Dr. Erand Llanaj – Kërkues Shkencor, Berlin, Gjermani
Dr. Taulant Muka – Kërkues Shkencor, Bern, Zvicër
Pikat kyçe
Mungesa e kontributeve shkencore: mbi 55% e kandidatëve nuk kanë asnjë publikim shkencor të indeksuar.
Plagjiatura: gjysma e kandidatëve janë akuzuar për plagjiaturë, duke minuar integritetin akademik.
Nënfinancimi kronik: universitetet përballen me financim të pamjaftueshëm dhe infrastrukturë të vjetruar.
Reputacioni në rënie: mungesa e kërkimeve dhe shkeljet etike dëmtojnë besueshmërinë e universiteteve.
Krahasimi ndërkombëtar: Kandidatët shqiptarë kanë produktivitet shkencor të dobët krahasuar me homologët evropianë.
Universitetet publike shqiptare janë në periudhë zgjedhore. Ndërkohë që pritej të ishin reformuar thellësisht pas protestës së studentëve në vitin 2018, dhe të ishin vendosur standarte të përmirësuara, sot vazhdojnë sfidat në përparimin e tyre si institucione të arsimit të lartë.
Largësia nga standartet Evropiane duket se nuk po ngushtohet, pavarësisht aspiratave të vendit për integrim në BE dhe zhvillim socio-ekonomik! Universitetet shqiptare vazhdojnë të vuajnë nga mungesa e konkurueshmërisë në nivel rajonal dhe ndërkombëtar, të njollosura nga shkelje të integritetit akademik, punë simbolike kërkimore dhe investime të pamjaftueshme ose pa risi/vlerë të shtuar për infrastrukturën kërkimore universitare.
Në këtë analizë, do të shqyrtojmë me kujdes situatën aktuale në universitetet shqiptare, e kryesisht me përfaqësimin në nivelet drejtuese të universiteteve, duke ofruar argumenta që theksojnë mundësitë për të adresuar krizën aktuale.
Kontributi dhe puna shkencore e kandidatëve për institucionet drejtuese
Gjendja paraqitet shqetësuese kur shqyrtojmë kandidatët për dekanë dhe rektorë të katër universiteteve më të mëdha në vend, Universiteti i Tiranës, Universiteti Bujqësor, Universiteti i Mjekësisë dhe Universiteti i Elbasanit. Sipas ligjit shqiptar dhe praktikave Evropiane, këta kandidatë supozohet se vijnë nga bota akademike dhe kanë tituj dhe grada shkencore, si simbole të një karriere shkencore me studime dhe botime të shumta, grante të fituara kërkimore dhe përvojë në mësimdhënie dhe lidership.
Kjo premisë bazohet në idenë se një rektor apo dekan, që është një figurë shkencore e mirënjohur dhe me kontribute, sjell shumë përfitime për universitetin – përfitime që variojnë nga përmirësimi i reputacionit institucional dhe sigurimi i fondeve shtesë, deri në nxitje e shkëlqimit akademik dhe inovacionit. Udhëheqja e tyre mund të kontribuojë ndjeshëm në misionin e universitetit dhe aftësinë e tij për të bërë një ndikim të rëndësishëm në shoqëri.
Megjithatë, kur analizojmë 34 kandidatët për dekanë dhe rektorë te 4 universiteteve kryesore (Tabela 1 dhe 2), bazuar në publikime të indeksuar në databazën Web of Science (arkiv shkencor dhe bazë të dhënash që njihet ligjërisht nga Ligji për Arsimin e Lartë për marrjen e gradave shkencore dhe titujve akademikë) rezulton që një pjesë e konsiderueshme e tyre, afro 56% (19 nga 34 kandidatë) nuk kanë asnjë studim shkencor të indeksuar (të llojit artikull ose përmbledhje shkencore), ndërsa 41% e tyre kanë vetëm 1-4 publikime (14 nga 34 kandidatë). Vetëm 1 kandidate ka 5 ose më shumë studime të indeksuara.
Edhe kur krahasojmë produktin shkencor të drejtuesve aktual, për shembull në Universitetin e Tiranës, me kandidatët për këto zgjedhje, nuk ka një përqaqësim më të mirë akademik (Tabela 1).
Kjo bën që niveli i tyre shkencor të jetë i barabartë me nivelin e fillimit të karrierës së një studenti doktorature ose post-doktorature në nivel ndërkombëtar. Për shembull, në krahasim me rektorët e universiteteve si La Sapienza në Romë, Gent-i në Belgjikë dhe Graz-i në Austri, të cilët kanë mbi 100 publikime, gjendja e kandidatëve tanë paraqitet shqetësuese.
Madje edhe në krahasim me dekanët aktualë në detyrë, kandidatët për pozita të larta akademike në këto zgjedhje në Universitetin e Tiranës nuk shfaqin një nivel që rezonon prodhim dhe kontribut shkencor. Për shembull, rektori aktual i Universitetit të Prishtinës (z. Qerim Qerimi) dhe rektori i Universitetit të Beogradit (z. Vladan Djokiç) kanë përkatësisht 6 dhe 11 publikime.
Kjo situatë ngre pikëpyetje lidhur me cilësinë dhe profilin e drejtuesve në institucionet tona universitare publike, dhe sesi ata i kanë marrë këta tituj – kur kriter madhor është produkti shkencor!
Ligjshmëria, integriteti, etika dhe plagjiatura
Një nga çështjet më të ngutshme me të cilat përballen universitetet shqiptare është problemi i përhapur i sjelljes joetike dhe të jashtëligjshme, veçanërisht plagjiaturës – përvetësimi i punës së tjetrit si punë origjinale e veta!
Studies dhe shkencëtarë shqiptarë i kanë ngritur shpesh këto çështje duke ilustruar me raste kontkrete, ku përfshihen ministra, ish-ministra, ish-zv. ministra, rektorë, zv. rektorë, dekanë e punonjës të nivelit të lartë në administratën shtetërore. Së fundmi, nga 10 kandidatët që konkurrojnë në këto zgjedhje për dekanë dhe rektorë në Universitetin e Tiranës, shihet se gjysma (50%) janë konstatuar ose akuzuar për doktoratura ose punime shkencore plagjiaturë, pra të vjedhura dhe të shfaqura si punë origjinale të tyre!
Për ilustrim, në këtë grup futet, dhe jo vetëm, rektori i Universitetit të Tiranës (z. Artan Hoxha), Dekania e Fakultetit të Drejtësisë (znj. Dorina Hoxha), zv. Rektori i Universitetit të Tiranës dhe njëkohësisht kandidati për dekan të Fakultetit të Ekonomisë (z. Bernard Dosti), si dhe dy kandidatët për dekanë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Shkelje të ngjashme për dekanë ose rektorë të universiteteve të tjera janë raportuar edhe në Universitetet e tjera, si në Universitetin e Durrësit (kandidati për rektor dhe dekan aktual, z. Shkëlqim Fortuzi), por deri më sot nuk ka asnjë reagim ose ndjekje institucionale.
Si rrjedhojë, një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë kryer një formë vjedhjeje prone intelektuale, ose plagjiaturë apo fabrikim të të dhënave/studimeve. Kjo gjendje jo vetëm që dëmton besueshmërinë e universiteteve shqiptare, por gjithashtu ngre shqetësime serioze për gjendjen e sistemit arsimor shkencor në Shqipëri.
Mos të harrojmë se pasojat e këtyre shkeljeve ndikojnë përtej universiteteve, duke gërryer besimin e vlerat e shoqërisë dhe duke ulur vlerën e perceptuar të diplomave të lëshuara nga universitetet shqiptare. Vjedhje dhe shkelje të rënda ligjore, si plagjiatura bëhen me qëllim për të fituar tituj shkencorë dhe rritje të pagës pa meritë!
Në rrethanat, kur këtë shkelje e kryen rektori i Universitetit të Tiranës, që është jurist, jo vetëm që është abuzuar me besimin e taksapaguesve dhe përvetësuar puna e kolegëve në mënyrë të jashtëligjshme, por gjithashtu është ‚vjedhur‘ punëdhënësi publik duke marrë shtesa rroge pa meritë dhe duke dëmtuar imazhin dhe emrin e universitetit!
Mirëpo rektori paguhet nga taksat publike për të bërë të kundërtën e asaj që konstatohet. Ky problem duhet të zgjidhet me rregulla të forta kundër plagjiaturës dhe ndëshkime të qarta për ata që shkelin, duke përfshirë edhe rektorin, për të ruajtur dhe promovuar vlera dhe besimin në institucione.
Produkti dhe kontributi inekzistent ose simbolik shkencor
Kërkimi, shkenca dhe inovacioni janë shtyllat kryesore të universitetit modern, pasi nxisin krijimin e dijes, përmirësojnë cilësinë e arsimit, stimulojnë zhvillimin ekonomik, adresojnë sfidat shoqërore, nxisin bashkëpunimin global, mbështesin ekonominë e dijes dhe përforcojnë reputacionin dhe besimin institucional. Këta elementë janë thelbësor që universitetet të përmbushin misionin e tyre dhe të japin një kontribut të rëndësishëm në shoqëri.
Megjithatë, universitetet janë ndjeshëm prapa homologëve të tyre Evropianë për sa i përket produktit kërkimor. Sipas të dhënave nga Scimago Institutions Rankings, Shqipëria renditet afër fundit ndër vendet Evropiane për prodhimin kërkimor, me vetëm një numër të vogël publikimesh në revista me ndikim të lartë. Për ilustrim, numri i gjithë studimeve të botuara nga Universiteti i Tiranës, universiteti më i madh dhe më i vjetër i vendit, është shumë më i vogël krahasuar me universitetet mesatare në vendet fqinje.
Në vitin 2022, Universiteti i Tiranës prodhoi më pak se 100 studime në revistat shkencore standarti ndërkombëtar, ndërsa Universiteti i Beogradit (Serbi) mbi 1,500!
Bashkëpunimet me universitete të huaja kanë qenë një strategji për të përmirësuar gjendjen, por institucionet me të cilat Qeveria dhe universtietet bashkëpunojnë shpesh janë jo-superiore ndaj atyre shqiptare (Tabela 2).
Ky kontrast i mprehtë nxjerr në pah nevojshmërinë për një rishikim strategjik afatgjatë të politikave dhe praktikave kërkimore të Shqipërisë.
Nënfinancimi dhe mungesat infrastrukturore
Një faktor madhor që kontribuon në performancën e dobët të universiteteve shqiptare është nënfinancimi kronik i sektorit të arsimit të lartë, e veçanërisht hulumtimit që e diferencon universitetin nga shkolla e mesme. Shpenzimet publike për arsim në Shqipëri kanë qëndruar ndër më të ulëtat në Evropë, diku pak më pak se 3% të PBB-së, krahasuar me mesataren e BE-së prej 5%.
Kjo mungesë financiare përkthehet në pajisje të pamjaftueshme ose të vjetruara dhe mungesë të kushteve të nevojshme për kërkime dhe arsim shkencor të cilësisë së lartë.
Në vitin 2023, Shqipëria shtoi fondet për kërkimin shkencor me 0.03% në 0.08% të PBB-së, nga 0.05% në 2022 dhe 0.04% në 2021. Megjithatë, kjo vlerë është ende larg objektivit prej 1% të PBB-së deri në vitin 2030. Financimi për kërkime si përqindje e shpenzimeve publike arriti në 0.17% të PBB-së në 2022. INSTAT nuk prodhon ende një set të plotë të dhënash mbi kërkimin shkencor dhe inovacionin për të kuptuar e ndjekur më mirë situatën dhe për të planifikuar politika efektive.
Mbipopullimi i auditorëve, hapësirat laboratorike të pamjaftueshme ose inekzistente dhe qasja e kufizuar në literaturën shkencore e arkiva serioze akademike janë sfida të zakonshme të raportuara nga studentët dhe stafi akademik.
Këto mungesa infrastrukturore pengojnë rëndë aftësinë e universiteteve për të ofruar një mjedis të përshtatshëm mësimor dhe për të tërhequr e mbajtur kërkues dhe shkencëtarë të talentuar.
Eksodi i trurit dhe cilësia e arsimit sot
Fenomeni i eksodit të trurit po ndodh! Profesionistë të aftë shqiptarë emigrojnë në kërkim të mundësive më të mira jashtë vendit, gjë që prodhon një tjetër shresë sfidash me të cilat përballen universitetet shqiptare.
Një pjesë e madhe e mendjeve më të ndritura të Shqipërisë largohen nga vendi për të ndjekur arsimin dhe karrierën në vende më të zhvilluara, duke rezultuar në një defiçit të rëndë të talentit brenda sektorit akademik dhe tregun e punës – defiçit që nuk po adresohet dhe ende mungojnë platformat transparente për promovimin ose rikthimin e trurit brenda universiteteve publike.
Ky eksod talenti përkeqëson çështjen e cilësisë së arsimit në universitetet shqiptare. Nga ana tjetër, shumë anëtarë të stafit akademik kanë mungesa në trajnime dhe përvoje kërkimore të nevojshme për të ofruar arsim dhe mentorim të cilësisë së lartë. Si rezultat, standardet akademike të përgjithshme mbeten në nivel për të cilat nuk mund të krenohemi, duke krijuar një cikël mediokriteti që kufizon potencialin për ekselencë akademike dhe dekurajon studentët – gjë që bllokon qasjen e Shqipërisë ndaj thesarit të talenteve që ka!
Përfundim
Universitetet publike shqiptare përballen me një nivel serioz keqveprimi etik, paligjshmërie titujsh, prodhim të pamjaftueshëm shkencor, nënfinancim dhe eksod të trurit. Veprimi i menjëhershëm dhe zbatimi i rregullave, shoqëruar me një vlerësim sistemik të problemeve, dhe me investime në infrastrukturën kërkimore do të kriojë kushtet që politikanët, akademikët, shoqëria civile dhe studentët të bashkëpunojnë e bashkërendojnë përpjekjet për të ndërtuar një sistem universtiar vlerash dhe rezistent që nxit zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e shoqërisë tonë.
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016