Grupi ekstremist, Shteti Islamik (IS), e ka transmetuar një video ku shihet vrasja e dy ushtarëve të Turqisë me djegie. Ky transmetim u bë në kohën e angazhimit të militantëve të Shtetit Islamik kundër ushtarëve të Turqisë, në luftimet tejet të ashpra rreth rajonit al-Bab në pjesën veriore të Sirisë.
Grupi i inteligjencës SITE, me seli në Shtetet e Bashkuara, që i monitoron grupet ekstremiste, tha se videoja ishte shpërndarë nga IS-i në mediat e veta sociale gjatë ditës së djeshme.
Pasi kjo video është paraqitur, faqet e mediave sociale në Turqi janë bllokuar.
Pamjet shokuese në këtë video i kanë kthyer kujtimet e ekzekutimit të një piloti të Jordanisë nga ana e Shtetit Islamik, që ishte djegur i gjallë në një kafaz.
Turqia ka njoftuar se muajin e fundit e kishte humbur kontaktin me dy ushtarë që luftonin në Siri, megjithqë nuk është e qartë nëse ata janë ushtarët e paraqitur në video.
Nga ana tjetër, Observatori sirian për të drejtat e njeriut me seli në Londër, që i ka vëzhguesit në terren në Siri, tha se 24 civilë, që mbaheshin nga IS-i në al-Bab, janë vrarë nga sulmet ajrore turke.
Komentet