Ish sekretari amerikan i Shtetit dhe këshilltari presidencial Henry Kissinger feston 100 vjetorin e lindjes këtë të shtunë, duke kapërcyer për jetëgjatësinë shumë bashkëkohës të tij politikë që udhëhoqën Shtetet e Bashkuara në një nga periudhat e saj më të trazuara, përfshirë presidencën e Richard Nixon-it dhe Luftën në Vietnam.
I lindur në Gjermani më 27 maj 1923, zoti Kissinger mbetet i njohur për rolin e tij kyç në politikën e jashtme amerikane të viteve 1960 dhe 1970, përfshirë përpjekjet e fundit për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga Vietnami, që ndodhi pasi emri i tij ishte lidhur tashmë pazgjidhshmërisht me shumë prej veprimeve të diskutueshme të konfliktit.
Siç shkroi në gazetën “Washington Post” i biri, David Kissinger, ish diplomati do të festojë 100 vjetorin këtë javë me vizita në Nju Jork, Londër dhe vendlindjen e tij, qytetin Fürth, në Gjermani.
Përgjatë viteve të fundit, zoti Kissinger ka arritur të ruajë rolin e tij ndikues si një burrë shteti me përvojë të gjatë, tek udhëheqësit e Uashingtonit.
Ai ka këshilluar presidentë republikanë dhe demokratë, përfshirë Shtëpinë e Bardhë gjatë administratës së zotit Trump, ndërkohë që mban një sipërmarrje ndërkombëtare këshillimi, përmes të cilit mban fjalime me theksin gjerman që nuk e ka humbur që kurse u largua nga vendlindja e tij, për t’i shpëtuar regjimit nazist, së bashku me familjen, kur ishte ende adoleshent.
Gjatë këtij muaji, zoti Kissinger u shpreh se me hyrjen e Kinës në bisedime po shënohet një pikë kthese për luftën në Ukrainë. Ai i tha rrjetit televizv CBS News se pret që negociatat të përmbyllen “deri në fund të vitit”. Ai ka bërë thirrje për paqe përmes negociatave, për t’i dhënë fund konfliktit.
Zoti Kissinger është gjithashtu bashkëautor i një libri për inteligjencën artificiale, që doli në shitje në vitin 2021, i quajtur “Epoka e inteligjencës artificiale dhe e ardhmja jonë njerëzore”. Ai ka paralajmëruar se qeveritë duhet të përgatiten për rreziqet e mundshme që lidhen me teknologjinë.
Gjatë tetë viteve si këshilltar për sigurinë kombëtare dhe sekretar shteti, zoti Kissinger u përfshi në ngjarje të rëndësishme të politikës së jashtme, përfshirë shembullin e parë të “diplomacisë së udhëtimeve” në kërkim të paqes në Lindjen e Mesme, negociatat sekrete me Kinën për të afruar marrëdhëniet e “ngrira” mes dy superfuqive në zhvillim dhe nxitjen e bisedimeve të paqes në Paris për t’i dhënë fund luftës në Vietnam dhe pranisë ushtarake amerikane atje.
Zoti Kissinger, së bashku me Presidentin Nixon, mbajtën gjithashtu peshën kryesore të kritikave të aleatëve amerikanë kur forcat komuniste të Vietnamit të Veriut morën kontrollin e kryeqytetit të Vietnamit Jugor, Saigon, në 1975, ndërsa personeli i mbetur amerikan u largua nga ai që tani njihet si qyteti Ho Chi Minh City.
Ai gjithashtu u akuzua si përgjegjës për zgjerimin e konfliktit në Laos dhe Kamboxhia, që bëri të mundur vendosjen e regjimit të gjenocidit të Kmerëve të Kuq që vrau rreth 2 milionë kamboxhianë.
Ai u njoh si nxitësi kryesor në periudhën e Detantes, një përpjekje diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik duke filluar nga viti 1967 deri në 1979 për të ulur tensionet e Luftës së Ftohtë përmes negociatave tregtare dhe të armëve.
Zoti Kissinger mbeti një nga këshilltarët më të besuar të Presidentit Nixon, gjatë administratës së tij nga viti 1969 deri në 1974, fuqia e tij vetëm sa u shtua, derisa për shkak të skandalit të përgjimeve (Watergate) ai dha dorëheqjen si president i 37 i Shteteve të Bashkuara.
Gerald Ford, i cili si zëvendëspresident u mori drejtimin e Zyrës Ovale pas dorëheqjes së paraardhësit të tij, i dha zotit Kissinger “Medaljen Presidenciale të Lirisë” në vitin 1977, duke thënë se zoti Kissinger “ushtroi fuqinë e madhe të Amerikës me mençuri dhe dhembshuri në shërbim të paqes”.