Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, është një test se sa bashkësia ndërkombëtare është e interesuar në zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Ai ka deklaruar së fundmi se duhet të formohet Asociacioni, pasi që serbët kanë jetuar me shekuj në Kosovë.
Megjithatë, sipas ambasadorit amerikan, Kosova dhe Serbia nuk kanë pranuar ende asgjë pavarësisht se shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, pas takimit të 27 shkurtit ka thënë se palët kanë pranuar planin evropian.
“Mendoj se po ecë në drejtimin e duhur, por duhet të presim dhe të shohim sepse askush ende nuk ka pranuar për asgjë. Nuk dua të flas për gjëra konkrete e afate, por mendoj se e rëndësishme është që çështjet po zgjidhen, që pas 10 vitesh më në fund të formohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe dhe që shumë e shohin këtë si një test se sa bashkësia ndërkombëtare është e interesuar në zgjidhjen e kësaj çështje, dhe unë mund të them se kështu është. Duhet vetëm durim”, ka deklaruar Hill.
Pas takimit me emisarin evropian Miroslav Lajçak, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, u shpreh i gatshëm që më 18 mars në Ohër ta nënshkruajë Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, bazuar në planin franko-gjerman.
E “pranimin” e planit evropian nga Kurti, ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, e sheh si një hapje. Por, ai ka pyetur se çfarë do të ndodhë me 150 mijë shqiptarët që jetojnë në Serbi.
“Duket se është një hapje, por çfarë ndodh me 150.000 shqiptarët që jetojnë në Serbi? Pse nuk kanë të drejta shtesë? Dhe pse askush nuk i kërkoi Serbisë të ratifikojë marrëveshjen e 2013-ës?”, ka shkruar Bosch, në një postim në Facebook.
Ai ka shtruar një pyetje edhe për ambasadorin amerikan në Serbi Chrisopher Hill.
“A nuk e sheh dikush siç është ambasadori Hill se ku ka çuar edhe kënaqja e vazhdueshme e Serbisë? A mësojmë ndonjëherë?”, ka thënë diplomati holandez. syri.net