Në vijim të rrëfimit të saj në librin, “Të jesh apo të mos jesh PS”, të ish-anëtarit të Komitetit të Përgjitshëm Drejtues të Partisë Socialiste, Ylli Polovina, sekretarja personale e Fatos Nanos, në PS, Kristina Çupi, rrëfen për debatin që krijoi marksizmi dhe busti i Marksit që ish-nënkryetari i PS-së Servet Pëllumbi mbante në zyrën e tij. Sipas saj, busti i Marksit krijoi shumë probleme për PS-ne, derisa TVSH e asaj kohe, që komandohej nga Partia Demokratike në pushtet, e bëri kronikë.
Kristina bën vlerësimet e saj edhe për eksponentë të tjerë drejtues në PS-në e asaj kohe. Ilir Metën, Kristina e cilëson njeri me cilësi të arrira por kokëfortë e që kërkon të marrë shumë përgjegjësi mbi vete. Ishte koha kur mocioni i ardhur nga burgu i Bënçës nga Fatos Nano kishte kaluar në kongresin e PS, ndërkohë Servet Pëllumbi, e Gramoz Ruçi kishin dhënë dorëheqjen nga detyrat e tyre, ndërsa Ilir Meta kishte marrë detyrën e nënkryetarit të PS-së.
Rexhep Meidani, i cili kishte marrë postin e sekretarit të Përgjithshëm, për Kristinën ishte njeri i paanshëm që u shmangej grupeve dhe llafeve. Po mbi të gjitha, vlerësimin maksimal, Kristina e ka për
Fatos Nanon. Sipas saj, Nano ka aftësinë e tërheqjes, njeri që nuk i zë rrugë tjetrit, por vetëm i hap, nuk urdhëron por vetëm nxit. Në rrëfimin e saj nuk i shpëton as Rexhina Nano, bashkëshortja e kryetarit të PS-së. Duket se mes Kristinës dhe Rexhinës raportet kanë qenë korrekte, por jo të ngrohta. Këtë ajo e shpjegon me fjalët që i çonin persona që përflisnin punën dhe rolin e Kristina Çupit pranë Fatos Nanos.
Përse duhej hequr Servet Pëllumbi?
Serveti ngulte këmbë te Marksi. Mirë se në program nuk i përktheu vetë, ç’faj ka ai atje? Po me bustin çfarë donte? Si u gjet ai bust aty? Nuk e di. Ai bust kishte qenë aty, në zyrat e më parshme dhe veç kur doli një ditë. Më duket se kishte qenë në bibliotekë, pastaj Serveti e mori në zyrë dhe më vonë e paska vendosur në një vend të dukshëm, ku siç e dini e mori televizioni. Kur e pamë në ekran të TVSH-së që komandë kishte Berishën, sa nuk na ra pika. Ndoshta, ai e kishte nxjerrë në vend të dukshëm për të thënë se Marksi është një ekonomist i madh. Dhe në të vërtetë Marksi është një ekonomist i madh, por nuk e do Shqipëria. Shumë i thanë që më parë që ta hiqte, i kam thënë edhe unë, botërisht: “Shoku Servet, ju dua shumë, por unë do ta heq, kur ju nuk do të jeni në zyrë. Dhe nuk do ta merrni vesh se kush e ka hequr”. Ai mu përgjigj: “Do ta heq vetë unë dhe ti nuk ke të drejtë ta largosh”. “Mirë, i
thashë, ju i kuptoni vetë punët tuaja, por po e mbani kot, fare kot”. Unë nuk e di se çfarë bëhet në sferat e larta të partisë, nuk di gjë. Edhe letrat që vijnë nuk i marr unë, ato shkojnë tek ata. Nuk e them, ndonjë gjë edhe e kam zbardhur. Se Fatosi në burg ka dhe një magnetofon të vogël. Nuk e di a duhet thënë kjo, sepse kjo gjë nuk lejohet atje. Ai ka dhe një video, e fut atje kasetat që dëshiron. Edhe kjo më duket nuk duhet thënë e nuk duhet shkruar në libër. Me një fjalë, unë ndonjë gjë e kam zbardhur, por letrat e ardhura nuk i kam parë kurrë.
Ju lutem, mund të flisni diçka për Luan Hajdaragën? Si u bënë bashkë Servet Pëllumbi, Ilir Meta?…
Servet Pëllumbi nuk ka qenë kurrë bashkë dhe në një mendje me Luan Hajdaragën. As Ilir Meta. As nuk kanë qenë kurrë problem për partinë marrëdhëniet e tyre. Kur i thoshe Luan Hajdaragës që të vinte
në mbledhje, ai përgjigjej “S’dua!”. Atëherë, çfarë t’i thoshe?! Ata të gjithë kanë gjëra të mira. Ilir Meta, për shembull, është djalë i mirë. Ka cilësi të arrira, por jo me kaq kokëfortësi siç vepron ai. Them mbase kjo ndodhi për shkak të momentit. Do ta gjykojmë më vonë dhe më qetë atë çfarë ndodhi, por ndryshimi duhej bërë, ndryshim patjetër.
Po ky ishte një shpërthim fare i papritur, një rrufe në qiellin e kaltër, të paktën për opinionin…
Nuk ishte shumë qetësi para se të shpërthente. Mosheqja me kokëfortësi e Marksit, dëshira për të vazhduar me çdo kusht në rrugën e tyre… Nuk ishte aq shumë qetësi, prandaj edhe ajo u prish shpejt dhe me shumë zhurmë. Ilir Meta, për shembull, ende ishte jo aq i durueshëm për të mbajtur në shpinë aq shumë detyra partie. Në fillim këtë peshë u duk se e mbajti, por më vonë u kuptua se nuk e duroi dot. Do t’i kish mjaftuar ajo e kryetarit të Forumit Eurosocialist të Shqipërisë. E them edhe një herë se nuk kam gjë me kohën e sotme, kur njeriu dëshiron të konkurrojë lirisht. Le të konkurrojë. Por jo deri atje sa të thotë se ose zgjidhet sekretar i Përgjithshëm i partisë, ose hiç fare. Ose sekretar, ose s’ka! Po prit! Po të jesh politikan, me atë veprim që bëri, pak do të votonin për të. Ai votat e shumta i mblodhi për inat, ishin mjaft të zemëruar me mocionin, me kohën kur Fatos Nano e solli.
Po sekretari i Përgjithshëm, Rexhep Meidani?
Ky ka një të mirë, është i paanshëm, ku u shmanget grupeve, karrigeve, llafeve. E shoh nga veprimet, nuk i fryn zjarrit të fjalëve dhe hatëreve. Edhe nëpër kafene ku shkojnë të çlodhen, sa rri me një grup, shkon e ulet te tjetri. Është njeri me mend dhe nuk bën tifozllëqe. Tifozllëku këtu te ne është tamam sport, e bëjnë burra, por edhe gra. Këto bëjnë tifozllëk për Fatosin. Vijnë këtu, bëjnë zhurmë, marrin vesh se diku bëhet një mbledhje, nisen atje për të bërë gjurulldi. Më duket se nuk ka nevojë Fatos Nano për tifozllëk. Nuk besoj. Ah sikur të dilte shpejt nga burgu! Po të ndodhë kjo, ai çdo gjë do ta vërë në vend… Unë besoj shumë në aftësinë e tij, por edhe në tërheqjen e tij. Unë i besoj shumë tërheqjes së tij. Ai tërhiqet, ai nuk të zë rrugë, ai të hap. Ai dëgjon, dëgjon, jep mendimet e veta, por me fjalën e tij nuk mbyll rrugë, hap. Nuk urdhëron, nxit.
Gjithnjë duke dashur të mos hyjmë në përfolje të njerëzve, si e shpjegon “kryengritjen” e Hamdi Jupes, veçanërisht këmbënguljen e tij edhe për një kongres të jashtëzakonshëm të partisë?
Jupe ka kërkuar edhe dorëheqjen e Fatosit. Ai është i zgjuar. Nuk them jo. E çmoj si gazetar, shumë e çmoj, por mos është edhe pak karrierist? Nuk e di, nuk më vjen mirë që e them këtë gjë. Është po ai që para Kongresit tha “As Serveti, as Fatosi!”. Mua nuk më vjen keq se thotë për Fatosin, në kuptimin se mund të dorëhiqet apo të zëvendësohet, por nuk janë kushte të barabarta, njëri në burg, si mund të quhet ky konkurrim i lirë apo “modern”? Si? Thonë që nuk drejtohet partia që nga burgu. Dakord. Drejtimi nga burgu është shumë i vështirë, por, në fund të fundit, u drejtua. Nga e keqja, por u drejtua. Më duket absurde të diskutohet në këto kushte që kalon ai se duhet të jetë apo jo kryetar, sepse Fatos Nanon e krijuam ne, pra, të gjithë bashkë, dhe ai mbetet përfaqësuesi i aspiratave tona, simboli ynë, i të tërëve. E bëmë edhe kryetar ne, nuk na e solli kush apo na urdhëroi “qepeni gojën dhe rrini sus këtij shefi që po ju caktojmë!” Aspak. Fatosi mbase mund të bëhej biznesmen, nuk e besoj të mos ishte i zoti të bëhej kapitalist e pronar. Atij ia ndryshuam rrugën e jetës ne dhe tani, një ditë të bukur, kur ka hyrë në burg, pikërisht prej atij funksioni që i dhamë ne si kryetar partie, të kërkojmë të largohet?! I zemërohem momentit kur solli mocionin. Momenti, momenti! Mbase nuk ishte momenti, por do të mjaftonte kaq për të gjithë këtë zemërim kundër tij? Edhe gabim mund të ketë, njeri është. Unë nuk i duroj dot servilët, ata që përdorin emrin e Fatosit. Më vjen ndonjëherë të ulëras. Ka raste që më vjen në majë të gjuhës britma “ti je shoku i Fatosit more, ti?! Por përmbahem. Këta njerëz shpallen shokë të tij, pikërisht kur kanë nevojë për privilegj, për ndonjë karrige. Boll! Jam gati t’u them se “ke qenë ca kohë shok i Fatos Nanos, por nuk ke të drejtë të përdorësh këtë shokëri të tij në disa çaste si dëshmi apo rekomandim për t’u ulur në zyrë. Ti po e përdor Fatosin!”. Ai nuk ka nevojë për “partizanë” të tij, as për servilët, ai ka nevojë për njerëz që duan të punojnë. Rexhep Meidani është njeri i tillë. As “partizan”, as servil. Punëtor, korrekt, shumë i edukuar.
Një kuriozitet. Duke qenë këtu në një vend, nga ku vështron shumë si sillet me Partinë Socialiste administrata e shtetit?
Kur ishte Fatosi këtu, pra, në vitet ’92 e ’93, kjo administratë bënte sikur nuk na shihte, na linte të prisnim shumë prapa dyerve, por në prag të 26 majit, papritmas ndodhi mrekullia. Nuk prisnim ne, nuk
këmbëngulnim ne për një takim a material. Ishin ata që merrnin vetë në telefon në kishim ndonjë nevojë. Nuk harronin të pyesnin edhe si ishim me humor dhe me shëndet. Jemi të çuditshëm ne shqiptarët. Ja kështu ndodhi, mendohej se do të fitonim në zgjedhje.
Marrëdhëniet me Rexhinën?
Ah, doni të dini edhe këtë gjë? Nuk e di kush i ka çuar edhe ndonjë fjalë, por unë marrëdhëniet me të i kam korrekte. Mbase, edhe pak të ftohura. Nuk e di. Ka shumë halle ajo, shumë veta i shkojnë dhe i flasin. Nuk e di, unë jam treguar korrekte. Nuk kemi hapur muhabete për partinë.
Thonë që ajo nuk vjen në PS, për shembull që prej Kongresit…
Jo, ka ardhur. Ne në Kongres kemi qenë në kulm. Në kulm. Në të gjitha. Pa përjashtim në të gjitha. Kulm ka qenë ai kongres që nga përshëndetjet e delegacioneve të huaja. Aq emocione pati ai kongres sa Vasil Melo theu gotën. S’e dinte që ishte në “dy karrige” dhe duke pirë ujë e theu. Ashtu tha edhe ai, “është mbarësi”. Nuk është pak të kesh halle familjare, të kesh një plak për t’u kujdesur siç ka Rexhina. Unë vjehrrin kisha dhe tani e di ç’do të thotë të kujdesesh për një plak, por edhe llafe dëgjon nga të gjitha anët. Pse duhet të merret ajo “e tha kështu Kristina, apo nuk e tha kështu?”. E mbytin me fjalë,
prandaj e justifikoj sepse është grua e pjekur. Varet e gjithë kjo, edhe nga sa di të bëjë seleksionime. Njëra palë vjen në mëngjes, tjetra në drekë. Janë normale dhe gabimet kështu. E kam takuar pas mocionit dhe i kam thënë: “Xhina, gjendja është e rëndë”. I thashë pastaj: “Thuaj Fatosit të bëjë atë tërheqjen e tij të zakonshme”. “Faleminderit!”, më tha dhe kaq ishte thelbi i bisedës.
Komentet