PRISHTINE – “Shteti Islamik po vepron lirshëm në katër shtetet myslimane që i ka “çliruar” Amerika, në Irak, Libi, Afganistan dhe tani, sipas Byrosë Federale të Hetimeve edhe në Kosovë. A është ky falënderimi që e marrim ne për derdhjen e gjakut dhe të parave tona,” shtron pyetjen autori i paemëruar në të përjavshmen “Investor’s Business Daily”, që botohet në Los Angeles.
Kjo e përjavshme ka shkrime dhe editoriale me tema nga fusha ekonomike, politike dhe kulturore nga gazetarë dhe kolumnistë të njohur si Richard Cohen, Charles Krauthammer, e të tjerë, me pikëpamje liberale dhe djathtiste. Më tej në këtë editorial thuhet se Byroja Federale Amerikane ka akuzuar një shtetas të Kosovës i cili kishte hyrë në kompjuterët e Pentagonit duke vjedhur informacionet personale për 1 mijë e 351 pjesëtarë të ushtrisë dhe qeverisë amerikane dhe të familjeve të tyre, përfshirë “email¬at, fjalëkalimet, emrat, numrat e tyre të telefonit dhe informacionit e vendndodhjes së tyre.”
FBI pretendon se i dyshuari, i riu kosovar Ardit Ferizi, ja ka dorëzuar këto të dhëna pjesëtarëve të Shtetit Islamik. “Ky sulm kibernetik me qendër në Kosovë që ndodhi nga qershori deri në gusht të këtij viti, i ka mundësuar Shtetit Islamik të krijojë një ‘listë vrasjesh’ ku përfshihen emrat dhe adresat pjesëtarëve të ushtrisë amerikane,” thekson e përjavshmja nga California.
Më tej editoriali nënvizon se i riu kosovar besohet të jetë udhëheqës i celulës së Shtetit Islamik, me bazë në Kosovë, siç thuhet ‘një shtet mysliman të cilin e çliroi ushtria amerikane në vitet 1990ta. Kjo celulë e quan veten Siguria e Hakerave të Kosovës,’ thekson ndër të tjera editoriali që vendveprimin e të riut kosovar e sjellë nga Malajzia ku u arrestua, tani në Kosovë. (rtk)
Komentet