Sot starton viti i shkrimtarit Ismail Kadare, nën moton “Gjirokastra lexon Kadarenë”. E ftuar në emisionin “Natë me Xhaxhiun” të gazetarit Rezear Xhaxhiu, kryetarja e bashkisë së Gjirokastrës Zamira Rami, ndalet edhe tek shtëpia e shkrimtarit, e cila pas marrëveshjes me Ministrinë e Kulturës do të kthehet në shtëpi muze për të gjithë ata të cilët do të kenë mundësinë ta vizitojnë e të njihen me të.
Zonja Rami theksoi se në pranverë, në një nga aktivitetet në nder të tij do të jetë i pranishëm edhe vetë shkrimtari ë madh Ismail Kadare. Kryebashkiakja e Gjirokastrës shpjegon me radhë aktivitetet që do të zhvillohen në “Vitin e Kadaresë”, duke zbuluar një detaj tepër interesant që ka të bëjë me dhuratën që shkrimtari i ka bërë bashkisë. Janë tre objekte origjinale që do të ekspozohen në shtëpinë muze, duke filluar nga 30 janari.
Unë thashë se ti je një lexuese konstante e Kadaresë. A i ke lexuar ti të gjithë librat e tij?
Nuk them se i kam lexuar të gjithë librat e Kadaresë por kam qenë një lexuese e mirë e tij.
Do t’u jap 3 ose 4 opsione “Dimri i madh”, “Pallati i ëndrrave”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kështjella” ose “Prilli i thyer”, kë do të veçonit?
“Kronikë në gur”.
Po normal, si mund të ndodh ndryshe?! Një gjirokastrite të pëlqejë “Prillin e thyer” përpara “Kronikë në gur”. Por edhe sikur të ndodhte kështu, Zamira Rami është kaq e zgjuar sa do thoshte “Kronikë në gur”. Cili është personazhi i “Kronikë në gur” që është më tipiku gjirokastrit? Do t’ju përmend disa: Gjyshja e Kadaresë, Dino Çiço apo…?
Të gjithë personazhet janë tipik specifikë dhe kanë atë madhështi të tyre që duhet të kenë brenda vetes. Sigurisht që nuk mund të lësh pa përmendur edhe baba Zotin, i cili përshkruhet aq bukur por nuk mund të lësh pa përmendur edhe Vasiliqinë, si një nga magjistaret që dilte në rrugë dhe përcaktonte kush e kishte radhën për t’u eliminuar. Po nuk mund të lësh pa përmendur edhe Dino Çiço po edhe Kako Pino por edhe të gjitha ato gratë surreale që ishin renditur tek oda dhe merreshin me planet dhe punët e të tjerëve. Nuk mund të lësh pa përmendur gjithë atë përshkrim të bukur të luftës që bëhet në këtë vepër.
E di ti kuptimin e fjalës “Përroi i të marrëve”?
Unë di çfarë domethënë i marrë. Ne themi sokaku i të marrëve.
Nëse Gjirokastra nuk do të kishte Kadarenë, a do të ishte qyteti po kaq interesant?
Vërtetë është fat i madh që Gjirokastra e ka Kadarenë pjesë të sajën, por Gjirokastra madhështinë e saj e ka të zgjeruar më shumë se sa kaq. Gjirokastra ka vlera historike, trashëgimie që janë në përmasa shumë më të mëdha se në qytete të tjera.
Çfarë do të bëjë bashkia e Gjirokastrës për Vitin e Kadaresë? Starton nesër zyrtarisht, për t’u mbyllur në fund të vitit, por nuk do të jetë vetëm ky, sepse viti i Kadaresë do të jetë 2017-2018 etj. Çfarë është moto “Gjirokastra lexon”?
Mendojmë se jemi në një qytet, i cili na bashkon të gjithëve, duke filluar që nga fëmijët, të rinjtë, moshatarët, qytetarët e përhershëm po pse jo dhe qytetarët që janë vizitorë për trashëgiminë dhe kulturën tonë. Dhe kemi menduar, përse të mos lexohet Kadareja. “Gjirokastra lexon Kadarenë”, perceptimi është i tillë që ne të arrijmë të lexojmë ato personazhe të gjalla që vijnë nëpërmjet veprës së Kadaresë dhe ta ndajmë këtë në të gjithë grupmoshat për t’i dhënë një atmosferë gjithë qytetit që të gjithë të themi ne festojmë për Kadarenë tonë.
Diçka konkrete… Për shembull si është konceptuar, do niset nga Bashkia e Gjirokastrës, kush do lexojë çfarë?
Nga bashkia e Gjirokastrës janë përzgjedhur disa punonjës, të cilët në një ambient publik të hapur, shpresojmë që do të kemi një mot të mirë, që në shkallët e bashkisë të lexojnë me radhë diçka që e mendon se i pëlqen nga Kadareja duhet ta flasë dhe duhet ta lexojë. Tregojmë që ne e kemi kulturë, kemi vëmendjen, kemi dashamirësi dhe ne e vlerësojmë Kadarenë tonë.
Pra, do lexohet jo domosdoshmërisht nga “Kronikë në gur”?
Ne do të zgjedhim vepra të ndryshme, pjesë të ndryshme nga veprat e Kadaresë. Ne përgjithësisht do të lexojmë personazhet e gjalla në veprën e Kadaresë.
Më pëlqen kjo ide. Më 7 janar u nënshkrua një marrëveshje mes Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë tuaj për rijetëzimin e shtëpisë së Kadaresë. A do të jetë ajo thjesht një qendër muzeale apo synon krijimin e një modeli të ri që duhet ndjekur edhe nga qytetet e tjera?
Ne kemi filluar punën për kremtimin e “Vitit të Kadaresë” shumë herët. Unë gjej rastin të falënderoj Ministrinë e Kulturës që na ka hapur derën dhe kemi gjetur bashkëpunim shumë të frytshëm. Ligji për qeverisjen vendore nuk të lejon që ti të kontribuosh qoftë edhe financiarisht në një monument kulture të cilin ti nuk e ke pronë të tënden. Pra, investimet publike ta detyrojnë këtë. Ne kemi nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për sa i takon shtëpisë së Kadaresë me Ministrinë e Kulturës që mbas startimit dhe pas përfundimit të rindërtimit të shtëpisë së Kadaresë dhe mobilimit nga ana e Bashkisë së Gjirokastrës ajo do të kthehet në një muze të veprës dhe jetës së tij. Pse jo në një qendër kulturore multifunksionale. Sepse ne mendojmë që shtëpia e Kadaresë duhet të jetë më tepër se sa një muze. Ne mendojmë që ajo shtëpi duhet të jetëzohet dhe jetëzimi i saj mund të vijë kur ne t’i hapim dyert çdo artisti, çdo shkrimtari, çdo dashamirësi të letërsisë, të kulturës, trashëgimisë dhe mund të vijnë të bujtin në shtëpinë e Kadaresë, të qëndrojnë 2 ose 3 ditë për të krijuar veprën e tij ose për t’u frymëzuar pranë shtëpisë së Kadaresë. Pra, kjo do të ishte një ide shumë e mirë, që ne ta jetëzonim shtëpinë e Kadaresë dhe njëkohësisht ta promovonim anë e mbanë botës. Kjo është ideja jonë, marrëveshja jonë e bashkëpunimit. Bashkia e Gjirokastrës do të jetë në një farë mënyre menaxhuesja e shtëpisë dhe e të ardhurave që do të vijnë nga shtëpia muze e Ismail Kadaresë.
Kjo shtëpi do të funksionojë gjatë gjithë vitit?
Sigurisht që po. Kjo shtëpia, pas inaugurimit të saj në datën 30 do të kalojë nën administrimin e bashkisë së Gjirokastrës. Ne do të kemi një personel modest, që do të marrë përsipër, edhe përmes trajnimeve sepse kuptohet që pranë shtëpisë së Kadaresë duhet të kesh një ciceron që duhet të jetë goxha i kulturuar dhe të ketë informacionin e duhur për të përcjellë gjithë historikun dhe atë çka ne duam të themi përmes shtëpisë së Kadaresë. Mënyra më e mirë për ta jetëzuar është për t’ia dhënë kulturës, njerëzve që e duan artin, kulturën e trashëgiminë. Besoj se ne jemi shumë të përgjegjshëm dhe e dimë shumë mirë që kthimi në një muze të veprës e jetës së Kadaresë do kohë, do profesionalizëm, do muzeologë të specializuar dhe ne nuk do na mungojë as bashkëpunim, as idetë e mendimet nga muzeologë që janë edhe përtej Shqipërisë.
Kemi qenë vizitorë të shtëpisë në një rast të Hygoit, Balzakut, Remarkut e me radhë. Do të jetë si këto shtëpitë tipike muzeale? Kur unë kam qenë tek Hygoi, kam parë letrën e fundit që i ka dërguar Hygoi gruas së tij. Pra do të kemi sende personale të Kadaresë?
Në datën 30 që ne kemi inaugurimin e shtëpisë, na ka premtuar vetë shkrimtari që do të na dhurojë 3 objekte nga shtëpia e tij, që i ka në shtëpinë e tij dhe pasnesër do t’i kemi në shtëpinë e Kadaresë. Është një sënduk, një mangall dhe djepi i tij. Pra, këto janë objektet e para.
Ndonjë dorëshkrim?
Jo, shkrimtari do të dërgojë pranë Bashkisë së Gjirokastrës një përshëndetje me rastin e ditëlindjes së tij për shkak të mungesës objektive të tij.
Nuk do të jetë Kadareja?
Kadareja nuk do të jetë, por do të jetë në pranverë, shumë shpejt në Gjirokastër, pranë qytetarëve e dashamirësve të tij.
Çfarë është planifikuar pas këtyre datave në atë që quhet shtrirje e “Vitit të Kadaresë”?
Pasi shpallëm vitin 2016, si viti i Kadaresë, ne së bashku me Ministrinë e Kulturës krijuam një bord i cili do të merret kryesisht me krijimin e një kalendari të plotë në lidhje me çdo aktivitet që do të realizohet gjatë gjithë këtij viti që do të jetë i shtrirë në të gjithë muajt e vitit. Ky bord është përgjegjës edhe për mbarëvajtjen e këtyre aktiviteteve. Ne jemi përpjekur që t’i tejkalojmë kufijtë e Shqipërisë.
Të bëjmë pjesë edhe Kosovën dhe sigurisht një nga aktivitetet e veçanta është “Udhëtimi në qytetin Kadarian” që është një ndërthurje midis personazheve të gjalla të Kadaresë, të veprës së Kadaresë por edhe skicimit të personazheve nëpër piktura të ndryshme që do të jenë të varura gjatë kësaj ekspozite. Ne menduam pikërisht atë cilësi të veçantë që Kadareja ka në veprën e tij, pra shkrimin e qytetit ne ta tregojmë edhe në një skicim apo vizatim të caktuar. Gjithë ky udhëtim i Qytetit Kadarian do të lëvizë duke filluar nga Tirana në muajin shkurt, do të zhvendoset në javën e Bibliotekës në prill në Kosovë dhe do të vijë në Gjirokastër në muajt korrik edhe gusht. këtë do e cilësoja si një aktivitet shumë të veçantë që ne do ta organizojmë me shumë dinjitet.
Kemi menduar një sërë të tjera aktivitetesh siç mund të jenë shfaqje të ndryshme më veprën e Kadaresë, mund të jenë festivale, aktivitete të ndryshme kulturore, simpoziume shkencore. Që të gjitha këto janë të mirëideuara, të mirëmenduara nga ky bord i cili është përgjegjës për mbarëvajtjen e këtyre aktiviteteve.
Do të ketë shumë të veçanta 2016 në Gjirokastër, ndaj ia vlen në një fundjavë të shkoni për të parë shtëpinë e Kadaresë, dhe për të qenë prezent në një nga aktivitetet që do të organizojë bashkia e qytetit në javët dhe muajt që do të vijnë. A është menduar që emri i Kadaresë dhe vepra e tij të kthehet në një aset për qytetin tashmë në një segment afatgjatë, jo vetëm në 2016. Kjo do të tërheqë edhe turistët, siç janë psh. këto elementë “Kadare”.
Sigurisht që po. Kadareja është ai që është, dhe ai promovimin nuk ka nevojë ta marrë prej Gjirokastrës, se i ka marrë vetë. Ne si gjirokastritë në një farë mënyrë, si “pronarë” të shtëpisë së Kadaresë, do të përpiqemi ta kthejmë në burim fitimi për qytetin tonë, dhe ta kthejmë në burim të vlerave për trashëgiminë e Gjirokastrës. Ndaj kemi menduar që nëpërmjet startimit të këtij viti Kadarean ne t’i japim më shumë zhvillim kësaj qendre kulturore që në duam të kthejmë shtëpinë e Kadaresë.
Mbështetja nga Ministria thatë është e madhe, a ka burokraci?
Deri më tani kemi mbështetjen maksimale, dhe ne me vullnetin e mirë kemi ecur përpara në këtë nismë. Gjirokastrën në këto tre ditë do të doja të ishte e shumëfrekuentuar nga të gjithë banorët e Shqipërisë, dhe pse jo edhe për vizitorë nga jashtë vendit.
Duhet të jenë vizitorë, të gjithë ata që pëlqejnë Kadarenë, ata që pëlqejnë kulturën e Gjirokastrës, ata që pëlqejnë letërsinë, gjirokastritët si unë që janë larguar nga Gjirokastra, pse jo edhe një tropojan që nuk ka qenë aty më parë, të shohë vlerat e këtij qyteti.
Prej gati një viti jeni në krye të një qyteti me peshë siç është Gjirokastra, i keni arritur pritshmëritë? Sa keni arritur?
Edhe gjatë fushatës ne kemi patur mbështetjen e kryetarit të mëparshëm të bashkisë së Gjirokastrës, dhe kemi realizuar projektet për 2015. Kur të vinim në krye të bashkisë ne do të bënim një pastrim të territorit, dhe në mënyrë modeste me burimet njerëzore që kemi patur dhe me buxhetin që kemi patur kemi punuar në këtë drejtim. Kemi vijuar punë për planin vendor të Bashkisë së Gjirokastrës. Këto ditë ne presim studion që ka fituar prokurimin për asistencën që do japë për qytetin për planin rregullues. Më rendësi është fakti që ne kemi përfunduar projektin për tregun industrial të qytetit që do të përfundojë në 2016. Do të ketë rehabilitim për rrugën ku tregohet tashmë, ata njerëz do ti kalojmë në një vend më infrastrukturë të përshtatshme.
Çfarë do të bëni për Dunavatin?
Ne kemi një pjesë të pjesës historike që i kemi në emergjencë. Gjerat më emergjente do t’i bëjmë, por puna do jetë të shtrirë në 4 vite. Duhet mbështetje dhe sensibilizim nga komuniteti.
Një qytet merr fytyrën e kryetarit të saj. Si do jetë fytyra e Gjirokastrës në fund të mandatit tuaj?
Shpresoj të ketë hijeshinë, dashamirësinë, butësinë dhe thjeshtësinë e një femre.
Sa është numri i vizitorëve të huaj që vijnë në qytet?
Ka një dyfishim të numrit të turistëve. Por bëhet promovim i turizmit në qyteti. Kemi një zyrë të informacionit turistik. Ka nevoje për një mënyrë të re menaxhimi, për sinjalistikë të re turistike në qytet, dhe ne do të fillojmë punën për të realizuar një guidë të plotë turistike për Gjirokastrës. Por dyfishimi i numrit të turistëve vjen edhe nga elementë të tjerë, siç është biznesi privat, por edhe aktivitete kulturore të organizuara nga Bashkia e qytetit.
E kaluat ngërçin që kishit me UNESCO-n?
Po, sigurisht që po. Unë besoj se edhe nga ndërhyrja që Ministria e Kulturës, në lidhje me vështirësitë që kjo bashkia ka pasur, dhe për pjesën historike të qytetit të saj, Gjirokastrës, besoj se ka qenë edhe dashamirësia e tyre dhe mirëkuptimi, që Gjirokastra të mos dalë nga UNESCO, dhe të jetë pjesë e saj.
Si është që një femër të drejtojë një qytet? Sa, Zamira femër i kushtohet Zamirës tjetër?
Unë sot për sot jam nga ora 8 e mëngjesit deri në 8 të darkës pranë institucionit të Bashkisë, Nuk trembem nga ky fakt, puna më jep kënaqësi. Dhe nuk duhet gjykuar se jam një kryetare femër dhe has vështirësi, një vështirësi të tillë do ta kishte edhe një kryetar mashkull. Por stafi ynë është bashkëpunues. Megjithatë vullneti ynë dhe përkushtimi është i madh.
Kryetare femër do të thotë staf femër?
Jo, bëhet fjalë për staf profesional dhe të përkushtuar për punën.
Keni ju armiq lartë e poshtë?
Po sigurisht!
Disa portale janë marrë me ju para ca kohësh…
Nuk ka ndodhur asgjë. Në 2013 unë nuk kam qenë as prefekte as kryetare bashkie. Me të vërtetë ka pasur një ligj për antiduhanin, që në atë kohë ka qenë i dështuar. Dhe si të gjithë njerëzit e tjerë, edhe unë natën e ndërrimit të viteve kam qenë më bashkëshortin tim, miq të mite, për të festuar në një lokal të qytetit. S’e kuptoj pse duhet të rritësh audiencën duke përdorur fotografi të tilla, që janë festime normale në një mbrëmje të ndërrimit të viteve.
Duhet të jesh e lumtur që ke armiq kaq të dobët…
Jam e lumtur që kam në krah njerëz që më mbështesin, dhe që do realizoj atë vizion që kam për Gjirokastrën. Ne duhet ta promovojmë Gjirokastrën tonë, dhe të tregojmë se ky qytet ka ende vlera që ne nuk i njohim.
Komentet