Voal po i përcjell lexuesit se ku është përqendruar Isa Mustafa dhe LDK gjatë fushatës zgjedhore 2014. Me këtë fushatë LDK ka mashtruar votuesit, sepse pas fushatës i harroi premtimet. Voal shpreson që të mos censurohen tash e mbas arkivat e portaleve dhe gazetave të Kosovës.
Voal – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidati i saj për kryeministër të ardhshëm të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë të hënën gjatë një takimi me strukturat drejtuese të degës së pestë të LDK-së në Prishtinë dhe banorë të Hajvalisë dhe Malësisë së Gollakut, se vetëm LDK është partia politike, e cila ka mundësi t’i rrëzojë me votë nga pushteti PDK-në e Hashim Thaçin, të cilët po vazhdojnë të sillen si sundimtarë dhe tutorë të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës.
“Partia e Hashim Thaçit e ka kapur për fyti shtetin, kërcënon çdo ditë kë të dojë, kujt të dojë i thotë të burgosi, të arrestoj, të liroj, t’i zvogëloj pagat, t’i rrisë pagat. Por, ky shtet nuk është shtet i sundimtarit. Pronar i këtij shteti nuk është Hashim Thaçi, nuk është PDK, pronar i këtij shteti është dhe do të jetë qytetari, populli, sovrani dhe prandaj ne kemi obligim të bëjmë ndryshime, t’ua heqim qafe qytetarëve tutorizmin, bandat, kriminelët, sepse vendin me kriminelë nuk mund ta çojmë përpara”, ka thënë Mustafa.
Kandidati i LDK-së për kryeministër, Isa Mustafa, ka theksuar se LDK është e mobilizuar dhe duhet të mobilizohet edhe më shumë deri më 8 qershor, që vullnetin e qytetarëve për mbështetjen e alternativës së saj qeverisëse të mos lejojë t’i rrëshqas nga dora.
“LDK e ka pikë përnime ta rrëzojë qeverinë e Hashim Thaçit dhe atij e bashkëpunëtorëve të tij të mos ia mundësojë kurrë më të kthehet dhe ta kriminalizojë këtë vend”, ka thënë Mustafa, sipas të cilit, LDK, në zgjedhjet e 8 qershorit do të marrë mbështetjen edhe të shumë qytetarëve që nuk kanë qenë pjesë e LDK-së, por që dëshirojnë ndryshime në mënyrën e qeverisjes së vendit dhe që LDK-në e shohim si mundësi për ta realizuar atë objektiv.
“Qeverisja e deritanishme, shtetin e Kosovës e ka bërë t’i përngjajë shteteve të ish-Bashkimit Sovjetik, në pikpamje të kapjes së shtetit. Gjithçka është monopolizuar, është kriminalizuar. Këta nuk kanë me lan gjë pa bërë me fitu edhe një mandat për me shpëtu, Ne nuk do të lejmë asgjë pa bërë për t’i rrëzuar ata nga pushteti dhe për t’ua kthyer shtetin qytetarëve”, ka thënë Mustafa..Indeksonline/
20:23 / E hënë, 26 Maj 2014
Komentet