Vllasova Musta, foto Vlasov Sulaj / Musta dhe Spahivogli
Histori dashurie të lëna në mes të rrugës, për shkak të regjimit izolues që nuk i lejoi të kapërcenin kufijtë e Shqipërisë, kemi njohur jo pak… Sidomos, ato pasionantet mes studentëve tanë në Moskë dhe vajzave flokëverdha me sy blu, të cilat të marrosura pas djelmoshave shqiptarë rendën pas fatit për t’i ndjekur edhe në vendlindjen e tyre, aty ku regjimi nuk pyeste për çështje zemre…
Të degdisur në internime, të ndarë për së gjalli, apo të ribashkuar pas vitesh të tëra ndarjeje, dashuritë shqiptaro-ruse apo edhe të tjera që ndodhën në vendin tonë nisën të dalin në dritë dhe të kujtohen shumë vite më pas, me rënien e diktaturës. Drama njerëzore të denja për subjekte artistike, mbi të cilat çdo skenarist o regjisor do t’ia kishte ënda të punonte. E jo se dikush nuk është përpjekur ta bëjë deri më tash, të kuptohemi…
Një ndër to është edhe historia e Kujtim Spahivoglit, e cila nisi në vitin 1973, ku si një prej bashkëpunëtorëve të Fadil Paçramit u godit me grupin e artistëve të kohës. Regjisori e aktori i njohur nuk e kish menduar se do të ishte vetë personazhi i një drame, por jo nga ato të trilluara nga fantazia, por një drame të vërtetë, me fund të dhimbshëm. Sot për të rrëfen ish-bashkëshortja, poetja Vllasova Musta, e cila, edhe pse bashkudhëtare në një rrugëtim vetëm pesëvjeçar me të, mund të tregojë detaje nga jeta me artistin; dellin e tij të krijimtarisë, që me sa duket edhe e penalizoi pasi ngjiti në skenë shfaqjen “Banja” të Majakovskit, e cila u cilësua si grusht i rëndë kundër regjimit komunist dhe pushtetit në fuqi.
Pse Vllasova sot fajëson Ramiz Alinë si personin që stisi gjithçka, që më pas ra në vesh të Enver Hoxhës, duke e etiketuar Kujtimin si një prej mbështetësve të artit dhe punës së Paçramit. Pas Plenumit të katërt, çdo dyshim do të vërtetohej, sidomos pasi vetë Enveri ish shprehur se Kujtimi ishte një prej vlerësuesve të atij që tashmë ishte armiku i Partisë, Fadil Paçrami. Vllasova, me të bijën vetëm disamuajshe, ishte përpara zgjedhjes për të qëndruar me të shoqin apo për t’u divorcuar, si një formë shpëtimi për familjen e re dhe të afërmit e saj. Zgjodhi këtë të dytën për motive personale, ndërsa Kujtimi vuajti për vite me radhë në internim. E gjykuar apo jo për këtë gjest, poetja jep arsyet e saj, ndërsa edhe në ditët e fundit të jetës, kur Kujtimi kërkoi që familja të bashkohej si dikur, ishte e bija, Ani, që e gjeti të vdekur të atin në shtëpi. Pavarësisht rrjedhës së ngjarjeve dhe vendimit të divorcit për të shpëtuar familjen e prindërve të saj, Vllasova nuk u martua më…
Pas kalimit të projektligjit në Fletoren Zyrtare, Teatri i Komedisë tanimë ka marrë emrin Teatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Si ndiheni për faktin e rivlerësimit të figurës së artistit?
Që në momentin e parë që dëgjova propozimin se Teatrit të Komedisë do t’i jepej emri i Kujtim Spahivoglit, u mrekullova. Një lajm i bukur, i gëzuar, që vinte në vend dinjitetin dhe emrin e tij. Në këndvështrimin tim, pak rëndësi ka nëse ishte një vendim i vonuar. E rëndësishme është që ky ishte një akt që u prit mjaft mirë jo vetëm nga ne familja, por edhe kolegë e ish-studentë të Kujtimit. Menjëherë njoftova time bijë, e cila jeton në Gjermani dhe ajo patjetër që u lumturua. Madje, kur Ani erdhi në Tiranë, ne shkuam të dyja për të parë shfaqjen “Djemtë gazmorë”, si edhe për të ndier emrin e ri të këtij institucioni artistik. Por askund nuk e pamë emrin e Kujtimit, as në afishet apo posterat pranë teatrit, dhe u ndjemë disi keq, të jem e sinqertë… Besoj se kjo situatë do përmirësohet me kalimin e ditëve.
Pak ditë më parë, ju promovuat një vëllim me poezi titulluar “Më thuaj diçka të bukur”. Në faqet e tij ka edhe poezi kushtuar Kujtimit, apo jo?
Poezitë janë të krijuara gjatë viteve të fundit. Para këtij botimi kam prezantuar një libër tjetër me titull “Kthema diellin tim”, ku Tim është emri i nipit tim (domethënë, i kemi vendosur emrin e Kujtimit). Aty ka poezi të periudhës së vonë, por edhe dy apo tri poezi të shkruara më herët që i përkasin Kujtim Spahivoglit, të cilat nuk janë botuar më parë dhe i sjell për herë të parë. Janë krijime të ndjera, frymëmarrja e shpirtit. Pasi kur unë trokas te poezia, ulem të shkruaj pasi ajo më thërret dhe besoj kjo është një nga ato ndjesitë më të rralla për krijuesin. Shkruaj për ndjenjat njerëzore, nga dhimbja te kënaqësia, duke i bërë krijimet e mia personale pjesë të një spektri të gjerë kreativ, siç në fakt është edhe vetë jeta e njeriut…
Poetja interviste ne suplementin “Une Gruaja” ne “Panorama” për historinë e zgjidhjes së martesës jetëshkurtër nga regjisori i ndjerë, Kujtim Spahivogli
Komentet