Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa përsëriti se qeveria që ai drejton do të procedojë për herë të dytë në Kuvend amandamentin kushtetues për themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte, të cilin deputetët e kishin rrëzuar në votimin e seancës së 26 qershorit.
Ndonëse nuk foli për afatin se kur mund të ri-procedohet ky amendament dhe në çfarë forme ligjore, Mustafa shprehu besimin e tij që Kosova të përmbushë këtë obligim që ka marrë përsipër para bashkësisë ndërkombëtare.
Këto komente ai i bëri gjatë një akademie përkujtimore kushtuar të rënëve për lirinë e Kosovës në betejën e Loxhës.
Kryeministri i Kosovës u shpreh më se i bindur që votimi i 26 qershorit nuk ishte një kurdisje politike për dështimin e Gjykatës Speciale pasi që deputetët votuan “sipas vullnetit të tyre”.
Por, përkundër këtij vullneti, Mustafa u bëri thirrje deputetëve që të kalojnë mbi veten dhe të votojnë Gjykatën Speciale gjatë procedurës që pritet të përsëritet në ditët apo javët në vijim.
“Sot, po këta miq që na ndihmuan të arrijmë lirinë e synuar shekuj me radhë, na inkurajojnë të ballafaqohemi vetë me aktet e liga që mund të ketë kryer ndonjë individ, që të dëshmojmë se jemi të denjë dhe të aftë për të vënë drejtësi, pa marrë parasysh se sa e dhimbshme është kjo drejtësi për secilin prej nesh. Kosova duhet dhe është e aftë të ndërtojë shtet të së drejtës, ta vëjë drejtësinë në vend”.
Gjykata Speciale për Krime Lufte, ka burimin e saj në raportin e senatorit zviceran Dick Marty i cili kishte ngritur disa supozime për trafik organesh të civilëve serbë nga ana e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më pas, këto pretendime u miratuan në një raport të Këshillit të Evropës, i cili solli deri te formimi i një task-force ndërkombëtare që bëri hetimin e dyshimeve.
Si përfundim, Kuvendi i Kosovës në prill të vitit të kaluar miratoi letërkëmbimin mes presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga dhe ish-shefes së diplomacisë evropiane, baroneshës Catherine Ashton, ku parashihej edhe formimi i një Gjykate Speciale që do të merrej me pretendimet në raportin e Këshillit të Evropës.
Por, në kuadër të kompetencave të kësaj gjykate, Lidhja Demokratike e Kosovës në vazhdimësi kërkoi që të futen edhe rastet e pandriçuara të vrasjeve të pas luftës në Kosovë, ku në shumicën e rasteve viktima kanë qenë zyrtarë apo pjesëtarë të LDK-së.
Në këtë frymë foli edhe kryeministri dhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa, i cili tha se zbardhja e këtyre rasteve është borxhi i Kosovës ndaj viktimave.
“Përveç kërkesës për të zbardhur raste për të cilat angazhohet drejtësia ndërkombëtare, këtë e kemi me borxh që t’i zbardhim të gjitha rastet e vrasjeve politike të pasluftës, këtë ua kemi borxh viktimave, bashkëluftëtarëve, këtë ia kemi borxh Kosovës”, ka deklaruar Mustafa.
Kthimin e amandamentit kushtetues në votim të sërishëm në Kuvend po e kundërshtojnë të tri partitë opozitare.
Ndonëse fati i themelimit apo jo të Gjykatës Speciale, megjithatë, mbetet në duart e Partisë Demokratike të Kosovës, ngase një pjesë e deputetëve të këtij subjekti politik nuk e kanë mbështetur formimin e saj. rel
Komentet