Meqë po shkon drejt fundit Big Brother VIP Albania 2, reality show aq i suksesshëm e i ndjekur nga pubiku shqiptar anembanë globit, është rasti e koha që mediat vizive shqiptare të nisin punën për organizimin e një tjetër show-i të ngjashëm e po aq (në mos më shumë) të suksesshëm se ky që po përfundon.
I ngjashëm, por më me shumë protagonizëm e aksion, e si i tillë edhe më i ndjekur e i pëlqyer nga publiku. Emri më i përshtatshëm do të ishte ai që lexuat sipër në titull, pra “Ishulli i Gjarpërinjve”.
Me këtë emër realisht ekzistojnë e njihen shumë ishuj nëpër botë, por më i famshmi ndër të gjithë është Queimada Grande, një ishull i vogël rreth 35 km larg brigjeve të Brazilit. I famshëm jo vetëm për numrin e lartë të gjarpërinjve më helmues të planetit (supozohet se në sipërfaqen prej 4.000 m2 gjallojnë po aq gjarpërinj, pra një gjarpër për metër katror!), por edhe për legjendën se aty është fshehur një thesar me vlera marramendëse. E që detyrën për ruajtjen e të cilit ata që e fshehën ua lanë zvarranikëve të tmerrshëm që sollën për këtë qëllim në ishull.
E pikërisht ky ishull do të ishte arena, vendi më i përshtatshëm për organizimin e këtij reality show të ri. Ndërsa ndryshe nga BBV Albania, këtu si banorë propozohet të çohen të gjithë anal.istët e opinionistët VIP të mediave vizive shqiptare që në shtatë ditët e javës na nxijnë jetë e na ndyjnë ekranet në çdo orë të ditës e të mbrëmjes. Këtu ata do të ndjeheshin në habitatin e tyte natyror, në ambientin e tyre, në shtëpinë e tyre, në mes të të ngjashëmve.
E padyshim që një ide të tillë do ta pranonin pa rezerva edhe vetë të sipërpërmendurit, ngaqë të gjithë e dimë se ata, plus asaj çka thashë më sipër, kur është fjala për para çka nuk hanë e nuk lëpijnë. E askush të mos ketë asnjë frikë e merak për jetët e tyre. Sepse, edhe po të mendojmë më të keqen, të rrezikuar që të mbeten të helmuar në këtë rast janë vetë e vetëm gjarpërinjtë.
“Po në ndodhtë e kundërta?”, mund të thojë dikush.
Aq më mirë….