ARISTIR LUMEZI/ Ish-kryetari i KQZ-së në 1997, Kristaq Kume, kur në vend u zhvilluan zgjedhjet e jashtëzakonshme, i përgjigjet Fatos Klosit duke thënë se nuk ka kërkuar asnjëherë pasaportë diplomatike për familjen e tij.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Kume shprehet se edhe pse i ofruan strehim në Itali nga ambasada italiane, nuk pranoi të largohet duke vazhduar detyrën. Kume tregon presionet që ka pasur që nga kërkesa për të regjistruar Zan Çaushin si kandidat për deputet në ato zgjedhje, apo mallkimet e Komitetit të Shpëtimit në Vlorë, thirrje që ndikonin te prindërit e tij që banonin aty.
Raporti paraprak i ODIHR-it vlerëson se KQZ-ja pati vendime kreative gjatë veprimtarisë së saj për zgjedhjet e 30 qershorit. Cili është vlerësimi juaj?
Për mendimin tim, KQZ-ja ka kapërcyer të drejtat dhe detyrat që i përcakton Kodi Zgjedhor për organizimin dhe administrimin e procesit zgjedhor, për sa kohë që është angazhuar në diskutim të një akti ligjor, i cili referuar legjislacionit shqiptar, nuk mund të jetë në vlerësimin tim objekt diskutimi nga KQZ-ja. Natyrisht që ky institucion nuk ka marrë vendim, për pasojë nuk mund të atakohet në Kolegjin Zgjedhor, por 4 anëtarë të tij që përbëjnë shumicën, janë deklaruar se dekreti i Presidentit është i paligjshëm dhe për pasojë me mundësinë që u jep shumica në këtë institucion, kanë vazhduar procesin. Ndërkohë që të njëjtën sjellje ndaj këtij akti, dekretit të Presidentit, mbajti dhe Kolegji Zgjedhor, që edhe ai nuk mori vendim për ta pranuar apo për ta konsideruar nul dekretin, sepse as nuk iu kërkua, por as nuk ka mundësi, në gjykimin tim, që ta trajtojë atë nëse do t’i kërkohej një gjë e tillë. Por me vendimin që mori për aktpadinë e bërë nga PUK, që kërkoi të çregjistrohej dhe KQZ-ja mori vendimin jo, pra që nuk mund të çregjistrohesh, pjesë të tij bëri dhe arsyetimin për dekretin e Presidentit për shfuqizimin e 30 qershorit. Për mendimin tim, kjo nuk sjell asnjë pasojë juridike direkte, por krijon kushte shumë të mira për t’u përdorur siç edhe u përdor politikisht. Këtë që them unë e ka konstatuar dhe e ka theksuar edhe misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE-ODIHR-it, ku ata shprehen se pasiguria juridike që shoqëroi procesin e 30 qershorit është shkaktuar si pasojë e kësaj sjelljeje ndaj aktit të Presidentit dhe të këtyre dy institucioneve dhe të aktorëve të tjerë pjesëmarrës në procesin zgjedhor. Ata shprehen se vlefshmëria apo pavlefshmëria e këtij akti është e drejtë ekskluzive e vendimmarrjes vetëm e Gjykatës Kushtetuese.
Kjo veprimtari e KQZ-së, a mund të atakohet në ndonjë institucion gjyqësor?
Jo, nuk mund të atakohet, vendimet e KQZ-së mund të atakohen vetëm në Kolegjin Zgjedhor dhe vendimet e Kolegjit janë përfundimtare dhe s’mund të atakohen. Gjykata Kushtetuese, me ndryshimet që janë bërë, nuk ka asnjë hapësirë që të trajtojë çështje që lidhen me zgjedhjet dhe kjo është konstatuar edhe në raportin e mëparshëm të ODIHR-it si problematike dhe është rekomanduar që të shihet mundësia në legjislacionin zgjedhor që të krijohet hapësirë për Gjykatën Kushtetuese në procesin zgjedhor.
Në një intervistë për “Panorama”, zoti Fatos Klosi ka sjellë në vëmendje kërcënimet dhe tentativën për atentat ndaj jush me përplasje makinash në 1997 si kryetar i KQZ-së. Kërkuat ju pasaporta diplomatike për familjen tuaj?
Zgjedhjet e 1997-s u zhvilluan në një situatë totalisht krejt të ndryshme nga situata e sotme, populli ishte i armatosur, armët ishin rrugëve, kur qeveria e Bashkim Finos arrinte të administronte vetëm gjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Kujtoj se pavarësisht se situata ishte e tillë, KQZ-ja u mor në mbrojtje nga RENEA vetëm pasi u pa se ishte bërë tentativa për të vendosur eksploziv në tunelin që lidhte KQZ-në me hotel “Rogner” dhe atëherë është kërkuar që KQZ-ja të merrej në mbrojtje. Kujtoj faktin që dera e mbledhjeve të KQZ-së qëndronte e hapur dhe te dera rrinte një oficer i Gardës me mitraloz në dorë kur ne bënim mbledhje. E gjithë puna e KQZ-së zhvillohej në sfondin e një situate të jashtëzakonshme. Komunikimi me administratën zgjedhore në rrethe ishte shumë i vështirë. Presioni nga bandat, që bënin ligjin në shumë rrethe të vendit, ishte i madh. Kujtoj p.sh. presionin që bëhej për të regjistruar Zan Çaushin kandidat për deputet, ose rastin kur për të ndihmuar komisionin zonal në Vlorë për të regjistruar kandidatët dhe për të marrë dosjet e kandidatëve, u dërgua me helikopter një anëtar i KQZ-së sepse komisioni zonal e kishte të pamundur të vepronte etj.. Unë si kryetar i KQZ-së jam marrë në mbrojtje nga Garda e Republikës me ndërhyrjen e Bashkim Finos, vetëm pas ngjarjes së 2 korrikut, të revoltës që organizoi Leka Zogu. Ka pasur kërkesa nga anëtarë të KQZ-së, përfaqësues të PS-së, që të armatoseshin, të pajiseshin me pistoleta. Kur e kam diskutuar me Bashkim Finon, ai më ka thënë: Çfarë është kjo kërkesë e çuditshme?! Unë i kam thënë se secili ka të drejtën e tij të shprehet, unë nuk jam dakord me këtë gjë, por nuk u mor një vendim i tillë për armatosjen e anëtarëve të KQZ-së. Pavarësisht nga gjithë situata në të cilën zhvillohej procesi, ndryshe nga sa thotë z. Klosi, me duhet të them se në asnjë rast unë nuk jam kërcënuar direkt dhe aq më pak të jem përballuar fizikisht me veprime që mund të më rrezikonin jetën mua ose familjes sime. Se çfarë ka ditur më shumë ose ka mësuar më shumë për shkak të detyrës z. Klosi, kjo është tjetër gjë. Natyrisht, presioni mbi mua direkt dhe indirekt nuk ka munguar. Kujtoj p.sh., deklaratat e përsëritura të përfaqësuesve të Komitetit të Shpëtimit te Sheshi i Flamurit në Vlorë, të cilët më mallkonin dhe bërtisnin se ‘Vlora të mohon dhe si djalë të saj dhe do të të japë çfarë meriton’. E rëndë ishte kjo për mua, por akoma shumë më e rendë për nënën e babanë tim, që jetonin në Vlorë të vetëm, në një shtëpi ballëpërballë me vendin nga ku bëheshin këto deklarata.
Ndaj jush nuk ka pasur tentativa për atentate apo kërcënime me përplasje makinash?
Ngjarje të tilla, që unë t’i shoh me sy, nuk kam parë, tjetër punë se çfarë është thënë, se çfarë është bërë, apo çfarë informacionesh ka pasur. Por unë mund të them një gjë: Që sekretari politik i ambasadës italiane më kërkoi që të pinim një kafe dhe të bënte një bisedë miqësore me mua. Ai më pyeti: Kryetar, pse e ke marrë përsipër këtë detyrë? Unë i thashë se e kam marrë si qytetar i këtij vendi, dikush duhet ta bënte. E dije se sa e vështirë ishte kjo detyrë,- më pyeti prapë. I thashë se sigurisht që e dija vështirësinë e kësaj detyre në atë situatë që kalonte vendi. Ai më tha: Ne jemi të gatshëm që familjen tënde ta marrim dhe ta çojmë në Itali. Unë i thashë: Nuk e kuptoj këtë kërkesë, sepse unë nuk kam asnjë në Itali. Për çdo gjë përgjigjemi ne,- më tha. Ai më kërkoi që të bisedoja dhe me familjen dhe t’u jepja përgjigje. Pasi unë e bisedova me familjen, e takova, e falënderova për propozimin dhe i thashë se nuk e ndiej veten të kërcënuar dhe se nuk kisha dëshirë që të zhvendosja familjen time jashtë vendit. Si ma tha, pse ma tha, cilat ishin arsyet pse ma tha, unë këtë nuk di ta them.
Ju nuk keni kërkuar pasaporta diplomatike për familjarët tuaj?
Si “budalla” që isha nuk kam kërkuar asgjë, sepse unë kisha gojën hapur dhe mund të kërkoja shumë gjëra, siç kërkuan shumë të tjerë që sot janë në SHBA. Mariza Linos, ambasadores së SHBA-ve në Tiranë, mund t’i kërkoja Green Card për veten time dhe familjen time dhe do ta kisha marrë menjëherë. Më është ofruar mbështetje, ashtu sikurse dhe Policia apo shefi i Rajonit Nr.3 në atë kohë, Albert Dervishaj, i cili kishte marrë urdhër të më qëndronte pranë gjatë gjithë kohës dhe e kreu me shumë korrektesë këtë detyrë. Se çfarë unë kam dëgjuar më vonë se kishim kaluar situata të ndërlikuara, nuk ka rëndësi të thuhen sot. Në atë kohë nuk kishim as kërcënime me SMS, sepse nuk kishim celularë. Por situata ka qenë shumë e rëndë. Kujtoj se në 2 korrik, kur kanë mësyrë forcat e Legalitetit në KQZ, unë kam dalë bashkë me Fatos Klosin në hollin e KQZ-së, turma e egërsuar në maksimum u fut brenda dhe pashë se kishin target Fatosin. E kam larguar Fatosin për në brendësi të zyrave të KQZsë, që të mos përballej dhe të shmangej kontakti direkt me turmën. Kam qenë në situata kur dëgjoheshin thirrje ‘vrite…vrite’…, por unë kam qëndruar në mes të hollit dhe u kërkova që të dilnin jashtë. Kur krahasoj këto histori me ditët tona, më duken të çuditshme. Kur dëgjoj që sot është marrë në mbrojtje KQZ-ja nga Garda, më duket qesharake, kur nuk ka ndonjë klimë terrori që duhet marrë në mbrojtje. Por është e qartë se është politika që e përdor këtë situatë për të krijuar një klimë pasigurie për të justifikuar veprimet e saj.
Komentet