ISHTE NJË VAJZË BJONDE
para se të shpikej smartphony, iphony
atomi
teknologjia e efekteve speciale
ishte një vajzë bjonde
që më shfaqej kudo
në hënë
në galaksi
në të gjithë qytetet ku shkova
dhe në komedinë hyjnore
dhe në komedinë njerëzore ajo më shfaqej përkrah aligierit
përkrah balzakut më shfaqej
të gjitha efektet e imagjinatës
që s’arrihen dot
ajo i shpiku në çastet kur më merrte malli
atë e vodhi stive jobs
ajnshtajni
hygoi
(ishte një vjedhje që ajo e fali
dhe unë e fala, natyrisht)
po s’më vjen mirë që kjo s’përmendet
të paktën të thuhet; ishte një vajzë bjonde!
SINJALET E DASHURISË
nga ato sinjale të dashnorëve të varfër të periferisë
nga ato zëra hyjnorë që shpikën meloditë më të bukura
u shkruan operat,
poezitë
nga ato sinjale, që u vodhën pafajsisht
dhe dashnorët kurrrë nuk e kuptuan pse u pëlqenin kaq shumë traviata
madam baterflaj
kasta diva
kurrë nuk e kuptuan
po mbeti verdi, puçini, belini
që i rikrijuan
dhe dashnorët sa herë fërshëllejnë sinjale dashurie
vjedhin pafajsisht
pa e kuptuar
verdin, puçinin, belinin
ah, këto sinjale
të dashnorëve të varfër të periferisë
NË SHQIPËRI DO TË KISHA VDEKUR ME KOHË
në shqipëri do të kisha vdekur me kohë
s’do të më dilte as për te blerë një gazetë letrare
si exlibris
atje çmimet rriten
atje vuan për t’u ngrohur në dimër
askush nuk mendon për ty
dhe kur vdes
kujtojnë se je midis të gjallëve
të gjithë kanë vdekur një herë
në 97-tën
pastaj nga koronavirusi
pataj nga kotësia
vdekja është bërë pjesë e jetës
dhe i vdekur vdes atje
prej këtij paradoksi
mua këtu më shtrëngon malli
që s’më le të vdes
në shqipëri do të kisha vdekur me kohë
sepse nuk isha me asnjë parti
që të më kujtonin
do të më mjaftonte vetëm emri i lokalit ku pija kafe
dhe dera pa numër e pensionit
dhe ato rrugët e rinisë që s’janë më
dhe ajo shtëpia në periferi
me dy ballkone të mëdhenj plot me vazo me lule
që ajo i ujiste në mëngjes
dhe dilte në mbrëmje
me mjekrën të mbështetur midis dy pëllëmbëve
dhe më thërriste prej andej
ik, kaçurrels, s’martohem unë me një tuhaf poet!
s’janë me, s’janë më
kanë ikur njerëzit, ashtu nxitimthi sikur të shpallej lufta botërore
dhe unë ika nga sytë këmbët!
tani rri dhe mendohem!
andej po më vdesin shokët
këtu rrohet!
atje s’ka malle kaq të fortë
që t’i djegë dhe t’i kalisë si hekurin
ata rrinë në një vend, nuk hedhin një hap jashtë
të shohin ç’bëhet!
ejani, miq, provojeni dhe ju çdo të thotë mall
të kaliteni si hekuri!
po ata janë të dobët
si argjila
të butë
të shkrifët
gati për t’u shtrirë në sharrë a në shish tufinë
mallin s’e durojnë
ne këtej e fshehim
kur shkojmë atje jemi të shuar
jashtë te veshur e të mbathur si xhentëllmenë
brenda hiri gri
na ka mbuluar
po mbahemi
qeshim e qerasim
dhe s’duam të ngrihemi
prit, të tregoj dhe këtë.. pse kaq shpejt të ikim?
duam të ndezim zjarrin e fikur.
ata rrojnë dhe të vdekur
ne kemi vdekur!
AMERIKA ËSHTË DEPRESION
amerika është depresion, klinikë, urgjencë,
hiqja vetes, e pse? më mirë gjej një punë çfarëdo
dhe po të eci, beko fatin, zbrit në metro ngjitu në avenjutë e mëdha
merr stritet e pafundme me radhë, kot më kot, si për festë a mort
as mos mendo, se po e vrave mendjen, s’ke gjë në torbë
një seksbombë përpara, një tjetër pas
duhen bërë shumë para që t’i kesh në shtrat
ky është vendi i antibudës, sepse ka shumë lakmi për dëshira të mëdha,
ky është vendi i antikrishtit se mëshira këtu ka vdekur me kohë
merre sikur po shkon në piknik, qesh dhe harbohu në vrimat e natës,
trupin jepja llucës, baltës që zoti e mori dhe krijoi njeriun me mëkate
është e ëmbël, ke për ta parë, aty ngjizet ëndrra amerikane
po të eci je me fat dhe fati është i verbër si homeri që krijoi iliadën
është shurdh fati, si bethoveni që shkroi simfoninë e nëntë për të vëllazëruar botën
më të shëmtuar se fati s’ka, po nën pelerinën e tij të lerosur fshihet perëndia e arit
rrihe, bëje për vdekje, se i paturpshëm dhe rrugaç duhet të jesh, që të qëndrosh në këmbë
duhet ta nënshtrosh me dhunë dhe pa brerje ndërgjegjeje
perndryshe ajo s’të afrohet, është kurvë, shkon me kë t’i teket
në mut kërko margaritarin dhe duart përgjaki, aty në buzë të varrit
po ty s’të ecën, se je gënjyer nga pamja, pasqyrlirat magjepsëse
pe njëmijë rrugë përpara dhe more atë që ishte më e lehta
tani vuan kthimin për të marrë rrugën reale
s’të ka ecur, je një homless i mjerë, për nënkresë ke biblën
që e lexojnë morrat.
NGA ZEMRA DO TË VDES
nga zemra do të vdes
tik tak tik tak
s’do të dëgjohet më
veç alarmi i orës do të bjerë herët në mëngjes
ndoshta në forest hills ku jetoj do të vdes
ndoshta nga mungesa e parave
dhe mossuksesi në letërsi
kisha shumë ëndrra
shumë dashuri
shumë poezi që i shkrova në çaste deliri dhe s’prekën njeri
nga zemra do të vdes
askënd s’do të kem pranë
dhe ketrin do ta kem trembur
kur jam shembur përdhe
në forest hills njerëzit janë të rrallë
vrapojnë me patina akulli në pistat e parave
një zonjë me një qen do të më kalojë pranë
dhe do të largohet pa më prekur
ndoshta prej qenit
që të mos shqetësohet nga një i vdekur
ashtu do të shkoj siç erdha në jetë
fillikat i vetëm
po kisha nënën që më priti në krahët e saj
dhe kripë më hodhi në flokë
dhe më pështyu
të mos më merrnin më sysh!
ah, nëna
shpikja më e madhe e zotit
që kishte besim tek unë
dhe zhgënjimin ma fshehu
nga zemra do të vdes
ndoshta i vetmi njeri që do t’i dhimbsem
mund të jetë një vetmitar i së nesërmes
që do të shqiptojë një varg nga poezia ime
duke ecur buzë detit
në perëndim të diellit
nga zemra do të vdes
tik tak tik tak
s’do të dëgjohet më
veç alarmi i orës do të bjerë herët në mëngjes
MË DEL GJUMI NGA ËNDRRA RINORE
më del gjumi nga ëndrra rinore
prej një tundimi
prej një puthje që erdhi dhe u zhduk papritur
dhe qesh në errësirë si idiot
kur do të fillojë filmi, se dritat janë shuar
kur do të fillojë filmi?
bileta e blerë ne vitet gjashtëdhjetë
të shekullit të shkuar
nuk vlen më në shekullin njëzetë e një
po unë pres të fillojë filmi
se dritat janë shuar
të dëgjoj zërat e adoleshentëve me puçrra
që thërrisnin
sa herë në ekran putheshin
kanistra, kanistra!
dhe sot e kësaj dite nuk di ç’lidhje kishte
kanistra me puthjen
po megjithatë ishte bukur
PERPETUM MOBILE
të vraposh, e përse? ku të shkosh?
s’të pret njeri, edhe krishti po të ekzistojë
s’vjen
duhet ta ndjekësh!
keshtu qe shkruar
vrapo pas të parit, të dytit, të njëmiliontit
e për çfarë?
që ai të kthehej më në fund në një monument
dhe brezi pasardhës
ta shembte!
e lashë vrapimin, tani mësoj si të fluturoj
apo si të notoj
po edhe kjo s’qenka gjë
të ha më i forti!
le ta ngrys me një gotë
në vetmi
dhe të shkruaj se shkaku është rinia që mori rrugët e botës
dhe s’ka kush i ngre monumentet
dhe s’ka kush i shemb!
JAM NË NJË NJË MOSHË
jam në një moshë
që përsëris po ato gjëra që nuk i pelqeja te nëna dhe babai
jam në një moshë
që korrigjoj veten para nënës dhe babait
të cilët s’janë më
po sërish përsëris po ato gjëra
para djalit dhe vajzës
jam plak
nesër mbush një vjeç
BOTA M’U BË MOLLË
bota m’u bë mollë
erdhi pranvera në dimrin tënd
dhe e bëri të gjelbër
mama, ti s’do të vdesësh
përderisa ke në shtëpi një poet
ç›është diabeti?
një alkimi e kthyer mbrapsht
s’ka ilaç që ta shërojë
po është biri yt poet
që ia di sekretin
dhe ti i vë veshin kur flet
aq do
që ai të flasë dokrra
dhe ti të hiqesh sikur po të shëron.
NUK DI Ç’ËSHTË DASHURIA
nuk di ç’është dashuria në këtë moshë
shtrëngime s’ka dhe puthje të rrëmbyera në buzë
tani me mjekët merret ajo dhe më vë krahun kur shpresat humb
dhe më kap një frikë që s’e fsheh
zemra ime s’është më ajo e para
që dashuronte dhe tradhtonte
tani është më besnikja e ilaçeve
më e nënshtruara e mjekëve
e spitaleve
ajo dorë më rri pranë kur më marrin me karro dhe më çojnë lart
në sallën e engjëllit dhe djallit
ajo pret
kjo është një tjetër pritje e gjatë
se s’dihet a dalë gjallë apo i vdekur
dhe kur më zbresin poshtë
përsëri dora e saj në dorën time
dhe buza e saj ne buzën time që më kujton se përsëri ka dashuri
dhe kur kthehem natën vonë zëri i saj i ngrohtë më vjen
kujdes, se ka akull!
dhe thelën e saj ma vë ne pjatë dhe verën e saj ma jep kur ndjen se e dua
po s’ka asgjë të zjarrtë
jemi si një zjarr në mes të acarit
ajo merret me taksat
me bankat dhe dyqanet ajo merret gjer pasmesnate
firma e saj është kudo nëpër karta
asaj i kerkoj para kur s’kam
grua apo nënë, motër apo e dashur
s’di ç’është, po ama ia ndiej dorën
kur futet në krahun tim dhe ma shtrëngon
dhe zemra më lëviz
më del nga kraharori
në dorën e saj e ndiej si rreh
jemi si një zjarr në mes të acarit
EPILOG
zogjtë u bënë shkrim
pemët, lumenjtë,
trillet e natyrës me vërshime dhe ylberë mbi përmbytje
u bënë shkrim
po ato që s’shikon më në këtë moshë
janë gratë që dashurove
trupat lakuriq
u bënë shkrim
mjerisht, librat s’lexohen!