Si një fëmijë i zakonshëm ka patur ëndërr për tu bërë artiste. Mbrëmjeve me prindërit,shkonte në pistat dhe sheshet e kërcimit(në moshën gjashtë vjeçare)ku luante dhe argëtohej. Pjesëmarrja në Pallatin e Pionierëve dhe më pas në kursin e valleve pranë Ansamblit Kombëtarë të Këngëve dhe Valleve,i shërbyen mjaftueshëm, që ajo të dashurohej përjetësisht me artin.Kjo intervistë eskluzive u zhvillua direkt pas festivalit ndërkombëtarë të valles mbarë shqiptare të ardhur nga maftë shtete, i cili u zhvillua në qytetin e Clearwatër,të shtetit të Floridas SH.B.A. ku Liliana Cingu,u vlerësua me cmimin, “Shqiponja e Artë “ e këtij festivali, Prill 2019. Falenderoj biznesmenen e nderuar Rexhina Vercani, e cila jeton në qytetitin Orlando këtu në Florida, për ndihmesën e saj, që kjo intervistë të mirëpritej kudo.
Do të doja të rriktheheshit dhe të flisnit pak për vitet e fëmijërisë suaj. Si ju kujtohet ajo periudhë ?
LILIANA CINGU: Fillimet e mia si një fëmijë i zakonshëm, kanë qenë ëndërr për tu bërë artiste. Mbrëmjet me prindërit në pista me jerve në moshën gjashtë vjeçe, pjesëmarja në pallatin e pionierëve dhe kursin e valleve, pranë ansamblit të këngëve dhe valleve, në moshën dymbëdhjetë vjeçare,më shërbyen mjaftë, që unë të dashurohesha përjetësisht me artin.
Në vitet 1967,kur ju ende ishit vetëm 16 vjeçe, flitej se ishte zbuluar një talente e rrallë, që do ti vinte skenës shqiptare. Vërtetë, si i përjetuat hapat dhe emocionet e para në skenë?
Në moshën e ëndërrave të mia,doja ti ngjaja artistëve që kishin bërë emër, në vecanti legjendës të skenës, Besim Zekthi. Kjo u realizua në moshën 16 vjeçare ,si profesioniste në ansambël.
Ç’do të thoshit për ikonat e ansamblit të këngëve dhe valleve popullore shqiptare, Besim Zekthi dhe Zoica Haxho, të cilët më pas do i kishit koleg dhe partnerë në skenë?
LILIANA CINGU: Në fillimet e punës time në ansambël, shpesh i bëja pyetje vetes, se a mundesha unë të realizoja ëndërrën e hershme për të kërcyer si Besm Zekthi e Zoica Haxho, madje ti kishja dhe partnerë në skenë?… ëndërra mu realizua..
A ka patur paragjykime në atë periudhë, që një vajzë si ju, të ndiqte rrugën e artit, madje të përfaqësonte bindshëm,brenda e jashtë vendit, vallen shqiptare?
LILIANA CINGU: Gjithmonë në vitet e diktaturës çdo artist ndjehesh i frikësuar, sidomos ne femrat. Njerëz jo artëdashës thonin: eh,artiste këto…Unë vazhdoja të reailzoja ëndërrën time,të interpretoja në skenë,duke mposhtur thashethemet, skenën e pushtova… ndjehesha krenare.
Magjia që të fal vallja, ishte virtyt i trashëguar nga familja juaj, apo trokiti thjeshtë, pa bujë tek ju?
LILIANA CINGU: Përherë në familjen time ka patur një dashamirësi për artin për vallet e vendit tonë dhe këta ishin prindërit e mi,që sot nuk jetojnë. I kujtoj me shumë dashuri e mirënjohje, duke më dhuruar gjithë jetën, mbështetjen e tyre, në rrugën time të artit .
Së bashku me mjeshtrat, tashmë të dy “ Nder i Kombit” Besim Zekthi dhe Rexhep Çeliku, keni interpretuar valle me peshë. Sa ka ndikuar ky bashkëpunim dhe përformancë në trinomin, Zekthi-Cingu-Çeliku, në arritjen e suksesit?
LILIANA CINGU: Kam qenë e mrekulluar që unë kam patur partner“Nder i Kombit”, Besim Zekthi dhe Rexhep Çeliku, ku mbështetja e tyre tek talenti im, ka ndikuar shumë. Bashkëpunimi e përformanca, kanë ndikuar në shumë evenimente e koncerte me vallet tona, me shumë peshë. Duke arritur suksese u krijua figura jonë tre “Nder i Kombit” Zekthi-Cingu-Çeliku.
Çfarë të veçantë kanë vallet tona, krahasuar me ato të vendeve të tjera, duke bërë që të pëlqehen nga çdo spektator në botë?
LILIANA CINGU: Vendi ynë është burim i valleve perla, duke filluar nga veriu në jug.Madje nga Kosova, Maqedonia, Çamëria dhe Mali i Zi,pëlqehen e duartrokiten shqip.
Sa ka ndikuar tek ju,përvoja e talenti i profesorëve,“Artist i Popullit” Panajot Kanaçi dhe “Mjeshtrave të Mëdhenj” Agron Aliaj, Gëzim Kaceli dhe të tjerë në karrierën tuaj artistike dyzetë e tre vjeçare ?
LILIANA CINGU: Sot unë jam me merita, plus talentit e punës sime të palodhur. Mendoj se një rol të veçantë në pojektimin, ndërtimin dhe interpretimin e valleve,të cilat me të drejtë janë vlerësuar si perla të artit tonë, kanë luajtur“Arkitektët” e koreografisë shqiptare, “Artist i Popullit”, Panajot Kanaçi,“Mjeshtrat e Mëdhenj”, Besim Zekthi, Gëzim Kaceli, dhe Agron Aliaj.
Vallet gjigande,“Vallja e shqipeve”,“Festë të madhe ka sot Shqipëria”,“Komitët e Lirisë”, “Motive të Librazhdit”,“Dasma e Rugovës”,dhe sot kujtohen me nostalgji nga spektatori. Mendoni se vërtetë këto valle vlerësohen si ajka e valles shqiptare?
LILIANA CINGU: Eshtë vërtetë bukur që këto valle, që ju përmëndni, dhe sot mbeten ende të freskëta në kujtesën e spektatorit. Me këto valle perla, jemi nderuar në gjithë botën, duke u kujtuar me nostalgji, sepse janë krijmtari e koreografëve tanë mjeshtra.
Keni arritur të shpalosni vlera të papërsëritshme, të artit shqiptarë në Suedi, Norvegji,Finlandë,Francë,Egjipt,Turqi,Azi,Afrikë…në të gjithë botën.Cili spektator i këtyre shteteve dhe kontineteve,ju ka mrekulluar, më shumë?
LILIANA CINGU: Çdo arritje e vlera të valleve, që unë kam kërcyer në vendin tonë dhe kudo në botë, kanë qenë pasqyra e bukurisë se pashtershme burimore të valleve në vendin tonë. Ato janë duartrokitur kudo, dhe spektatori ka qenë i mrekullueshëm na ka vlerësuar…nuk më largohet nga mendja ,gjerdani i artë në Francë në vitin 1970 .
Gjithësesi, fituesi i trofeut “Gjerdan i artë”, në vitin 1970, në festivalin botëror, në Francë, ku konkuronin 44 vende, përbën suksesin më të madh ,që ka arritur vallja dhe muzika shqiptare në historinë e saj. Mendoni dhe ju kështu?
LILIANA CINGU: (Qesh) Ende e kam të freskët në kujtesë suksesin e arritur në Francë në vitin 1970 , ku midis dyzetë e katër shteteve nga e gjithë bota, fituam trofeun “Gjrdan i Artë”. Padyshm kjo na bënë krenar për vendin tonë, sepse atë gjerdan e fituam me meritë.
Lilianë, keni kërcyer valle tipike me motive dhe muzikë të ndryshme, shqiptare. Cilën prej tyre do të veçonit si të interpretuar me më shumë përkushtim?
LILIANA CINGU: Një nga vallet që kam kërcyer epike, është luftëtarët e lirisë, e cila shfaqet bukur, në atë motiv lëvizjesh, janë luftëtarët si Azem Galica dhe Shote Galica ….
Eshtë kjo valle, e cila edhe sot ju motivon për ta interpretuar sërish me shumë pasion?
LILIANA CINGU: Natyrisht. Eshtë një nga vallet që të jep forcë për ta kërcyer me krenari.
Jo pak artistë,janë shprehur se në periudhën e ashtu quajtur të diktaturës, kanë përjetuar,çensurë në punën e tyre.Ju a keni patur një “fat”të tillë absurd?
Në kohën e diktaturës, nuk ka patur artist të talentuar pa u prekur në biografi. Këtë fat e kam përjetuar dhe unë,si një artiste që sillja modën në institucion. Fati më ka ndjekur se kisha talentin dhe ata, që zbatonin çdo porosi nga lart, zbrapseshin. Faleminderit talentit tim që, mua nuk më larguan nga skena.
Jeni cilësuar si “Kartolina e Ansamblit”,“Perëndesha e Valles Shqiptare”, “Shtojzovallja”, vlerësuar me titullin “Mjeshtre e Madhe”, me titullin prestigjioz “Ambasadore e Paqes” në botë, madje kohët e fundit kurrorëzuar me titullin e lartë “Nder i Kombit” me rastin e 60 vjetorit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve. Çfarë përbëjnë për ju këto vlerësime?
LILIANA CINGU: Jam ende duke marrë pjesë në aktivitete në Shqipëri dhe vende të tjera. Shumë aktivitete pa fund, nuk numurohen.Përsa u përket cilësimeve dhe vlerësimeve, që ju Fadil po shpreheni tani, patjetër që ndihem krenare dhe e obliguar të punoj ende në skenat tona dhe ato botërore .
Lilianë,me këtë ansambël, cilësuar emblema e valles shqipe, ka kënduar e paharuara, e madhja “Nderi i kombit” Vaçe Zela, të cilën ju e keni patur kolege dhe shoqe të afërt. Si do e kujtonit emrin dhe veprën e saj në këto momente?
LILIANA CINGU: Artiste e madhe, njeri me shumë vlera. Kurrë nuk do të na mungoj emblema, e madhja “Nder i Kombit”,Vaçe Zela, ku unë kam patur fatin në shumë turne të shoqëroheshim bashkë. Një talente si Vaçja, duhet kohë ti vij kombit tonë.Prej saj, fitova më shumë talent dhe kulturë profesionale. Faleminderit Vaçe.
Çfarë ndjesie, përjetuat,kur disa dekada më parë, në një shfaqje që ansambli ynë,dha në Kosovë,për herë të parë ju, prekët tokën e vendlindjes të babait tuaj?
LILIANA CINGU: Në vitin 1971, kemi patur fatin, që për herë të parë të bënim turne në gjithë Kosovën. Kemi përjetuar shumë emocione. Të shkosh në vendin tënd me një kulturë e një gjuhë ,do përjetosh emocione të mëdha, sepse unë prekja tokën e vendlindjes të babait tim, Gjakovën. Babai im prej vitesh përjetoi mungesën e tokës mëmë, pragun e shtëpisë së tij. Mbyllja e kufirit, e shoqëroi deri në fund të jetës së tij…
…dhe vjen një ditë…kërcimi i fundit,që keni interpretuar në skenë.
LILIANA CINGU: Për të kujtuar skenën në kërcimet e mia të valles me trupën e ansamblit, nuk më kanë shteruar, por dua të përmënd recitalin e fundit me Rexhep Çelikun dhe trupën në vitin 2011, recital me shumë vlera artistike timen në këtë moshë.
Çdo të thotë për ju, të jesh valltare e kompletuar,e sukseshme?
LILIANA CINGU: Të kompletohesh si valltare e sukseshme, duhet punë, shumë punë dhe natyrisht talent.
Keni qenë në jurinë e disa festivaleve. A keni spikatur mes tyre ndonjë vajzë të vogël, si dikur Liliana Cingu?
LILIANA CINGU: (Qesh) Më vjen mirë, që ma bëni, këtë pyetje ..unë nuk mundem të them, por publiku po … Dëshira e talenteve të reja është: të bëhemi si Lili Cingu .
Cilën periudhë të jetës suaj, do e vlerësonit si më të bukur?
LILIANA CINGU: Çdo periudhë për mua ka qenë e bukur, vlerësimi është kudo. Këmba në skenë dhe shqiponja fluturon.
Mësuam se së bashku me të afërmit tuaj ju keni ngritur një ansambël të valleve. ku të gjithë janë të talentuar. E vërtetë?
LILIANA CINGU: Kam patur shumë dëshirë që nga familja e prindërve të mi të ishte një fëmijë artisti si unë.Por çuditërisht të gjithë e kishim në gjak vallen. Përveç meje, motra Lindita dhe mbesa,Nevisi, ishin valltare të ansamblit të ndërmarjes artistike “Migjeni”,motra tjetër,Tatjana me Kombinatin Tekstil, nipi me grupin “Bashkimi Kombëtar” të Nju Jorkut, Amerikë,mbesa Neslinta, me grupin e Athinës, Greqi, dhe së fundi mbesa 4 vjeçe në Angli Pra një familje artitësh, me bukurinë e valleve tona. (qesh)
Keni menduar ndonjëherë me veten, se në moshën e rinisë po të konkuronit në një spaktakël të misseve, do të ishit një mis Albania,?
LILIANA CINGU: Oh, dëshira ka qenë e madhe, po më ka kapur ato vite ku në vendin tonë nuk zhvilloheshin spetakle misse, sepse ishte vend me diktaturë dhe missi ,konsiderohej modë. Në vitet e demokracisë, që u bë për herë të parë në vitin 1992, Miss Shqipëria, ku kam qenë në juri, shikoja ato vajza të bukura ,doja që të gjitha të ishin me kurorën e missit. Vlerësim për bukurinë shqiptare.
Vitet e fundit, jetoni në Kanada. Cili motiv ju shtyu të jetonit në këtë vend të largët?
LILIANA CINGU: Për disa vite kam jetuar në Kanada ,Toronto. Ka qenë viti 1997, viti i errët për vendin tonë. Detyrohem si shumë të tjerë, por jo për të mos u kthyer. Punova me artistë valltarë të vegjël, ku u mësoja bukurinë e valles të vendlindjes, të prindërve të tyre. Pasioni i tyre ndihma e shoqatës ku unë isha e emëruar, bëri që edhe sot ato të kërcejnë në festa e fetivale.
Mendoni se si artiste, me vlera kombëtare e botërore, bëri që parlamenti Kanadez,t’ju nderoi juve në fund vitin e kaluar, me dipllomë, si artiste e madhe?
LILIANA CINGU: Puna ime në Kanada është vlerësuar nga parlamenti kanadez, ku është thënë se një artiste e madhe, e një vendi të vogël siç është shqipëria, është nderë për Kanadan. Gjithashtu unë vlerësohem nga shoqata shqiptaro- kanadeze e Torontos me shumë vlerësime,për 100 vjetorin e vendit tonë. Po kështu jam vlerësuar, për kontribut të shquar në çështjen shqiptare dhe lartësimin e emrit të shqiptarëve në Toronto,nga shoqata e bashkësisë shqiptaro- kanadeze, me kryetare dr.Ruki Kondaj.Gjithëçka kam arritur, ja dedikoj talentit tim, artit të mrekullueshëm të vendi tim.
Lilianë,ju keni ardhur disa herë këtu në Amerikë,në aktivitete të ndryshme aristike, kulturore të shqiptarëve, madje flitet për një bashkëpunim tuajën në hapjen e shkollës së kulturës shqiptare,pranë ansamblit shqiptar të Nju Jorkut,mbështetur nga shoqata “Bashkimi Kombëtarë”. Si e vlerësoni ju këtë bashkëpunim?
LILIANA CINGU: Kam ardhur disa herë në Amerikë, me ansamblin tonë me ftesa që më kanë bërë për koncerte, por edhe duke punuar me grupin artisik në Nju Jork “Bashkimi Kombëtarë” me kryetar të grupit, të pa lodhurin Gjergj Dedvukaj , shumë artëdashës. Mendoj se bashkëpunimi ynë ka dhënë shumë frute artistike dhe për këtë jam e lumtur …pse jo.
Çfarë përbën për ju,trekëndëshi Tiranë -Kanada-Nju Jork?
LILIANA CINGU: Të jesh e angazhuar për artin duke dhuruar talentin tim, është diçka shumë e bukur. Ndjehem vërtetë krenare që jetën time e përjetoj në trekëndëshin e bukur Tiranë- Kanada -Amerikë,duke shfaqur kudo vlerat e mrekullueshme të artit tonë. Muajin e kaluar në Shqipëri, unë isha e angazhuar me ansamblin e valleve shqiptare,dhe jurinë e festivalit kombëtarë të valleve burimore folklorike, zhvilluar në qytetin e Lushnjes.Ndoqa me kureshtje e vëmëndje çdo valle të interpretuar me shumë talent nga të gjitha grupet pjesëmarrëse. Vlerësuam vlerat e reja të artit tonë, i cili po kalon i shëndetshëm dhe tek të rinjtë.
Këto dite Prilli,ndodheni në qytetin Clearwatër të shtetit të Floridas,këtu në Amerikë. në festivalin folklorik,mbarë shqiptar “Albanian Folk Summer Festival” Prill 2019. ku ju u vlerësuat me çmimin “Shqiponjë e artë e Festivalit” .Cfarë përbën për ju ky çmim?
LILIANA CINGU: Isha e ftuar nderi në këtë festival ,nga presidenti dhe organizatori i këtij evenimenti, Ardian Kraja.Gjej rastin të shpreh mirënjohje këtij njeriu që dashuron artin.Ndërkohë dalja ime në skenë si kërcimtare ishte një surprizëë ngs ana e koreografit të njohur Ramazan Këllezi, i cili drejton me shumë sukses grupin e tij,“Shqiponjat e vogla”. Vetëm pak orë para shfaqjes,e mora njoftimin që do interpretoja një nga vallet madhore të ansamblit të valleve shqiptare.të këngëve e valleve popullore. Madje edhe kostumi i valles që unë kërcej shpesh, ishte marrë me vete nga Ramazani .Më pas ai më bëri me dije, se mjaftë spektatorë, ardhur nga shtete të ndryshme, kërkonin që unë të interpretoja në skenë .U befasova, që ndjehesha e privilegjuar para këtij publiku jo vetëm nga Florida.Pa tjetër që kërceva me shpirt e emocion,ku vallja u shoqërua nga duartrokitjet e publikut,i cili në ato momente, ishte ngritur i tëri në këmbë duke brohoritur. Momente emocionuese kam përjetuar pas kësaj valle. Gjithësesi dhe marrja e çmimit ‘Shqiponja e artë e festivalit” ishte i papritur, pasi në atë skenë ,kërcyen dhjetra grupe dhe solistë profesionist të shkëlqyer. Doja që festivali mos të mbarronte në atë natë të paharrueshme. Dua të shprehem se kjo pritje, ky vlerësim më bëjnë që ,jo vetëm do i kujtoj gjatë, por madje do të e jem e gatshme për të ardhur serish këtu në Florida ,në evente të tilla mbreslënëse.
Disa ditë më parë emblema e valles shqiptare, “Nder i Kombit”, Besim Zekthi. Ai bëri thirrje, duke u shprehur: “Ta ruajmë si sytë e ballit, ta kultivojmë me shumë dashuri valllen shqipe, piedestalin e kulturës së kombit”.Si e vlerësoni këtë thënie?
LILIANA CINGU: Padiskutim që i madhi Besim Zekthi, ikona e valles sonë, ka bërë një thirrje që të vlerësohet në veçanti nga shteti ynë. Jam plotësisht dakord me mendimin e thirrjen e tij. Arti dhe kultura shqiptare, duhen të jenë të pastër si shqipëria në shekuj. Eshtë kjo thirrje, një mesazh që flet shumë për të nesërmen, për vlerat e reja që duhet të shfaq vallja shqiptare.
Ndonëse keni kaluar 65 vitet e jetës suaj, sërish nëpër botë vazhdoni të kërceni mrekullisht, vallen e Tropojës, të Librazhdit, vallen çame… Ku e gjen forcën, energjinë, që arrin të shfaqesh e shpalosesh vlera të vërteta të valles shqiptare?
LILIANA CINGU: Ndonëse afro pesëdhjetë vjet ,kam qenë valltare e ansamblit të shtetit,dhe sot për efekt moshe nuk ndodhem mes shqiponjave të këtij ansambli, sërish duart e këmbët më lëvizin bindshëm falë zotit. Sapo jemi kthyer nga eventi i mrekullueshëm, i veçantë, festivali i valles shqipe , me pjesëmarrjen e grupe artistësh të ardhur nga disa shtete , madje dhe dy grupe nga Kanadaja. zhvilluar këto ditë prilli në qytetin Clearwatër, të shtetit të Floridas këtu në Amerikë. Madje gjatë festivalit, së bashku flisnim për vlera të grupeve që me të drejtë ishte e vështirë ti klasifikoje. Cdo njeri prej tyre shpalosi interpretime brilante, duke dhënë shpirtin e tyre në skenë. Me dy grupet tona në Kanada, të cilat befasuan me artin e tyre në këtë festival, “Shqiponjat e Vogla “ dhe “Fluturat”, kemi nisur sërish nga puna për tu përfaqësuar denjësisht ,në festivalin ndërkombëtar, që do të zhvillohet së afërmi në Kanada. Mendoj se ende kam forcë të shfaq vlerat e mia si artiste e valles shqiptare në botë. Ndonëse provat janë të shumta,unë nuk e ndjej lodhjen kurrë,sepse me vallen jam dashuruar gjithë jetën. Ndaj është kjo arësyea që kur kërcej ndjehem e lumtur.
Liliana Cingu,nesër…?
LILIANA CINGU: Parlamenti kanadez ku jam e ftuar me disa anëtar të shoqatës dhe njerëz të cilët kontribojnë për shqiptarët në Toronto,ka vendosur, që së afëmi,do të zhvillohet, trashëgimia kulturore për vendin tonë. Falenderoj shoqatën e bashkësisë shqiptaro- kanadeze, e cila drejtohet me shumë përkushtim nga dr. Ruki Kondaj, Aida Bejte dhe koreografi i pasionuar Ramazan Këllezi, për këtë evniment të veçantë. Si një talent që jeta më ka ndihmuar të marrë këto vlerësime, po pres këtë vit të bëj recitalin e tretë. Gjithësesi nuk do më mungoj vëndlindja e mamit, Shkodra dhe vendlindja e babit, Gjakova. Zoti bekoftë gjithë shqiptarët.Ju falenderoj për këmbënguljen që tregoni për intervistat.
FADIL SHEHU
Clearwatër, Florida.Prill 2019
Komentet