Kreu i Gjykatës së Lartë të Semnanit, i cituar nga media shtetërore, tha se i burgosuri “kishte kryer vetëvrasje”. Ai ishte arrestuar me akuzën e spiunazhit
VOAL- Mohammad Sadegh Akbari, presidenti i Gjykatës së Lartë të Semnanit, u citua nga media shtetërore iraniane të ketë thënë se të enjten në mëngjes “një shtetas zviceran kreu vetëvrasje në burgun e Semnanit”. Akbari, sipas faqes së internetit Al Arabiya, tha se burri ishte arrestuar në Iran me akuzën e spiunazhit dhe se një hetim për rastin ishte duke u zhvilluar. Ai nuk dha detaje të mëtejshme për identitetin e shtetasit zviceran dhe shtoi se përpjekjet për të ringjallur të burgosurin kishin qenë të pasuksesshme.
Shefi i komunikimit i FDFA-s njoftoi se Irani kishte informuar Departamentin e Punëve të Jashtme për vdekjen e shtetasit zviceran në burg.
Në vitet e fundit, Garda Revolucionare elitare e Iranit ka arrestuar dhjetëra shtetas të dyfishtë dhe të huaj. Kritikët akuzojnë Teheranin se mban shtetas të huaj si pengje politikë. Irani i hedh poshtë këto akuza dhe në përgjithësi i justifikon arrestimet me akuza për spiunazh. Numri i saktë i evropianëve të arrestuar në Iran nuk dihet.
Zvicra luan një rol të rëndësishëm ndërmjetës midis Uashingtonit dhe Teheranit, pasi SHBA dhe Irani nuk mbajnë marrëdhënie diplomatike.
Reuters/Al Arabiya/ATS/RSI