TIRANE-Ish shefi i zyrës së Interpol Tiranës, Artan Bajraktari kërkon hapjen e hetimeve për bllokimin e udhërit të arrestimit për deputetin e mazhorancës, Mark Frrokun, të lëshuar nga autoritetet belge. Bajraktari ka paraqitur një kërkesë në Gjykatë.
Ai kërkon zbardhjen e të vërtetës. Bajraktari u arrestua në fund të muajit mars dhe u pezullua nga detyra me udhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Artan Didi, i cili u dorëhoq edhe vetë pas daljes në dritë të skalndalit të bllokimit të udhër –arrestit për Mark Frrokun. Bajraktari e fitoi gjyqin dhe gjykata i dha të drejtën e rikthimit në detyrë. Ai tha gjatë procesit se kishte zbatuar ligjin duke vënë në dijeni Drejtorin e Përgjithshëm Artan Didin.
Por hetimet nuk nxorrën përgjegjësitë për këtë çështje ndaj Bajraktari kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjeve që çuan në bllokimin e urdhërit të interpolit belg dhe në vonimin e arrestimit të deputetit të mazhorancës, Mark Frroku, i cili akuzohet në Belgjikë për vrasjen e emigrantit shqiptar, Aleksandër Kurti, më 5 mars të vitit 1999, në stacionin e trenit në Bruksel.
Më 24 korrik, akuza kryeqytetase pushoi hetimet ndaj Artan Bajraktarit dhe Loreta Alles, specialiste në Interpol Tirana, me argumentin se ka pasur vetëm shkelje administrative për sa i përket ekstradimit të Mark Frrokut, i cili akuzohet për vrasje në Belgjikë.
Pak muaj më parë, në një aksion-blic, pas mesnatës, Alla dhe Bajraktari u vunë në pranga nga Kontrolli i Brendshëm i policisë, porse pa u mbushur 24 orë nga arresti, Gjykata e Tiranës vendosi lirimin e menjëhershëm të tyre. Pa kaluar shumë orë nga këto zhvillime të vrullshme, në mënyrë të befasishme dha dorëheqjen ish-kryepolici Artan Didi. Ky i fundit tha se nuk kishte arritur ta parandalonte fshehjen e kërkesës për ekstradim të Frrokut, ndaj largohej nga posti i drejtorit të Policisë së Shtetit. Nga ana e tij, pasi u lirua Bajraktari tha se arrestimi i tij ishte veprim emocional.
Në argumentimin e prokurorisë thuhej se veprimet e Allës dhe Bajraktarit bien në kundërshtim me një nen të marrëdhënieve juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale. Interpoli, kur merr një urdhër-ndërkombëtar arresti, nga një shtet i huaj, brenda pesë ditëve duhet t’ia përcjellë Ministrisë së Drejtësisë. Nga hetimi rezultoi se kjo vonesë në përcjelljen e praktikës së organeve kompetente nuk është bërë me dashje nga dy punonjësit e Interpol Tiranës, por për një shkak objektiv që kishte të bënte me verifikimin e dy email-eve, të datës 8 janar 2015 dhe 23 janar 2015, në sistemin e brendshëm dhe komunikimit me qendrën e Interpolit në Lion të Francës.
Meqenëse ky verifikim kërkonte kohë, praktika është bërë e mundur të përcillet disa ditë (katër ditë) jashtë afatit ligjor, pikërisht me datë 27 mars 2015, një ditë pas dhënies së autorizimit për arrestimin nga Kuvendi i Shqipërisë për deputetin Mark Frroku, i dyshuar për vepra penale të kryera brenda territorit shqiptar. Gjithashtu, si rezultat i këtij mosveprimi në afatin ligjor, dy personat nën hetim nuk kanë pasur për qëllim të favorizojnë interesat personale apo të të tretëve, por prioritet ka qenë saktësimi i informacionit të përcjellë nga Interpol Brukseli drejt Interpol Tiranës.
Siç rezulton, veprimet e mosveprimet e personave nën hetim, Loreta Alla e Artan Bajraktari janë kryer në shkelje të dispozitave ligjore të shpërmendura, pra përbëjnë shkelje të ligjit, por duke pasur parasysh natyrën e shkeljes të evidentuar më lart, organi i akuzës arrin në konkluzionin se kjo shkelje me karakter administrativ./26.08.2015
Artan Didi paraqiti më 31 mars 2015 dorëheqjen e pa revokueshme
Më 31 mars 2015, Artan Didi i paraqiti kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dorëheqjen nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, dorëheqje që vetë ai e lidhi me fshehjen e urdhër-arrestit belg për deputetin Mark Frroku. “Modelin e punës që u mundova të fus në institucion po e shoqëroj me modelin e dorëheqjes kur diçka nuk ecën sipas pritshmërisë që ti ke dhe asaj pritshmërie që kanë të tjerët për punën e institucionit që ti drejton. Shkelja e procedurave ligjore të specialistit të INTERPOL-it dhe të shefit të këtij sektori, shkelje që i vuri përpara përgjegjësisë penale, cenoi në një farë mase imazhin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, ndonëse ishte po ky institucion që e korrigjoi gabimin. Për këtë arsye, duke vlerësuar këtë ngjarje si të papranueshme për prestigjin e institucionit të Policisë së Shtetit, të cilin unë e drejtoj, duke vlerësuar që nuk pata kapacitetin e mjaftueshëm për të parandaluar një fakt të tillë, vendosa të jap dorëheqjen e parevokueshme nga funksioni i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Punonjësit e ndershëm të policisë të më gjykojnë për këtë vendim”, shkruante Didi në tekstin e dorëheqjes asaj kohe
Rruga e kthimit drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Artan Didit ka gjasë të jetë shumë më e shpejtë sesa është menduar. Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i cili dha dorëheqjen e parevokueshme nga detyra, pas skandalit të fshehjes në sirtarët e policisë të urdhër-arrestit belg për deputetin kristiandemokrat, Mark Frroku, është një hap pranë marrjes së një detyrë të rëndësishme, që do ta çojë sërish në Amerikë. Njeriut që iu besua detyra e rëndësishme e drejtimit të uniformave blu, prej së cilës u dorëhoq, i është propozuar një tjetër detyrë po aq e rëndësishme. Burime të besuara nga Policia e Shtetit thanë për “Gazeta Shqiptare” se Artan Didi pritet të marrë zyrtarisht emërimin si oficer kontakti i Policisë së Shtetit në Uashington. “Më kanë propozuar disa detyra, mes tyre edhe atë të oficerit të kontaktit në Uashington”, tha ish-numri një i Policisë së Shtetit për “GSH”. “Megjithatë – theksoi Didi – mua nuk është konfirmuar zyrtarisht emërimi”.
Drejtimi i policisë
Artan Didi, cili jetoi për shumë vite në SHBA dhe u kthye në Tiranë për të marrë postin e kreut të Policisë së Shtetit në 2013 kur socialistët morën pushtetin. Në detyrën e tij, që zgjati pak më shumë se një vit, sigurisht që shënoi suksese, sikurse pati edhe dështime. Didi ishte drejtuesi i Policisë së Shtetit, që nuk u ‘pranua’ nga opozita, me arsyetimin se ishte njeri politik, për shkak se kishte qenë numërues votash për llogari të Partisë Socialiste. Ish-komandanti i repartit special RENEA rrezikoi jetën në 1998, kur mbeti i plagosur gjatë operacionit për kapjen e arabo-egjiptianit, Muhamed Omar Al-Said, i kërkuar për terrorizëm. Por, duket se gjendja në të cilën e gjeti Policinë e Shtetit, përplasjet e forta brenda llojit, ishin pengesa të forta për oficerin e karrierës, për të mbajtur zotimin se do ta kthente policinë në një strukturë model. Por, kur nuk kanë kaluar as dy muaj nga largimi i tij nga drejtimi i uniformave blu në sfond shfaqet për të detyra e rëndësishme e oficerit të kontaktit në Uashington, që duket se pret vetëm një firmë./22maj2015 / Burimi i informacionit shtypi i Tiranës – gazeta Shqiptare, Balkanweb dhe gazeta Shqip
Komentet