Mos më pyet, mos më pyet
Për të shkuarën e largët!
As për të ardhmen që veç Zoti e di!
Kur të më bien flokët do t’m’i shikosh plagët
Tatuazhe graviteti në fëmini.
E thjeshtë si buka është jeta ime
Kolazh me ëndërra,
Gjerdan me dëshira.
E shikon atë zogun që çukit thërrime?
Poeti mbledh pjalmin
e fjalëve të mira.
I përunjem shiut e plisit në vjeshtë,
Më lënë mbresë dallandyshet kur ikin…
Nata është e dëlirë, e thjeshtë
Si ajo dhoma e foshnjës
kur dritën i fikim;
Po hëna, do më thuash,
Hëna e poetëve, e vargjeve lirike?
Thjesht monedhë e konsumuar,
Që poetët në buzë
E mbajnë si relike.
Në më pyet për Diellin,
Ai është heroi im!
Valë zjarri, shtjella flakësh
Lëshon duke ikur.
Poemën epike mbyll çdo perëndim
Kur koka i bie në detin e kripur…
Më pyet çfarë të duash,
O njeri i mirë.
Për fusha, për male, për dete!
Ky fllad i freskët që vjen me çair
Frymën e tokës më bie me vete.
Për moshën s’pyetet,
Por unë të përgjigjem:
E fresket, e butë si hija e pemës.
Në parajsë të shkoj
Apo në ferr të digjem?
Më ndjek kudo hija e dilemës.
Ah! Ti më pyet
Çfarë do te doja te lija pas në jetë?
Një lis të moçëm apo një ulli.
Në trungun e tyre inicialet H.T.
Të shkruajnë mbesat e nipat e mi.
………..
Intervistë e gjatë,
E cekët, monotone…
Një tel violine isha i tendosur.
Jehonën lash në shtigje dhe hone.
Sot, në mendime
Krejt i varrosur.
Komentet