Publikohen disa pjesë nga libri me kujtime i autorit Ejëll Çoba, intelektualit të njohur nga qyteti i Shkodrës, pinjoll i një prej familjeve më në zë të atij qyteti, i cili pasi ishte diplomuar në Universitetin ‘La Sapienza’ të Romës në vitin 1932, u kthye në atdhe ku ushtroi profesionin e tij, duke ndjekur karrierën administrative, si ‘Dottore in Giurisprudenca’ dhe më pas për disa vite me rradhë në administratën e lartë shtetërore, ku e zuri edhe periudha e pushtimit të vendit, (1939-1940), ku ai mbajti disa funksione të larta, si Drejtor në Ministrinë e Drejtësisë, Sekretar I Përgjithshëm I Këshillit të Ministrave, zv / Ministër i Punëve të Brendshme, etj. Arrestimi i tij në vitin 1946, (së bashku me vëllanë, Kelin) i akuzuar si pjesmarrës në ‘Lëvizjen e Postribës’ dhe pas një hetuesie të gjatë në Shkodër dhe Tiranë, u dënua me 25 vjet burg, nga të cilat vuajti plot ë vjet e pesë muaj e pesë dit burg, në kampet e tmerrshme të punës së detyruar, e deri në ferrin e Burrelit. Kujtimet e panjohura të Ejëll Çobës, të cilat vijnë me një parathënie të bashkëqytetarit të tij, shkrimtarit të njohur, Zija Çela, parqesin para lexuesit një panoramë të ‘pikturuar me penelin’ e dhimbjes, ku jepen detaje dhe hollësirë për vuajtjet e tij në kampet e burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, si dhe të bashkëvuajtësve të tjerë, emra të njohur e të panjohur, si: Padër Bernardin Palaj, Guljelm Suma, Syrri Anamali, Ramdan Sokoli, Cin Serreqi, Padër Karol Serreqi, Padër Filip Mazrreku, Hamdi Isufi, Hafiz Ali Kraja, Beqir Çela, Musa Gjylbegu, Asim Abdurahmani, Kolec Deda, Nikoll Deda, Felatun Vila, Gjush Deda, Sali Vuçiterni, Emin Bakalli, Qani Katroshi, Sali Doda, etj., si dhe disa emra hetuesish, gardianësh, oficerësh të Sigurimit të Shtetit, si Fadil Kapisyzi, etj.
Parathënie e librit me kujtime ‘Jetë e humbun”, të Ejëll Çobës, nga shkrimtari i njohur Zija Çela
Një shpirt i shpëtuar
Ditën që autori uli penën, ndoshta e ndjeu se do të ulte edhe kryet. Dhe kur po ulte kryet për t’u larguar prej kësaj bote, thua se vuajtjet që kishte hequr s’i përkisnin më atij, nuk kërkoi gjë prej gjëje, as la amanet për kriptën e varrit, vetëm i’u përsëdyt pyetja që kishte bërë: “Por a do të vijë ndonjë kohë që ky popull të gëzojë? Ia uroj!”
Për shkak të sëmundjes së rëndë, Ejëll Çoba tashmë i kishte ndërprerë shënimet dhe disa nga burgimet e tjera, në Beden të Kavajës, në Orman-Pojanin e Korçës apo në famëkeqin e Burrelit, ende kishin mbetur pa u shkruar. Por në faqen e fundit, si në rastësitë divine, fliste për një mikun e tij trupshkurtër, shkodran gjithashtu dhe bashkëvuajtës në burgjet komuniste, përkthyesin e Dante Aligerit. Bisedat me profesorin e letërsisë e kënaqnin, sepse duke e dëgjuar, e kalonin në një jetë irreale. Besonte në Zot dhe, me gjasë, duhet të ketë ikur me shpresën për ta gjetur Parajsën matanë, por me dhembjen që këtej po linte Ferrin. Në atë kohë Pashko Gjeçi, personazhi final i Ejëll Çobës, vazhdonte përkthimin e “Komedisë Hyjnore”.
Sa herë zbulohen pergamene të vjetra, rrallëkush e vë në dyshim autenticitetin e tyre. Memorialistika e tillë ka diçka prej pergamene, sepse ende pa u hedhur në letër, është shkruar më parë në lëkurën e autorit.
Libri i Ejëllit vjen si dhuratë prej atij engjëllit, i cili ka vetëm një caktim sovran: me mbajtë anën e Pafajësisë në çdo rrethanë, edhe kur më i forti i’a ka vënë këmbën në fyt më të dobëtit. E mbartës i së drejtës dhe i drejtësisë, në krejt lëmshin e dheut, është njeriu. Kaq i mbathur me vlera njerëzore është libri “Jetë e humbur”, kaq rëndues në drejtësinë përballë padrejtësisë, sa akuza që regjimi i bënte autorit kthehet kundër akuzatorëve, jo duke u mbuluar me propagandë, por duke e zhveshur propagandën nga faktet.
Duket se ai engjëlli mesazher, korrieri i perëndishëm, e kishte gjetur misionarin tek Ejëlli po me atë siguri, siç i gjente të ngjashmit mes kampionëve. Vështirë të gjendet mision më i madhërishëm, sesa ai që fiton funksion dhe bëhet dokument nëpërmjet përjetimit. Është si shndritja misterioze në terrin e natës që, e nisur prej diku për të tjerët, vetë digjet por nuk kthehet më në burimin nga vjen.
Njeri i shkollës dhe i ligjit, i iluminuar me kulturën perëndimore, Ejëll Çoba e kalon të drejtën përmes tehut të thikës. Dhe ky kalim epik përballë torturave e dënimit me vdekje, kjo frymë vendosmërie për të mos e ngarkuar veten me faje që s’i ka bërë, por as për t’i rënduar të tjerët me kusht që të gjejë shpëtim, përbën njërën nga veçanësitë më të mprehta të librit. Ejëll Çoba nuk ishte kundërshtari që i’u kundërvu me armë komunistëve, as aktiv i Ballit apo Legalitetit, ai s’ishte tregtari spekulant që vuri dhjamë gjatë luftës dhe i fshehu florinjtë, nuk ishte as industrialisti që do t’i konfiskohej pasuria sipas modelit stalinian. Ai ishte intelektuali që, pas diplomimit në La Sapienza (1932), ushtroi profesionin në atdheun e tij, duke ndjekur karrierën administrative. Ejëll Çoba, Dottore in Giurisprudenca, u dënua për idetë nacionaliste dhe me qëndresën e tij, që farfuron bindshëm në këto kujtime, u tha “Jo!” gjyqeve politike të genocidit mizor.
Për universalen që mbart, në mos qoftë dëgjuar atëherë, kjo britmë e dinjitetit human dhe e nderit politik edhe sot e kësaj dite ia vlen të dëgjohet në tërë hapësirën e ish-perandorisë komuniste.
Ky libër është plot fluks shpirtëror dhe intelektual. Libër që trazon dhe trazimi zgjon vetëshqyrtimin e ndërgjegjes te lexuesi, shqyrtimin nga uni deri në nivelin e ndërgjegjes kombëtare. Autori parapëlqen të rrëfejë, të rrëfejë në mënyrë intensive. Dhe përgjatë rrëfimit, prej dhuntisë që të kujton romancierin, zotëron ritmi, fjalori i gjerë i shqipes (citon në latinisht, italisht dhe frëngjisht), stili i shkrifët dhe ndjeshmëria e përpiktë ndaj fjalës, shpesh me forcën përshkruese që i jep shkrimit shtysë pamore, thua se ata njerëz dhe ato mjedise na shfaqen ndër sy.
Kur ndalet shkurt për ndonjë opinion apo analizë, të cilën e vendos në sfond kombëtar e ndërkombëtar, të ngjan se autori i’a ka hequr vetes nervin e elektrizimeve. Për ajrimin e mendjes atje, ku me zorajroseshin mushkëritë, para se të bëjë zgjedhjen dhe ta pjekë vizionin, atij i pëlqen të dëgjojë mendimet e të tjerëve, sepse: “Sa shumë nguten njerëzit me dhanë gjykime”! Por nëse peshorja i’a saktëson masën, nuk i’a tjetërson përmbajtjen e qëndrimit. Sa herë u kthehet formacioneve politike dhe personaliteteve të kohës, kurrkujt nuk i’a lë as nderin dhe as koritjen në derë, pa dhënë faktet përkatëse. Me këtë objektivitet, Ejëll Çoba i kthehet edhe vetes, madje herë-herë duke e qesëndisur “borgjezin” e thikës e të pirunit që, për shkak të formimit akademik shumëvjeçar, ndoshta më parë i kishte munguar sensi praktik i jetës, kishte besuar naivisht dhe pastërtisht.
Por ka rrethim të gjerë ky autoportret i sinqertë, ai vjen në shoqëri me shumë portrete të paharrueshme. Madje, i shkruar prej një zemërmadhi, libri sikur bëhet goja e botës shqiptare. Megjithëse konflikti ka tjetër natyrë, pa gjëmime topash, kavaleri e fushë të Vaterlosë, megjithëse binomi i luftës dhe paqes së dhunshme kufizohet në burgje, pastaj në një tjetër mejdan – kënetën fushore të Maliqit, për nga mizoria dhe numri i pazakontë i personazheve rrëfimi merr njëfarë ngjasimi tolstoian. Do të gjenden në faqet e tij që nga emrat e personaliteteve më të njohura në historinë tonë politike dhe atë të letrave (mjaft prej të cilëve ende të debatuar publikisht), deri tek ata të shtresave më të ulëta, njerëz fatkeqë e anonimë që kurrë më parë nuk u është shkruar emri nëpër libra. Portretizimet janë herë të plota e herë skicime të shpejta, por gjithnjë me shenja vetjake, shpesh plot spikamë kompleksiteti, veçmas befasues kur në këtë rrjedhë karakteresh zbulohen anë të panjohura të tyre.
Nëse këtë libër e kthejmë në formën e dramës, me valët e arrestimeve, pamjet e terrorit, torturat me dajak, zinxhirë, korrent elektrik e darë që shkulin mishin, me hetuesitë e pafundme dhe gjyqet ku xhelatët gjykojnë viktimat, me pushkatimet qenshe dhe kërcënimet makabre për pushkatim, lëngimin nëpër biruca dhe rraskapitjen çnjerëzore në kampet e punës (si lager-at nazistë), gjithë sa do të ishim në sallë do të na duhej të ngjiteshim në skenë. Por për të zënë vendin e personazheve, ndoshta as kaq s’do të mjaftonte. Përmes dramës së vet, Ejëll Çoba ka dhënë dramën e popullit të tij, persekutimin masiv, denatyrimin e hullisë së zhvillimit historik dhe gjëmën e përgjithshme që po sillte regjimi gjakatar. Ja përse në atë sallë të përfytyruar, në gjysmerrësirën që ka rënë prej llambadarëve të fikur, më shfaqet si hije silueta e autorit. Po murmurit një monolog pas dënimit kapital dhe pyesni se cila është gjendja e tij? E pra, ky është teksti:
“Fillova ta përgatis veten shpirtnisht. E mendojsha jetën si nji shirit filmi që papritur këputet. Nuk më vinte keq për botën që po lejsha: më dukej se e kisha njohë mjaft e nuk më tërhiqte asgja e re që të meritonte me e njohë. Isha në moshë relativisht të re, 38 vjeç, e më dukej se ende nuk i kisha dhanë jetës aq sa mund t’i jepsha e sa duhej t’i jepsha. Vendit që më kishte lindë, po i’a kthejsha detyrën me jetën.”
Por ai nuk është vetëm, e mbushur plot e përplot, salla gëlon nga hijet. Janë ata, veteranët e Rezistencës Antikomuniste. Ndërkaq, ne që kemi hypur në podiumin e lartë të skenës, ne të fjalimeve fjalamane nëpër foltore (fff, fryn era!), ne që kemi pushtuar gazetat dhe ekranet, ne që e mbajmë veten si trashëgimtarë të idealeve demokratike, ngjan se tashmë u kemi kthyer shpinën. Ne dimë shumë të rrëzojmë, por dimë pak të ngremë. Dhe kështu, prej kujtesës së shkurtër, shpesh harresa na bëhet haram. Deri më sot i vetmi Monument i denjë, që i kushtohet asaj rezistence, është Memoralistika e vetë rezistuesve, madje kjo bibliotekë mbetet gjyqi më i thellë dhe më i moralshmi që i është bërë diktaturës.
Sa herë ndodhem në ato kopshtet, ku heshtja është e fikët dhe selvitë lëshojnë hije të gjata, më bëhet sikur dëgjoj një gulç drithërues, që vjen mbyturazi prej diku: Save Our Souls! (Shpëtoni shpirtrat tanë!) Atëherë, në atë mëdyshje të zorshme që të jep dhimbje në brinjë, më përsillet ky mendim: Kushedi sa njerëz jetojnë si të vdekur midis të gjallëve dhe kushedi sa të vdekur janë ende të gjallë!
Kur në çastin fatal, teksa po nisej në rrugën e Hadit, miku besnik deshi ta ndiqte mbrapa, Hamleti e ndaloi me një porosi të rreptë, si t’i vinte nga fshehtësirat e përjetësisë. Është paradigma që At Zefi, Pllumi ynë i’u përmbajt aq thekshëm: Rrno vetëm për me tregue. Dhe Ejëll Çoba shumë na tregoi e shumë na dëshmoi, ai e përmbushi profecinë shekullore.
Veçse atë ditën e përmendur, ditën kur po i avitej mortja (1979), burri që kishte qenë burgosur njëzet e katër orë për njëzet e katër orë në njëzet e katër vjet, duke e parë në sy groteskun e realitetit socialist, u zhyt në zhgënjim dhe modestisht tha për veten:
“Jetë e humbun”.
“Jo”, më vjen t’i përgjigjem së vdekurish, “ndoshta një shkrimtar i humbur”.
Por mbi të gjitha, mbi të gjitha, një Shpirt i Shpëtuar me fuqinë e tij, sepse ju zgjodhët nderin, Zotëri.
Ejëll Çoba
B U R G I M E T
Kujtime të shkruara nga gusht 1973 deri në fund të dhjetorit 1977
Mund të durohen vetëm gjanat ekstreme
Konti Rober dë Monteskje
2 dhjetor 1946, nata e parë që fjeta i shkujdesur që fjeta i shkujdesur pas dy vjetësh. Qetësi vdekjeje, si nata e parë e Serasonit n’vorr. Për dy vjet kisha qëndrue në behë ditë e natë. Nervat më ishin lodhë, isha këput, jo aq nga kujdesi për vete, se sa për njerzit e m’i: nanën, motrën, vëllanë. Ishin fut në një pyll, nga i cili nuk po shijshin dalje. Mbeti vetëm dalja në Greqi (nuk e dijshim se kufiri shqiptaro-grek, ishte zanë prej komunistëve grek), por duhej pritë pranevera ose vera. Ishte pritje e gjatë. Nyja u zgjidh si prej vetes.
Në Shkodër mbretnonte terrorri ma i madh. Shkaku u gjet te Lëvizja e Postribës, ose siç e quenin zyrtarisht “Ngjarjet e shtatorit”. Lëvizje pa plan, pa organizim. Pa qenë në dijeni të gjëndjes ndërkombëtare, e as të gjëndjes reale të brendëshme, ajo lëvizje ma shumë prishi punë, se sa mund të ndreqte. Prej saj nxorri dobi vetëm qeverija që kërkonte shkak për të mat pulsin e për të veprue. Të tilla do të kenë qenë edhe shumë prej atyne 200 kryengritjeve që banë shqiptarët gjatë 500 vjetëve të sundimit turk.
Ekzekutimet, burgimet, torturat, ishin në rend të ditës, e si në çdo vënd e në çdo kohë, bashkë me heroizimat ma të shkëlqyeme që nuk duhen të harrohen, pati edhe tradhëti, paditje, dobësi, që shkaktuen mjerime. Për të shpëtue nga torturat, për t’i lehtësue vetes mundimet ose për të zvogëlue ndëshkimin, disa thanë çka dijshin dhe çka nuk dijshin dhe shpesh kështu zbulojshin një të ndjekun.
Mbramjen e 2 nandorit, ditën e të shumëve, filloi kalvari im, vdekja ime e ngadaltë, që do të zgjaste pa ndërpremje deri me 8 prill 1970: 23 vjet, 5 muej e 5 dit. Një çerek shekulli i plotë, një jetë e humbun!
E unë atë natë fjeta i shkujdesun, nuk kisha përse të mendojsha, jeta ime nuk varej ma prej meje. Prej meje varej nderi e për këtë u betova se do ta mbrojsha. Mendojsha se do të mbahej premtimi i dhanun se me dorzimin tim nuk do të ndiqeshin familjarët që më kishin strehue. Por mbas dhjetë ditësh arrestuen vëllanë, Kelin.
Flitej se në Shkodër ma shumë se 20 shtëpi e kuvende ishin kthyer në burgje për 2000 të burgosunit. Në njanën prej tyne në rrugën “Skanderbeg” (që kishte edhe një hymje në rrugën “Sumej” e ku sot asht selia e policisë), më përcolli një partizan prej Komandës së Qarkut, që ndodhej në shtëpinë e Çurçisë. Fadil Kapisyzi, më pati përcjellë në qark e më shtini në një zyrë ku më priti në kambë një oficer i ri, i hollë tanë nerva, i veshun me rroba ushtarake, prej stofi Italian, që më tha: “Ju jeni Engjëll Çoba? S’paskeni vuajtur!”. E me një tosknishte të spikatun shtoi: “Neve ju dinim në Itali”! Kur pa se buzëqesha, vazhdoi disi i prekun: “Ama këto kohët e fundit e morëm vesh se ishte këtu”.
Ishte ora 9 e mbramjes kur hyna në një dhomë të vogël, ku ishin katër vetë. Kapterri, më caktoi vendin afër dritares e porosia e parë që më tha ishte:
- Mos shiko nga dritarja, se roja e jashtme ka urdhër të qëllojë m’u në kokë.
M’u duk zell i tepërt e naiv. Jeta e burgut e mavonshme më mësoi se ai kishte folë vetëm për kërcënim.
Kur u hodha një sy atyne që do të ishin shokët e parë të kalvarit ma shumë se 20-vjeçar, pashë dy fshatarë, që ishin të lidhun me njeni-tjetrin për dore me zinxhir. Kur lëvizshin nëpër dhomë ose ngriheshin për ndonjë nevojë, më dukeshin si një pendë qe. Ata të dy ishin Tak Filipi prej Stajke e Idriz Vorfa prej Sume. Vuajtja kishte lidhë fatin e përbashkët të atyne dy të mjerëve! Përbri meje ishte një anamalas që ishte i sëmurë me zgjebe. Në anën tjetër ishte një djalë i ri, një qytetar me syza, Syri Anamali.
Ishte vonë e nuk lejoheshin bisedimet. Folëm nën za. Pas pak hyni prap një roje që e lidhi djalin e ri edhe prej kambësh, se duart i kishte të lidhuna. Mue më lidhi për duersh e për kambësh.
Kur hapa sytë në mëngjes e pashë se kishte dalë drita, pyeta veten: si do të jetë dita në burg? Kur hodha sytë në dhomë e pashë se edhe të tjerët ishin zgjue e po rrinin ndejun, u sigurova se nuk isha në vorr!
Na zgjidhën e na çuen mbas shtëpie për tualetin e mëngjesit. Atje pashë edhe të tjerë, por ishte rreptësisht e ndalueme me folë me njeni tjetrin. Të gjithëve i shiheshin në fytyrë e në trup shenjat e torturave. Cin Serreqi, i bijshin të mëdhaja rrobat edhe këpucët. Vetëm Guljelm Suma, disi i familjarizuem, me rojet, fliste me za të naltë e pa i’u drejtue askujt e, si e kishte zakon gjithmonë, hidhte ndonjë shaka sa për të tregue se nuk e kishte humbë humorin.
Shokët hangrën mëngjesin me ç’ka u kishte teprue nga darka e më dhanë edhe mue. Filluem bisedat e u njohëm.
Pa kalue dy javë që isha dorzue, një ditë, kur më sollën ushqimin, pashë se emri im në etiketë nuk ishte shkrue si zakonisht me shkrimin të vëllait, Kelit, por me shkrimin e nanës. U çudita: pse vëllai dhe motra që kisha lanë në shtëpi, t’ia kenë lanë nanës plakë edhe me shkrue etiketën? U qetësova pak tue mendue se ndoshta në atë moment nuk kishin ndodhë në shtëpi as njeni e as tjetri dhe nana, për të mos e vonue ushqimin, e kishte dërgue me anë të ndonjë personi tjetër pa pritë motrën. Por kur të nesërmen pashë jo vetëm shkrimin e nanës, por në vend të emnit tim, emnin e vëllait, Kelit, atëherë dyshova se e kanë arrestue. Për këtë i thashë rojes t’i merrte ato sofratasa e të pyeste nëpër dhoma, a ishte kush me këtë emën. Roja i morri. Ndëgjova në dhomën tjetër zanin e Gjon Serreqit, që i’u përgjigj rojes:
- Jo Kel, po Ejëll Çobën e ke në dhomën tjetër. Roja shkoi odë më odë, u kthye e më tha:
- S’ka me këtë emën – e m’i la sofratasat.
Sado plakë të ishte, ishte e pamundur që nana të gabonte emnin e djalit në burg, me atë që kishte në shtëpi. E vërteta ishte se dhjetë ditë mbas meje, kishin arrestue vëllanë, Kelin. Motra në ato ditë kishte shkue në Tiranë te vëllai tjetër, për të përgatit shkresat në pritje të transferimit tim atje.
Pas disa ditësh më çuen në një dhomë tjetër, ku gjeta Ramadan Sokolin e një mirditas. Ramadani kishte dy cilësi shumë të mira: njena ishte se këndonte bukur, e këtë sa herë i’a kërkonte ndonjë shok, edhe prej dhomave të tjera, sidomos kangën “Pëllumbeshë” që e kishte shkru dhe kompozue vetë. Tjetra ishte se tregonte me hollësi romanet e shumtë që kishte lexu.
Me Ramadanin mundohesha me ba një bisedë ma të ditës. Më tha, jo pa njëfarë krenarie, se kishte ba pjesë në një grup të rinjsh, që kishin kërkue të rrijshin neutral në çamjen e madhe të popullit shqiptar. Në dhomën, ku kisha qenë me Ramadan Sokolin, kishin sjellë Padër Bernardin Palajn. Prej derës së odës sime mujta me e pa e me folë pak me të. Kishte në ballë një të çame të madhe transversal të një plage. Më tha se im vëlla, Keli, gjindej në seksion nën tortura. Ma fort me shenja se me fjalë, më la me kuptue se seksioni ishte ferr i tmerrshëm. Padër Bernardini qëndroi pak dit në dhomë me Ramadanin.
Një pasdreke ndëgjova zhurmë e zana në çardak e kambë të randa që uleshin për shkallë. Shikova jashtë në dritare. Pashë një frat të mbajtun për kambësh e për duersh, të cilit i shkrryheshin për tokë mantelin dhe veladonin bojë kafe. E njoha, ishte Padër Bernardini. E hypën në një veturë. Nuk dija me spjegue ç’ka i kishte ndodhë. Ramadani më shpjegoi se Padër Bernardinin, e kishin thirrë në zyrë për të firmos proçes-verbalin e hetuesisë.
Ai kishte dashtë të refuzonte, por kur roja që kishte sjellë proçesverbalin i kishte thanë se po të mos e firmoste, kishte urdhën ta shoqnonte prapë në seksion, e kishte vu firmën. Posa ishte kthye në dhomë, kishte fillue me i ra me grushta kresë e me përplas kryet për mur. E kishte kapë një krizë zemre. Erdhën dhe e morën. Po atë natë, në dhomën e spitalit të burgut të Togës, ish konvikti “Malet tona”, kishte vdekë. Drita e së nesërmes e kishte gjetë të hedhun në fund të kopshtit mbi pleh. Kështu tregojshin të burgosurit e Togës.
Mbas dy-tri ditësh më prunë pranë Padër Filip Mazrekun. Megjithëse kishte kalue nëpër njëfarë hetuesie paraprake, rrinte ende nën ndikimin e jetës së qetë e monotone të Kuvendit dhe andrronte me u kthye atje për prehje, larg jetës së seksionit. Më kanë thanë se, kur doli prej burgut, i’u shtrue jetës e nuk u ankue ma për jetën priftnore.
Në mbramje, burgu u mbush me mysafir të rinj, të njohun e të panjohun. U ba një sistem i ri e mua më caktuen në katin e poshtëm, në një dhomë të madhe me 56 veta, shumica fshatarë që i kishte përla rryma përmbytëse e revolucioni të etshëm për vuajtje e gjak. Kur hyna në dhomë, pashë të shtrim përbri dersë Padër Karol Serreqin, që më thirri menjëherë e më lëshoi vend përbri derës e më tha të rrijsha afër. I thashë: “Po, derisa të na lanë!”. Me Padër Karlin nuk kisha folë qysh në foshnjore. Ai mori rrugën e kuvendit qysh në fëmini e unë rrugën e Italisë. Jeta na ndau, por vuejtja na bashkoi prap!
Më 25 dhjetor, ditën e Këshndellave, aty nga ora 11, erdhi kapterri i burgut e më tha: “Eja!”. Mbatha këpucët që kisha në fund të dyshekut, u ngrita e dola me të. Unë e pritja transferimin për në Tiranë, por mbasi nuk më tha me marrë teshat, nuk më shkoi nëpër mend një gja e tillë. Kur dola në korridor, një roje më lidhi duart e kapterri më prini. Ecëm nëpër oborr, dolëm në rrugicën “Sumej” dhe u drejtuem te një kamion që ishte ndalë para derës së Sumejve, dajave të mi. Rojet që më shoqnojshin, largojshin familjet që kishin ardhë me sjellë ushqimin për të burgosunit. Kur po rrijsha në rrugicë, m’u afrue motra, që kishte ardhë me një kushrinë me më pru ushqimin. Më pyeti: “Ku po të çojnë?”. I’u përgjigja: “Nuk e di”. Një roje mbas meje m’u kërcënue.
Në kamion nuk munda të hypja ashtu i lidhun si isha, prandaj një roje më vuni shpatullat në vithe e më ngriti. Shkova e zuna vend në krye të kamionit. Gjashtë roje të armatosuna ishin ulë në spondat e kamionit, tre në njanën anë, e tre në anën tjetër. Unë në mes tyne. Prapë nuk më shkonte ndër mend transferimi. Mendojsha: ditë feste, koha para mesdite, kur populli dilte prej meshës së orës 11 nga Kisha Françeskane dhe bante një xhiro në piacë. M’u kujtue se Riza Danin e kishin ekzekutue në ballkon, para një grumbulli njerëzish, që britshin: “Në litar, në litar!”. Mendojsha se ashtu po ma banin edhe mue. Tri javë i parruem, me fytyrë si para litarit, tamam pamje për Ecce homo!
Ndër këto mendime pashë prapë motrën, që kishte dalë para familjeve, i ishte afrue paksa kamionit dhe po qante me za. Mendonte se po më çojshin për ekzekutim. Kur i çonte sytë nga unë, mendohesha me çue duart e lidhuna, e me i ba shenjë që të qetësohej, por ishte e kotë, se ajo vazhdonte edhe ma me za.
Ndërkaq një toger hypi bri shoferit dhe kamioni u nis. Mori rrugën “Skanderbeg”, majtas nga Perashi. Fillova të mendoj se ishim për Tiranë. Por jo! Hyni në rrugën e Konsullatës Italiane, (sot Shtëpia e Kulturës). U ndal te Burgu i Togës, ish konvikti “Malet Tona”, e këtu pritëm pak. Erdhi motra me kushrinën me ushqimin në dorë. I’u afrue kamionit e më tha: “Këtu asht Keli”? Po, u përgjigja: “E di”. Ishte qetsue, se ishte bindë se nuk po shkojsha për ekzekutim. Vesonte shi. Togeri i’u drejtue dy vajzave me ton të ashpër: “Ç’doni këtu, moj shoqe?! Largohuni!”. Zunë vend te dera e Muzhanit me sy të ngulun nga unë.
Prej Burgut të Togës, sollën Hamdi Isufin, Musa Gjylbegun e Asim Abdurahmanin, që u rreshtuan para meje. Unë prap dyshoja, a ishim për Tiranë apo për ekspozim. Kamioni u nis. Hodha edhe njëherë sytë nga motra. Pritja me ankth me pa ç’drejtim do të merrshim. Kamioni mori djathtas nga Fusha e Qelës. Të katërt ishim pa asnjë gjë me vete. Madje, Hamdi Isufi ishte pa gja në kokë. Binte një shi i lehtë. S’pata ma dyshim se do të na qitshin në ballkon. Por jo! Kur mbërritëm te Kafja e Madhe, kamioni mori majtas, i’u soll rrotull lulishtes, e shkoi e u ndal te ish dyqani i Ulqinakut, (sot dyqani MAPO). Këtu u sigurova se po niseshim për Tiranë.
Kamioni u nis për Tiranë. Sa kaluem Urën e Bahçallekut, togeri që na shoqëronte e rrinte në kabinën e shoferit, urdhëroi të ndalojshim. Zbriti, i’u afrue një partizani që rrinte në spond të kamionit e i tha: “Cili është Hamdi Isufi?”. Ai më pyeti mua, meqë më kishte më afër. “Nuk e di”, iu përgjigja. Po Hamdia e ndigjoi e tha: “Unë”.
Atëherë togeri i dha partizanit një copë tel e i tha t’ia lidhet duart edhe një herë. Na të tjerët nuk e meritojshim “këtë konsideratë”. U mjaftuan me na lidh me një tel të gjatë, të pestë për krahu. Kështu secili me duar të lidhura (Hamdia dy herë) dhe të pestë, të lidhur për krahu, u nisëm drejt Lezhës.
I hodha një sy kalasë njëmijëvjeçare, fushës së përmbytur, mjegullës që kishte mbulue malin e Sheldisë dhe qytetin që po vajtonte nën një qiell plumb e nën një shi të hollë si lotët e heshtuna të shkodranëve, që vajtojshin trimnitë e humbuna. Për gati njëzet e katër vjet, nuk do ta shihja ma qytetin tim!
Deri në Tiranë shkuem pa ndalesa të gjata. Vetëm nja dy herë shoferi zbriti për të shikue motorin, që nuk punonte edhe aq në rregull. Më vonë, në burg, kur po bisedonim rreth këtij udhëtimi me Hafizin e me Hamdinë, ky i fundit na tha: “Sa herë ndalej kamioni, hidhsha një sy anëve të rrugës e kur shihja ndonjë pyll të vogël në afërsi, mendoja se aty do të na pushkatojnë”.
Në Tiranë u ndalëm te Ministria e Mbrendshme (ish Ministria e Financave). Në trotuarin tjetër u mblodh një grumbull u vogël njerëzish. Nuk bëzajshin, por shikojshin me drojtje. Unë njoha vetëm djalin e Xhafer Ypit, e vetëm një vajzë tha me za të naltë: “Qenka edhe një hoxhë”. I kishte ba përshtypje, se i dukej gjë e rrallë.
Mandej kamioni u vu prapë në ecje e u ndal te shtëpia e doktor Bashos, seli e Qarkut ose e Policisë.
Së fundi u drejtuem për në Burgun e Vjetër, në rrugën e Shkodrës. Pasi zbritëm shkallët e mbrendshme të burgut që të çojnë në korridorin e birucave, aty na priste kapter Shahini, që me një shikim epërsie, na tha: “S’ju pëlqen kjo republikë juve”?!
Kapterr Shahini më futi në një birucë pasi u sigurua që aty nuk kisha asnjë të njoftun. Këto hetime i’u dukën të mjaftueshme, prandaj më urdhnoi të rrijsha në qoshe të birucës, në çimento, e sidomos të mos flitsha me pjestarët e tjerë të birucës; dhe doli me mendje të qetë se e kishte krye mirë detyrën. Ashtu i lagun deri në palcë, u ula në çimento, në terrin ma të thellë e në heshtjen ma të plotë.
Nuk e kuptojsha sa ishin dimensionet e birucës, e as sa vetë ishin aty. Nuk kisha vizitue kurrë Burgun e Tiranës, megjithëse të tanë vitin 1939, kisha qenë Kryetar i Gjyqit të Shkallës së Parë, në kryeqytet. Prandaj në errësirën e birucës së Tiranës, u mundojsha me përfyturue formën dhe madhësinë e tyne. Mbas pak minutash, kur të gjithë po rrijshin së bashku, ndodhi një gja që më bani me ndryshue krejt mendimin që kisha formue për ambientin.
Një za që vinte nga nalt, thirri: “Felatun!” e tha disa fjalë në anglisht. Unë atëhere s’dijsha asnjë fjalë anglisht. Menjëherë një za tjetër nga poshtë i’u përgjigj shqip: “Jo, asnji”. Mendova se dikush kishte pyetë, kush kishte ardhë i ri në birucë e nga frika përgjigja kishte qenë negative. Me emrin Felatun, kisha njohë vetëm Felatun Vilën, e nuk njihja njeri tjetër me këtë emën, prandaj mendova se në birucën terr duhej të ishte ai, megjithëse nuk kisha dijeni që të ishte arrestue.
Mbetej mister ai za që kishte ardhë nga nalt. Mendova se biruca do të ishte me dy kate e se dikush do të ishte në katin e sipërm, ose në ndonjë shtrat të ngritun nja dy metra. Mbas përgjigjes së Felatunit, ra prapë heshtja në errësinën e birucës. Kështu kaloi rreth një orë.
Papritmas u hap dera e birucës sonë e hyni një rreze drite nga korridori. Ata që ishin në birucë, vrapuan me dalë e njeni mori guximin e më tha: “Hajde, po shkojmë në nevojtore”.
Dola edhe unë mbas tyne. Përshkuem korridorin dhe u futëm në një kthinë ku kishte katër WC në rradhë pa portë, të cilat u zunë menjëherë e unë mbeta në atë rruginën që ishte para tyne. Në WC-në e parë pashë një njeri të ulun, i cili më shikonte e me gishta në gojë pa za më jepte me kuptue që të mos thojsha se njiheshim. Ishte Felatun Vila. Edhe unë me shenja i lashë të kuptojë që të rrinte i qetë, se do ta zbatojsha dëshirën e tij. Kur u lirue një vend, hyna edhe unë. Të gjithë sa kryejshin punë, dilshin e pritshin në rruginën e ngushtë para WC-ve. E kuptova se po më prisnin mue, prandaj shpejtova. Atëhere u nisën për në birucë e unë mbas tyne. Hymë të gjithë në birucë e dera u mbyll.
Prapë në errësina, por kisha kuptue se përveç Gjushit e Felatunit, ishin edhe dy të tjerë që s’i njihsha. Para se të binte, Gjushi më tha: “Te kambët e mia, mbështetun për mur, asht një karton që e përdor për sofër e po e deshte, merre”.
E falenderova dhe e mora. Ishte një karton 40 x 40cm. U ula mbi të, e ky qe dysheku im për mbramjen e Këshndellave.
Me Gjushin dhe Felatunin, pashë një djalë që më tregoi se kishte qenë puntor në Kuçovë. Pranë meje ishte një burrë 45-50 vjeç. Ndërsa djali po fliste me mue, ai tjetri i tha: “Mos fol, a e di që e kam plumbin mbi kokë?”
Heshtëm. Ai tjetri, mbasi vuni në vend enën ku kishte ngranë, u ngrit në kambë në fund të dyshekut, dhe me fytyrë nga muri, bani kryq trish, e belbëzoi nja tri lutje në greqisht, bani prapë kryq e u ul. Unë u bana kureshtar por s’guxoja me e ndërpre atë heshtje. Foli ai e m’u drejtue:
- Kam 33 ditë që jam i dënuar me vdekje.
- Paske shpëtue, – i’u përgjigja flakë për flakë.
- Pse? – pyeti plot shpresë i kthyem nga unë.
- Mbas 33 ditëve nuk ekzekutohet kush, – i thashë unë, aspak i bindun për ç’ka thojsha.
Më shikoi në sy plot shpresë. Siguria me të cilën i fola e ngushëlloi. I mbytuni kapet edhe për shkumbë.
Prapë heshtje. Më dukej sikur ishim në një dhomë mortore. Të vdekunin e kishim aty. Askush përveç tij, nuk besonte se do shpëtonte. Të tjerët, përveç fjalëve të shpresës i kishin harxhue të gjitha e s’kishin ç’ka thonin. Unë kisha ardhë me forca të reja për të dhënë ndonjë shpresë. As ai për fat nuk më pyeti sesi e argumentojsha mendimin tim. Ndoshta u druhej argumentave pa bazë.
Për të thye atë atmosferë të randë, e pyeta përse ishte dënue. “Me grupin e Maliqit”.
Ai më thoshte se nuk i kishte pranue akuzat që i kishin ba dhe se nuk e kishin nxjerrë në gjyq publik me inxhinierët, Sharrën, Manon e gruan e tij. Por i kishin ba një gjyq me dyer të mbyllura bashkë me gjeometër, Përmetin. Dhe ky i fundit ishte dënue me vdekje dhe ndodhej në një qeli aty pranë. Zani i dridhej. Nuk mundesha me e pa në sy se mos e turpërojsha. Isha i sigurt që emocionohej. Prapë heshtje.
- Më quajnë Dhimitër, – tha dhe mbasi i dha fuqi vetes na u drejtua neve: Shokë, kam një gocë të vetme në Korçë. Kur të dilni, e ta takoni, i thoni që po vdes i pafajshëm dhe se nuk kam bërë asnji gjë’. Dhe shpërtheu në vaj duke thënë, “Çupën, çupën”.
Kështu filloi dita e parë në birucat e burgut të vjetër në Tiranë. Me gjithë hallet e mija që kisha e dija që po i shkojsha dënimit me vdekje, rasti i inxhinierit që priste dënimin me vdekje pas 33 ditësh, më preku thellë. Më dha përshtypjen e një njeriu që kishte shikue vetëm punën e vet dhe se kishte mbajtë familjen me bukë. E tani e shihte veten të persekutuem e të dënuem me vdekje, i ngushëllue që se kishte akuzue veten për faje që si kishte bë.
Më pas hyri një burrë me një ftyrë pa asnjë shprehje, i shoqërue nga dy rojet e birucave dhe më pyeti.
- Ç’e ke Filip Çobën? – më tha me një ton të randë e za të egër.
- Vëlla, – i thashë.
- Ka dashur të merret me politikë ai, e të bëhet njeri i madh. Këtu e ke. Edhe ai është në birucë. Dhe duke i’u drejtue rojes, i tha: “A është kështu Vani?”
Roja bëri me shenjë me kokë duke thanë “Po”.
- Im vëlla nuk ashtë marrë kurrë me politikë, – i’u përgjigja.
- Po, po – tha, dhe filloi duke u marrë me të tjerët. Ndërsa kur po dilte, m’u drejtua, “Mos u bëj merak, bëra shaka”.
Dhe dera u mbyll pas tij e rojeve.
Gjithë dita kaloi pothuajse pa biseda. Unë dojsha me fillue biseda pse m’u sillshin ndërmen fjalët e inxhinierit. Vetëm pasi hëngrëm drekën (unë dy franxhollat që u jepshin të burgosurve) Gjushi filloi me më kallzue se është arrestuar qysh në gusht, dhe se e kishte firmue proçesin. E mbasi nuk kishte pas akuza të randa, priste që ta bashkonin me të dënuemit e katit të sipërm. Më pyeti ç’ka kishte ndodh në Shkodër gjatë kësaj kohe.
I tregova për Lëvizjen e Postribës, dhe për ekzekutimet që kishin ndodhë brenda ditës, e për burgimet. I tregova për kushëririn e tij, Pjetër Dedën, që kishte qenë rrethue me të shoqen e shegertin. Ai dhe e shoqja, ishin vra ndërsa shegertin e plagosur, e kishin kap.
I tregova për Simon Daragjatin që ishte hedhë nga kati i dytë i Seksionit, e kishte vdekë. I tregova për Kel Dedën, një tjetër kushëri të tij, vëllai i Pjetër Dedës, që kishte vdekë në hetuesi, dhe e kishin varrosur natën te Penda e Kirit. Dhe qentë e kishin gërmue e zhvarrosë eshtrat e tij.
Nuk i thashë gja për Kolec Dedën, vëllain e tij që kishte vdekë t’u ra nga shkallët në Seksion. I tregova se ishte pushkatue Dom Nikoll Deda. E pashë që u mvrenjt dhe e pyeta “Ça e ke?”, “Vëlla”, më tha.
E pashë që kisha gabue e nuk vazhdova më për arrestime e ekzekutime të tjera. As ai nuk kishte dëshirë me ndigjue ma. U ngrit dhe po shëtiste përgjatë koridorit të ngushtë. Ishte i zymtë dhe ra në mendime. Tue dashtë me e zhdavaritë i thashë:
- Ç’po mendon?
- Po mendoj për hallet e familjes, pasi kam lanë gruen e tre djem të vegjël pa kurrgja.
- Mos mendo hallet e familjes, se bajnë hall vetë.
- Edhe unë po të isha atje, nuk dija sesi do i organizoja hallet e familjes, jo ma gruja.
Fjalët e tij mu dukën me vend. Mjerë ai që vdes, se të gjallit i gjendet dermani.
Me të shtyme kaloi kjo ditë dhe të gjithë u shtrimë me ra. Felatuni s’ishte ngritë e nuk ja kisha ndigjue zanin. U mbështeta në qoshe të murit kah Gjushit e kambët më ranë në çimento.
U përgatita me fjetë natën e dytë në birucat e Tiranës. Rrobat më ishin tha në trup. Mendimet e ditës, më kishin lodhë e më kapiste gjumi. Nata mu duk më e gjatë se një natë dimri.
Të nesërmen pesë oficera hapën derën dhe u futën si me madhni. I pari një kapiten elegant, shkoi drejt Felatunit. Në rradhë mbas tij katër togera, dhe në drejtim meje një nëntoger. Të gjithë m’i hodhën sytë mua si të ri. Por dy togerat, menjiherë sa panë inxhinier, Dhimitrin, thanë “Ende gjallë qenke ti”? I’u vërsulën mesa forcë kishin me grushta e shkelma. Inxhinieri i shkretë u s’mbraps, por dy togerat i kërcyen mbi dyshek, ai nuk i pa hall vetes, u kthye i mbërthyer në mur. Atëherë togerat e zellshëm filluen me shkelma, sa i’u desh qejfi. Inxhinieri u mbërthye kaq keq në mur, sa nuk dijshëm a merrte frymë! Ne qëndrojshim në kambë, të zverdhun e me nerva të tendosura. Kurrë nuk e kam pa veten ma ngusht. M’u afrue nëntogeri dhe me një buzëqeshje ironike më pyeti:
Si ja tregova, vazhdoi:
Unë i thashë gjyqtar, e ai…
- Pastaj?
- Drejtor në Ministrinë e Drejtësisë, – i’u përgjigja unë.
- Pastaj? – Dhe si për me ndigjue ma mirë, kishte ngritë dorën anash veshit.
- Sekretar i Përgjithshëm në Kryeministri.
- Pastaj? Dhe afronte fytyrën më afër fytyrës sime.
- Nënministër në Këshillin e Ministrave.
- Pastaj?
- Nënministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
- Heee! – ia bani me kënaqësi e zan të naltë ndërsa unë instiktivisht, largova fytyrën nga ai.
- Mos ki frikë, ne nuk godasim njeri – më tha.
Inxhinieri ishte i mbërthyem në mur e nuk dijshim a merrte frymë. Mandej kapiteni e urdhëroi Gjush Dedën që kishte krye hetuesinë, të shkonte tek të burgosurit e tjerë në katin e sipërm, për tu gjykue. Inxhinierit i tha të shkonte në birucën e gjeometër Përmetit, e mue e Felatunit, na thanë të shkonim në birucën përballë. Mbasi ikën oficerat, dola në koridor se s’kisha tesha me mbledhë, e prisja rojen që të hapte derën. Pashë batanijen time, e dallova nga ngjyra pasi i’a kishim çue babës, kur e kishin arrestue në vitin 1915 e i kishin çue në Mal të Zi. Me babën ishin Luigj Gurakuqi, Hil Mosi, Fejzi Alizoti, Preng Bib Doda, etj.
Kur hyra në birucë gjeta katër vetë. Njoha vetëm Sali Vuçiternin. E shikova, më shikoi e nuk më foli. Siç duket nuk kishte dëshirë që ta merrnin vesh që njiheshim. Fill mbas meje hyri Felatuni, që më tha: “Këtu nuk më kanë thanë që të mos bisedojmë, pranaj eja ulu me mu”.
Kur ndigjoi Saliu që po e thirrsha në emër Felatunin, i tha:
- Ti je Felatuni?
- Po – i tha ai.
- Po ti mos je Ëngjëll Çoba?
- Po – i thashë.
- Unë nuk ju njoha, po ju a më njohët mue?
- Ne të njohëm por nuk dijshim a duhet me të njohë – i thamë të dy.
Kaq na kishte pushtue fryma e seksionit në birucat e Tiranës, sa mos me i dhanë të njohur atyre që njifshim e po vujshim bashkë me to.
Të tjerët ishin: një durrsak, ish oficer, Qani Katroshi dhe Sali Doda nga Mati, një burrë në moshë. Që nuk peshonte ma tepër se 30 kile. Ndoshta vuante nga tuberkulozi, dhe kishte qenë shofer në Shkodër, po unë nuk e njifsha.
Mbasi shkëmbyem pak fjalë të zakonshme me të gjithë, Felatuni dhe unë filluem biseda ma personale, Felatuni fliste pak nën za dhe më tregoi se në biruca baheshin tortura të randa, dhe se ai vetë u ishte nënshtrue torturave, aq sa kishte pre damarët e më tregoi pulsin. Nuk më tregoi dhe as unë se pyeta se çfarë donin prej tij.
Pak para mesditës na ndanë racionin e bukës dhe Qaniut, Saliut dhe mua, na sollën gjellët që na kishte sjellë familja. Enët nuk i njoha, sepse si kisha parë ndonjëherë në shtëpi. Felatuni, e kuptoi çudinë time dhe më tha:
- Të paska abonue vëllai në restorant, se enët janë të tyre.
- Hajde të hamë bashkë! – i thashë unë.
- Unë jam ende në torturë, sepse shpeshherë më thërrasin e nuk më japin gjellën që më sjell familja.
- Unë për këto gjana s’kam dijeni, prandaj ulu të hamë i thashë.
U ulëm e shijuem ushqimin e restorantit. Kisha dy ditë që ushqehesha me dy franxhollat e burgut e Felatuni nuk e di sa ditë kishte.
Gjithë ditën prita të më jepshin shtresat. I thashë rojes se kisha pa rrobat e mija. ‘Nuk janë tuat’ ishte përgjigja e tij. Atë natë fjeta në një dyshek dhe të nesërmen i dorëzuem shtresat. Por një idhnim tjetër m’u shtue. Etiketa që kishte emnin tim, ishte shkrue prej motrës që kisha lanë në Shkodër. Vëllanë e tretë e dijsha në Tiranë. Pse kishte ardhë motra në Tiranë, kur im vëlla ishte këtu? Filloi të më brejë dyshimi për fjalët e Drejtorit të Burgut, se dhe vëllain e tretë e kishin arrestue. Tre vëllazën në burg. Nana me motrën në shtëpi. Isha në pritje të një gjyqi, përfundimi i të cilit s’ishte aspak i favorshëm. Shumë të pakta ishin shpresat për faljen e jetës për ata që dorëzoheshin. Perspektiva e tmerrshme e torturave. Vëllazënit e arrestuem, nana me motrën vetëm. Në atmosferën e burgosjeve dhe ekzekutimeve që ishte krijue në Shqipëri dhe veçanërisht në Shkodër në vitet 1946-1947, çdo gja mund të pritej. E pse? Sepse kshu dojshin jugosllavët e Titos dhe rusët e Stalinit, urdhnat e të cilëve i zbatojshin marksistat shqiptarë. Në qoftë se quheshin kështu ata që kishin pushtetin në Shqipëri.
Pas mesditës digjova kambë njerëzish që zbrisnin shkallët. Felatuni më tha se ishin hetuesat që vinin për të marrë në pyetje dhe vazhdonin deri natën vonë.
Andej nga mbramja, i propozova Felatunit që të shikonim kur fikeshin dritat e ikshin hetuesat. Në birucë kishte ra një heshtje frike dhe nuk kuptohej shkaku. Herë pas here, ndigjoheshin të shara. Janë hetuesit më tha Felatuni. Mbas do kohe u hap dera dhe hynë dy oficera dhe na pyetën se cilët ishim.
- Ah ti qënke Ëjëll Çoba?! Si e vije firmën ti? – Dhe e bani atë me gisht në mur e m’u afrue për ta parë a e kishte bë mirë.
- Po, i’u përgjigja unë, duke mujt me mbajt gazin.
Nuk e kuptojsha ç’randësi kishte forma e një firme. Qani Katroshit, i thanë që qënke ba si qen stani. Dhe me ta, qeshi i kënaqun dhe Qaniu.
Shoferin e thirrën jashtë dhe mbasi e mbërthyen e goditën me grushta në gjoks. Ai bërtiste dhe ata pasi e lëshuen, e hodhën me një shkelm drejt dyshekut të tij. Ai ra përmbys dhe filloi tue bërtitë: ah, ah, e pasi ikën ata, na pyeste: a shkuen? Kur i thamë që ikën, u ngrit e filloi t’i shante me një fjalor të pasun shoferash.
Kuptova se hetuesit, kur kryjshin punën e ditës me të arrestuarit që kishin në ngarkim, në mbarmje kur s’kishin punë hyjin nëpër biruca dhe shikonin të rinjt që kishin ardhë. Mbi ata rrezikzinjtë, ata shpërndanin gratis një numër grushtash dhe shkelmash.
Gjithë pasdrekën e deri në mesnatë, rrijshim në pritje të vizitave të tilla. Prandaj Felatuni më kishte thanë që të hanim para mesnatës, që një vizitë e tillë të mos na e zinte në fyt ushqimin. Dhe pas mesnatës drita dha shenjë se do shuhej. Atëherë u ndigjuen hapa njerëzish me shprehje gazmore. Ishin hetuesit të qeshur nga puna e tyre dhe shpejtojshin me pi ndonjë gotë, që t’i mos i zinte nata. Kështu dhe ne hangrëm të qetë. Më pas u shtrimë për me ç’lodhë nervat. Por para se të na vinte gjumi, digjoheshin britma e të shara. Ato fillonin duke u shtue saqë mu duk vetja sikur isha në ferrin e Dantes.
Felatuni më tha që thërrisnin njerëzit që ishin torturue. Në këtë gjëndje nuk mund të flihej. Më dukej hera herës sikur njihja ndonji za miku. Por hetuesat “zemërmirë” ishin kujdesë që britma të tilla, t’i eliminonin me kujdes që familjet që banojshin afër burgut, të mos i ndigjonin. Dhe për këtë arsye u kishin dhanë urdhër rojeve të burgut që nga mesnata e deri në agim, t’i binin firzamonikës. Natyrisht rojet e mjera, nuk merrnin vesh nga firzamonika, por tingujt e tyre përziheshin me britmat e fatkeqëve dhe krijonin një kakofoni të keqe. Dantes nuk i kishte shkue ndërmen, me futë firzamonikën në ferr, por hetuesve shqiptarë të Sigurimit po! E mora vesh ma vonë që këto mënyra torturash ishin instruktue prej sovjetikëve, nëpërmjet një kodi të veçantë. Kuptohet që natën s’mund të flinim në këtë gjendje. Vetëm afër agimit, kur britmat pushonin, bashkë me to pushonte dhe firzamonika. Ne flejshim deri në drekë me një gjumë të keq. Në këtë gjendje kalonte dita kur dhe ne prisnim që të bërtisnim si kafshët.
Një ditë Sali Vuçiterni më tha:
- Jam gati të bëj vetëvrasje, vetëm që të shpëtoj nga torturat.
- Edhe unë i thashë të njajtën gjë.
Ishim të gjithë në një gjendje frike sa vetëm dëshira me mujt me vdekë, na jepte kënaqësi.
Qani Katroshi më tha, se kur po vazhdonte hetuesinë, për ta bindë të fliste (kjo ishte shprehja e tyre sepse dhe vetë ata, s’dinin ç’ka pyesnin), e kishin përcjellë pa tortura në një birucë dhe i kishin thanë, a e shef kshu ta bajmë dhe ty?
Kishte pa një njeri të zhveshun deri në brez dhe që rrinte i lidhun me zinxhirë tek hekurat e dritares. Kambët posa i ciknin tikën, ndërsa koka i rrinte varun mbi shpatulla. Qaniu e kishte njoftë. Ishte Gjon Nikë Vuksani, ish – kapiten porti. Pas tri ditësh kishte vdekë.
Gjonin, e kishin akuzue se kur ishte në Durrës, kishte marrë pesë letra brenda një dite nga një oficer i misionit ushtarak anglez. Dhe se në një prej tyre ishin 5000 stërlina. Gjoni i shkretë, aq pare nuk i kishte pa as në ëndërr, pasi rridhte nga një familje e varfër e Shkodrës. Kishte studiue me bursë në Greqi, ku ishte martue me të bijën e një rusi që kishte ikë në kohën e revolucionit. Pas luftës italo-greke, kishte marrë dhe familjen e së shoqes në Shqipëri, për ta shpëtue nga uria. Thojshin se kunati, Vladimiri, i friksuem kishte pohue se Gjoni i kishte marrë stërlinat nga anglezi. Vladimiri u dënue me tri vite burg.
Një ditë morëm vesh se në birucën ngjitë (që komunikonte me tonën nëpërmjet një hapësire të vogël ku ishte vendosë llamba elektrike) ishin Hafiz Ali Kraja, Beqir Çela (që kishte fitue konkursin e hymnit të flamurit në vjetin 1937) e ndonji tjetër. Më vonë Hafizi më tregonte se hetuesi i kishte dhënë Beqir Çelës një laps e letër, që të shkruante të gjithë aktivitetin e tij politik anti-pushtet. Në krye të dy tri ditësh, ky i’a paraqiste hetuesit por ky i fundit nuk ngelte i kënaqur.
Beqiri, zmadhonte tregimin e veprimit të tij imagjinar, por hetuesi ishte i pakënaqur. Natyrisht në këto tregime përmëndeshin dhe njerëz që ai i kishte njoftë. Hafizi e kishte këshillue që të mos zgjatej shumë, se më pas mund të kishte pasoja të rrezikshme, jo vetëm për personat që përmëndte por edhe për vetë atë. I ishte përgjigjë se s’mundte me i durue torturat. Si përfundim ishte dënue me vdekje dhe u pushkatue. Nuk kam dijtë sesa persona ishin dënue për shkak të fantazive të tij. Siç duket, hetuesinë e kishte kujtue një sprovë letërsie. Duke u vu në qëndër të një rrjeti të gjanë veprimesh, ai nuk mund të dilte i gjallë. Ishte logjika cinike e hetuesisë së Sigurimit.
Nuk mund të liheshin të gjallë dëshmitarë mashtrues. Pas disa ditësh, thirrën Sali Vuçiternin. Kur u kthye, ishte i heshtun e i friksuem. Nuk i bana pyetje, megjithëse doja me dijtë sesi po silleshin hetuesat me të. Por mbramjen e ditës së dytë, në qeli na erdhi një oficer dhe pa nga ne. ‘Ti Sali, shko tek biruca nr. 1’, e i bani me shenjë rojes. Saliu u transferue.
Kaluen katër ditë dhe Felatunin e nxorën nga biruca sepse i kishte dhënë fund hetuesisë dhe ishte në pritje të gjykimit. Në vend të tij, prunë një italian, Augusto Betti, që kishte qenë elektriçist në Korçë. E kishte krye hetuesinë. Kishte qenë mik me drejtorin e AIPA-s, në Korçë. Fliste shumë mirë për drejtorin që e kishin pushkatue. E konsideronte të pafajshëm. Thoshte që i kishin ba tortura të randa. Dhe vetë Bettin, e kishin lidhë për këmbësh, tek hekurat e dritares dhe të mbështetur mbi një karrike. Linte të kuptohej se në atë gjëndje kishte folë dhe vetë kundër drejtorit. Një torturë të tillë, ndoshta i’a kishin rezervue atij si i huej.
Elektriçisti Betti, duhej të paguante edhe për pushtimin fashist. Ai, kishte një vajzë 5 vjeçe dhe të shoqen e kishte arsimtare. Më tregonte se vajza e tij para se të flinte, lutej për prindërit, për vete, për të sëmurët, dhe për të burgosurit. Nuk e kuptoja, më thoshte se pse duhet të lutej dhe për të burgosurit. Por tani e mësova se në burgje paska dhe njerëz të ndershëm. Sa shumë nguten njerëzit me dhanë gjykime. Përvoja e jetës qenka shumë e vlefshme për njeriun.
Në birucë kishim dhe një ish-oficer, akademik, antizogist matjan, i quajtur, Sali Doda. Në luftën italo-greke, e kishin zënë rob dhe ai kishte tregue gjithçka për pozicionet e ushtrisë fashiste.
Kur hynë në Greqi italianët, e gjetën dhe e internuan në një ishull. Kishin gjetur proçes-verbalet e tij dhe në bazë të tyre fillimisht e kishin dënue me vdekje. Dënimin i’a kishin falë dhe e kishin çue në burgun e Gaetas. Kur kishin hy anglo-amerikanët e kishin lirue dhe siç duket e kishin mbajt ca kohë për ta përgatitë për diversion.
Në vjetin 1944 e kishin hedhë me parashutë në zonat e Nacionalçlirimtares, dhe ai i ishte prezantue si oficer. I kishin ofrue të merrte pjesë në luftë si ushtar i thjeshtë. Nuk kishte pranue. Pas dy ditësh e kishin leju që të rikthehej në Itali me një nëndetëse. Por tri ditë më vonë, ishte kthye nga Italia për me shërbye pa grada. Kishte marrë pjesë në luftime. Pas prishjes së qeverisë komuniste me anglo-amerikanët, ishte arrestue në 1946-ën, i akuzuar si agjent amerikan. Kur po bisedojshim, nuk u stepa me i thanë që të mos u çudiste për hetimet. Ma vonë pasi kreu 10 vjet burg, u lirue.
Gjatë viteve të burgut, jam takue shpesh me kësi djemsh të rinj që lufta dhe rrethanat i hodhën ku mujtën. Gjatë ditëve që qëndrojsha në birucë, ndigjova ca zëra e të qeshura, dhe kambë që vrapojshin. Nuk po kuptojsha ç’po ndodhte. Dhe pashë në mënyrë pyetse tek shokët e mi.
Ata që ndodheshin prej kohësh në biruca më shpjeguen se ajo gjë, ishte një argëtim që i’a lejojshin vetes hetuesat, kur bënin punën gjatë ditës. Secili hetues merrte të pandehurin që kishte nën hetim ose torturë dhe pasi i rreshtojshin në fund të koridorit, u hypshin në qafë dhe të burgosurit bashkë me oficerat mbi shpinë, vrapojshin me bë gara me njëri tjetrin.
Natyrisht hetuesi “kalorës” merrte pjesë aktive në garë duke i gjuajtur në ije “kalit”, ose ku të mundte, hetuesit që ishte në shpinën e “kalit” ma të shpejtë.
Ashtu në ankth e në pritje që të më vinte radha edhe mue me i’u shtrue kashagitjes, po kalojshin ditët e lagshta të atij dimni, kur një ditë erdhi një roje e më thirri. Më përcolli në dhomën e kapterrit, ku kishte një shtrat e një tavolinë. Aty po më priste një kapiten i klasit të parë, i thatë në trup, i zbehtë në fytyrë, me një za të hollë si të ishte i tredhun, buzë-hollë, por me dy dy sy të gjallë, sa në pamje të pare, nuk dallova mirë a ishin shprehje e një alkooliku apo të një njeriu inteligjent! Ma vonë e kuptova se i kishte të dyja.
Në bisedë e sipër kuptova se quhej Abdyl Haki Kuçi. Nga shprehjet kuptohej se ishte prej Kuçit të Kurveleshit. Kisha pa me sy torturat e bame me danë në trup të një kushrinit tim, për shkakun tim. Në tri-katër vende të trupit kishte gjakosje, shtypje e gërvishtje të mishit.
Të gjitha këto m’u paraqitën para syve me qartësinë e fotografisë, kur torturuesin e kisha përpara e m’u dukte se po mprehte hanxharët për të fillue punën edhe mbi mue, ashtu si shihet ndër filma. Por ai e filloi bisedën shumë butë, më pyeti për studimet, për karrierën time, për funksionet që kisha pasë, të cilëve unë i përgjigjesha me qartësi, pse ishin gjana të njohuna e unë s’kisha arsye pse t’i fshehsha, e as të kërkojsha me i zbutë ose me i ndryshue.
Kisha saktësinë e plotë se nuk kisha krye asnjë veprim në dam të vendit, as të popullit, madje sa herë më ishte paraqitë rasti, isha përpjekë me i vjeftë kujtdo.
Mbrenda pak ditëve, mbërritëm të plotësojmë proçes-verbalin, që hetuesit i’u duk i mjaftueshëm për të justifikue punën e tij hetimore. Këtë proçes-verbal e firmova pa vështirësi e pa pasë asnjë shtrëngim fizik. Vetëm një herë gjatë këtij proçes-verbali, u nxehëm në bisedë e hetuesi, në një çast nervoziteti, shtrëngoi një kamxhik që kishte në dorë dhe e përpoqi me forcë mbi tryezë.
Unë mendojsha se hetimi kishte marrë fund e kështu fillova të rri i qetë në qeli. Të kalojshe hetuesinë pa tortura në atë periudhë, ishte gja e pamundun.
Ky fat të më takonte mue? A do ta mbajshin fjalën që më kishin dhanë, kur u dorzova, se nuk do të më baheshin tortura? Prap më dukej e pamundun! Këto bluejsha në mend në ato ditë të lagështa e të ftohta të janarit të vitit 1947. Jeta e qelisë, jetë vorri, tanë frikë e mërzi! Në ato ditë filluem të shohim njerëz në brekë, që rrijshin në kambë me fytyrë nga muri në fund të korridorit, në mes të derës së qelisë sonë dhe derës.
I pari për të cilin morëm vesh ishte Shefik Kondi, tiranas, burrë në moshë e njeri i urtë e me humor. Shokët e qelisë më treguen se edhe ma përpara e kishin vu aty në fund të korridorit e se në një moment krize, të shkaktueme nga lodhja, kishte hapë të gjitha llozat e qelive tue bërtitë: “Dilni!”
Shoku tjetër që i’u shtue Shefikut, ishte Dom Shtjefën Kurti, edhe ky me brekë të shkurta në kambë e me fytyrë nga muri. Herë pas here shtohej e paksohej edhe ndonjë tjetër, që s’arrijshin t’ia mësojshim emnin. Sa herë hyjsha e dilsha prej qelisë, nuk shikojsha nga ata, pse m’u dukte vetja i lig. Të shohësh dy njerëz, dy të njohun në vuajtje e të mos jesh i zoti t’u vijsh në ndihmë! Por ja ma pak e tmerrshme ishte kur natën i ndiejsha se ata, nga lodhja e nga gjumi, bijshin përdhe me shungullimë dhe rojet tue u ra me shkop, bërtitshin: “Çohu, ngrihu a derëzi!’
Andej nga ditët e fundit të janarit, më thirri prapë hetuesi. Filloi të më thotë se duhej të bajshim një proçes të ri, pse atë që kishim ba, nuk e pranonte drejtoria e Sigurimit. “E natyrisht nuk e pranova as unë”, shtonte hetuesi,’pse nëpër flakë të topit, ti del i padjegun”. Unë i’u përgjigja menjëherë, se unë nuk kisha kurrgja tjetër për të thanë e as për të shtue. Atëherë hetuesi më tha se Drejtoria e Sigurimit, donte të dinte:
- Cilët ishin spiunët e Ministrisë së Punëve të Mbrendshme?
- Si janë marrë vendimet për ekzekutimet e 4 shkurtit dhe të 28 shkurtit 1944?
- Me cilët persona kisha pasë lidhje gjatë kohës që kisha qenë i arratisun?
Nga lloji i çashtjeve e nga toni i hetuesit, e kuptova se do të kërkonte edhe me tortura, me pasë rezultatin që dëshirronte. E mbasi nga pika e tretë do të implikohej edhe im vëlla, Keli, që më kishte strehue, vendosa të mbaj qëndrim krejt mohues, jo vetëm për të mos implikue persona të tjerë, gja për të cilën i’a kisha mbushë mendjen vetes qysh se u dorzova, por edhe për të mos fajsue veten pa pasë faj, e për t’u shpëtue torturave.
Kur u ktheva në qeli, ua tregova shokëve shkurtimisht si qëndronte puna me hetuesin. Betti, ai italiani, që kishte një praktikë ma të gjatë me hetuesa, më tha haptas se do të fillonte një periudhë e gjatë torturash. Ishte e qartë se nuk kisha asnjë mundësi për ndonjë masë paraprake lehtësuese të vuajtjeve; e vetmja gja që mund të tentojsha, ishte me u vesh sa ma trashë, me shpresën minimale që të mos më zhvishnin. Për këtë shtova një pulovër dhe e vesha për mish, nën këmishë. Natyrisht atë natë fjeta pak ose aspak.
Megjithatë, të nesërmen, kur zbardhi dita, një ditë e zymtë, e ftohtë dhe e lagësht si i gjithë ai dimën i 1946-1947-ës, e ndjeva veten moralisht shumë të fortë për t’i qëndrue çdo torture, e për të mos marrë më qafë asnji njeri. Vetëm për këtë i lutesha Zotit, kurse për veten time, as vdekja nuk më trembte, madje e mendojsha si një zgjidhje fatlume.
Kur më thirri, si zakonisht në dhomën e kapterrit të rojeve, hetuesi ishte shumë i zymtë. Filloi të më tregonte se e njihte mirë organizimin e Ministrisë së Mbrendshme dhe mënyrat e mjetet me të cilat para çlirimit shtypej populli, t’ue lanë me kuptue se mjeti ma i përdorun për të zbulue neokomunistat e veprimet e tyne, ishte aktivizimi i spiunëve.
Më pyeti gjithashtu se kush hynte e kush dilte në Ministri. I’u përgjigja se këtë nuk mund ta dijsha, mbasi kisha zyrë më vete dhe nuk më interesonte të dijsha një gja të tillë; por kur hetuesi i nevrikosun insistoi me dijtë se kë kisha gjetë në zyrë të Ministrit sa herë hyjsha unë, i’u përgjigja se kisha gjetë disa herë Hysni Demën, Komandant i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, Tahir Kolgjinin, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, e ndër privatë, një herë kisha gjetë Beqir Valterin, i cili kishte qenë dënue prej gjyqit special dhe ekzekutue.
Hetuesi u kthye prapë tek çështja e spiunëve, kur e pa se unë po insistojsha tek shpjegimet e dhanuna, u nervozue dhe më tha të hiqja pallton dhe pulovrën, dhe më la vetëm me këmishë. Më nxorri në koridor dhe thirri rojen e quajtur Vani, e i tha të më linte në fund të koridorit, ku ishin dhe nja tre të tjerë. Atëherë roja i tha diçka në vesh hetuesit. Ky i’u përgjigj “fute në banjo”. Ai erdhi vetë e pasi më la aty më tha: “rri këtu e mendohu”.
E mora me mend se roja do ti ketë thanë që ndër ata të tre që po rrinin në fund të koridorit, ishte dhe Dom Shtjefën Kurti. E meqë dhe unë isha katolik si ai, rojes mund ti shkonte ndër menje, që kushedi se çfarë komplotesh mund të thurnim. Sigurisht roja pa dashje bani një të mirë, që në nevojtore nuk isha nën shikimin e tij, e që mund të mbështetesha në mur ose të ulesha. Dera ishte e mbyllur dhe si të gjithë qelitë, kishte një sportel të vogël që roja e hapte, sa herë donte të shihte se ç’bëhet në banjo. Prej sportelit vetëm ajo formonte një si hyrje në atë korridor të ngushtë.
Dikur kishin pas dyer të gjitha nevojtoret dhe pasi i kishin heqë kishin ngelë vetëm kornizat. Kështu që kur shkojshin katër veta të tjerët prisnin në koridor, natyrisht me shpinë duke mos sjellë veprimet e shokëve e shpesh herë tue mbyllë hundët e veshët.
Porsa kapiteni hetues dhe roja mbyllën derën dhe më thanë të rrija aty, hapa veshët për me kuptue nëse kishte njeri në banjo. Menjëherë e kuptova se dikush në heshtje të thellë po merrte frymë. Po kush ishte? Ndonjë si unë apo roje për nevojat e veta. Prita e mbas do kohe kur u sigurova që s’kishte roje afër derës, zgjata kryet me pa se kush ishte.
Në fund të koridorit i varun me zinxhirë barkash tek hekurat e dritares, ishte një burrë i gjatë. E njoha pasi kishte qënë shofer në Ministrinë e Drejtësisë, me mbiemër, Stërmasi. Hapi sytë dhe ai më njohu. Ma shumë me shenja se me fjalë. Shfaqi çudinë që po më shihte aty e i thashë:
- A mund të të ndihmoj?
- Jo, – më tha, s’ke ça ban, pasi kam disa ditë që e gdhij këtu.
Shihej se ishte shumë i lodhun e donte me fjetë gjumë. Ndërkohë prej nevojtores nxorri kryet një djalë i ri me kambët zbathur në çimento. Quhej Emin Bakalli, vëllai i doktor Bakallit. Kishte qënë në shkollën e Fulcit dhe kjo mjaftonte që ta kuptoje pse ishe aty. Më tregoi që në nevojtoren tjetër, ishte Panajot Zbogi, një himarjot me tip dinamik. Këto ishin njohjet me shokët e torturës.
Pak para mesditës, erdhi roja e u dha një franxholle Bakallit e Zbogit. Bakalli më ofroi gjysmën e saj, po unë e refuzova, duke i thanë se s’kisha uri. Pas mesditës na nxorën prej banjos dhe na shpërndanë në qelitë e tjera. Mue më lanë në koridor e më hodhën një velenxë që më mbulonte tanë trupin. Megjithëse ishte e randë, mu më ngrohu. Dita e atij janari ishte e ftohtë e unë e ndjej shumë atë.
Natyrisht roja nuk ma bani këtë për të mire, por për “vigjilencë revolucionare”, që të mos më njifshim të burgosurit e tjerë kur shkonin në nevojtore. Sigurisht të tilla ishin urdhnat e hetuesve. Në këtë pozicion unë ndenja tri orë derisa mbaruen punë të gjithë të burgosurit në banjo. Mandej të katërt na kthyen prapë në vëndet e caktueme dhe aty qëndruem gjithë natën.
Kur mendojsha Stërmasin e kryqëzuem si Krishti dhe Bakallin zbathë në çimento, m’u duk vetja i privilegjuem. Fillova të ndjej lodhje e herë pas here shtrihesha por gjithnjë tue pas vëmenjen tek hapat e rojes që mos vinte e na shihte që ishim shtri.
Në katër të mjesit na çuen prapë në nevojtore. Kësaj here më shtinë dhe mue në qelinë time. Tani ishte një roje më pak vigjilent. Përfitova me u futë në dyshek e me fjetë dhe ato orë kaluen shpejt.
Kur erdhi roja me më çue tek vëndi i torturave, më pa që isha shtri dhe më tha: “edhe qënke mbulue nën rroba”?! Dhe më qëlloi me fshesën që kishin sjellë me pastrue qelinë. U ktheva për të fillue ditën e dytë në nevojtore. Aty i gjeta dhe tre rrezikzezët. Qe një kthim krejt melankolik.
Njëri pas tjetrit shokët e torturës i thirrën hetuesat e i kthyen përsëri aty. Pas tyre më thirrën edhe mue. Hetuesi më pyeste e kur unë nuk i’u përgjigjesha siç donte ai, atëherë më godiste me grushte e shkelma, duke më thanë se isha armik i betuem. Për fatin tim ky ishte, Abdyl Haki Kuçi, kapiten hetues imcak dhe në dukje me tuberkuloz dhe i pafuqishëm për të më goditë randë. Kështu që goditjet e tij kishin efekt vetëm me më ngrohë. /Memorie.al
Komentet