Nga qendrimi i gazetares Alba Kepi që jeton e punon në Itali, pas transmetimit në RAI 3 të intervistës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës në emisionin investigativ “Report” me gazetarin Giorgio Mottola. Kepi ishte e ftuar në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV.
Kepi: Më lejoni të jap një mbështetje ndaj gazetarëve italianë pasi, pas publikimit të pjesës së dytë, akuzat ndaj tyre, sidomos nga publiku shqiptar dhe ai opozitar që më vjen keq ta them, ishin se u shitën te Rama apo i bleu Rama. E vërteta është se ashtu siç ishte deklaruar ekskluzivisht për SYRI TV dhe në intervistën që unë bëra, ata thanë se në 2 qershor do të japin pjesën e dytë dhe kështu ndodhi.
Pra, e vërteta nuk mund të shitet dhe të blihet ashtu siç ndodh në mediat shqiptare, që mbron; shumica prej tyre heshtën apo shumica prej tyre komentuan gjithçka që ndodhi se “Rama u përgjigj kështu” kur e vërteta ishte se ky program investigues solli këto të vërteta.
Tani, pas këtij programi, janë tri reflektime kryesore.
E para, mendoj se të vjen keq kur shikon sesi territori shqiptar, ekonomia shqiptare, sektorë të caktuar të saj, institucionet shqiptare përmes abuzimit të qeverisë, përmes kanaleve që vë në dispozicion klientelizmi, nepotizmi i tyre, përdoren dhe vihen në dispozicion të politikanëve të huaj; vihen në dispozicion të emrave që paguhen dhe nga taksat e shqiptarëve siç është Massimo D’Alema apo dhe nga ministra të qeverive të huaja siç rasti i ministrit Adolfo Urso jo për të zhvilluar vendin tonë jo për të investuar në vendin tonë por përdoret Shqipëria si një copë parajse që ata të ngrenë kompanitë e tyre dhe t’u shpëtojnë taksave apo kontrolleve të Guardia di Finanza në Itali apo halleve të tjera që mund të kenë me investimet apo me transparencën ndaj autoriteteve italiane.
Kjo është një keqardhje e jashtëzakonshme se si vendi ynë vihet në dispozicion të një qeverisjeje të tillë e cila e shfrytëzon për të pasur vetë mbështetje, propagandë në nivel ndërkombëtar. Përsa i përket Massimo D’Alema, unë që në gusht 2023 kur u zhvillua takimi i Melonit me Ramën në Dhërmi, pata shkruar një postim. Nuk ma vunë shumë zërin, por megjithatë e vërteta nuk vonon duke thënë se mbas gjithçkaje ishte Massimo D’Alema pasi kisha vërtetuar se ai punonte si këshilltar për qeverinë shqiptare. Dhe faktikisht dokumentet e shpallën dhe vetë Rama e deklaroi se ishte mentor i tij.
Reflektimi i dytë që unë bëj është se qysh në ulje apo në nisje të intervistës, Rama përdori një lloj sarkazme, ironie, përdori kundërsulmin e tij për të kërcënuar apo trembur të vërtetën apo i përdori këto të vërteta ndaj tij për t’i bërë ironike, për t’i kthyer në tallje dhe është tipike e strategjisë së tij sa herë që këto të vërteta i zbardhin gënjeshtrat, korrupsionin, mashtrimin që ai bën…”