Pas skandalit të fundit të ashtuquajtur i “BMW X5” të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e servisuar nga djali i kryeministrit të vendit Besnik Mustafa (“Makcar”) në vlerë prej 2.964 euro, po na delë se 70 akuzat e VV-së kundër Isa Mustafës nuk paskan qenë krejtë letër e pavlerë!
Në vendet demokratike, do të mjaftonin vetëm shtatë prejt tyre për pamundësuar kandidimin dhe zgjedhjen në krye të ekzekutivit,…për një njeri me integritet moral do të mjaftonte edhe një akuzë e vetme për shpërdorim detyre apo korrupsion për t’u tërhequr nga kandidatura dhe posti i kryeministrit.
Eh, sa do të ishte fat i mirë për vendin sikur 2.964 euro, të jenë i vetmi rast i shpërdorimit nga ana e kryeministrit të vendit. Mënyra e dhënjes së tenderit dhe reagimit të kryeministrit të vendit ndaj këtij skandali qeveritar (familjar), në opinionin vendor thellon akoma më shumë dyshimet se ky rast u përdor me qëllim (nga kryeministri) për shpërqendrim të vëmendjes së opinionit publik nga abuzimet shumfish më të mëdha, nga aferat korruptive qindëra milionshe dhe nga efektet e dëmëve politike që i solli vendit për këta muaj të qeverisjes.
Ndaj skandalit të BMW-së, Isa Mustafa nuk reagoi si kryeministër, por si babë i papërgjegjshëm, i cili motivon fëmijët e tij në ushtrimin e zanatit të hajnisë.
Në këtë mënyrë Mustafa, më shumë se sa kryeministër i një vendi ku skandalet e nepotizmit, korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk kanë të ndalur, na u shfaq si zëdhënës i një kompanie (“Makcar”) dhe mbrojtës i djemve të tij, duke u munduar ta minimizojë hajninë familjare.
Në anën tjetër vartësit dhe të klonuarit e tij mundohen ta arsyetojnë atë që ka ndodhur, duke u thirrur në procedura të “rregullta” të zgjedhjes së kompanisë së Mustafëve si fituese të tenderit, duke shkuar aq largë me konstatimet e tyre se gjoja rasti nuk përbën kurrfarë shkelje ligjore e as konflikt interesi !
Edhe sikur të jetë gjithçka në rregull, përtej kësaj ekziston diçka që quhet moral njerëzor. Në vend se t’i mbrojë djemtë e të akuzojë oponentët politik dhe mediat, Isa Mustafa është dashur që para marrjes së postit të të parit të qeverisë, t’ua bëjë të qartë familjarëve se nuk është e hijshme që ata të marrin pjesë në tendere dhe as të përfitojnë nga zyra e tij, deri sa ai të jetë në krye të pushtetit (ekzekutivit).
Një qasje e tillë do të qonte në vendosjen e një standardi të mirëqeverisjes, llogaridhënies dhe fuqizimit të luftës kundër nepotizmit dhe korrupsionit, premtime këto përmes të cilave Isa Mustafa ua grabiti votën elektoratit rugovian të LDK-së në zgjedhjet e fundit nacionale të 8 qershorit të vitit të kaluar.
Një lider që pretendon të qeverisë me duar të pastra nuk lejon që djemtë apo të afërmit e tij të fitojnë tender nga zyra e tij, kjo është e para,…e dyta, një kryeministër që flet për transparencë në qeverisje dhe liri të mediave nuk sillet me arrogancë e nervozë ndaj oponentëve politik dhe mediave…
Mirëpo kryeministri i vendit në vend që t’i thërras ndërgjegjës së tij, vazhdoj edhe më keq me përgjigje në mënyrën më banale ndaj akuzave të oponentëve politik dhe mediave, duke harruar se është kryeministër i të gjithë qytetarëve të vendit.
Ndodhi pikërisht kështu për faktin e thjeshtë se; Isa Mustafa nuk është Kryeministër si produkt i zgjedhjeve, por është produkt i një shoqërie, e cila edhe mëkatarit të djeshëm, i lejon të skandalizoj të sotmen dhe të ardhmen e vendit të vet !
Gjuha e përdoruar nga i pari (dyti) i ekzekutivit është një paralajmërim i keq i kthimit të vendit në një përiudhe sa të errët dhe po aq të zezë të një regjimi diktatorial, të logjikës së një shteti policor që ndjek e përndjek të gjithë qytetarët që mendojnë ndryshe nga pushtetarët.
Mënyra e komunikimit e Isa Mustafës me opinionin publik dhe oponentët politik nuk ka asgjë të përbashkët me kulturën politike që kishte LDK-ja në të kaluarën jo shumë të largët të saj. Kjo gjuhë e egër dhe fyese e të parit të qeverisë (LDK-së) ka shkaktuar polarizime dhe po shkakton situatë konfliktuoze shumë të rrezikshme për stabilitetin e vendit.
Të mjerë janë ata që kanë sy e nuk shohin, që kanë vesh e nuk dëgjojnë për të këqijat që kanë katandisur institucionet e vendit dhe shoqerinë kosovare pas njohjes ndërkombëtare të 17 shkurtit 2008, elaborimi i të cilave kërkon kohë dhe hapsirë më të gjerë mediatike.
Mirëpo, këtu po bëjmë fjalë vetëm për disa nga efektet e dëmëve politike të Isa Mustafës, që janë shumfish më të mëdha se sa ato ekonomike të ditëve të fundit.
Pas ardhjes puqiste në krye të LDK-së në 2010-në (edhe pse në opozitë asokohe), sa herë që e kërkonte nevoja LDK-ja e Isa Mustafës ratifikonte në kuvend marrveshjet e Hashim Thaçit me Daçiqin në Bruksel, siq ishte ajo famozja e 19 prillit 2013,…kumbar i së cilës u bë vet Isa Mustafa me vënjen e nënshkrimit të tij mbi atë marrveshje me 25 gusht të këtij viti në Bruksel, e cila shënon kulminacionin me ndarjen territoriale të vendit përmes serbizimit të Kosovës me “Zajednic”.
Nëse i analizojmë zhvillimet e ngjarjeve pas zgjedhjeve nacionale të 2010-s, atëherë Isa Mustafa na delë shkaktari numër 1 i të gjitha të këqijave në vendin tonë, i cili me mbështetjen e tij politike e ndihmoi dhe mbajti në pushtet keqqeversjen e PDK-së, si të keqën më të madhe për vendin në përiudhën e pasluftës.
Edhe pse në opozitë, pas shkarkimit të zotit z. Behxhet Pacolli nga posti i presidentit të shtetit nga “Kushtetuesja”,…ishte marrëveshja antikushtetuese e treshes politike; Thaçi-Pacolli-Mustafa” me ndërmjetësimin e Dellit amerikan që shpëtuan rënjën e Thaçit nga pushteti përmes “presidentes (police) nga zarfi”, paradoks ky i kohës sonë.
Ngjajshëm, por akoma më keq, Mustafa veproj edhe pas zgjedhjeve të 8 qershorit të vitit të kaluar,…ku si humbës i zgjedhjeve, për t’i shpëtuar ndëshkimit të elektoratit të LDK-së, dy ditë pas zgjedhjeve i manipulon dy partitë minore (AAK-në dhe NISMA-në), më vonë edhe VV-në duke e formuar bllokun opozitar pasgjedhor V-LAN, përmes të cilit për afro gjashtë muaj pamundësoi krijimin e institucioneve të reja shtetërore.
Në momentin kur “Kushtetuesja” e rrëzoi Isa Mustafën nga posti i kryeparlamentarit të zgjedhur nga V-LANI, ai e muar si shkas largimin nga koalicioni për ta shpëtuar sërish Hashim Thaçin, kësaj radhe jo vetëm nga rënja e pushtetit por edhe nga “vdekja” politike, duke e rehabilituar atë në kundërshtim me vullnetin politik të shumicës shqiptare në vend.
Thënë ndryshe, ardhja e Isa Mustafës në krye të ekzekutivit në mënyrë paradoksale (puçiste) e ka shëndrruar atë në monstrum të politikës kosovare!
Vallë deri kur ky popull do të vazhdoj të hesht ndaj qeverisjes paradoksale e të korruptuarëve, hajdutëve, mafiozëve, kriminelëve, banditëve, politikanëve analfabet, maskarenjëve e tradhëtarëve të interesave të vendit të tyre ?!
Komentet