E përshtatur në normën letrare të gjuhës shqipe nga Vilhelme Vrana Haxhiraj
“Shqipërinë e kemi te buza e te zëmra! Katundi im ika qenë dhe është 100% arbëresh, ndaj jeta e të rinjve arbreshë në Ejaninë, ishte mëse normale, njëlloj sikur jetonim në Shqipëri. Shqipërisë i trashëguam emrin e vjetër, Arbëri. Ne na pëlqen të na thërrasin Arbëreshë. Kurse gjithë fshatrat tona, ku jetojnë Arbëreshë, e quajmë Arbërì. Mjafton ky emër që t’i tregojë gjithë botës se cilët jemi e nga vijmë. Unë u rrita me flamurin shqiptar ndër sy, me himnin shqiptar ndër vesh, me flamurin shqiptar në vallet e Frasnitës të sjellë me dorë nga ‘flamurtari’ për solistin e valles; me himnin shqiptar të kënduar nga grupet folklorike arbëreshe. Pastaj fshatrat arbëreshe janë plotë me buste të Skënderbeut, me emra personash/qytetesh me toponimet e fshatrave, me flamujë që valëviten nëpër shfaqjet folklorike. Revista ‘Jeta Arbëreshe’ është një bast me kohën. Një bast me Arbëreshët. Është një ilaç që i bën mirë Arbërisë. Gjithashtu i bën mirë gjuhës arbëreshe. Veçanërisht i bën shumë mirë Historisë arbëreshe dhe të Shqipërisë.”August Xhordano
Augustino Giordano, profesor i gjuhës shqipe në Kalabri
Shqipëria, më e lashta e kontinentit evropian,“Dekania e Racave” (Viktor Frobin- 15 qershor 1913), “duke trashëguar një gjuhë unikale, e vetmja që deshifron shkrimet e lashta të gjuhëve që sot janë zhdukur si:( latinisht, sanskritisht,greqishte e vjetër-Nermin Vlora Falaski– );”gjuha ilire që flet më së miri për lashtësinë e saj, si më e vjetra ndër gjuhët ndërkontinentale ”(Dhimitër Pilika-“Pellazgët ,historia jonë e mohuar”). Meqë gjuha shqipe ka një fjalor frazeologjik tejet të pasur, ruan në vetvete thesare gjuhësore( Prof.Dr. Eshref Ymeri –Fjalori Frazeologjik Rusisht -shqip) .”Rrënjët janë këtu, në këtë tokë gjaklarë, kurse degët nëpër botë janë shpërndarë e hodhën shtat”(Vivra-Rrënjët)..
Kujtesa e dijes kombëtare thotë:”Gjaku nuk bëhet ujë’, ‘na afron era e gjakut’; ‘na thërret gjaku i stërgjyshërve’; ‘na ngroh shpirtin vlagu i tokës mëmë’; ‘kemi të njëjtin gjak në deje’; ‘na bashkon gjuha e nënës’; ‘Jemi një fis e një farë’; ‘lindëm nga e njëjta baltë’;’ku ka rrjedhur, do të pikojë, ku vete soji në soj”- ka mjaft shprehje të tilla domethënëse.
Shqiptarët, qëkushtet jetike dhe pushtimet e gjata ndër shekuj i detyruan të mërgojnë, jo vetëm nuk harruan vendlindjen e të parëve, por ruajtën gjuhën, besimin, doket apo zakonet.
Përherë kam qenë e interesuar për vëllezërit e mi Arbëreshë të Italisë apo Arvanitasit e Greqisë, si dhe trevat ballkanike apo evropiane ku jetojnë dhe punojnë shqiptarë. Por lidhjen shpirtërore me ta e krijova kur rastësia më njohu me z.Tommaso Campera (Sekretar i Sh. Vatra Arbëreshe”Chieri-Torino). Pasi fitova konkursin poetik me çmimin “Gj.K. Skënberbeu” më 2009 në Itali,ishte kënaqësi që u njoha me gjithë komunitetin shqiptar aty. Kur e pyetëm z.Campera se si na njohu pa u takuar kurrë, u përgjigj; – “Na lidh gjaku dhe gjuha. Kemi 600 vjet që flasim shpip”. U mrekullova kur mësova se në Piemonte jetonin 10.000 familje arbëreshe. Madje një fshat i tërë mbante mbiemrin tim Vrana, të cilët kishin origjinën nga Kanina. Ata ruanin mbiemrat e vjetër shqiptarë, si: Matranga, Borgia (Borxha), Durrësi, Shkodra, Toçi, Kastrioti, etj.. Njohja me presidentin Prof. Vincenzo Cucci (Vinçenx Kuçi), me kryetarin e jurisë, Prof.Doc. Italo Costante Fortino, i vlerësuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, si personalitet i kulturës arbëreshe, me të cilin e ruaj miqësinë. Më pas marrëdhëniet me Arbëreshët e Italisë , u forcuan nga një ftesë e ardhur për bashkëpunim me Revistën “Jeta Arbëreshe” nga drejtori i saj, prof.Augustin Giordano, me të cilin komunikoj vazhdimisht.
Tani kjo revistë ka ditëlindjen, mbush 15 vite punë, ku pasqyron: letërsi, gjuhësi, albanologji, histori dhe studime. Duke i uruar mbarësi dhe jetëgjatësi revistës që flet arbërisht dhe shqip! Përgëzoj stafin e saj dhe veçanërisht z. Giordano për punën e madhe të vështirë, por fisnike që ka bërë, që bëjnë dhe do të bëjnë për t’ia rritur emrin kësaj reviste ku flitet arbërisht dhe shqip!
Në këtë përvjetor i drejtohem për një intervistë drejtorit të revistës, Prof. Giordano, i cili e mirëpriti ftesën time.
*Pofesor Giordano, përshëndetje nga Vlora e dy deteve, nga Vlora e Pavarësisë Kombëtare! Është kënaqësi e veçantë për mua që të komunikoj me ju! Cili është z. Augustin Giordano?
– Më quajnë Agostino Xhordano. Kam lindur në Ejaninë/Purçill, fshat arbëresh i provincës së Kozencës ( krahinë e Kalabrisë, Itali). Jam bir i një familjeje bujqësh, i dyti ndër katër fëmijët. Babai im ishte nga Frasnita, nëna nga Ejanina (lagje ose nëndarje e saj).Gjyshërit e mi, nga të dy anët ishin bujq, me toka, me vreshta dhe me shtëpie bagëtì. Pra ishin të katër arbëreshë. Gjyshat nga ana e babait, ishin nipa të Rilindasit arbëreshë, Bernard Bilotta( 1843-1918)*, prift i Fransitës, poet dhe letrar.*
Kam lindur më 1950, në mars. Studiova në Universitetin e Romës “La Sapienza”. E atjè u diplomova në Letërsi, me një tezë argumentimi mbi poezinë arbëreshe, me titull “Poezi popullore e Ejaninës dhe e Frasnitës”, nën drejtimin e Prof. Ernest Koliqi, i cili vdiq 3 muaj para diplomimit tim. Për 40 vjet kam dhënë mësim lëndët “Letërsi italiane dhe Histori”në shkollat e larta të provincës së Kozencës. Sot jam në pension.
*Cila është aktualisht gjendja juaj civile?
– Jam i martuar dhe kam dy djem: njëri gazetar profesionist që shërben jashtë Italisë. Kurse tjetri bën’ shërbim civil’ në fshat.
* Kur mësuat se ishit me origjinë shqiptare, si jeni ndjerë moralisht, shpirtërisht? A ka ndikuar origjna në jetën tuaj private apo dhe si komunitet?
-Lindja ime në një fshat arbëresh, në vitet ‘50 të shekullit të kaluar, s’ishte fare shqetësuese. Fshati im ishte 100% me arbëreshë. Cilido që rritej në familjen arbëreshe, kalonte një fëmijëri ose vegjëli të gëzueshme dhe pa probleme. Gjithë fqinjët dukeshin si një familje e zgjeruar, ku gjithë kohën e kalonim me lojëra dhe festa. Shqetësimet filluan kur nisëm shkollën fillore, pasi atje nuk mund të flitej arbërisht. Mësonim dhe flisnim gjuhën italiane. Atje fillonin problemetpër vajzat dhe djemtë arbëreshë të fshatit.
Unë pata fatin që kisha xhaxhanë (vëllanë e babait), prift bixantin në fshat ,papasEmanuele Xhordano. E qysh kur mbusha 5 vjeç, shkova të jetoja me të , te kanonika(shtëpia e priftit). Xhaxha Emanueli ishte një albanolog i njohur, i cili vdiq vitin e kaluar, më 2015, në moshën 94 vjeç. Në këtë mënyrë kalimin nga gjuha arbërishte në gjuhën italiane e pata më të lehtë se shokët e mi arbëreshë.
Jashtë shkollës nxënësi arbëreshkthehej arbëresh dhe natyrisht jetonte dhe respektonte etninë e tij. Nga pikëpamja shpirtërore arbëreshi i Ejaninës nuk kishte probleme. Pra shpirtërisht arbëreshi i Ejaninës ishte i qetë, pa probleme , sepse prifti, xhaxhai im, e kishte anticipuar Koncilin Vatikan II: duke qenë edhe muzikolog, shumë pjesë të kënduara të Shërbesave fetare Bizantine ai i përktheu nga greqishtja në arbërishte dhe adaptuar muzikës bizantine. Me përjashtim të “mizës së bardhë” (shqetësuese) të shkollës italiane , jeta e të rinjve arbëreshë të Ejaninës shkonte si jo më mirë, njëlloj sikur të ishin në Shqipëri, arbëreshë 100%. Origjina ime arbëreshe ka ndikuar pozitivisht në jetën time private. Ishte një ndihmesë për mësuesin tim personal që pata në fëmijëri, xhaxha Emanuelin, priftin.
* Ndikon tek Ju afërsia gjeografike me vendin e të parëve. Na lagin të njëjtat ujëra të të dy deteve dhe jemi në të njëjtën gjerësi gjeografike.
-Afërsia e Arbërisë (Fshatrave Arbëreshe) me Shqipërinë, duket qartë te gjuha, te vallet, te rapsoditë, te veshjet ( kostumet popullore), gjatë rrëfimeve, nga këshillat e pleqve, të prindërve dhe të priftit, xhaxha Emanuelit. Harta e Shqipërisë është e varur në gozhdë te muri i zyrës së xhaxhait, mbi raftin e librave dhe revistave që i vinin me postë nga Shqipëria zotit xhaxha që prej viteve ‘50. Kur jetoja te Kanonika e xhaxhait prift, unë isha më afër Shqipërisë se gjithë të tjerët. Gjithashtu më ndihmonin shkrimet e shumta të xhaxhait mbi gjuhën, folklorin dhe historinë arbëreshe. Unë flija në bibliotekë dhe thithja e ngopesha me ajër arbëresh dhe shqiptar. Dhe shfletoja e lexoja libra arbëreshë dhe shqip.
Ujërat e dy deteve i ndieja vërtet të njëjta . Veçanërisht ma theksoi xhaxhai kur shkoi me avion për herë të parë në Shqipëri, më 1967, i ftuar nga Universiteti i Tiranës. Ose në vitin 1976 kur unë udhëtova Bari- Prishtinë për në Seminarin Ndërkombëtar për të Huaj.
* Duke bashkëpunuar me ju, kam mësuar se ju flisni mirë shqip dhe jepni mësim në këtë gjuhë? Si e keni mësuar gjuhën shqipe?
-Duke jetuar afër xhaxhait –priftit, nisa të lexoja e ta shkruaja gjuhën arbëreshe. Fillova të shkruaja poezi që kur isha 17 vjeç. Në Universitetin e Romës “La Sapienza” , thellova studimin e gjuhës shqipe, çë njihja. Në vitin 1972 bashkë me xhaxha Emanuelin redaktoja revistën “Zëri i Arbëreshëve”(1972-1982).Pas diplomimit dhashë mësim Gjuhën Arbëreshe në shkollat e mesme të fshatrave Frasnitë dhe Çift, në mbasdite, për dy vite rresht.Punova nën drejtimin e Prof . Françesko Solano , prof. ordinar i Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Kalabrisë, ku dhashë leksionet e Gjuhës Shqipe , që nga viti akademik 1986-87- deri më 1993-94, pra për 7(shtatë) vjet.
*A keni pasur ndonjë vështirësi kur u flisnit shqip, apo kur u mësonit alfabetin e gjuhës shqipe fëmijëve arbëreshë?
-Arbëreshët flasin arbërisht, ajo duhet t’i mësohet: por jo shqipen se s’ka ku të mbështetet. Rinia arbëreshe, si dhe të rriturit arbëreshë, nuk e njohin shqipen, ndaj nuk e kuptojnë. Me pak fjalë, arbëreshi ka nevojë për alfabetin e gjuhës arbëreshe fshatare, pasi çdo arbëresh njeh të folurën e tij lokale. Vajza dhe djali arbëresh duan të folurën e gjuhës së nënës, pra të fshatit nga është e ëma. Kërkojnë alfabetizimin e djalektit që përdorin, sepse me atë lindin dhe jetojnë çdo ditë.Shqipja nuk ka lidhje me fshatrat arbëreshe.Vëndi ku mësohet Gjuha Shqipe janë Universitetet italianë , ku ka katedra gjuhe dhe letërsie shqipe: Romë, Napoli, Kozencë dhe Palermo. Megjithatë të shkohet të kalohet nga të folurit arbërisht në të shkruarin earbërishtes, nuk është elehtë,as kur do ta përvetësosh, as kur do ta mësosh. Por kur dëshira e mësuesit takohetme kureshtjen e fëmijëve, nuk ka asnjë problem. Kur të riut i flitet në të folurën e tij dialektore dhe i mësohet të shkruaj fjalët që di, është e thjeshtë. Alfabeti përvetësohet mirë e mësimi shndërrohet në lojë. Kështu ka qenë për mua dhe kështu është për çdo djalë dhe vajzë.
*A ka ndikim në formimin tuaj historia e Shqipërisë? A gjenden tek ju gjurmë të kulturës, shqiptare, si kostumet folklorike, rite të ndryshme gëzimesh apo hidhërimesh, këngë, ose diçka nga kuzhina shqiptare.
-Ne, Arbëreshët, vijmë nga Shqipëria qysh para 5 shekuj e gjysëm. Me ardhjen e turqve në Shqipëri, Skënderbeu personalisht na këshilloi të vinim në Itali. Vetëm për të shpëtuar lirinë dhe besën e krishterë. Gjë që e thotë edhe historia. Po më qartë se historia na e thonë: Gjuha, mbiemrat, toponimet, veshjet popullore, këngët, vjershat, Këngët popullore fetare(kishtare), riti bizantino-arbëresh etje… Më mirë na flet jeta jonë për Shqipërinë, Atdheu i etërve tanë . Rapsoditë na flasin për Shqipërinë. Mënyra e jetesës, të ngrënit, gëzimet, vajet tona na flasin për Shqipërinë. Karakteri ynë i lirë, i fortë, i papërkulur, i paepur dhe i egër tregon që jemi shqiptarë.Me këtë gjuhë arbëreshe, një degë e dialektit toskë, kemi ndërtuar një letërsi . Afërsia e Arbëreshëve ndaj problemeve politike shqiptare ka qenë e madhe dhe e vlefshme. Ndikimet nga njëra anë në anën tjetër ka sa të duash,Shqipërisë i vodhëm emrin e vjetër “Arbër”, ndaj na pëlqen të na quajnë Arbëreshë dhe tërësinë e fshatrave ku jetojnë arbëreshët e quajmë ARBËRI. Mjafton ky emër që t’i tregojë gjithë botës se cilët jemi e nga vijmë.
*Ç’kuptim kanë simbolet kombëtare shqiptare për ju si individ dhe si komunitet.
-Unë u rrita me flamurin shqiptar ndër sy, me himnin shqiptar ndër veshë, me flamurin shqiptar në vallet e Fransitës të sjellë me dorë nga flamurtari , për të parin e valles.Edhe fshatrat arbëreshe janë plot me buste të Skënderbeut, me emra personash, dhe toponime qytetesh e fshatrash, me flamuj që valviten nëpër shfaqje folklorike. Në kangjellat e jashtme të shtëpisë sime kam të gdhendur shqiponjën dykrenare.Janë këto simbole kombëtare që na lidhin ne, arbëreshët me njëri-tjetrin.. Si shprehja ‘Gjaku jonë i shprishur!’ kur takohen. Shqipërinë e kemi në buzë dhe në zemër.
*Botimi i revistës ”Jeta Arbëreshe”që ka ditëlindjen së afërmi, lindi si nevojë, thjeshtë si dëshirë e juaja apo si një domosdoshmëri etniteti për t’u përballuar me realitetin?
-Një revistë lind kur ka diçka për të thënë, me qëllim që të transmetohet. Ndryshe nga libri, që mbetet krijim personal, revista u intereson më shumë njerëzve, gjithë komunitetit, vlerat e së cilës rritet nga Korrespondentët dhe bashkëpunëtorët e saj.
Unë me të nderuarin xhaxha, priftin Emanuel Xhordano kishim pasurnjë përvojë 10 vjeçare (1972-1982) me revistën “Zëri i Arbëreshëve”, në Ejaninë, por mua kjo nuk më kishte kënaqur (mbushur shpirtërisht).
Revista “Jeta Arbëreshe (2002) lindi si dëshirë, sepse dëshiroja të bëja diçka më shumë për Arbëreshët dhe Arbërinë. Lindi si nevojë, sepse Arbërisë dhe arbëreshëve u duhej një gazetë mujore, e shkruar tërësisht në të folurën arbreshe , në djalektin e çdo fshati. Lindi si një organ i domosdoshëm, sepse atë kohë ishin pjekur kushtet. Ndërkohë ishin aprovuar nga Qeveria Italiane : Ligji kombëtar dhe shumë ligje të tjera krahinore për të drejtat e pakicave kombëtare, ndaj duhej një gazetë për të shkruar në Gjuhën Arbëreshe. Ishte vonë, pra duhej më shpejt dalja e një organi që të shpëtonte Arbëria. Që të jetojë Gjuha Arbëreshe dhe për të ruajtur të drejtat e Arbërisë, edhe një minutë vonesë, do të ndodheshim në buzë të humnerës. Nëse ky ligji do të ishte aprovuar në vitet ‘60 të shekullit të shkuar, me gjithë revistat e asaj kohe,’të shkruara arbërisht’, sot do të ishim 10 herë më përpara, do të kishim shpëtuar së paku 15% të Arbërishtes sonë.
* Cilat janë temat dhe fushat më të prekshme që evidentohen në faqet e saj? Keni korrespondentë të përhershëm apo sipas rastit?
– Bie fjala për një popull që vdes. Por kjo nuk ka ndodhur sepse ne jetojmë . Mbi të gjitha më intereson Gjuha Arbëreshe, që është tërësia e gjithë të dialekteve arbëreshe. Pikërisht për këtë theksoj se arbëreshët kanë shkruajtur arbërishten dialektore sipas fshatrave të tyre, jo italisht. Për shumë vite bëmë ‘politikë të jashtme’(shkruajtëm italisht), që të bëheshim të njohur nga të huajt. Tani na duhet një “politikë e brendshme’, të shkruajmë arbërisht, për të shpëtuar veten tonë dhe të ruajmë identitetin.
Ne jemi italianë, por me origjinë, gjuhë, zakone, rit bizantin dhe kulturë jemi shqiptarë.
Korrespondentë të përhershëm kanë pothuaj të gjithë fshatrat. Nuk mungojnë bashkëpunëtorët arbëreshë dhe shqiptarë. Më të gjendur janë arbëreshët e thjeshtë se sa intelektualët apo akademikët. Kurse më të shumët ndër shqiptarëtjanë nga jeta universitare ose intelektualë.
Veç gjuhës së shkruar, në ““Jeta Arbëreshe”botohen materiale mbi letërsinë, folklorin, zakonet, ritin bizantin, historinë arbëreshe, kronika shqiptare nga e shkuara dhe e sotmja, si dhe mbi çështjet tona arbëreshe. Kur nisa të botoja revistën (bashkë me xhaxhain Emanuel) më dukej si ëndërr , kurse sot është bërë realitet. “Jeta Arbëreshe” është e para dhe e vetmja revistë në botë , ku shkruhet vetëm arbërisht e shqip dhe vetëm për problematikën arbëreshe . A nuk është çudi?!
*I nderuar Prof.Giordano, unë do ta quaja revistën tuaj, një monument të trashëgimisë etniko-kulturore shqiptare që ju po e vazhdoni intensivisht dhe me këmbëngulje. Ju faleminderit për këtë punë të madhe, vetmohuese dhe me shumë vlera kombëtare.
Zoti Agustin, në bibliotekën time personale kam libra të Rilindasit të madh De Rada, të Mons. Eleuterio Fortino, Prof.Italo Constante Fortino, të Tommaso Campera, antologji poetike të Shoqatës “Vatra Arbëreshe” disa botime të revistës së mrekullueshme “ Jeta Arbëreshe”, që keni pasur mirësinë të ma poston Ju,personalisht. Cilët janë autorët arbëreshë që preferoni?
-Si ju thashë, për disa vjet unë jetova me xhaxha Emanuelin dhe fjeta në Bibliotekën e tij. Një det librash, ku veprat e poetëve dhe shkrimtarëve më të mëdhenj arbëreshë, që nga DeRada, Vorea Ujko, zbukuronin raftet ngjyrë gështenje. Si dhe veprat e pabotuara të Bilotës gërshetoheshin me revistat arbëreshedhe me skedat e Fjalorit të xhaxhait. Autorët e djeshëm e të sotëm që ju më citoni, (veç De Radës dhe Bilotës)kanë shkruajtur dhe shkruajnë për revistën “ Jeta Arbëreshe”, i kam patur dhe i kam bashkëpunëtorë. Ndër autorët Arbëreshë që më pëlqen më shumë është Vorea Ujko (prifti Domenico Bellizzi) nga Frasnita.
*Sa njihet letërsia shqiptare tek ju? E njihni ndryshimin midis letërsisë së realizmit socialist dhe asaj bashkëkohore?
-Letërsia shqiptare njihet pak në fshatrat e Kalabrisë. Më shumë njihen këngë shqiptare, se muzika mbërrin atjè ku nuk hyn libri;edhe pse jo të paktë kanë qenë grupet folklorike profesioniste shqiptare që venin e vinin nëpër fshatrat arbëreshe, gjatë viteve të komunizmit, por vetëm për propagandë. Ishin këngët e vallet, ato që lanë gjurmë në grupet folklorike arbëreshe. E kundërta ishte me bibliotekat e intelektualëve, të dijetarëve dhe priftërinjve arbëreshë, që nga vitet 50’ të shek. të shkuar, ishin të mbytura falas me revista e libra të realizmit socialist, që nga veprat e Hoxhës e deri te” Zëri i Popullit”, duke përshkuar mespërmes letërsinë e asaj kohe. Që prej vitit 2001, në bibliotekat e intelektualëve erdhën përherë e më pak libra nga Shqipëria,edhe pse jo më falas, por me pagesë. Meqënëse tani për vajtje–ardhje në Shqipëri udhëtohej më lirisht, ndaj librat mund të bliheshin edhe atje në vend. Pra nisi të njihet letërsia bashkëkohore shqiptare. Atëherë u pa ndryshimi i letërsisë hoxhiane me letërsinë e re, e cila është çmuar pakufi. Për revistën “Jeta Arbëreshe”, punojnë krahëpërkrah gjenerata e vjetër shqiptare dhe e reja. Për shembull gjenden shkrime të proff. Klara Kodrës si të Laura Smaqit, etj..
*Nuk e kam vizituar Regio Kalabrinë, por si mësuese gjeografie , gjej një ngjashmëri të jashtëzakonshme mes brigjeve të jugut kalabrez, e Siçilisë, me bregdetin jugor të Shqipërisë, duke nisur që nga Vlora, nga Kanina zotëruese mbi det, që është vendlindja ime. E njëjta thellësi, gjire të panumurta ngjyrë blu, bregdet i lartë shkëmbor me ullinj dhe agrume. Pse u vendosën në një terren të tillë të parët tuaj kur emigruan?
-Historia thotë se ne, Arbreshët, u larguam nga Atdheu në shek. XV, ku më të shumtët ishin nga jugu. Këtë e provojnë shumë fakte si: deri diku tërësia e komuniteteve arbëreshe në Itali ndjekin ritin bizantin për të cilat peshkopët katolik, gjatë kohërave kanë luftuar egërsisht dhe kjo bëri që gjysma e katundeve tona u zhdukën. Ne lamë Atdheun si ushtarë të Gjergj Kastriot Skënderbeut, për në Itali. Me përjashtim të bujarëve që zgjodhën për të jetuar Napolin. Arbëreshët u shëndrruam aty në bujq dhe çoban dhensh. Të trembur nga turqit, fshatrat e tyre nuk i ndërtuan në bregdet apo afër detit, por parapëlqyen të jetonin në zonat e thella të vendit dhe i ndërtuan fshatrat në shpate malesh apo në kodra të ajrosura mirë. Aty mbollën(kultivuan) vreshta e ullinj dhe rritën kope me dhenë e me lopë. Kështu krijuan ambientin bujqësor që kishin lënë.
-Profesor, më falni për ndërhyrjen, por për aq sa e njoh historinë e Arbëreshëve, përcaktues i origjinës suaj jugore shqiptare, nuk janë vetëm ritet fetare, por edhe toponimet Kalabri*, Ejanina*, edhe kostumet popullore, arbërishtja juaj i përket djalektit toskë. Mesa di, ju keni fituar të drejtat e minorancës nga shteti italian. Janë të mjaftueshme apo keni kërkesa të reja?
Vo: sqaroj këto 2 toponime
*Calabria= ca –Labëria= Kah Labëria =nga Labëria(??)
*Ejanina= e-janina = është Janina ose( si Janina). Shqipërohet edhe ndrtyshe:(??)
*Ejanina= Ejani -na=Ejani te ne (shën. i autoresVivra)(??)
Emri Calabrias’ka prejardhje (veç ato fonetike) të sigurta/historike ilire apo shqiptare.
Emri Ejaninavjen ka emri i lumit Ejano, çë buron nën këtij katundi.
-Pas 5 shekuj e gjysëm Pakica Arbëreshe është njohur nga Institucionet Qëndrore dhe krahinore të Italisë. Shteti Italian aprovoi Ligjin 482 të vitit 1999, sipas të cilit në krahinat apo fshatrat ku flitet arbërisht aprovoi të tilla ligje që janë në mbrojtje të Pakicës Arbëreshe, si edhe të pakicave me etni të tjera. Mirëpo janë ligje të pamjaftueshme si nga ana normative, dhe nga ajo ekonomike: Ose qenë zbatuar keq , aq pak nga autoritetet politikë krahinor, sa nga përgjegjësit universitarë. Apo dhe më keq fondet ishin keqpërdorur : përshembull, jo për vazhdimësinë dhe mësimin e gjuhës së pakicës arbëreshe ,por për mësimin e gjuhës shqipe: një interpretim që i sollën, në fshatra, ndryshe dëme mësimdhënies në sferat shkollore. Në disa fshatra ligjet nuk janë zbatuar, ose janë zbatuar aq pak sa fare, duke krijuar një rrëmujë të vërtetë.
“Jeta Arbëreshe” lufton vetëm për një synim: Ligjet duhen respektuar dhe jo të financohen projekte që i kundërvihen Arbërisë dhe Arbëreshëve.Kjo është kërkesa jonë e re, serioze, e rreptë dhe e padiskutueshme.
*Keni dëshirë ta vizitoni dhe ta njihni Shqipërinë?
-Deri më sot kam qenë i interesuar për të vizituar më tepër Kosovën, se Shqipërinë.Në Pristinë kam shkuar disa herë për shkak të Seminarit të gushtit, ku kam nderuar Arbërinë me kumtesa të veçanta, ku aq sa munda përdora gjuhën Arbërishte. Në Shkup kam qenë në vitet ‘70 , ku më botuan një përmbledhje me poezi.Në Shqipërinjoh aeroportin e Tiranës, dhe bulevardin kryesor të Kryeqytetit, ku dhe hëngra drekë. Njoh pak Durrësin, kur erdha me traget,. Njoh edhe autorrugën Durrës –Prishtinë që është e bukur. Në Prishtinë kam disa bashkëpunëtorë me vlerë: e kam mik, si vëlla, gjuhëtarin prof.dr. Imri Badallaj.Në Shqipëri, brenda dhe jashtë ambienteve universitarë, kam mbi 20 bashkëpunëtorë. Në Institutin Albanologjik të Tiranës kam profesoreshatM.Bruci e K.Kodra; shumë të tjerë nuk i njoh.Kam dëshirë ta vizitoj Shqipërinë dhe jo pak, por të ec, të fotografoj dhe ta njoh, sepse më frymëzon. Disa ftesa zyrtare shqiptare i kam refuzuar, pasi kam qenë i zënë me probleme të tjera.Si sot edhe më parë ekam ëndërruar . Miqt më presin… Shqipëria më pret.
*Natyrisht, që jeni i mirëpritur . Shqipëria ka qenë dhe është bujare për kalimtarët që i zë rruga në det dhe i fton në shtëpi me këto fjalë: “O udhëtar që nata e stuhishme të zuri në det, eja! Eja…, Bukë krip dhe zemër do të gjesh nëçdo vatër të këtij trualli të bekuar nga Zoti!”
Kurse bijtë dhe bijat e saj i pret me krahë hapur si nëna që pret fëmijën!Pastaj…,Ju i nderuar Prof.Agostino jeni degët e shpërndara nëpër botë, kurse rrënjët i keni këtu. Është e drejta e degëve,që të gjejnë rrënjët se ku i kanë, sepse ato janë identiteti ynë i përbashkët.
-“Jeta Arbëreshe”sivjet mbush 15 vjet. U nis si gazetë mujore , me gjashtëmbëdhjetë faqe.Sot është revistë gjashtmujore online me 80-100 faqe. E shkruar arbërisht nga arbëreshët dhe për arbreshët, që të jetojë gjuha Arbëreshe.
Vëllezërit shqiptarë kudo që jetojnë na ndihmojnë me shkrimet dhe studimet e tyre. Mbi problematike arbëreshe. Ne do t’i mbajmë sa më afër nesh, fshatrave tona, vatrave tona, që të njohin më thellësisht të qenësishmen tonë gjuhësore, letrare, etnografike, historike dhe reale për të mirën e Arbëreshëve. Si dhe për plotësimin e njohurive që kanë shqiptarët për Arbëreshët.
“Jeta Arbëreshe” është një urëlidhje mes dy brigjeve, ku arbëreshë dhe shqiptarë nga i gjithë Ballkani venë e vijnë, shëtisin e fjalosen, si dhe shkëmbejnë përvoja e gëzime. Marrdhëniet e mira mes tyre, e bëjnë fshatin e cilitdo më të pasur dhe më të fuqishëm se më parë. “Jeta Arbëreshe” është një bast me kohën. Një bast me Arbëreshët., një ilaç që i bënë mirë Arbërisë, gjuhës Arbëreshe dhe historisë arbëreshe. Edhe Shqipërisë i bën mirë. Një ilaç, por vetëm nëse Arbëreshi dëshiron të shërohet…
*Profesor, për mua ishte një intervistë interesante dhe shumë e bukur, prej së cilës ka se ç’mëson çdokush! Nuk më ngelet gjë tjetër veçse të përshëndetem me Ju.
I uroj rrugë të mbarë, jetë të gjatë dhe suksese medias më të bukur që flet Arbërisht dhe shqip, revistës “Jeta Arbëreshe” me drejtor Prof. Agostino Giordano! Ju faleminderit për kënaqësinë e jashtëzakonshme që më dhatë me këtë bashkëbisedim mes dy njerëzve të një gjaku e të një race hyjnore, më të lashtës në botë, racës Arbëro-Shqiptare!
Po ju shpreh një dëshirën time. E vetmja mundësi që kam për arbreshët është t’Ju dhuroj juve personalisht, (Universitetit të Kozencës dhe Bibliotekës të Kalabrisë) disa nga titujt e botimeve të mia. (Mundësisht siguroni postimin e librave).
I nderuar Profesor! Ju uroj jetë të gjatë dhe mirë u takofshim në Shqipëri ose në Kalabri!
–Me shëndet!
——————
Dy fjalë njohjeje për Bernardo Bilotta dhe Domenico Bellizzi.
Bernardo Bilotta
Bernardo Bilotta (arbërisht: Binard Bilota, 29 Nëndor 1843 – 16 Qershor 1918). Ishte një prift bixantin, poet dhe filolog arbëresh.
Ka lindur në Frasnitë, nga Emanuele Bilotta dhe Francesca Martire, ka studiuar në San Demetrio Corone dhe u shugurua prift në ritin bizantin më 1866. Ka studiuar pedagogji e dha mësim në shkollat fillore të Frasnitës; çë prej vitit 1873 ka qenë famullitar i Frasnitës.
Përkushtimi i tij për studimin dhe ruajtjen e gjuhës Arbëreshe, e bëri që të marrë pjesë në disa kongrese arbëreshe gjuhësore, veçanërisht në një kongres të mbajtur në Corigliano Calabro (në vitin 1895) dhe një tjetër kongres të mbajtur në Lungro- Kozenca më 1897.
Si në karrierën e tij poetike,edhe të shkruarit, ai është i shqetësuar. Bilotta ka filluar kompozimet në vitin 1870, në një kohë kur ai shkroi Markuri Dorsit(poemë satirike). Disa vjet më vonë ai filloi poemën epike” Shpata Skanderbekutndë Dibrët Poshtë”, e cila u rishikua katër herë,në vitin 1874 e 1890. Përveç nga prodhimi i tij në poezi dhe poema, ai shkroi edhe disa vepra filologjike mbi gjuhën shqipe, të cilat i publikoi dhe vazhdoi deri në vitin 1915.
Domenico Bellizzi
Domenico Bellizzi (1918-1989)*, i njohur edhe me pseudoniminVorea Ujko, është një ndër më të popullarizuarit dhe të respektuarit poetë arbëreshë. Domenico Bellizzi ishte një prift arbëresh nga Frasnita, i cili ka bërë famullitarin në Firmo. Bellizzi vdiq në një aksident me makinë në janar 1989.Vargu i Bellizzit është një shprehje e rafinuar lirike e qenies arbëreshe, që ka shkruar në shumë revista dhe antologji si dhe në shtatë koleksione, katër prej të cilave janë botuar në Itali, tre në Shqipëri dhe një në Kosovë. Bellizzi është një poet i traditës së pasur. Ai është trashëgimtar i denjë i poetëve të mëdhenj arbëreshë të shekullit të XIX, De Rada (1814-1903) dhe Zef Serembe (1844-1901), të cilët i admironte shumë. Vargu i tij është i lidhur ngushtë me përvojën arbëreshe, ku tregon forcën e lidhjes së tij me kulturat e paraardhësve të tij në Ballkan, pavarësisht se kishin kaluar mbi 5 shekuj, ai vazhdon traditën e të parëve të tij shqiptarë.
Botimet e Vorea Ujko-s
*Zgjimet e Gjakut, Castrovillari1971;
*Kosovë, Cosenza 1973;
*Mote moderne, Schiavonea 1976 (Kohët moderne);
*Ankth, Prishtinë 1979 (antologji poezish të botuara, hartuar nga Ali Podrimja);
*Stinat e mia, Corigliano C.Stazione 1980 (Stinët e mia);
*Këngë Arbëreshe, Tirana 1982;
*Burimi, Tirana 1985;
*Hapma derën, zonja mëmë, Tirana 1990.
* (Cfr.: Vorea Ujko, Opera Letteraria, / Studio introduttivo di Italo C.Fortino, cura dei testi di Agostino Giordano, traduzioni di Caterina Zuccaro /, pp.780, Editrice Il Coscile, Castrovillari 2004).
Komentet