Në 80-vjetorin e lindjes, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka dekoruar shkrimtarin e madh Ismail Kadare me “Dekoraten e flamurit kombëtar”.
Kreu i shtetit, Bujar Nishani, në fjalën e mbajtur e ka çmuar Kadarenë për hapësirën e madhe të lirisë që u krijoi shqiptarëve me veprat e tij edhe në ditët më të errëta të historisë.
“Ne shqiptarëve na takon ta referojmë veprën e Kadaresë dhe vetë mjeshtrin me kontributin për kombin shqiptar, ndaj në cilësinë e kreut të shtetit jo vetëm shpreh kënaqësinë për këtë solemnitet, por theksoj kontributet e paçmuara sepse nuk ka mirënjohje që të jetë e mjaftueshme për t’i njohur Kadaresë të gjitha meritat e tij krijuese dhe qytetare si mendimtar dhe si veprimtar, si rikrijues i një Shqipërie të denjë letrare për botën”- tha Nishani.
Duke theksuar se është një prej lexuesve të gjithçkaje që ka shkruar Kadare, Nishani nënvizoi se “Kadare zgjeroi hapësirat e lirisë mendore për të gjithë ne, vepra e tij ishte hapësirë lirie dhe univers i pamatë krijues”.
Në prani të njerëzve të artit dhe kulturës, Kadare u nderua me “Dekorata e flamurit kombëtar”, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për nxjerrjen nga anonimati të letërsisë shqipe, ç’ka e ka bërë që në vitet më të errëta dhe të izoluara, gjatë diktaturës komuniste.
Dekorata që u jepet personaliteteve shqiptare dhe të huaja për merita të jashtëzakonshme për lartësimin e shtetit dhe të kombit shqiptar.














Komentet