Voal ka intervistuar Dr.Ruki Kondaj e cila tregon për organizimin e suksesshëm të komunitetit shqiptar në Kanada, frut i punës, i bashkëpunimit të ngushtë larg stilit të njohur të përçarjes si ndodh zakonisht tek komunitetet e shqiptarëve. Një shembull që ia vlen të ndiqet.
Intervistën e mori Elida Buçpapaj
Pyetje: Zonjë e nderuar së pari ju urojmë nga zemra në emrin tonë dhe të lexuesve të Voal për aprovimin e Projektligjit në Parlamentin e Ontarios dhe shpalljen zyrtare të Muaji të Trashëgimise Shqiptare, ju drejtohem si nismëtarja e këtij projekti dhe pyetjen po e nis prej këndej, si ju lindi ideja dhe kur ju lindi kjo ide e bukur ?
Dr.Ruki Kondaj: Së pari të falenderoj ju dhe VOAL për intervistën dhe për pasqyrimin e saktë të lajmit të datës 19 nëntor për kalimin në parlamentin e Ontarios të projekligjitt të shpalljes së muajit nëntor muaji i trashëgimisë shqiptare.
Desha ta filloj me një nga thënjet e çmuara të Nënë Terezës: Ne s’mund të bëjmë dot gjera të mëdha, vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe. Dashurinë ndaj atdheut e kemi manifestuar jo me angazhime politike dhe fetare por me menyra te reja si me integrimin tonë në menyre dinjitoze duke u përshtatur në rrethana të jetës dhe vendit ku jetojmë. Kështu i bëjmë nder dhe respekt atdheut tonë nëse integrohemi mirë në shoqërinë kanadeze duke respektuar ligjet, vlerat dhe kulturën e këtij vendi modern, ne mund të bëhemi produktiv per vete por për vendin tonë. Dhe së dyti të kontribojmë per komuntetin tonë shqiptar këtu duke qenë plotësisht të barabartë me popujt e tjere, prandaj është fat dhe shans historik që ne t’i shfrytëzojmë deri në maksimum mundësitë që na i ofron shteti kanadez edhe në rastin konkret duke shpalosur kulturen tonë kombëtare, jo vetëm japim një mesazh për brezat që vijnë që ta ruajnë atë e ta pasurojmë, por dhe ta bejmë atë pjesë të mozaikut të Ontarios e Kanadasë, kështu i sherbejmë vetes, komunitetit, Kanadasë ku jetojmë dhe Shqiperise duke e bërë edhe më të njohur në Kanada .
Ideja ka lindur më shumë se dy vjet më parë ku sapo kisha marrë mandatin e dytë si kryetare e shoqatës nga prilli 2013 .
Në programin vjetor që hartojmë si shoqatë krahas aktiviteteve tona për mbajtjen gjallë të kulturës shqiptare realizuar ndërmjet aktiviteteve të shumta si festat kombëtare, Ditën e Flamurit të Shqipërisë si dhe pavarësisë së Kosovës që me të drejtë e quajmë pavarësinë e dytë kombëtar. Krahas këtyre aktivteteve të realizuara në funksion të misionit tonë, ne organizojmë dhe përfaqesohemi edhe në aktivitete multikulturore me grupe të kulturave të ndryshme. Morëm pjesë në një akitivitet multikulturor në parlament të Ontarios ku ata po reklamonin kulturen e vet e sidomos turizmin në të cilin morëm pjesë me dy kolegët e mi Xhemi Agaj nënkryetar dhe Ramazan Kellezi zëdhënës.
Menjëherë e biseduam me njeri-tjetrin që ta bëjme edhe ne se i kemi edhe mundësitë edhe njerëzit për të punuar.Në fillim e diksutuam në bord thjesht si idé e cila u mirëprit pastaj ngritëm grup pune me procedura e standarta të qarta dhe avancuam idenë më tej për ta institucionlizuar me rregullim ligjor.
Pyetje: Për realizimin e saj, çfarë ju është dashur të ndërmerrni, ku keni lobuar, ku keni gjetur mbështetje ?
Dr.Ruki Kondaj: Natyrisht kemi lobuar me njerëz politikanë me influencë si Ministri i qeverisë së Ontarios Z.Brad Duguid, parlamentarja znj.Laura Albanese, si dhe me mbështetjen e antarit më të ri të parlamentit Yvan Baker.
Ashtu siç e kam shprehur publikisht njeriu i parë që më ka bërë të ditur institucionalizimin me anë ligjiore ka qenë ministri Brad Duguid, i cili na ka mbështetur fuqishëm si shoqatë në këto vite nga viti 2010 e tani dhe më 2014 është nderuar si antarë nderi i kesaj shoqate. Ai kishte dëshire ta merrte përsipër vetë por si rezultat i ngarkesave të mëdha ligjore së bashku ramë dakort që të ndërmjetësohesh me nje deputete tjetër qe e patëm ftuar që nga festimet e 100 vjetorit të pavarësisë znj.Laura Albanese me te cilën ramë dakort te procedohej për më tej.
Në një takimet me Laura Albanesen që do ta quaj si ditën vendimtare të vendosjes së një muaji në vend të një dite, unë shkova sëbashku me zëdhënësin e shoqatës z.Ramazan Këllezi ku diskutuam në parim dhe Laura na spjegoi modelin Italian dhe na sugjeroi që ta bëjmë një muaj si muaji i trashëgimise shqiptare dhe ne zgjodhëm muajin nëntor si muaj i festës kombëtare dhe legalizimit të shoqatës tonë që është 4 nëntor 1990. Pas disa ndërmjetësimesh dhe bisedash edhe me deputetin me të ri të parlamentit Yvan Baker i cili edhe ai u tregua shumë i gatshëm, përfundimisht znj.Laura Albanese e mori vetë përsipër ndërsa Brad Duguid ofroi përzemërsisht mirëaserdhjen në parlament që u bë për herë të parë më 26 nëntor të vitit të kaluar.
Pyetje: Me aprovimin në Parlamentin e Ontarios të këtij projektligji, dy ishin emrat që u dedikohej autorësia, ju Dr.Ruki dhe zonja Laura Albanese, a mund të na tregoni pak më hollësisht për këtë zonjë ?
Dr.Ruki Kondaj: Pas lançimit në parlament më 26 nëntor të vitit të kaluar siç e përmenda edhe më lart me një sukses të madh vazhduam kontaktet për hapat e metëjshëm me deputeten Laura Albanese e cila mori përsipër përfundimisht bërjen e projektligjit që do të lexohej me 19 nëntor, data që u vendos për ta prezantuar këtë projektligj në parlament dhe për ta festuar po në një nga sallat e parlamentit e cila u realizua me shumë sukses e pasqyruar nga media si ajo në Kanada Pasqyra Shqiptare, nga ju e VOAL, Gazeta Dielli, Top Channel, RTK, gjithë mediat ne Shqiperi e Kosovë kudo me dashamirësi e vërtetësi, faleminderit të gjithëve!.
Znj.Laura Albanese është një zonjë shumë e nderuar me origjine italiane nga Puglia, ka qenë dhe spikere në televizionin Italian në Toronto dhe më vonë i është futur politikës e cila po përfaqësohet denjësisht në zonën e saj me disa mandate ku eshte edhe zyra jonë e shoqatës. Më ka intriguar mbiemri i saj “Albanese” dhe e patëm ftuar për herë të parë në 100 vjetor të pavarësisë, në ngritjen zyrtare të flamurit para parlamentit të Ontarios e cila mbajti dhe një fjalim të bukur ku spjegoi dhe afinitetin e saj me shqiptarët nisur nga mbiemri i saj “Albanese”. Që nga ajo kohe e kemi ftuar në të gjitha festat e pavaresisë dhe ngritjen zyrtare të flamurit, po edhe në zyrë se zyra e saj është shumë afër zyrës së shoqatës dhe na ka vizituar si një mike e mirë.Duke mos qënë shumë e sigurtë në rrënjët e saj ka bërë dhe një premtim publik që do t’i kërkojë rrënjët e saj dhe ndofta një ditë do të jemi vëllezër e motra të një gjaku dhe urojmë ta vertetojë atë që mbiemri i saj nuk është aq i rastësishëm!
Për kontributin e saj të çmuar për këtë priojektiligj dhe afërsinë që mban me komuniteitn tonë në emër të shoqatës dhe të komisionit të vlerësimit të personaliteteve, kryetarja Aida Lumi-Bejte i dorëzoi tiltullin Antar Nderi që ishte një surprize e këndshme për të.
Leximi i projektligjit në parlament nga Laura Albanese u përcoll me emocion nga bashkatdhetarët brenda e jashtë Kanadasë vendosur menjëherë në youtube nga Parlamenti i Ontarios ku është ndjekur nga një numër i konsiderueshëm shikuesish.
Personalisht si dhe shoqata jonë, shqiptarët i janë mirënjohës Deputetes Laura Albanese për marrjen përsipër dhe realizimin me sukses të këtij projekt ligji ku nëntori shpallet muaji i Trashëgimisë shqiptare në parlament.
Pyetje: Gjatë ceremonisë të festimit bashkë me ju festonte dhe z.Brad Duguid ish- ministri i zhvillimit ekonomik në dy qeveritë e fundit qendrore në Kanada, ai mbante edhe Plisin shqiptar, si arritët që të keni kaq sukses dhe të angazhonit në nismën tuaj nivele kaq të larta të politikës në Kanada ?
Dr.Ruki Kondaj: Brad Duguid është deputet dhe ministër i sukseshmëm i qeverisë liberale për shumë vite por është njëkohësisht një njeri i sukseshëm dhe si politikan.Njohjen me të e kam pasur shume vite më parë ku ai kandidonte për disa herë në zonën ku unë banoja.Ajo që më bëri përshtypje ishte thjeshtësia e tij si ministër e deputet gjë që nuk e kisha hasur në Shqipëri ku politikanët tanë sa marrin mandatin qëndrojnë disi larg me votuesit e tyre dhe hallet e tyre. Ai është mjaf energjik, ndihmon shumë prandaj zona e tij e do shumë dhe e thërrasin kampion.
Që në vitin e parë të drejtimit tim në shoqatë e kam ftuar si në ngritjen e flamurit dhe në mbrëmjen tradicionale të festës së pavarësisë i cili i ka pritur me kënaqësi dhe ka ardhur e komunikon me të gjithë sikur ka qënë me ne ndër vite.
Ministri Duguid ka vlerësuar vazhdimisht punën e madhe të shqiptarëve në Ontario duke i konsideruar ata si vlerë e çmuar e Ontarios. Ministri Brad ishte ai që çeli fillimin e Muajit të Trashëgimisë një vit më parë si mikëprites i shqiptarëve në parlament dhe siguroi mbështetjen me parlamentarë të tjerë për projektligjin.Prandaj siç e kam përmendur më lart Bordi i SHBSHK dhe komisioni i vlerësimit të personaliteteve prane bordit e vlerësuan me titull Antar Nderi në festën e pavarësisë 2014 i pari kanadez dhe minister.Ai vazhdon të ndihmojë dhe të mbështesë shqiptarët dhe ka marrë në stafin e tij të ngushtë një shqiptar si asistent ligjor. Ai është me ne kudo siç thashë në festat kombëtare dhe ne festat e trashëgimisë shqiptare si në lancimin e parë që i quajti shqiptarët përveçse një thesari i çmuar në Ontario por edhe artiste të vërtetë ku të gjtihë dinë të bëjnë gjithçka dhe më 19 nëntor të vitit të kaluar i emocionuar shume nga plisi i bardhë që mbante në kokë e quajti për nder të madh vendosjen e plisit shqiptar ku theksoi se “sot e ndjej veten edhe më shume shqiptar” krahas një shprehje tjetër se “në këtë sallë ka dy lloj shqiptarësh ata që janë shqiptarë dhe ata që duan të jenë shqiptarë, ata që janë shqiptare dallohen nga zëri i tyre shumë i bukur kur këndojnë hymnin e flamurit dhe ne të tjerët që ndjehemi si shqiptare duke treguar simbolin e plisit” që ata e morën me vete në punimet e mëtejshme në parlament.
Pyetje. Nga video dhe fotot e gjithë cermonisë nga Parlamenti deri tek festimet shihet qartë një organizim shumë për t’u admiruar, si e arrini këtë, kur kemi parasysh se përgjithësisht diaspora shqiptare është e përçarë e ndarë ?
Dr.Ruki Kondaj: Për të folur për ngjarjen e këtij viti do të kthehem në retrospektive me punën e një viti me parë ku filloi puna në grup në mënyre intensive për të vendosur piketat dhe për të përcaktuar standartet e prezantimit në mënyrë sa me dinjitoze dhe kështu u bë. Aty pashë një mobilizim, një përkushtim, një bashkëpunim të paparë në grup me një ndjenjë të larte përgjegjësie me një frymëzim dhe me një dashuri të madhe për të bërë diçka të mirë për vendin tone dhe për veten tonë qe me çonte ndërmend angazhimin e madh të 100 vjetorit të pavarësisë!
Grupi i punës me Prof.Kristian Bukuroshin, Iljaz Lokun, Murat Hashanin, Xhemi Agajn, Ramazan Kellezin, Ilir Lenën, Prof.Saimir Lolja, Arsim Sinanin e Jani Tanen, grup që kurrë nuk do rresht së falenderuari nga zemra!
Grumbulluam materiale mbi historinë, shqiptarët e shquar në botë, emigracioni sipas etapave të ndryshme, materiale për turizmin dhe kulturën shqiptare disa u përgatitën nga grupi dhe disa panflete të vogla i mora në Ministri të Turizmit dhe atë të Kulturës disa kopje simbolike por i pasuruam me dy -3 katalogë shumë të rëndësishëm si biografia e Nënë Terezës nga Don Lush Gjergji, Njerëzit e shquar të shekullit XXpo nga Don Lush Gjergji. Blemë katalogun “Shqipëria nga ajri” të Alket Islamit,disa materiale të grumbulluara në zyrë, materiale të siguruara nga mikesha tona si qylym 100 vjeçar nga znj.Kalia Musha, e shume punime të bera me dorë nga Znj.Makbule Lena, jelek 100 vjeçar nga Emiljana Zenelaj, suvenire nga familja Kellezi e pune dore të siguruara nga shtëpiat tona, libra me karakter kombetar si Gj.K.Skënderbeu i autorit Virgjil Kule, libri në anglisht Amaneti çam dhe Mbretëresha Teutë i autorit Perparim Kapllani dhe libër anglisht Friends nga shkrimtari Kristaq Turtulli si dhe Libri ne anglisht per shpëtimin e hebrejve nga autor Wadham Peacock-Jeronimi, Posteri i gjuhe shqipe, i Beses, thenje te Nënë Terezës i përgatitur nga Prof.Saimir Lolja e Iljaz Loku, piktura të piktorit të mirënjohur Bujar Asllani dhe muzikë klasike në sfond nga Muzikanti Jani Papadhimitri dhe muzikanti Rudin Lengo.Video për historinë, shqiptarët e shquar në botë, emigracionin, turizmin e kulturën shqiptare përgatitur nga Producenti i talentuar i Pasqyra Shqiptare TV Ilir Lena. Përfaqësim dinjitoz i grupit Shqiponjat e vogla të mjeshtirit koreograf Ramazan Këllezi, të moderators së veshur me xhubletë të malësisë se madhe studentja Uarda Këllezi, Figurat kombëtare të lara në ar si Nënë Tereza dhe Gj.K. Skënderbeu nga artisti i mirënjohur Hytbi Tarelli. Pra kështu nisi lançimi i trashëgimisë një vit më parë që ishte me të vërtetë një ngjarje shumë e bukur për ne si shoqatë për komunitetin tonë, për shqiptarët e Ontarios dhe duke e vlerësuar parlamentari Yvan Baker e cilësoi si ngjarjen më të bukur të të gjithe kohërave në këtë parlament .Ky ishte vetem fillimi duhej shumë punë për të marrë përsipër ligjin.
Prandaj nuk do rresht së falenderuari grupin e punës me përfaqësues nga gjitha trevat për kontributin e madh me bashkëpunimin e shkëlqyer me bordin e shoqatës, antarët, artistët bizneset dhe të gjithë përkrahësit që na kanë mbështetur si shoqate pa rezerva.
Aktiviteti i datës 19 nëntor u organizua në detaje siç e patë vetë me përfaqësim dinjitozz nga shoqata jonë, shoqatat si motra, personalitete të shumta shqiptare e kanadeze, klerikë, soprania e mirënjohur e komunitetit Mirela Tafaj, grupi i Shqiponjave të vogla të drejtur nga Koreografi i mirënjohur Ramazan Kellezi që i dhanë gjallëri kësaj feste.Po ashtu torta e qendisur me flamur me mbishkrimin Gëzuar muajin e trashëgimisë nga artistët duarartë pasticierëve Bruna e Adi Brari, prezenca e përheshme e Pasqyrës Shqiptare me producentin Ilir Lena i cili beri i pari publik aktivitetin dhe suksesin e këtij aktiviteti burim ku u bazuan edhe shume media të tjera si dhe fotot të mrekulleshme të fotografit të talentuar Genti Hali të pasqyruara nga Shoqata Shqiptare, foto që e bënë xhiron e madhe dhe morën qindra pëlqime.Publikim e aktivitetit e bëri dhe gazetari i mirënjohur nga Kosova i ftuar në këtë ngjarje Milaim Zeka në portalin e tij Pa Rrotlla.
Falenderim të veçantë i dhashë artistes, mjeshtres së madhe Lili Cingu që në bashkëpunim me Sejmen Gjokolin nga Vlora me sollën kostumin popullor të krahinës së Vlorës në këtë ditë të shënuar e historike për të gjithë shqiptarët në Ontario e Kanada.Të gjitha së bashku i dhanë një bukuri të veçantë dhe finalizim me suskes.
Çdo gjë ëshë arritur me punë shumë, jashtë kohës së punës, me vullnetarizëm nga dëshira e madhe për të ngritur lart vlerat tona kombëtare, me qëllim që ta bejme vendin tonë me të njohur në botë aty ku kemi vendosur të jetojmë.
Me dëshire, këmbëgulje, me dashuri dhe bashkëpunim arrihet çdo gje,është fakt se ky aktivitet po kurorëzohet me një projektligj është produkt i një shoqate vullnetare me një histori 25 vjeçare.
Pyetje: Si i bëtë Parlamentarët kanadezë që të mbajnë Plisin e bardhë ?
Dr.Ruki Kondaj: Shumë vetë e kanë bërë këtë pyetje si edhe ju, një gjetje e bukur që la një shije të bukur mbrapa.Gjatë përgatitjeve të datës 19 po mendoja se si të gjejmë ca plisa të bardha vetëm për të huajt dhe bisedova me një koleg të nderuar Dr.Alban Merepeza një kiroprakter i suksëshem në Kanada , anëtar i Këshillit të Nderit të shoqates por edhe kiroprakter i kombëtares shqiptare i cili na siguroi rreth 30 plisa nga Shqipëria nëpërmjet gazetarit sportiv Dritan Shakohoxha dhe i solli një ditë para aktivitetit dhe kështu i bëmë pjesë të programit. Nora Marku moderatore e këtij aktiviteti pas dëgjimit të hymenve njoftoi për sjelljen e plisave dhe spjegoi për këtë simbol të shqiptarëve duke jua vendosur të gjithëve me radhë parlamentarë e ministra, të huaj e shqiptarë të hershëm e arbëreshë si Fisnik Prishtina, Salvatore Greco, Prof.Robert Austin, shkencetarja Lorina Naci etj, një veprim që i dha një gjallëri, bukuri e emocion kësaj dite me fillim e mbarim kaq të bukur.
Pyetje: Ajo që vumë re në festimet ishin emra shumë të nderuar që ju i kishit ftuar, a mund të na përmendni disa prej tyre ?
Dr.Ruki Kondaj: Po që në fillim përgatitëm një strukturë të programit shoqëruar dhe me një listë për të ftuarit sepse ligji do t’ju shërbejë të gjthë shqiptarëve në Ontario pavarësisht se Shoqata jonë është autore, aty kishte nga një përfaqësues për çdo shoqatë të Ontarios por edhe nga Montreali. E ftuar nderi ishte ambasadorja jonë në Otavë Shkëlqesia e saj znj.Elida Petoshati, i ngarkuari me punë i Kosovës në Kanada z.Lulzim Hiseni, u ftuan po ashtu përfaqësuesit e tre feve, zonja e nderuar nga Otava që ka shërbyer si ambsadore e pashpallur për më shumë se 40 vite znj.Shano Bejkosala, ndeuar nga Presidenti i Republikës me titull „Nderi i Kombit“, përfaqësuesi arbëresh Salvatore Greco, prof.Robert Austin, Fisnik Prishtina, Laura Albanese, autore e projektligjit, Brad Duguid Ministër, Yvan Baker deputet, me shumë se 20 ministra e deputetë ku parlamentarët Kristin Martin dhe Charles Souza u bashkuan si sponsorizues të koktejit. Ishin të ftuar dhe shkencëtarja e rrallë nga Londra Lorina Naci, artistja dhe mjeshtre e madhe Liljana Cingu, gazetari i mirënjohur i emisionit Pa rrotlla Milaim Zeka, fotografi Genti Hali, Radio e Diel e shume bashëatdhetarë, artiste, biznese, pensionistë e studentë, antarë te komuntetit etj.
Si gjithmonë ne kemi prezent të vetmen media ne gjuhën shqipe të drejtuar nga producenti i talentuar Ilir Lena i cili është dhe pjesë e grupit te punës së Trashëgimisë.
Pyetje: Le të kthehemi pak në kohë, Dr.Ruki, kur keni ardhur në Kanada dhe na tregoni pak rrugën që keni përshkruar deri më sot, diçka për familjen tuaj ?
Dr.Ruki Kondaj: Unë kam emigruar në Kanada për herë të parë në vitin 2000 po jam rikthyer në Shqipëri për arësye të studmit të një masteri në Universitetin Bocconi në Milano dhe duke pasur një kontratë me ata që me mundësuan shpenzimet e përditëshme pasi bursën e shkollës e fitova vetë, m’u desh të mbaroj detyrimin ndaj kësaj kontrate si dhe përfundova doktoraturën dhe nje libër, projekte të filluara më parë. Jam rikthyer përfundimisht në vitin 2008, por mu desh të bëj edhe shkolle tjetër mbi çeshtjet rregullatore të farmaceutikes dhe kërkimet klinike për rrugën që ndjek bari nga molekulë deri në formën përfundimtare. Krahas punës së përditshme gjithmonë brënda profesionit angazhohem me përkushtim për komunitetin shqiptar për më shumë se 7 vjet e prezent. Jemi sëbashku me familjen me bashkeshortin dhe dy djemtë që i kam pasë gjithë kohën përkrah në mbështetje të punëve, studimeve, pra të karierës sime dhe të punës në shoqatë.Të gjithë e mbështesim njëri-tjetrin në projektet e gjithësecilit, pa mbështetjen dhe mirëkuptimin familjar nuk mund të arrihet sukses.
Pyetje: Ju keni qenë edhe kryetare e Shoqatës të Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze, dhe sot jeni kryetare nderi, na tregoni pak për historikun e saj.
Dr.Ruki Kondaj: Do ta filloj me pak histori me misionin e vizionin e Shoqates shqiptaro-kanadeze ne Toronto, nje shoqate me jetegjatesi 25 vjeçare.Përpjekjet për të krijuar Shoqatën Bashkësia Shqiptaro-Kanadeze (SHBSHK) me qendër në Toronto e kanë fillimin shumë kohë më përpara se sa të themelohej kjo shoqatë.
11 Gushti 1989 shënon ditën e krijimit paraprak të kësaj shoqate mbarëshqiptare. Kjo arritje e rëndësishme e komunitetit shqiptar ishte fryt i punës së palodhur dhe të lavdërueshme të grupit nismëtar, i cili me përpjekje të mëdha arriti të mbledhë bashke shumë bashkatdhetarë për një qëllim fisnik. SHBSHK-ja u regjistrua tek autoritetet kanadeze si organizatë komunitare pa përfitim në datën 4 Nëntor 1990 me emrin Albanian-Canadian Community Association of Toronto, që njihet edhe si data zyrtare e krijimit të saj. Kjo ditëlindje shihet qartë edhe në logon zyrtare të Shoqatës, të krijuar me mjeshtëri e plotkuptim qysh në atë kohë nga shqiptari nga Gostivari sot anëtar i Këshillit të Nderit të SHBSHK z.Iljaz Loku. Ajo simbolizon të gjithë shqiptarët e krejt provincave kanadeze të përfaqësuara secila nga një gjethe panje të bashkuar përreth shqipes dykrenare, mëmëdheut.
Komuniteti shqiptaro-kanadez në vazhdimësi falenderon përzemërsisht grupin nismëtar por edhe drejtuesit në vite për arritjen e këtij misioni kaq fisnik e patriotik në interes të të gjithë bashkatdhetarëve me banim në Kanada.
Sot pas kaq shumë vitesh pra në total 25 vjet ajo vjen me një mision shumë të qartë jo vetëm për ruajtjen e vlerave kombëtare por edhe për integrimin e shqiptarëve në Kanada, me nje imazh shumë të mirë dhe me një përqasje shumë cilësore.
Une kam fillua aktivizimin në shoqatë pikërisht në vitin 2008 në fillim si antare bordi dhe në 2010 deri në 2015 si kryetare shoqate për dy mandate që janë të miratuara me statut.Nga zgjedhjet e fundit të 1 shkurt 2015 me propozim të bordit të SHBSHK dhe miratim të Asamblesë së Përgjithshme me kanë nderuar si Presidente Nderi, nderim që e kam marrë si një përgjegjësi më shumë ndaj shoqatës, bordit te ri dhe ndaj komunitetit që më ka mbështetur pa rezerva në realzimin e detyrës në drejtim të shoqatës, mirenjohje pa fund për të gjithë.Përfshrja si antare bordi më parë të krijon mundësine e njohjes së progarmit, të institucionit dhe si funksionon pikërisht kjo më ka ndihmuar për ta bërë edhe me mirë detyrën.
Shoqata jonë është një shoqatë që ka bërë një histori 25 vjeçare dhe kjo flet shumë se shumë njerëz të angazhuar në mënyre vullnetare harxhojnë kohën e tyre të lirë në dobi të komunitetit dhe të çështjes shqiptare. Në 5 vjeçarin e fundit të gjithë trevat shqiptare janë pjesë e strukturës së shoqatës duke flluar nga bordi, këshilli i nderit në antarësi e kudo në aktivetete të organizuara nga shoqate.Si shoqatë jemi anëtarë prej 5 vitesh në këshillin më të madh të Europës Qëndrore dhe Lindore në Kanada me një histori 60 vjeçare, me një bashkëpunim shumë të mirë institucional me qeverinë e Ontarios, me ambasadën shqiptare në Otavë e sidomos me ambasadoren e shkëlqyer Elida Petoshati, me shoqatat si motra dhe grupet multikultoure, komunitetet fetare dhe me median e vetme Pasqyra shqiptare që e kam përmendur edhe më lart.Të gjitha këto që thashe dhe shumë veprimtari që janë aq të shumta janë të dokumentuara dhe pasqyruara më së miri në website të shoqatës www.albcan.ca dhe në Facebook,Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro Kanadeze.
Janë prezantuar gjtihashtu në një dokumentar me titull „Vjeshtë dhe Shpresë“, historia e një shoqate 25 vjeçare që gjendet edhe në Youtube përgatitur me shumë profesionalizëm nga producenti i Pasqyra Shqiptare z.Ilir Lena.
Pyetje:Dr.Ruki, për kontributet tuaja në shoqerinë kanadeze, ju jeni nderuar me çmimin ‘Queen Elisabeth II Diamond Jubile Award 2012“, çfarë është ky çmim dhe a e kanë marrë shqiptarë të tjerë si ju ?
Dr.Ruki Kondaj: Po, Ky çimim(Medalje Diamanti) është dhënë dy herë rresht në distancë 10 vjeçare dhe së fundi është dhënë në 60 vjetor të qeverisjes së mbretëreshës Elizabet II për njerëzit me kontribute të çmuara në komuntiet për vendin e tyre nga vijnë dhe për Kanadane që jetojnë.Koha kur është dhënë ka qënë festimi i 100 vjetorit të pavarësisë ku organizuam një koncert madhështor e historik me pjesëmarrjen e 86 artisteve që nga fëmijët e vegjël e deri tek ata më profesionistet.Medalja e akorduar nga governatori i përgjithshëm i Kanadase „Queen Elisabeth II Diamond Jubile Award“ mu dorëzua nga Minsitri Brad Duguid në prani të Ambasadores Petoshati, të parlamentarit të Kanadasë Jim Karygianis dhe shumë personalitete të tjera të ftuara në këtë ngjarje madhore si 100 vjetori i pavarësisë. Jam e para shqiptare që e kam marre këtë vlerësim por pas meje 6 muaj më pas janë nderuar me këtë medalje edhe dy shqiptare të tjerë biznesmenë shumë të suksesshëm ardhur nga Kosova hershëm dy vëllezërit Fatos Prishtina e Fisnik Prishtina, ky i fundit ishte prezent edhe më 19 nëntor. Personalisht nuk e shikoj thjesht si vlerësim individi por vlerësim të gjithë komunitetit se ndërmjet këtyre mënyrave nderimi komuniteti bëhet edhe më i njohur në Kanada.
Pyetje: Cilat janë veprimtaritë që keni ndërmarrë gjatë këtyre viteve ?
Dr.Ruki Kondaj: SHBSHK ka një kalendar të përcaktuar qartë për ngjarjet më të rëndësishme të vitit siç jane festat kombëtare si ajo e pavarësisë së Shqipërisë dhe Pavarësisë së Kosovës, piknikun tradicional shqiptar, festat e nënës dhe mësuesit që jemi munduar t’i sjellim në mënyra shumë te veçanta, festa të gjuhës shqipe në bashkëpunim me shkollat shqipe në Toronto e GTA, promovime librash, ekspozita të arteve figurative, pjesëmarrje në organizime të ndryshme me shoqatat si motra që ka qenë sistematike e në vazhdimësi si dhe në bashkëpunim me grupet multikulturore.Siç e përmenda me lart antarësimi në CEEC na bëri që të organzohemi për 5 vjet me radhë me komunitetet e tjera antare të këtij rrjeti për të kujtuar „ Black Ribbon Day“ ose dita e Fjongos së Zezë që është dita 23 gusht e shpallur në Kanada ditë kombëtare, në kujtim të viktimave të nazizmit dhe komunizmit, që ju e keni trajtuar shpesh në shkrimet tuaja.
Futja e praktikave të tilla si vlerësimi i personaliteteve si antare nderi në komunitet bëri që shoqata jonë të zgjerohet me figura të shquara brënda e jashtë Kanadasë duke krijuar dhe lidhje edhe me vendin amë që nga arbëreshët, Kosovë, Shqipëri, Amerikë etj. një praktikë e bërë për tre vjet me radhë dhe e mirëpritur në komunitet e me gjërë.
Pas festimit me suskes të trashëgimise në parlament dhe të festes kombëtare nga SHBSHK me një pjesëmarrje masive të shqiptarëve kulmi arriti në natën e trashëgimisë shqiptare në Air Canada Center ku Shqiponjat e vogla të koreograf Ramazan Këllezit dhe Mjeshtres së Madhe Lili Cingut performuan para 26 mijë spektatorëve nën organizimin e biznesmenit të suksesshëm me origjinë nga Kosova anëtar dhe sponsor i shoqatës Z.Bujar Zejnullhu që ishte siç thuhet ishte qershija mbi tortë.
Pyetje: Cilat janë planet për të ardhmen, kur kam parasysh se komuniteti shqiptaro-kanadez ka një përbërje shumë të respektuar ?
Dr.Ruki Kondaj: Plani për të ardhmen kemi patjeter se nuk mungojnë as idetë e as dëshira por kur bëhen realitet athere i thua edhe me zë të plotë, prandaj preferoj të flas kur bëhen synimet realitet.
Une do ta mbyll ashtu siç e fillova po me një thënje të Nëne Terezës “Kur për shkak të moshës nuk do mundesh të vraposh, atëher ec shpejt. Kur nuk do mundësh të ecësh shpejt, vetëm ec. Kur nuk do mundësh më të ecësh, përdor shkopin. Por kurrë mos u ndal!”
Nuk besoj se do ndalemi kur ekziston dëshira e mirë, përkushtimi, bashkëpunimi, mbështjetja dhe respekti për një tjetrin. Kam nderin e madh të jem pjesë e grupit të nderuar të këshillit të nderit kryesuar nga prof.Kristian Bukuroshi, themeluesi i informatikes shqiptare, Dr.Alban Merepeza dhe Z. Iljaz Loku që i përmenda edhe më lart si dhe z.Muart Hashani, kryetar i parë i kësaj shoqate dhe të jem mbështetëse pa rezerva e bordit drejtues që vetë kemi zgjedhur të përbëre nga 13 anëtarë të drejtuar nga kryetarja znj.Aida Bejte, zv/kryetari z.Ramazan Këllezi, Sekretari z.Flamur Selmani, Financieri z.Andi Demçellari , zëdhënesi z.Emin Osmani , përfaqësues të gjtihë trevave shqiptare për të siguruar vazhdimësinë e kësaj shoqate dhe për të çuar përpara projektet e nisura që do të ndikojnë ecurinë progresive të këtij komuniteti
Faleminderit për intervisitën dhe të uroj shumë sukses juve dhe VOAL një tribunë e lajmeve të shumta dhe shumë koherente!
Havibg pulled more than does not have too be a stressful experience.
Also visit my blog Virgilio
Hey there I am so glad I found your blog page, I really
found you by accident, while I was researching on Google for something else, Anyhow
I am here now and would just like to say cheers for a
incredible post and a all round entertaining blog (I also love the theme/design),
I don’t have time to go through it all at the minute but I have bookmarked it and also added in your RSS feeds, so when I have time I will be back to read a lot more, Please do keep up
the superb b.
Here is my site v9bet