Që nga nisja e ofensivës ushtarake ruse për të pushtuar Ukrainën shumë teori konspirative kanë qarkulluar për shëndetin e Vladimir Putin dhe planet sekrete për rrëzimin e tij.
Një dhe i vetmi që guxoi t’i shkonte deri fare pranë Moskës me mbi 5000 mercenarë për ta rrëzuar nga pushteti, ishte lideri i grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin. Por edhe ai tashmë është një kujtim i largët dhe i hidhur për kreun e Kremlinit, pasi u shua në avionin çarter që u rrëzua pak kilometra nga kryeqyteti rus.
Pavarësisht kësaj në Perëndim ka ende që besojnë se Putin mund të rrëzohet dhe pushteti i tij është fragjil, e varet nga ecuria e luftës në Ukrainë.
Një ndër ta, ish-shefi i CIA-s Jack Devine beson se Putini është bërë gjithnjë e më i paparashikueshëm dhe i rrezikshëm dhe nuk do të heqë dorë nga lufta e tij, por mund të rrëzohet me një grusht shtetit sipas planit të “Mjellmës së Zezë”. 83-vjeçari pretendon se nuk do të habitej aspak nëse Putin do të “zhdukej që nesër”.
Teksa ekspertët e gjeopolitikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare kanë paralajmëruar se Putini mund të mos festojë ditëlindjen e 72-të, sipas Devine shanset për një grusht shteti nga rrethi i tij i brendshëm po rriten pas ngërçit që po has Rusia në Ukrainë.
Devine, i cili punoi për CIA-n për 32 vjet, tha për The Sun: “Do të jetë një surprizë. Është gjithmonë ajo që ne e quajmë “Mjellma e Zezë” që shfaqet nga hiçi”.
“Putini mund të zhduket nesër dhe nuk do të habitesha nëse ndonjë element në qeveri do të kishte vendosur se do të merrte masa ekzekutive. Për t’u realizuar një ‘Mjellmë e Zezë’, besoj se ka një ngërç që vlen dhe ky po ndodh pikërisht tani. Unë nuk mendoj se do të jetë një kryengritje. Besoj se do të jetë një nga ato që ne e quajmë një grusht shteti i ardhur nga brenda pallatit”, tha ai.
Sa i përket fundit të konfliktit në Ukrainë, Devine paralajmëron se do të nisë vetëm kur lufta të jetë në ngërç total dhe të dyja palët të jenë realisht të lodhura.
“Unë nuk mendoj se do të bëhet më mirë. Ai nuk është largua nga Ukraina dhe ndalesa nuk është fitore. Ukrainasit nuk do t’u japin atyre territor. Putini nuk do të tërhiqet. Temperatura do të bjerë, kur të gjithë të kuptojnë se nuk ka shpresë që Putini të fitojë. Unë nuk mendoj se është shumë larg. Mendoj se vitin e ardhshëm do të shohim pothuajse një ngërç të përhershëm”, theksoi ish-shefi i CIA-s.
Pavarësisht se parashikoi vdekjen e Putinit në një grusht shteti në pallat, Devine, i cili udhëhoqi mijëra punonjës të CIA-s të përfshirë në misione të ndjeshme në të gjithë botën, nuk beson se presidenti rus do të humbasë zgjedhjet e vitit 2024.
Dhe ish-shefi i CIA-s paralajmëroi se i ashtuquajturi “boshti i së keqes” midis Kinës, Rusisë dhe Iranit duhet të shikohet me shumë kujdes.
“Ata po përpiqen t’i tërheqin aleatët e tyre në një aleancë dhe një bosht. Dhe unë mendoj se mund ta shohim duke u demonstruar me sulmin e Hamasit në Izrael dhe se si Rusia po e luan këtë lojë. Aftësitë ekspansioniste të Putinit janë psikologjike dhe politike tani, dhe mendoj se është bota joevropiane ku ai po bën disa përparime”, nënvizoi ai.sn