Voal – Kreu i LDK-së, Isa Mustafa i ka quajtur zagarë të Hashim Thaçit ata që po thonë se ai do të arrestohet. I quan me mendësi vrastare, ndërsa i krahason me vrasjet e veprimtarëve të shumtë të LDK-së pas luftës.
“Edhe ju po i dëgjoni shërbëtorët e Hashim Thaçit në emisionet e ‘Klan Kosova’ se si po më arrestojnë çdo ditë. Kjo është punë e zagarëve. Hashim Thaçi i ka lëshuar zagarët, sepse po frikësohet që po i shuhet magjja e qeverisë korruptive”, ka shkruar Mustafa në Facebook. Por nuk e ka lënë me kaq.
“Lexova këto ditë disa shkrime ne gazetën ‘Koha Ditore’ lidhur me vlerësimet e NATO-s për krimet e ndodhura në Kosovë dhe rrjetin e krimeve. Më doli se është më lehtë të përballesh me zagarët sesa me gjahtarët. Këta nuk kanë forcë të më vrasin, por kanë dëshirë të më arrestojnë, sepse po e humbin pushtetin. Të ngjashmit me këta bënin gjueti pas lufte; ata vranë shumë veprimtarë të LDK-së. Sa i përket profesionit, nuk dallojnë shumë, nuk është me rëndësi a janë profesorë, ministra apo gazetarë. Sepse, mendësinë e kanë vrastare”, ka shkruar Mustafa./marrë nga koha.net 26 Maj 2014
(Voal po i përcjell lexuesit se ku është përqendruar Isa Mustafa dhe LDK gjatë fushatës zgjedhore 2014. Me këtë fushatë LDK ka mashtruar votuesit, sepse pas fushatës i harroi premtimet. Voal shpreson që të mos censurohen tash e mbas arkivat e portaleve dhe gazetave të Kosovës.)
Komentet