Fundi dramatik i lidhjes, sipas saj, është shënuar në fillim të shtatorit 1981. Në datën 5 ajo ishte nisur në Greqi me ekipin e të rejave. Për ta shoqëruar ka shkuar edhe Skënderi, tashmë i fejuari i saj i celebruar, i bekuar madje edhe nga çifti Hoxha. Më pas, ai do të vazhdonte rrugën për në Suedi ku ishte duke kryer studimet.
Para nisjes, i ka takuar tek Pallati i Sportit “Partizani”, ish-ministri i Brendshëm Feçor Shehu dhe i ka uruar për fejesën.
Dy ditë më parë një gjë të tillë ka bërë edhe Enveri me shoqen, në shtëpinë e Kryeministrit. Gjatë kohës që ishin në Greqi, Skënderi është lajmëruar befasisht se duhej të kthehej në Tiranë. Janë kthyer që andej të dy.
Të nesërmen e mbërritjes në Tiranë, Skënderi kishte thirrur Silvën dhe i kishte thënë se donte të bisedonte ca gjëra serioze vetëm për vetëm. Ashtu ishte bërë.
Takimi i zhvilluar në shtëpinë e Ali Cenos, truprojës së Kryeministrit, kishte zgjatur rreth 45 minuta. Skënderi kishte thënë se do të ndaheshin, pasi kishin dalë disa problem të koklavitura në biografinë e familjes së saj.
Silva kishte reaguar duke thënë se ‘ju i dinit ato gjëra më parë.”
Ishte përmendur çështja e Arshi Pipës. Djali i xhaxhait të nënës së Silvës, që ishte “agjent i amerikanëve”. Sipas asaj që i kishte thënë Skënderi, Enver Hoxha kishtë dhënë urdhër që fejesa të prishej. Në përfundim, Skënderi i kishte thënë se kishte dashur të ndahej nga familja e tij, por kishte frikë se si komunist mund të përjashtohej nga partia.
“Skënderi u paraqit i mërzitur që nuk e linin të martohej me mua”, dëshmonte Silva.
Sipas këshillës së Skënderit, Silva dhe babai i saj kanë shkuar në shtëpinë e Mehmet Shehut, por atje nuk kanë gjetur njeri. Një makinë i ka thënë rrugës se i priste Fiqiretja tek Shkolla e Partisë.
Silva ishte kthyer në shtëpinë e vet dhe vetëm Qazim Turdiu kishte shkuar në takim. Kur ishte kthyer në shtëpi, Qazimi kishte thënë se se Fiqiretja kishte përmendur çështjen e Arshi Pipës, të cilën “ata nuk e dinin më parë”.
Që këtej, fejesa ishte zgjidhur, por telashet nuk kishin mbaruar, jo vetëm për ish-volejbollisten por edhe për djalin e ish-Kryeministrit/
Komentet