Ismail Kadare e ka quajtur “rrugaç” dhe “aventurier” Ilir Demaliajn, njeriun që publikoi i pari letrën e Ismail Kadaresë drejtuar Enver Hoxhës, ku ai sqaron pozicionin për hetimin ndaj të motrës. Por Kadare thotë se njerëzit që e kanë nxjerrë atë letër kanë shkelur ligjin dhe se letra ka dalë nga shërbimet e diktaturës.
“E kanë nxjerrë me mënyra të dënueshme nga njerëz që kanë shkelur ligjet e shtetit. Kjo ka dalë direkt nga thelbi i shërbimeve të diktaturës” tha Kadare në intervistën për Eni Vasilin, në Studio e Hapur.
Kadare tha se letra shkruar Enver Hoxhës i bën nder sot, pasi tregon që ai hetohej ditë e natë për shkak të një njeriu të familjes së tij.
“Letra nuk ka, nga një pikëpamje nuk ka ndonjë kuptim, në njëfarë kuptimi më bën nder. Tregon që një njeri i familjes sime hetohej. Ma thanë që motra jote hetohej. Isha më i njohuri shkrimtar shqiptar brenda dhe jashtë vendit kam qenë i përgjuar me një njeri të familjes i përgjuar, ditë e natë” u shpreh Kadare.
Shkrimtari tregoi se i kishin vënë kusht ta shkruante me dorën e tij letrën, nëse donte që ajo të arrinte te diktatori. Ai tha se kjo ishte e vetmja letër shkruar Enver Hoxhës dhe se ishte ruajtur për t’u botuar në një moment të caktuar.
Komentet