të çkre”. Xha Selimi është lindur rreth vitit 1886 në një familje të varfër, kështu që mund të justifikohen turqizmat në vargjet e kënduara apo të hequra valle aty për aty nga ai, si t’i vinte situata, ç’i kërkonin e ç’ pëlqenin njerëzit që e rrethonin në atë kohë në lagje, në mëhallë, në fshat, në miqësi, në luftë. Kënga e dytë është me 19 vargje: “Smail Beu i varfëri/ s’desh çifliqe, pasuri,/gjezdis me libra në gji,/ lufton kundraj me Turqi:/ – Ku jam, se dua të di,/shqipëtar a turçelli?/ E dua, se kam të drejtë,/ nga Parizi pse më çkretë?-/ Gjezdisi det e steretë/ me ca libra të mëshetë,/ nga Skënderbeu kish gjetë./ Nëntëqintedymbëdhjetë/ flamurë në Vlor’ e ngretë./ Foli Smail Beu vetë:/ -Ka qën’ i bllokuar gjetkë,/ ky është flamuri ynë!/ bëjnë ca sikur s’e njinë/ Esat Pasha me Myftinë,/ Kosovën në bot’ e shinë.- Më tej, vetëm me 10 vargje, përsëri xha Selimi këndon, duke i mëshuar dëshirës madhore të Plakut të Bardhë: përparimin e shqiptarëve nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe, me shkollim e diturim për ta bërë Shqipërinë “ lule mes shoqeve: “Shqipëri, lule burbuqe,/ ke qënë në mes të ujqe,/ në mbëretërinë turke,/ pesëqint e ca vjet mbushe,/ tinë shqip e ata turçe./ Qysh u ndave, u çkëpute?/ Kërkon Qemali hudute./ Libra, propagandë fute,/ nëpër shkolla, nëpër burqe,/ qirte Flamurin në dukje”. (Rapsodë popullorë. Selim Hasani: 1966) 10 ).
Ciklin e këngëve të të periudhës së shtetit të pavarur shqiptar e pasuron më tej botimi “Epika Historike, vëllimi 3”, realizuar nga Akademia e Shkencave, Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë. Vepra e Ismail Qemalit për bashkimin një nga një të viseve të ndryshme të vendit regjistrohet dhe jepet në 13 këngë të tjera, të sistemuara sipas kriterit kronologjik. Shpallja e Pavarësisë, figura të veçanta si Ismail Qemali e Isa Boletini kanë prirjen të këndohen në përmasa gjithëkombëtare dhe fillojnë të futen me një perspektivë gjithmonë e më të gjerë në fondet poetike gjithëkombëtare, për shkak të peshës specifike të ngjarjes dhe gjesteve të heronjve, për rolin e veçantë në forcimin e ndërgjegjes kombëtare popullore etj., të cilat natyrshëm rrisin dhe potencialin artistik të këtyre krijimeve folklorike të karakterit epik. Kronika poetike e ngjarjes ja si vjen në një variant të Smokthinës – Vlorë: “Shqipëri, moj, shkëmb e gurë,/ Shqipëri, moj, Shqipëri! (përsëritet pas çdo vargu)/ Vrite, prite për flamur,/ Bota hiq e tinë vur,/ Evropa lësho e zur!” vetëm në 5 vargje shprehet vendosmëria e popullit tonë në luftrat shekullore për çlirimin e tij kombëtar. Ja si i këndohet nga treva e Dukatit Simbolit tonë: “O Flamur i Shqipërisë,/ O Flamuri kuq e zi,/ Rrugës tënde legjendare,/ Seç shkrove një histori./ Pesë shekuj ti qëndrove/ I fshehur brenda në gji,/ Të ngriti Smail Qemali,/ Bashkë me shokët e tij. Me Shpalljen e Pavarësisë mbyllet epoka e sundimit të huaj, epoka e errësirrës mesjetare dhe e robërisë së urryer, me kurorëzimin e luftës heroike të të parëve tanë, me shkëlqimin legjendar të Gjergj Kastriot- Skënderbeut, me “treqind kryengritje në katërqind vjet” për liri e pavarësi. Mozaiku i këngës zbukurohet me një variant nga Bregdeti, pikërisht nga Qeparoi i kapedanëve: U ngre Flamuri në Vlorë,/ Fol, Ismail Vlora, folë!/ Gjithë Evropa ta dëgjojë,/ Se shqiptarët u mbëlodhë,/ Karar dhanë në një gojë,/ Që më vete të qëndrojnë,/ Gjithë ç’janë shqipëtarë,/Jan’ vëllezër të pandarë,/ Siç ishin me Skënderbenë,/ Kur e tundën gjithë dhenë. Me një gdhendje mjeshtërore na e sjell portetin e Plakut të Flamurit kënga e Tërbaçit: “Ç’të them për Smail Qemalë,/ Trimin me shokët e rrallë,/ si mali me bor’ të bardhë,/ në at’ luftën me Ballkan,/ bashkë me shokët asllan’,/ E ndau Shqipen mënjanë./ O Malo ballëkurorë,/ të mbeti shkaba në dorë,/ Që kur e ngrite në Vlorë./ O Malo, o diplomat,/ Shkrove histori të artë!” Pa shumë shkollë ishin krijuesit popullorë në atë kohë kur ka lindur e është përhapur kënga, por intuita, zgjuarsia popullore diti t’i nuhasë zhvillimet e kohës dhe personazhet historikë, t’i përpunonte shpejtësisht në “laborator” dhe ta qepte këngën në vend, e cila ngjitej e qarkullonte, se pëlqehej. Ja një tjetër këngë nga Vërmiku: “Smail Qemali me halle,/ O Smail, o trim,/ Trim, o more trim (v.2-3 përsëriten pas çdo vargu si refren)./ Bëre punën më të madhe,/ Me flamurin kuqe alle,/ Që ngrite male më male,/ Shqipërinë na e ngjalle”. Nga Velça-Vlorë na vjen ky variant që pëlqehet dhe në trevat përqark: “Tundu, tundu, o Flamur,/ Marshalla, ç’lëshoke nur, /Përmbi shkëmb e përmbi gur! /Smaili të vuri vulë! /Aferim, o Smail Be,/ Evropës rrotull i rè,/ Flamurin në Vlor’ ngulè/ Smail Be, o diplomat/ Na e ngrite kokën lart!” Një njësi folklorike shumë interesante na e dhuron treva e Dibrës: “ Nëpër fusha, nëpër male,/ Vrapon poplli tuj kcye valle;/ Nalt e ngritëm njat Flamur,/ Mi çdo shkam e mi çdo gur;/ Njat Flamur me shqipe mali,/ Na e kish çu Smail Qemali./ Kur Flamurin nalt e ngritëm/ Krisën pushkët, të gjith’ britën:/ Rroft’ Flamuri, rroft’ Shqipnia,/ Anekan sod shndrit Liria! Bën aluzion kjo këngë për vendimin e Kuvendit Kombëtar për Shpalljen e Pavarësisë (28 nëntor 1912). Ismail Qemal Vlora si kryetar i Kuvendit Kombëtar, shpalljen e Pavarësisë ua njoftoi gjithë krahinave të atdheut. Kjo këngë shpreh edhe entuziazmin e përgjithshëm me të cilin e priti populli i Dibrës, vendimin e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Mund të kumtonin shumë se këngët e popullit për Pavarësinë rrjedhin si lumë, por dëshirojmë ta finalizojmë me një këngë të veçantë nga Vranishti i Vlorës, mbledhur e regjistruar në vitin 1960. Kënga është ngritur nga Qerim Tartari (dhe këtë e kemi verifikuar nga tre burime) më 1913, kur Konferenca e Ambasadorëve, duke caktuar kufijtë e Atdheut tonë padrejtësisht, la jashtë tyre Kosovën : “Ç’ësht’këjo që na ka ngjarë/ Nënë Shqipëri? (përsëritet pas çdo vargu)/ Dhe malet në hall kan’rarë,/ Se u prem’ e se u vramë,/ Për liri, për trojet tanë./ Të mëdhenjt’ (e ka fjalën për Fuqitë e Mëdha) paçin belanë,/ Që e trazuan dynjanë,/ Mëmëdhen’ më dysh na ndanë,/ Kosovën jasht’ na e lanë./ Po ne jemi shqipëtarë,/ Nga një nënë e nga një babë./ Kemi një Flamur e Shkabë,/ Jemi betuar ta mbamë!” (Epika historike, 3:1990) 2).
PËRFUNDIME
Qëllimi kryesor i këtij punimi ishte të nxirrte në pah botimet serioze nga krijimi folklorik për Pavarësinë e Shqipërisë, që daton më herët, që ka një vendlindje e një datëlindje si fillesë krijuese individuale (apo dhe kur lundron nëpër anonimat), sepse plotëson kriteret e sigurimit të statusit që ka folklori si një lloj i veçantë e specifik artistik; që shndërrohet në krijimtari folklorike, sepse ka hyrë në qarkullimin folklorik të bashkësive të caktuara, të cilat dhe i cituam.
Njohja me këto fillesa folklorike të botuara mendojmë se përbën një tregues të mirë për të ditur se kush janë vërtetësisht botimet emblematike nga institucioni kompetent për Pavarësinë në peridhën e parë të mundshme kohore, që kemi gjetur nga veprimtaria botuese e institutit tonë.
Edhe pse janë këngë të epikës historike, nga kërkimet dhe vëzhgimet e bëra në terren, kemi vërejtur se ato bëjnë jetë aktive (kuptohet që nuk mund të jenë sot në krye të listimit të këngëve) natyrshëm, se pëlqehen e qarkullojnë, sidomos në Vlorë, ku u realizua dhe vepra e madhe kombëtare, apo në krahinën etnografike të Labërisë, ku kemi bërë ekspedita vetiake e studime.
REKOMANDIME
Stihia e botimeve folklorizante na kushtëzon që të qartësojmë veten së pari, miqtë studiues e komunitetin që këngët e atdheut janë ilaç dhe shërim, siç thotë Mjeshtri i Madh Lefter Çipa për këtë fakt: Këto janë botimet e para të mundshme, që gjetëm deri më sot dhe po i evidentojmë. Janë të besueshme si të tilla, sepse librat e botuar shënojnë vendin e vitin e botimit, folkloristët që janë marrë me përgatitjen për botim dhe botimin e njësive foklorike në libër, sipas kritereve përkatëse shkencore, si dhe institucionin që i ka miratuar këto botime. Ky fakt është i verifikueshëm me paraqitjen konkrete të librave që cituam më lart dhe mbyll shtegun e abuzimeve të botimeve pirateske dhe pamundësisht të verifikueshme, që, si rrjedhojë e “folkorit totalitar” (THIESE) 12), thatësira vargëzuese “kërryer” në vitin 1989, psh., na i paraqesin sikur janë botuar më 1923.
Këngë të tjera shumë të bukura për “Plakun e Pavdekshëm të Pavarësisë Shqipëtare” (Fetiu) 3) janë krijuar në rrjedhat e kohës dhe janë botuar nëpër almanakë folklorikë etj.; po ashtu janë botuar më vonë edhe studime e monografi, por objekt i kësaj kumtese ishin vetëm fillimet e këtyre botimeve folkorike.
Gjithashtu, kjo temë në të ardhmen mund të përfshihet në një studim më të gjerë, më gjithëpërfshirës, me shtrirje gjeografike në gjithë trevat ndërshqiptare, me më shumë gjetje origjinale, larg sforcimeve e deformimeve folklorizante, të cilat vdesin akoma palindur.
BIBLIOGRAFIA
1- DIBRA, Miaser: Metafora në këngët popullore shqiptare; Tiranë: Akademia e Shencave, 2007, f. 266.
2- EPIKA HISTORIKE, 3; Përg. nga Qemal Haxhihasani dhe Miranda Dule (Botim i Akademisë së Shkencave të RPSSH, Instituti i Kulturës Popullore), Tiranë, 1990, f. 33-46.
3- FETIU, Sadri: Folkloristikë; Prishtinë: Instituti Albanologjik, 2009, f. 63.
4- FJALOR ENCIKLOPEDIK SHQIPTAR: Tiranë; Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2009, f. 2560.
5- GAÇE, Bardhosh: Etnologjia dhe folkori shqiptar; [Fier], Ymeraj, 2016, f. 284.
6- GAÇE, Bardhosh: Flamuri dhe Ismail Qemali në këngë e rrëfime popullore; Tiranë, Toena, 1997, 376 f.
7- KAMSI, Gjon (“Ora e Maleve”, vj.1, nr. 32, me 10 Nanduer 1923); shih: Shkrimtarët Shqiptarë, pjesa II. Prej Lidhjes së Prizrenit deri më sot. Punue nën kujdesin e Ernest Koliqit nga Karl Gurakuqi: Tiranë: Gurakuqi, 1941-xix, f. 261-262.
8, 8.1, 8.2- KËNGË POPULLORE HISTORIKE, zgjedhur e pajisur me shënime nga Qemal Haxhihasani nën kujdesin e Zihni Sakos. Tiranë, Instituti i Shkencave, 1956, f. 248-249.
9- LUARASI, Skënder: Fjala shqipe; Tiranë, Naim Frashëri, 1961, f. 55.
10- RAPSODË POPULLORË. SELIM HASANI; Tiranë: Instituti i Folklorit, 1966, f. 11-12.
11- SALLEO, Ferdinando: Shqipëria: gjashtë muaj mbretëri; Përkth. Virgjil Muçi; Tiranë: Shtëpia e Librit dhe e Komunikimit, 2001, f. 40.
12- THIESSE, Anne- Marie: Krijimi i identiteteve kombëtare: Europa e shekujve XVIII-XX: Përkth. nga frëngjishja Etleva Shiroka; Pejë: Dukagjini, 2004, f. 332.
13- XHAGOLLI, Agron: Etnologjia dhe folklori shqiptar; Vlorë: Triptik, 2007, f. 247.
14- XHAGOLLI, Agron: Përkushtimi ndaj botimit të vlerave folklorike; shih: Qemal Haxhihasani folklorist dhe mësues i rrallë (përmbledhje artikujsh të kolegëve) [Tiranë]; [2010], f. 141.
*) Master i Shkencave për Etnologji dhe Folklor,
Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë.
Përgjegjës i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”,
Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, Albania.
Komentet