Në numer ata janë më pak se legjionet e vargjeve të tua Zhuljanë, por ndjeshmëria e fjalës së tyre për ty, ka të njëjtën thellesi mendimi dhe rezonance dashurie, që ti na ke shtënë në shpirt për më shumë se gjysmë shekulli. Asnjëherë nuk kisha parë të bëheshin bashkë mbi 150 personalitete shqiptare, president, studiues dhe historianë, figura të ndritura të skenës, kritikë arti, kompozitorë, regjisorë, përkthyes, publicistë, gazetarë, shkrimtarë, poetë, kritikë arti, muzikologë, këngëtarë, aktorë, artistë, përfaqësues të kultures sonë ndër vite, që emrin tënd e lidhnin me çaste të paharrueshme të jetës së tyre. Gjë e rrallë apo, jo? Një gjetje e bukur e Ilir Çumanit që përgatiti për botim librin “Zëri i shpirtit tim”, ku përmblidhen nga faqja 2 deri në 214, poezi të muzikuara që mbajnë firmën tënde. Një det me vargje. Si ia ke dalë ta vesh jetën tonë në fjalë, për ta shndërruar pastaj, në një kostelacion tingujsh, me mjeshtrit tanë të pentagramit? Duket si mister për t’u zbuluar, por në fakt nuk është i tillë. Sepse ti je lindur në një vatër ku muzika mund të mos ndizte dot zjarrin, por shpirtin ta ngrohte në 12 muajt e vitit. Bijë e Artistit të Merituar Gaqo Jorganxhi, qe lëvroi muzikën për 65 vjet me radhë, motër e Rozmari Jorganxhi, dirigjentja e parë shqiptare, motra e dirigjentit Rikard Jorganxhi, tezja e kantautorit Gjergj Leka dhe halla e Lambert Jorganxhi, që po çan me sukses në rrugën e artit të muzikës. E rrethuar nga nipa e mbesa, që muzikën e kanë në gjak. Njerëz të lindur nga arti. Ndaj pse të qëmtojmë më gjatë? Ti kishe ardhur në këtë botë me një mision që Calliope dea e poezisë, dhe Euterpe, dea e muzikës, ta kishin bërë dhuratë, ndërsa fluturonin mbi qytetin tënd të lindjes, në një mbrëmje të ngrohtë gushti. Ato pastaj shkuan në punë të tyre, por visaret e tua u rritën bashkë me ty. Se nuk është rastësi që vargjet e tua këndojnë edhe pa u derdhur mbi pentagram. Se jo çdo poezi e kësaj bote mund të inspirojë këngë. Që të ndodhë kjo mrekulli, duhet të jetë i pranishëm muzikaliteti i vetë vargut. Ndaj dhe çdo frymëzim poetik i yti, bëhej frymëzimi i çdo kompozitori që ngjizte këngën, duke mërmëritur vargjet e tua; ashtu siç ti ndjeje muzikën brenda vetes, si të kishe rreshtuar në shpirt notat e pentagramit. Një simbiozë që vitet ia lartuan shkëlqimin. Një shkëlqim që i kapërceu edhe kufijtë e dheut amë, me botimin e librave të tu, në poezi e prozë, me titujt dhe çmimet e fituar në festivalet e këngës dhe eventet kulturore shqiptare, që kulmoi me nderimin si “Mjeshtre e Madhe”.
Gjithsesi ti Mjeshtre e Fjalës ke qenë që kur nise të botoje poezitë e para në organet letrare të kohës. Ishe një gjimnaziste 17 vjeçare, por fjalën e thure me talentin e qëndisjes së çupave korçare. Ti nuk e kërkove famën. Ajo erdhi dhe të gjeti. Ama, fama jote, e lidhur kaq ngushtë me këngën shqiptare, që nxiti kaq shumë njerëz të ulen dhe të shkruajnë për ty, na shpalosi dhe një tjetër bukuri tënden. Shpirtin, ku strehë nuk gjen vetëm vargu, por edhe dashuria e pamat për njeriun, që ti e fal me një bujari të pashoqe….Mbase edhe ti e sjell ndërmend, por mua më ka goditur ky rrëfim…
Një djalë i ri, udhëton për në kryeqytet, me ëndrrën e jetës. Të ndjekë në sallë festivalin e këngës në radio-televizion. I riu si veriu, – thotë fjala. Pa biletë, pa asnjë rekomandim; me vete kishte vetëm dëshirën e flaktë, të zinte një karrige dhe ta prekte nga afër, festën e muzikës shqiptare. Atë më të madhen. Për ata që nuk e kalojnë as në skaj të përfytyrimit, po kujtoj se ishin vitet kur moria e njerëzve që prisnin të merrnin një biletë festivali, ishte shumëfish më e lartë se kapaciteti i sallës. Djaloshi i ardhur nga larg as nuk e dinte këtë. Dy gjëra kishte fiksuar. E para, ishte ëndrra, e dyta lidhej me një emër që e dëgjonte gjithmonë, jo vetëm në kohën e festivalit. Ishte një emër kumbues, që shqiptohej në radio, në televizion, shihej në kopertina botimesh letrare. Falë këtyre, kishte ndër sy dhe fytyrën e autores. Që si nga një meditim hyjnor iu shfaq në atë buzëmbrëmje, ndërsa ai priste me ankth, pa e ditur as vetë se çfarë. Ishte ajo, poetja Zhuljana Jorganxhi. Pak minuta u deshën që ai të shpaloste ëndrrën dhe më pak që të gjendej në sallën e festivalit. Me biletën e poetes…
Zemrën e saj ne e kemi njohur nga poezia, por Natasha Lako e ka njohur së tepërmi nga miqësia, që zuri fill që në Korçë dhe që vazhdon edhe sot e kësaj dite. “Këngë, ti zemërbadha e Zhuljana Jorganxhiut”, e ka titulluar ajo parathënien e librit. Në çastin e parë, titulli të dyzon midis zemrës së bardhë të Zhuljanës dhe zemërbardhësisë së këngës. Si një rebus poetik që zgjidhjen e ka me vete. Zemra rreh te njeriu dhe mbartet te fjala. Që tek Zhuljana Jorganxhi ka një përthyerje të mahnitshme ndjenjash, ngjarjesh, përjetimesh, fabula jetësore, ku herë gëlon trishtimi dhe herë gëzimi, por sido ta rrëfesh, e gjitha është art. Arti i Mbretëreshës së Poezisë së Muzikuar. Në oazin e kësaj mbretërie ka ndodhur gjithmonë i njëjti ritual. Në mëngjes ngjizej varg dhe në mbrëmje bëhej këngë. Këngë që i kënduam ne dhe sot i këndojnë edhe fëmijët tanë. Është njësoj si të këndosh pavdekësinë e tyre.
19 Mars 2022
Komentet