Zonjën Afërdita Krasniqi e takova rastësisht në Festën e përfundimit të vitit shkollor të Shkollës shqipe në Gjenevë – Zvicër. Kisha dëgjuar për një veprimtare të pasionuar me univers të gjerë kulture e me këmbëngulje mbi ruajtjen dhe kultivimin e këngës së bukur shqiptare. Para disa ditësh në Gjenevë priti grupin polifonik “Bilbili” nga Vlora. Mund të them se deri sot nuk e kisha takuar një organizim kaq të përsosur kulturor dhe atdhetar. Znj Afërdita Krasniqi është ekonomiste, këngëtare, udhëheqëse e grupit muzikor “Hareja” në Gjenevë dhe kryetare e shoqatës “Komunitetit Shqiptar në Gjenevë”. Ajo ka treguar tek të gjithë ne sa e thjeshtë është të qëndrosh në këmbë, të hapësh horizonte të rinj për ata që kanë humbur vizionin largpamës. Nga biseda me te po shkëpusim një pjesë për lexuesit.
Pyetje: Znj. Krasniqi, cila është vendlindja juaj dhe çfarë trashëgoni prej saj në kujtesën dhe zemrën tuaj?
Afërdita Krasniqi: Kam lindur në qytetin e lashtë e të bukur të Prizrenit. Jam rritur në një familje atdhetare, të persekutuar nga pushtuesi serb, babai im mësues matematike ishte i larguar nga puna pas demostratave të vitit 1981. Jam e martuar dhe kemi dy fëmijë Elioni dhe Eni. Punoj 100% – nëpunëse në sektorin e aferave internacionale e juridike, pranë Konfederatës së Zvicrës, dega në Gjenevë. Në familje e kultivojmë këngën shqipe. Së bashku me bashkëshortin Shpejtim Krasniqi jemi të pranishëm në fushën e kulturës, të këngës dhe muzikës. Në mërgim kaluam mbi 30 vite malli dhe dashuria për vendlindjen sa vjen e shtohet.
Pyetje: Prizreni ka shumë burime kulturore. Në cilin burim jeni frymëzuar për muzikën dhe këngën tuaj.
Afërdita Krasniqi: Jam rritur e ushqyer me muzikën shqipe. Këngën gjithmonë e kam pas në shpirt , që nga mosha 14 vjeçare kam qenë soliste në SHKA « Besa » në Prizren. Këndoja bashkë me motrën time Merita Veseli, albumin e parë e kemi realizuar vitin1992 me titull « Kushtrimi » . Me krenari e shumë dashuri u këndoja heronjve, flamurit, gurbetit kësaj plage të madhe të popullit tonë. Në teatrin amator të Prizrenit isha anëtare e rregullt.
Pyetje: Kur keni ardhur në Zvicër dhe si ju lindi ideja të formoni grupin e këngës “Hareja? Sa anëtarë ka “Hareja”?
Afërdita Krasniqi: Ne Zvicer kam ardhur në dhjetor te vitit 1994. Pas një jete të pasur kulturore nder vite si soliste e prezantuese e programeve artistike e koncerteve të shumta në atdhe, këtu se bashku me shokun tim të jetës e partnerin tim në skenë Shpejtim Krasniqin, në vitin 2017 mblodhëm adhurues të këngës, miq e dashamirës të artit e kulturës formuam grupin muzikor “Hareja”. Fillimisht si korali “Nostalgjia” emër që i këndonte mallit të pashuar për vendlindjet tona. Të mbledhur nën obrellën e KSHGJ-së jemi prezentuar me shumë sukses në aktivitete të ndryshme kulturore këtu në Gjenevë. Vitin që shkoi morëm pjesë edhe në Festivalin Ndërkombëtare “AULONA INTER FOLK FESTIVAL” në VLORE në edicionin e 14-të. Festival shumë prestigjioz me pjesmarrje të grupeve e ansambleve nga Ballkani, Europa e Azia. Prezentimi ynë brilant bëri që edhe këtë vit të marrim ftesë për pjesmarrjen në edicionin e tij të 15-të.
Këto ditë ishim në mesin e vëllezërve arbëreshë në fshatin CIFTI (CIVITA) shfaqem një koncert të përbashkët me rastin e festës së tyre të quajtur “Festa e Valles”. Një veprimtari e bukur që u kënaqem të gjithë. Ajo çka na bëri përshtypje ishte ruajtja e gjuhës dhe kulturës arbëreshe- shqiptare edhe pas 500 vjetësh duhet t’i bëjë shqiptarët kudo janë të ndërgjegjësohen për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Pyetje: Sa kohë keni që merrni me organizimin e shoqatës KSHGJ si kryetare cilat janë sukseset dhe vështirësitë?
Afërdita Krasniqi: Shoqata “Komuniteti Shqiptar në Gjenevë” është themeluar në 2013 nga z. Ali Mehmeti. Të shkruash apo të flasësh për figurën e tij është me të vërtetë e vështirë. Një shembull prej intelektuali të përkushtuar (që nuk i shikon veç punët e veta sikur disa) ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për komunitetin shqiptar në Gjenevë – Zvicër. Kam pasur nderin të jem anëtare e kryesisë së kësaj shoqate që drejtohej nga z. Mehmeti ku mblodh në gjirin e vet gjithë shqiptarët pa dallim. Historia dhe aktiviteti shumëvjeçar i kësaj shoqate e dëshmojnë këtë më së miri. Vazhdimisht shoqata ka organizuar dhe organizon aktivitete të shumta kulturore dhe argëtuese për nxënësit dhe brezin e ri që po lind dhe rritet larg atdheut. Nga viti 2017 jam zgjedhur Kryetare e KSHGJ-së, vazhdoj të organizoj aktivitete të shumta kulturore e kombëtare për komunitetin shqiptar në Gjenevë dhe më tej. Këto aktivitete kanë për qëllim ruajtjen e gjuhës, traditës, kulturës dhe mbjellin dashurinë për atdheun.
Dëshiroj të përmend disa nga sukseset tona: Për të tërhequr më shumë nxënës në Shkollën shqipe kemi bërë një Reklamë dhe e kemi financuar e për fat të keq televizioni RTK si medium publik shtetëror nuk i dha shumë rënësi e transmetoj vetëm për një kohë të shkurtër.
Që të sjellim një pjesëz të kupolës qiellore shqiptare për bashkatdhetarët kemi mundësuar shfaqjen e filmit dokumentar “Një jetë në tri epoka » prodhim i RTSH-së kushtuar prof Astrit Leka. Dy shfaqjet teatrale nga artisti i popullit z. Mirush Kabashi. Tash së fundi pritem grupin polifonik “Bilbili” – nga Vlora. Më shumë shih aktivitetin në www.cageneve.ch.
Pyetje: A ka vështirësi për ta mbajtur grupin e këngës “Hareja”, për të tërhequr të rinjtë, a ka ndonjë gjë që atyre do të u kushtonte shumë ?
Afërdita Krasniqi: Për ne që jetojmë këtu, natyrisht edhe si familjar jo gjithnjë e kemi lehtë. Por me vullnet e deshirë punët shkojnë mbarë dhe sukseset nuk mungojnë. Këtu dëshiroj ta felenderoj bashkëshortin tim për mbështetjen e pakursyer që më jep kurdoherë. Pastaj një shembull i përkryer janë anëtarët e grupit “Hareja”, të gjithë janë të përkushtuar, të palodhur çdo herë mundohen që të përcjellin artin e këngës shqipe te brezat e rinj.
Pyetje: Nga krijimtaria juaj në fushën e këngës dhe muzikës cilën këngë do ta dalloni?
Afërdita Krasniqi: Mendoj se ia vlen të përmend elegjinë për nënën “Vaji i nënës” kushtuar të zhdukurve të luftës së fundit në Kosovë. E financuar nga KSHGJ-ja , e përkthyer edhe në gjuhën frënge nga Alferd Papuçiu dhe e inqizuar në studion BY HEKI-producent Hekuran Krasniqi. Promovimin e të cilës e kam këtu në Gjenevë pranë një organizate ndërkombëtare për të zhdukurit e luftërave nëpër botë “Parku i të zhdukurve”. Këtu për shumë vite kam përfaqësuar nënat Kosovare dhe dhimbjen që bartin ato me qëllim të sensibilizimit të opinionit ndërkombëtar për të zhdukurit në Kosovë.
Pyetje: Si e shihni të ardhmen e kulturës shqiptare në Zvicër, konkretisht në Gjenevë?
Afërdita Krasniqi: Ka vite që në Gjenevë përveç Shkollës shqipe, punojnë me përkushtim Ansambli “Gëzuar”” e “RINIA CONTACT” ku fëmijet dhe rinia jonë kultivojnë e ruajnë gjuhën dhe kulturën shqiptare. Zemra ma do që sa më shpejt të hapet një qender kulturore për të cilën është folur vite më parë. Të rinj të talentuar kemi mjaf dhe nëse realizohet ky projekt jam e bindur se edhe pse në dhe të huaj vlerat e trashëgimise sonë kulturore do të gjallërojnë e frymojnë lirshëm se fundja të gjithe kemi nevojë ta ndjejm dorën, mbështetjen e shtetit – shteteve tona të cilat deri tani lënë shumë për të dëshiruar.
Pyetje: çfarë pjese të jetës ju plotëson kënga?
Afërdita Krasniqi: Kënga – skena zë një vend të rëndësishëm në jetën time. Përveç tjerash, më jep kënaqësi, gëzim dhe arsye ta dashuroj jetën.
Pyetje: çfarë do të u transmetoje mërgimtarëve shqiptarë në Zvicër?
Afërdita Krasniqi: Mos prini që të ju vlerësojnë të tjerët, nëse ti vet nuk e vlerëson veten. Duajeni gjuhën shqipe, ruani kulturën tonë shqiptare, kultivoni këngën e bukur shqiptare. Mbilleni atë edhe tek fëmijët tuaj. Bukur e ka thënë i madhi Gjergj Fishta “……gjuhën tuaj kurrë mos ta lini, Mos ta lini sa të jetë jeta……… «
Gjenevë, 27. 04. 2023 Intervistoi Nexhmije Mehmetaj