Enver Hoxha që kur u prish me BS, në fantazinë e tij, priste një puç ushtarak nga kuadrot e ushtrisë
– Lufta Nacional-Çlirimtare e popullit shqiptar është zhvilluar në kuadrin e Luftës Antifashiste të Koalicionit Anglo-Sovieto-Amerikan
– Vendimet e Konferencës së Pezës, si një konferencë pluraliste, ishin kundër interesave jugosllave në Shqipëri
– Në Kongresin e Përmetit Mehmet Shehu nuk gradohet me gradën Gjeneral, kur atij kjo gradë i takonte përpara të gjithë të tjerëve
– Enver Hoxha që kur u prish me BS, në fantazinë e tij, priste një puç ushtarak nga kuadrot e ushtrisë
Ernest Jakova ka lindur në Shkodër, më 26 janar 1921, megjithëse në të gjitha dokumentet viti i lindjes është 1923. Babai Kola, me profesion marangoz, në vitin 1928 shpërngulet me gjithë familjen nga Shkodra në Tiranë. Në Tiranë ka kryer shkollën fillore (pesë vjeçare) dhe katër vitet e para të gjimnazit (semi-maturën). Është për tu përmëndur këtu që fizikisht në këtë moshë ka qenë shumë i dobët dhe sëmurej shpesh. Kur ishte në klasën e tretë të gjimnazit, në moshën 14 vjeç, rasti e solli që të gjej një fletore me ushtrime gjimnastikore force të vëllait tim të madh, Toninit. Ushtrimet ishin përgatitur nga një profesor anglez i fiskulturës, njëkohësisht edhe doktor, me emrin Lionel Stebing, i cili ndër udhëzimet që jepte, nënvizonte që kryerja me seriozitet e këtyre ushtrimeve të forcës, në seanca gjysëm ore, çdo ditë (mundësisht në mëngjes) për një muaj rrjesht, e përgatisin trupin dhe e bënin të aftë për të marrë pjesë në çdo sport. Për një muaj e gjysëm i bëri këto ushtrime me dëshirë të madhe dhe duke i zbatuar me përpikmëri të gjitha kërkesat. Rezultati ishte me të vërtetë mbresëlënës. Këto ushtrime çudibërëse e ndryshuan përgjithnjë jetën e tij. Nga një fëmijë shëndetlig gradualisht u bë një atlet i dalluar. Më vonë këto ushtrime ua ka rekomanduar edhe djemve të tij, të fisit dhe shumëkujt tjetër. Një pjesë të këtyre ushtrimeve vazhdon t’i aplikoj edhe sot në moshën 95-vjeçare.
-Në çfarë moshe e keni marrë Gradën Gjeneral?
Grada Gjeneral-major më është dhënë në vitin 1963, në moshën 40-vjeçare, me propozimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm-Petrit Dume, nga Kryeministri Mehmet Shehu me miratimin e Enver Hoxhës. Gradën Gjeneral-major e morë njëkohësisht me mua edhe oficerët Abaz Fejzo e Mendu Backa.
-Përse zgjodhët Shkollën Ushtarake në Itali?
Përgjigje: Shkollën Ushtarake në Itali, nuk e zgjodha unë, por babai im. Për të lehtësuar shpenzimet e familjes me shumë fëmijë, prindërit preferonin që një nga djemtë të shkonte në shkollë për oficer. Ne Familjen tonë, radha më ra mua për të shkuar në një shkollë ushtarake në Itali, në vitin 1937. Në Italinë e asaj kohe, kishte tre shkolla ushtarake: e Romës, e Napolit dhe e Milanos. Sipas një marrëveshje shtetërore me Italinë, çdo vit në njërën nga këto shkolla shkonin 30 nxënës nga Shqipëria. Në vitin 1937 nxënësve nga Shqipëria ju ra radha për në Shkollën Ushtarake të Milanos. Modeli i shkollës ishte i ngjashëm me Shkollën Skënderbej, që u ngrit më vonë në Shqipëri. Shkolla ishte tre vjeçare me tre kurse, ku kryeshin tre vitet e fundit të gjimnazit(matura) dhe stërvitje e jetë ushtarake. Ndërtesa e shkollës ishte e madhe, tre katëshe dhe e pajisur më së miri dhe me profesorë dhe oficerë të zgjedhur për të gjitha lëndët. Komandant i Shkollës Ushtarake Milano ishte Koloneli Munjaj, Komandanti i Kompanisë sonë ishte Kapiteni Taralo dhe Komandanti i Togës sonë me shqiptarë, ishte Toger Kualia. Nuk mund të mos përmënd dy ngjarje të veçanta që kanë lidhje me këtë shkollë:
-Kishin kaluar tre muaj nga fillimi i vitit të parë të shkollës. Kompania jonë e përbërë nga tre toga me nxënës italianë dhe toga jonë me shqiptarë, gjithsej 120 vetë, kishte shkuar për të bërë qitjen e parë në një poligon, në veri të Milanos. Ngjitur me poligonin ishte një stadium i madh ushtarak. Mbasi mbaroi qitja, Kapiten Taralo, i cili dikur kishte qënë edhe atlet, urdhëroi: ”Të gjithë të dalin me mbathje dhe të vihen në start. Fiton ai që bën më shumë xhiro rreth stadiumit”. Të gjithë u çveshëm dhe u vumë në start. Pasi Kapiten Taralo dha komandën, të gjithë u nisëm me shpejtësi. Pas 200 metrave të para shumë nga nxënësit u shtrinë në tokë dhe nuk mund të vraponin më tutje. Mbas xhiros së parë(800metra), në garë kisha mbetur vetëm unë dhe desha të ndaloj, por Kapiten Taralo bërtiti: “Mos ndalo, vazhdo sa të mundesh, mos na shiko ne”. Unë e ndjeja vehten të freskët dhe mund të vrapoja edhe shumë xhiro të tjera. Mbasi kisha bërë edhe tre xhiro e gjysëm, 400 metrat e fundit e rrita shpejtësinë dhe ndalova. Ishin 119 nxënës dhe 10 oficerë që po pritnin që unë të ndaloja. Të nesërmen në shkollë gjithandej dëgjoja zëra: “Jakova atleta”. Menjëherë më futën në grupin e atletëve të shkollës, për të marrë pjesë në garat që zhvilloheshin çdo dy vjet ndërmjet tre shkollave ushtarake të Italisë.
-Në Tetor të vitit 1943, unë dhe Mahmut Agolli, dikur studentë në Shkollën Ushtarake të Milanos dhe tani partizanë të Brigadës III Sulmuse, ndodheshim në grykën e Erzenit, pas malit të Dajtit. Papritur na del përpara Toger Kualia, komandanti i togës sonë në shkollën ushtarake në Milano. Ai na njohu, u drejtua nga ne dhe tha “Unë ju kam mësuar ta doni atdheun” . Pastaj nxori nga çanta një kulaç, e ndau tresh dhe e hëngrëm sëbashku. Pas shumë vështirësish Toger Kualia arriti të kthehet në Itali.
-Përse zgjodhët Akademinë Ushtarake të Aviacionit në Kazerta?
Përgjigje: Arësyeja ishte se në Akademinë Ushtarake të Aviacionit në Kazerta, leksionet që bëheshin në dy vitet e para ishin të njëjta me ato të Fakultetit të Inxhinierisë dhe unë kisha synimin që më pas të përfundoja Fakultetin e Inxhinierisë. Akademia ishte tre vjeçare. Në leksione unë pregatitesha mirë. Më kujtohet që në provimet e matematikës unë nuk tërhiqja tezën për tu përgatitur, por përgjigjesha direkt për pyetjet që më bënte komisioni dhe merrja notën më të mirë.
Fluturimet me avion zhvilloheshin tre muajt e verës të vitit të dytë me aeroplanin Breda-25 dy vendësh dhe dopjo-komandë dhe gjithë vitin e tretë me aeroplanin RO-41 dy vëndësh dhe dopio komandë. Fluturimet me aeroplanin Breda-25 zhvilloheshin një ditë po një ditë jo, 20 minuta në ditë. Më kujtohet që në skuadrën time prej 10 vetësh, unë ishai dyti që jam lejuar të fluturoj vetëm, pa instruktor, pas 5 orëve fluturimi me dopio komandë. E kishim të ndaluar të bënim akrobaci para kohe dhe pa instruktor, por kurioziteti dhe dëshira ishin aq të forta sa që e thyenim këtë rregull. Unë kisha dëgjuar me vëmëndje nga një student italian për mënyrën e realizimit të “Rrethit Vertikal” ose “Tonon” si e quanin në akademi dhe një ditë gjatë fluturimit me aeroplanin Breda-25, mbasi u largova nga fusha e fluturimit fshehurazi e realizova edhe këtë figurë. Në pushimet e vitit të dytë të akademisë, ndërsa ishim në Shqipëri, më 20 Korrik të vitit 1942, bashkë me shokun e shkollës Mahmut Agolli, dolëm ilegal. Fillimisht kemi shkuar në shtëpinë e Munir Kokalarit, në rrugën e Elbasanit, ku kemi banuar katër ditë.
– Çfarë aktiviteti keni kryer në ilegalitet?
Përgjigje: Katër ditë pasi kishim dalë në ilegalitet, bashkë me Mahmut Agollin marrim pjesë në aksionin e rëndësishëm të ndërprerjes së ndërlidhjes telefonike në të gjithë Shqipërinë. Unë isha caktuar në grupin e Mihal Durit. Në këtë grup bënin pjesë Mihal Duri, Xhikë Sina, një djalë i ri që nuk ja kujtoj emrin dhe unë. Grupi ynë kishte për detyrë prerjen e telave telefonikë në Farkë, në mesnatën e datës 24 korrik 1942. Nisjen e bëmë herët në mëngjes nga shtëpia e Xhikë Sinës, në Rrugën e Bamit. Ndoqëm intinerarin rrëzë malit të Dajtit. Sapo kishim mbërritur në Farkë, me ne u bashkua edhe një fshatar që na kishte përgatitur një sharrë dhe dy sopata. Pasi premë shumë shtylla dhe tela, në errësirë morrëm rrugën për tu kthyer në Tiranë nga kishim ardhur. Rrugës vura re se silueta e malit të Dajtit dukej më larg se sa kur kishim ardhur për në Farkë dhe mendova mos kishim devijuar nga rruga. Këtë dyshim ja them Mihalit, por ai insitoi se ishte po ajo rrugë nga kishim ardhur. Në fakt ne po ecnim paralel me rrugën e Elbasanit, shumë afër saj dhe përfunduam pranë Kazermës së Milicisë, që më pas u bë Sanatoriumi. Aty qëndruam nën një pemë për të pushuar dhe Mihali vuri detyrë të flinim një orë, duke bërë secili 15 minuta roje. Mua më ra radha të bëj roje i fundit. Sa kishte filluar të zbardhte dita, kur një milic me pushkë krahaqafë që zbriti nga një pemë, jo më shumë se 40 metra larg nesh dhe u fut në gazermën që ndodhej fare pranë. Unë shpejt zgjoj Mihalin dhe dy të tjerët dhe u tregoj se çfarë kisha parë. Të katër nisemi menjëherë në drejtimin të një pylli të vogël që kishim përpara dhe më pas dalim në një vënd të hapur. Në këtë moment papritur shoh siluetat e tetë milicëve që me armë në dorë, në formacion, vinin në drejtimin tonë. Nuk ishin më shumë se 70 metra larg nesh, kur unë bërtita:”Milicët” dhe të katër u shtrimë barkas. Milicët filluan të qëllonin drejt nesh me breshëri. Me shpejtësi ngrihemi dhe drejtohemi nga pylli nga ku sapo kishim dalë. Mbasi kalova pyllin dola i vetëm në një rrugicë. Revolen që kisha në dorë e vura në brez dhe vazhdova rrugën për tu futur në Tiranë sipas planit. Duke ecur, rreth 20 metra anës rrugës shoh një mitraloz kundra-ajror në pozicion zjarri dhe një ushtar italian me pushkë krahëqafë, pranë tij. Unë vazhdova rrugën duke qënë i gatshëm për ta qëlluar, por ai nuk lëvizi fare. Mbas pesë minutash u gjënda rastësisht pranë hyrjes së shtëpisë së Munir Kokalarit, ku ishim strehur prej katër ditësh. Aty gjeta Mahmutin, që sapo ishte kthyer nga aksioni i prerjes së telave në Rrugën e Durrësit. Pas dy orësh unë dhe Mahmuti, të shoqëruar nga Isuf Keçi, me një pajton marrim rrugën Tiranë-Ndroq dhe nga dreka mbërrijmë në Pezën e Madhe. Ishte data 25 korrik 1942. Me Mihalin u takuam pas një muaji në Pezë dhe më tregoi se ata të tre të ndjekur nga milicët nuk hynë atë ditë në Tiranë.
– Takimi i parë me Pezën dhe Çeta e Pezës?
Përgjigje: Sa mbërrijmë në Pezën e Madhe, unë dhe Mahmuti të parin që takuam ishte vetë Myslym Peza, shtruar në një shilte përpara shtëpisë së tij, duke biseduar me disa shokë. Ky ishte takimi i parë dhe shumë i përzëmërt me komandantin heroik Myslym Peza. i cili ishte në moshën 45 vjeçare.Çeta e Pezës ishte e para që kishte filluar luftën kundër pushtueve fashistë italian dhe ishte bazë për krijimin e çetave të tjera në Shqipëri. Çeta e Pezës përbëhej nga 40 veta të përhershëm dhe në kohë lufte arrinte mbi dyfishin e luftëtarëve. Beteja e parë e Çetës ka ndodhur në vitin 1941, mbasi sulmohet në befasi nga 200 karabinierë italianë, në Pezën e Madhe. Çeta menjëherë çan rrethimin duke vrarë shumicën e karabinierë italianë. Në këtë betejë dallohet në mënyrë të veçantë Xha Kasemi nga Maknori i Pezës së Madhe. Ai me një pushkë të shkurtër me gjashtë fishekë, arriti të vrasë njërin pas tjetrit, brënda një minuti, gjashtë Karabinierë italianë. Të tillë ishin të gjithë luftëtartët e Çetës së Pezës. Pasi pësoi këtë disfatë, Komanda Italiane nuk e sulmoi më Pezën, deri mbas zhvillimit të Konferencës së Pezës. Ndërsa Çeta e Pezës nuk i kanë ndërprerë asnjëherë veprimet luftarake kundër pushtuesve italianë.
Terreni krahinës së Pezës ishte kodrinor shumë thyer, i mbuluar me shkurre e mare, shumë i përshtatshëm për luftë partizane. Populli i Pezës ishte shumë i varfër. Prodhonte pak bereqet, pak zarzavate dhe pak duhan. E vetmja pasuri e vendit ishin ullijtë e trashëguar dhe pak bagëti e imët, të cilën e mbanin brenda në shtëpi, në një ndarje të veçantë. Për të siguruar jetesën ishin të detyruar të shisnin në Tiranë dru dhe qymyr.
Nuk mund të lë pa përmëndur dy episode me Myslym Pezën dhe njohjen me Kajo karafilin:
-I ftuar në një dasëm në Pezë, që zgjati tre ditë, ai më mori edhe mua me vehte. Në drekën e parë të dasmës më uli pranë tij dhe kur i vunë përpara bishtin e dashit, ai e mori dhe ma vuri përpara mua. Unë kisha qënë student në Akademinë e Aviacionit, kisha braktisur studimet dhe kisha dalë partizan në Çetën e Pezës dhe ai më vlerësonte shumë për këtë.
-Një herë tjetër, Myslym Peza organizoi një qitje mësimore me partizanët e Çetës. Kushtet e qitjes ishin: me tre fishekë me pushkë të gjatë, në këmbë pa mbështetje, nga lart poshtë në distancën 400 metra. Qitja zhvillohej një pas një, në një tabelë. Në përfundim rezultoi që shumica dolën me një goditje në shënjë, pak vetë me dy goditje dhe vetëm unë me tre goditje pranë njëra tjetrës. Rezultati im në këtë qitje u vlerësua shumë nga Myslymi dhe pezakët.
-Kajo Karafili ishte një djalë në moshën time, nga Pogradeci. Ai ishte i zgjuar, kishte shumë të zhvilluar intuitën dhe nuhatjen dhe i shpejtë në veprimet që i llogariste mirë, ecte shumë dhe shumë shpejt. Nuk pinte raki por hante mirë. Duke qënë se kishte shumë dëshirë për të mësuar shkrim e këndin unë u bëra mësuesi i tij i parë. Gjatë kohës që rrinim bashkë më ka treguar për jetën e tij. Babai i kishte vdekur në burg, i kallëzuar nga i vëllai për t’i marrë pasurinë. Kajo në moshë të vogël, shumë i zëmëruar me xhaxhanë, gjen një pushkë dhe fillon të stërvitet me të. Ai stërvitej në një vënd që të mos dëgjoheshin krismat dhe kur u sigurua që qëllonte në shënjë, i zuri pritë dhe e vrau. Kur dyshoi se mund të zbulohej, emigroi në Jugosllavi ku u njoh me Myslym Pezën, me të cilin u kthye në Shqipëri dhe formuan Çetën e Pezës. Kajo Karafili, njëri nga atentatorët më të mirë të luftë nacional-çlirimtare, u vra nga gjermanët në luftën e Lis-Patros të Kavajës më 10 janar 1944. E fejuara e tij, Myrvete Peza, që luftonte per krah tij, kur e pa Kajon të vrarë, vrau vehten.
– Cili ishte aksioni i parë ku keni marrë pjesë me Çetën e Pezës?
Përgjigje: Gjatë gjithë kohës që kam qëndruar në Çetën e Pezës, deri në tetor 1943, kur u formua Brigada e III Sulmuse në Arbanë, unë kam marrë pjesë në të gjitha aksionet e saj. Aksioni i parë ku kam marrë pjesë ishte prita në Qafë Krrabë. Më pas prita në Marikaj, beteja me italianët që sulmuan Pezën mbas përfundimit të Konferencës së Pezës, sulmi kundër Postës së Policisë në Rogozhinë, etj. Këto aksione, ndonëse ishin aksione me pak forca, përfunduan të gjitha me sukses dhe patën jehonë të madhe në popullatë dhe ndikuan në rritjen luftë kundër okupatorit. Në pranverën e vitit 1943 Çeta e Pezës organizohet në Batalion, ndërsa në vjeshtën e po atij viti formohet Grupi i Pezës me katër batalione. Unë isha Zv/Komandant i Batalionit III, me Komandant Kajo Karafilin.
– Çfarë kujton nga zhvillimi i Konferncës së Pezës?
Përgjigje: Konferenca e Pezës u mbajt në Pezën e Madhe, më 16 Shtator 1942. Partizanët Çetës së Pezës ishin organizuar në grupe, të vendosur në fshatrat rreth Pezës për sigurimin e zhvillimit normal të konferencës. Unë me Mahmut Agollin dhe dy partizanë të tjerë ishim në fshatin Kolaj. Konferenca ishte organizuar në mënyrë të fshehtë. Gjatë gjithë zhvillimit të konferncës nuk ndodhi asnjë e papritur. Mbasi konferenca mbaroi punimet dhe të gjithë delegatët u shpërndanë, forcat italiane e sulmuan Pezën dhe e dogjën atë.
Autori i organizimit të Konferencës së Pezës, e cila hodhi bazat e luftës dhe krijoi ushtrinë nacional-çlirimtare është pa dyshim Mustafa Gjinishi. Duke qënë komisar i Çetës së Pezës, në kishtet kur në Shqipëri vepronin vetëm tre çeta të vogla, Çeta e Myslym Pezës, Çeta e Ismail Petrelës dhe Çeta e Mestan Ujanikut, Mustafa Gjinishi me mënçuri, durim dhe kembëngulje, ngriti çështjen e luftës dhe arriti t’i bindë nacionalistët dhe komunistët shqiptarë, që për interesat e kombëtare t’i linin mënjanë rezervat që kishin për njëri tjetrin dhe të mblidheshin në nje konferencë të përbashkët, për të vendosur për fatin e atdheut. Për momentin vendi i përshtatshëm u zgjodh Peza e Madhe, që ishte e lirë dhe afër Tiranës.
Konferenca, që u mbajt më 16 Shtator 1942 dhe që nga pjesëmarrja dhe mënyra si u zhvillua ishte një konferencë pluraliste, u quajt Konferenca e Pezës. Në Konferencën e Pezës morën pjesë delegatë përfaqësues nga të gjitha rrymat politike te kohës:
-Nga Partia Komuniste:Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Koço Tashko, Tuk Jakova, Enver Hoxha, Nako Spiru, Nexhmije Xhuglini;
-Nga Nacionalistët: Ndoc Çoba, i cili drejtoi punimet e konferencës, Abaz Kupi(i njohur si Bazi i Canes) përfaqësues zogist, Myslym Peza, Haxhi Lleshi, Mustafa Xhani(i njohur si Baba Faja), Ismail Petrela, Halim Begeja, Muharrem Butka, Ramazan Jarani, Naim Starova, Ramadan Çitaku, Mustafa Kaçaçi si dëgjues, si dhe Skënder Muço e Azis Çami. Ishin të ftuar por nuk morrën pjesë Musa Puka dhe Kamber Qafëmolla.
Konferenca i zhvilloi normalisht punimet. Ajo hodhi bazat e Luftës për Çlirimin e Shqipërisë dhe vendosi:
-Drejtimin e përbashkët të veprimeve luftarake të forcave të të gjitha palëve;
-Formimin e këshillave të përbashkët të fshatrave dhe krahinave, si baza e pushtetit popullor të luftës;
-Pas çlirimit, formimin i një qeverie të përbashkët demokratike.
Konferenca i drejtoi popullit shqiptar thirrjen: “Të gjithë në luftë kundra fashizmit, pa dallim feje, krahine dhe ideje”. Thirrja pati jehonë në gjithë Shqipërinë. Populli ju përgjigj menjëherë kësaj thirrjeje, por ai preferoi më tepër të bashkohej me çetat partizane, që po luftonin me pushtuesin dhe shumë më pak me çetat balliste dhe të legalitetit, që nuk po luftonin me pushtuesin me parrudhën: “S’ka ardhur koha”.
Brenda dhjetë muajve, çetat partizane u shtuan dhe u rritën në batalione e grupe territoriale në bazë krahine, me përbërje 4-5 batalione secili. Më 10 Korrik 1943 krijohet Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare dhe formohet Brigada e Parë Sulmuese, me zonë veprimi të gjithë Shqipërisë. Brenda një viti deri në Kongresin e Përmetit, më 24 Maj1944, numri i brigadave sulmuese të ushtrisë së rregullt nacional-çlirimtare arriti në njëset e pesë. Këto brigada u inkuadruan në gjashtë divizione dhe këto në tre korparmata, që çliruan gjithë Shqipërinë.
Dua të theksoj edhe një herë që Mustafa Gjinishi ështe jo vetëm “autori” i Konferencës së Pezës, por edhe krijuesi i ushtrisë nacional-çlirimtare. Ai është figura e parë e shquar e luftës nacional-çlirimtare dhe meriton të përkujtohet edhe me ngritjen e një përmendoreje pranë shtëpisë ku u zhvillua Konferenca e Pezës dhe në qytetin e tij të lindjes, në Peqin.
Për rëndësinë e saj të madhe, Konferenca Pluraliste e Pezës festohet me madhështi çdo vit më 16 Shtator në Pezën e Madhe. Por shpesh ka ndodhur që, mbas fjalimit të përfaqësuesit të qeverisë ta marrin fjalën, pa qënë të autorizuar, edhe personazhe si P.M. që kërkojnë ta paraqesin Enver Hoxhën si autorin e Konferencës së Pezës, kur ai në fakt i sabotoi vendimet e saj.
– Si u sabotuan vendimet e Konferncës së Pezës?
Përgjigje: Konferenca e Pezës, që sikurse e përmëndëm më lart, ishte një konferencë pluraliste i dha menjëherë rezultatet pozitive, jo vetëm në rritjen e formacioneve të luftimit, por edhe në zhvillimin e luftimeve të suksesshme me forca të përbashkëta partizane e balliste kundër pushtuesit, në janarin e vitit 1943 në Gjorm të Vlorës dhe në Barmash të Ersekës. Këto rezultate dhe prespektiva për të ardhmen i gëzuan të gjithë. Por kjo situatë nuk vazhdoi më gjatë. Vendimet e Konferencës së Pezës, si një konferencë pluraliste, ishin kundër interesave jugosllave në Shqipëri. Përfaqësuesi i PK të Jugosllavisë pranë PKSH dhe i interesave jugosllave në Shqipëri, ishte Miladin Popoviç. Ishte pikërisht Miladin Popoviçi, kumbari që, duke parë tek Enver Hoxha tiparet e një servili që mund të t’i shërbente atij dhe PKJ për mbrojtjen e interesave jugosllave në Shqipëri, si dhe për të shmangur nga drejtimi i lëvizjes komuniste në Shqipëri elementë të aftë dhe atdhetarë si Qemal Stafa, etj., e vendosi atë në krye të PKSH.
Pra PKSH, nën kontrollin e plotë të jugosllavëve, pjesëmarrjen në Konferencën e Pezës e shfrytëzoi për nevojën e saj të krijimit të ushtrisë nacional-çlirimtare dhe menjëherë me rritjen e saj, kaloi në sabotimin e vendimeve të Konferencën së Pezës: Në Shtabin e Përgjithshëm nuk kishte përfaqësues të Ballit Kombëtar. Edhe Abaz Kupi, që ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, u largua prej tij. Kjo situatë reflektohej edhe në Këshillat e Fshatrave dhe Krahinave, ku nuk kishte asnjë përfaqësues prej tyre. Balli Kombëtar shpejt doli me parrullën “S’ka ardhur koha”, e cila ishte në kundërshtim me vendimet e Konferencës së Pezës dhe me dëshirën e popullit që kërkonte rritjen e luftës kundër okupatorit. Edhe Legaliteti, nga ana tjetër, me parullën e tij të heshtur “Nuk të ngas, mos më nga”, ka mbajtur të njëjtin qëndrim. Pra të trija palët, pjesëmarrëse në Konferencën e Pezës, pluraliste, në mënyra të ndryshme dhe për interesat e tyre, i sabotuan vendimet e Konferencën e Pezës, duke kryer në këtë mënyrë tradhëtitë lartë ndaj atdheut.
– Kur kaluat në Brigadën e III-të Sulmuese dhe në cilat beteja keni marrë pjesë?
Përgjigje: Brigada e III-të Sulmuese do të formohej në BalHaxhias, në jug të Arbanës, më 9 Tetor 1943 me Komandant Hulusi Spahiu, Komisar Shahin Ruka, Zv/Komandant Hamit Keçi dhe Zv/Komisar Vasil Nathanaili. Gjatë një jave forca të shumta vinin nga Batalioni i Dajtit, nga Batalioni i Ishmit dhe Grupi i Pezës për në BalHaxhias, duke kaluar nëpër Arbanë. Grupi i fundit i partizanëve, rreth 80 vetë, pasi kishin ngrënë mëngjezin, si zakonisht ja kishin marrë një kënge partizane. Por sapo filloi kënga dëgjohen të shtëna armësh me breshëri në drejtim të grupit të partizanëve. Partizanët menjëherë përhapen në kodrat mbi Arbanë. Shpejt ata marrin iniciativën dhe kundërsulmojnë me grupe prej 5-7 veta. Në njërin nga jëto grupe isha edhe unë bashkë me Mahmut Agollin dhe Abdi Matin. Gjermanët tërhiqen në anën tjetër të Erzenit. Çfarë kishte ngjarë?
Ballistët, aleatë të gjermanëve, kishin informuar me hollësi komandën gjermane për formimin e Brigadës së III-të Sulmuese. Komanda gjermane kishte nisur një batalion për asgjësimin e forcave partizane, duke përdorur forcat balliste si “kallauz”. Por ndodhi që forcat partizane të grumbulluara në BalHaxhias, organizohen në grupe dhe me shpejtësi hidhen në sulm dhe rrethojnë e asgjësojnë shumë nga forcat gjermane. Batalioni gjerman në vend që të asgjësonte forcat e Brigadës së III-të Sulmuese, u asgjësua prej tyre. Të nesërmen u numëruan 45 gjermanë të vrarë, përveç atyre që gjermanët kishin mundur t’i merrnin me vehte. Ndër të vrarët ishte edhe komandati i batalionit gjerman, në çantën e të cilit u gjet një hartë me planin e operacionit. Operacioni do të zhvillohej me goditje koncentrike në tre drejtime, të cilat tregoheshin nga tre shigjeta: Ura poshtë Petrelës-Arbanë, Ura e Beshirit-Arbanë, Sauk-Arbanë.
Kjo taktikë e gjermanëve, që me forca të pakta të arrinte rezultate të mëdha, e cila diku kishte dalë me sukses, në Shqipëri nuk dha rezultat. Kjo betejë njihet me emrin “Lufta e Arbanës” dhe data 9 Tetor 1943 shënoi ditën e inagurimit me luftë të Brigadës së III-të Sulmuese. Vlen të theksohet se partisanët e Brigadës III-të Sulmuese ishin të zgjedhur dhe me përvojë lufte, të thjeshtë por me aftësitë e kuadrove me vlerë. Në këtë brigadë unë isha Zv/Komandant i Batalionit të Tretë, ku Komandant ishte Abdi Mati dhe Zv/Komisar Hilmi Seiti.
Dy javë pasi pësuan disfatë në luftën e Arbanës, gjermanët filluan një operacion të ri me forca të shumta. Një division këmbësorie, rrethoi me posta-roje të gjithë krahinën e Pezës duke ngushtuar gradualisht rrethimin, për të asgjësuar forcat e Brigadës III-të Sulmuese dhe forcat e Grupit partizan të Pezës. Që në fillim të luftimeve, kompania ku bëja pjesë edhe unë, kreu një sulm gjatë një kurrizi kodrinor, në jug të Arbanës, për të kapur kodrën më të lartë dominuese, të cilën e kishin gjermanët. Sapo u afruam, u hodhëm në sulm duke brohoritur “Para partizanë”. Gjermanët u zbrapsën dhe zbritën poshtë në përrua. Nuk kaloi shumë kohë dhe gjermanët na godasin pa pushim me mortaja. Meqënëse toka ishte e lagur në thellësi, nga shiu që nuk pushonte, predhat e mortajës futeshin dhe plasin thellë në tokë. Në këtë mënyrë ciflat e predhave shkonin vertikalisht përpjetë dhe nuk bënin dëm, edhe në distancë të afërt. Por një mitralieri të quajtur Sulë, biri i një furxhiu nga Tirana(tek Pisha apo Selvija), predha i ra mbi mitraloz dhe e vrau. Pas një jave luftimesh sulmuese të manovrueshme me nënreparte të vogla me bazë kompanije, gjithnjë në lëvizje ditën dhe natën, në një kohë me shi të pa fjetur dhe të pa ngrënë, duke i shkaktuar armikut mjaft të vrarë, forcat e Brigadës III-të Sulmuese marrin urdhër për tu grumbulluar në fshatin Cacabezë, pranë rrugës Tiranë-Elbasan, për të dalë nga rrethimi. Duke qënë se aty gjermanët kishin grumbulluar forca të shumta, Brigadës III-të Sulmuese kryen marshim për të kaluar rrugën disa kilometra më në jug. Ndërkohë edhe gjermanët spostohen më në jug. Në këto kushte Brigadës III-të Sulmuese kthehet mbrapa dhe me shpejtësi del nga rrethimi duke kaluar rrugën automobilistike herët në mëngjes në Cacabezë, pa u penguar fare nga gjermanët. Pas një jave lufte të vazhdueshme, Brigadës III-të Sulmuese qëndron një javë në grykën e Erzenit, pas malit të Dajtit, për tu çlodhur, pastruar dhe furnizuar me municion.
Mbas këtij pushimi, Brigadës III-të Sulmuese merr urdhër për të operuar në Veri të Shqipërisë. Por Qafa e Tujanit ishte e zënë nga forcat gjermane. Ata shpejt dërgojnë një repart për të kapur Qafën e Selbës dhe për të na rrethuar. Brigada me shpejtësi marshon drejt Qafë Selbës dhe kompania pararojë e komanduar nga Ibrahim Sina, e kap Qafën e Selbës përpara gjermanëve. Gjithë ditën lufta zhvillohet për Qafën e Selbës. Këtu mbetën të vrarë dy partizanë. Në mbrëmje u dha urdhëri për tërheqje dhe brigada marshon drejt Qafës së Tujanit, të cilën gjermanët ja kishin besuar forcave të Legalitetit, por ato ishin të papërfillshme për Brigadën e III-të Sulmuese. Në fakt ata bënë thirrje “Këtu nuk kalohet”, por me gjysëm zëri dhe nuk hapën zjarr.
Në mesin e Janarit 1944, Brigada e III-të Sulmuese kthehet në zonën e Dajtit. Gjëndja në Shqipërinë e mesme vazhdonte të ishte vështirë. Në këto kushte Komanda e Brigadës III-të Sulmuese merr vendim që përkohësisht të shkurtojë efektivin e brigadës, duke larguar të sëmurët dhe më të dobtit fizikisht, për tu kthyer përsëri më pas.
Edhe pse me një efektiv të reduktuar, mbasi kishim mbetur 40 vetë, Brigada III-të Sulmuese kryen një luftim heroik. Të ndodhur për disa ditë në një vend të maskuar, në afërsi të fshatit Këllojkë, një pasdite vëmë re se në fshat po grumbullohej një batalion ballist, me rreth 200 vetë. U ndamë në katër grupe nga 10-12 veta, ku secili do të përfaqësonte një batalion dhe në të ngrysur u afruam shumë pranë tyre. Me dhënien e sinjalit, të gjithë njëherësh thërrasim me zë shumë të lartë:
-Batalioni i Parë, Batalioni i Dytë, Batalioni i Tretë, Batalioni i Katërt-Në sulm!
-Kompania e Parë, Kompania e Dytë, Kompania e Tretë-Në sulm!- dhe njëkohësisht hapim zjarr të dëndur me breshëri me 40 automatikë njëherësh.
Ballistët të trëmbur dhe të zënë në befasi, ikën me vrap në drejtime të ndryshme për të mos u mbledhur më. Kur u futëm në fshat nëpër shtëpitë e katundarëve, ata na pyesnin shumë të habitur: -Ku janë të tjerët?
Komandanti i Brigadës-Hulusi Spahiu dhe Zv/Kmandanti i Brigadës-Hamit Keçi mungonin. Ndërsa Komisari i Brigadës-Shahin Ruka dhe Zv/Komisari-Vasil Nathanaili nuk u shkëputën asnjëherë nga Brigada. Më kujtohet që në këtë sulm morrën pjesë edhe Osman Sinani, Hilmi Seiti, Adnan Qatipi, Ibrahim Sina, Bajram Vula, Tasi Bylyku, Mahmut Agolli. Ky veprim i Brigadës III-të Sulmuese, në raportin e forcave 1 me 5, ishte nje akt i zgjuar dhe heroik.
– Kur kaluat në Brigadën e II-të Sulmuese dhe në cilat beteja keni marrë pjesë?
Përgjigje: Brigada e III-të Sulmuese dhe Brigade e II-të Sulmuese, të dyja me efektiv të reduktuar, marrin urdhër të kalojnë në Jug të Shqipërisë, në fshatin Panarit, për tu riorganizuar. Nga fillimi i Prillit, Brigadën e III-të Sulmuese riporganizohet me tre Batalione dhe niset për të operuar në Shqipërinë e Mesme. Ndërkohë Brigadën e II-të Sulmuese, riorganizohet me dy batalione dhe niset për të operuar në zonën Korçë-Ersekë, ku shpejt brigada u bë me katër batalione. Në këtë kohë unë transferohem në Brigadën e II-të Sulmuese, me detyrën Zv/Komandant i Batalionit të Dytë me Komandant Nasi Vithkuqi, që ishte i moshuar dhe Komisar Kalo Plaku. Komandant i Brigadën e II-të Sulmuese ishte Beqir Balluku, Komisar ishte Vasil Konomi, Zv/Komandant ishte Iraki Bozo dhe Zv/Komisar ishte Kiço Ngjela. Brigadën e II-të Sulmuese kishte marrë detyrën që t’i shkaktonte sa më shumë dëme forcave gjermane që tërhiqeshin nga Greqia, gjatë rrugës Ersekë-Korçë-Bilisht dhe postave roje që ishin në tynele gjatë kësaj rruge. Rruga ishte ndarë me sektorë veprimi sipas Batalioneve. Batalioni i Dytë, ku unë bëja pjesë vepronte ne sektorin Ersekë-Leskovik. Herë me të gjithë Batalionin dhe herë me një kompani, zinim pritë çdo natë në zonën Radan-Podë, që ishte më e përshtatshmja. Autokolonat gjermane dëmtoheshin rëndë, ndërsa kolonat me me qerre dhe kafshë asgjësoheshin tërësisht, duke kapur shumë robër, kuaj, armatime e materjale të tjera. Vështirësia ishte dërgimi i tyre në Komandën e Brigadës në Dardhë, hipur mbi kuajt e kapur.
Në Barmash gjermanët kishin një postë-roje në tunel. Komandanti i Kompanisë-Kudret Eveli, gjatë një jave kishte mbajtur nën kontroll regjimin ditor të gjermanëve që strehoheshin në postë-roje dhe kishte dalë në përfundim se koha më e përshtatëshme për asgjësimin e efektivit të saj ishte në ora gjashtë e mëngjezit, kur efektivi dilte në sheshin para tunelit për të kryer ushtrimet gjimnastikore. Natën ai e vendos kompaninë në pozicion të përshtatshëm, 60m larg sheshit para tunelit. Në mëngjes, në orën gjashtë si përditë, gjermanët dalin nga tuneli dhe rrjeshtohen për të filluar gjimnastikën. Në këtë moment jepet sinjali për zjarr dhe efektivi i poste-rojes asgjësohet plotësisht.
Kur tërheqja e forcave gjermane nga Greqia përfundoi, Batalionin e dytë e vendosa në fshatin Dishnicë, të djegur dhe rrënuar nga gjermanët. Forcat Gjermane ishin mbyllur në Korçë dhe nuk dilnin nga qyteti. Për t’i detyruar gjermanët të dalin nga Korça, në mënyrë që të binin në pritën e Batalionit, që ka zënë pozicion të përshtatshëm, në fshatin Dishnicë, jap urdhër të prtiten shtyllat dhe telat e telefonit para fshatit Dishnicë. Pas një ore nga Korça dalin pesë kamona me ushtarë gjermanë dhe materjale për vendosjen e ndërlidhjes telefonike, duke patur përpara një autoblindë. Unë kisha një pushkë gjermane me dylbi me fishekë gjurmëlënës. Kur autokolona u fut e tëra në pritë, jap sinjalin duke qëlluar me pushkë dhe i gjithë batalioni hap zjarr të fuqishëm. U vranë shumë gjermanë dhe u dogj njëra nga makinat. Për tre orë rrjesht, herë pas here nga Korça dilnin kamionë që sillnin ushtarë të rinj dhe tërhiqnin të vrarët dhe të plagosurit. Partizanët vazhdonin t’i asgjësonin gjermanët në pritë. Në të ngrysur batalioni hidhet në sulm dhe i asgjëson plotësisht gjermanët duke kapur shumë robër, armatime, etj.
– Kur e keni parë veten më ngushtë gjatë luftës?
Përgjigje: Në Nëntor 1943, Batalioni II i Brigadës III-të Sulmuse, zuri pritë në Qafën e Krrabës. Vendi ishte i mbuluar me shkurre të dëndura. Nata ishte me hënë dhe pa shi. Në mesnatë futet në pritë një autokolonë gjermane e gjatë deri 2 Km, me largësi të makinave 30m njëra nga tjetra. Me sinjal u hap zjarr i fuqishëm. Për 45 minuta u vranë shumë gjermanë dhe u dogjën shumë makina. Më pas ra qetësia dhe kur çdo gjë kishte përfunduar, u dha sinjali për tërheqje. Në mbyllje të kollonës kishim qëndruar tre veta, Abdi Mati, Mahmut Agolli dhe unë. Në kohën kur ne të tre, të fundit po largoheshim nga rruga për të zbritur poshtë tek përroi i Skëterrës, Abdiu dëgjon një zë në gjermanisht në anën tjetër të rrugës dhe na thotë të shkojmë ta kapim rob gjermanin. Mahmuti thotë ta vrasim. Unë i thërras: -Komm her!(eja këtu)
Gjermani përgjigjet: “Nichts bum-bum”(mos qëlloni) dhe del në rrugë.
Të tre dalim pas tij në rrugë, për ta kapur rob. Por në rrugë na dalin përpara jo më një por tre gjermanë, secili me armë në dorë: njëri me automatik, tjetri me revole dhe i treti me mitraloz të lehtë. Secili nga ne kërkon t’i marrë armën gjermanit që kishte përballë. Për disa sekonda ata nuk i lëshojnë armët në duart tona. Në këtë moment, papritur fillojnë të dalin në rrugë gjermanë të tjerë, deri 50-60 vetë dhe ne të tre u ndodhëm në mes të tyre. Filluam të bisedonim me ta, të tre në gjuhë të ndryshme: Abdiu në frëngjisht, Mahmuti në italisht dhe unë në gjermanisht, me aq sa dija. Gjermanët, të tronditur nga rreziku si duket dyshonin se çfarë ishim ne të tre, partizanë apo ballistë që u kemi ardhur në ndihmë. Në këto kushte ju them dy të tjerëve: -Jemi keq, të dalim prej këtu menjëherë njëri pas tjetrit dhe pastaj t’i godasim.
Të tre ramë dakord. I pari u largua Abdiu. Pas pak sekondash u largua edhe Mahmuti. Kurse unë që dija gjermanisht do të largohesha i fundit, pas disa sekondave. Në këtë moment u dëgjua komanda e një oficeri gjerman, jo më shumë se dy metra larg meje, që mori iniciativën dhe të gjithë gjermanët rrjeshtohen dy metra pas tij në rrugë, në disa rradhë, me armët e drejtuara nga unë. Oficeri më drejtohet mua dhe më thotë të hedh automatikun në tokë. Duke mos patur asnjë alternativë tjetër, për çudi shumë i qetë, me ton ushtarak dhe me zë të lartë, ju drejtova oficerit gjerman: -Sie Kommandeur, sprechen Sie mit unsere Kommandeur! (ju komandant, bisedoni me komandantin tonë).
Në çast oficeri gjerman u përgjigj: “Gut, gut”(mirë, mirë) dhe e futi revolen në këllëf.
Të gjithë të tjerët e pasuan duke ulur armët. Unë, përsëri duke thirrur me zë të lartë në drejtimim nga ishte larguar Abdiu: -Komandant Abdi, eja!, shkova drejt tij dhe sa u afrova kërceva në hendekun buzë rrugës ku ishte Abdiu sëbashku me Mahmutin.
Në moment qëlluam drejt gjermanëve, të cilët u përhapën, ndërsa ne zbritëm poshtë drejt përroit të Skëterrës dhe arritëm batalionin me një orë vonesë. Gjatë gjithë kësaj që ndodhi unë mbaja nën sqetull një xhaketë (gjysëm pallto) gjermane të marrë po aty, me të cilën kalova gjithë dimrin 1943-1944.
Më vonë, shpesh herë i jam kthyer kësaj ngjarjeje, për të kuptuar atë që ndodhi brënda pak sekondave. Situata pa rrugëdalje që u krijua për ne të tre, të gjëndur papritur në mes të gjermanëve, ideja për t’ju drejtuar oficerit gjerman, reagimi pozitiv i oficerit gjerman dhe largimi ynë sa hap e mbyll sytë. Njeriu kurrë nuk mund ta parashikojë se si duhet të veprojë në situata të tilla. Në këto ngjarje është instikti i vetëmbrojtjes që vepron, nga të dyja palët pjesëmarrëse. Këto janë ngjarje që nuk mund të parashikohen dhe janë unike. Ato ndodhin dhe kaq.
– Sot hidhet baltë mbi Luftën Nacional-Çlirimtare. Si e vlerësoni atë?
A ka qënë ajo luftë civile?
Përgjigje: Lufta Nacional-Çlirimtare e popullit shqiptar është zhvilluar në kuadrin e Luftës Antifashiste të Koalicionit Anglo-Sovieto-Amerikan, për çlirimin e popujve të Europës, fitimtarë të luftës së dytë botërore. Në luftë e tij të vendosur populli shqiptar i ka detyruar pushtuesit nazi-fashistë të mbajnë në Shqipëri dy deri pesë divizione këmbësorie, të cilët mund të ishin përdorur në frontin sovjetik të lindjes ose në frontin anglo-amerikan të perëndimit. Kjo luftë e popullit shqiptar kundër pushtuesve nazi-fashistë ka qënë aq e ashpër sa ai ka lënë 28.000 dëshmorë. Gjithashtu vendi u shkatërua dhe u dogj disa herë. Lufta Nacional-Çlirimtare u frymëzua dhe u drejtua nga bijtë më të mirë të popullit shqiptar: Mustafa Gjinishi-autori i Konferencës së Pezës, që hodhi bazat e luftës dhe krijoi ushtrinë nacional-çlirimtare; Mehmet Shehu-Komandanti i Brigadës I-rë Sulmuese, që i dha hov të madh luftës në etapën e dytë të saj, 10 Korrik 1943 deri 24 Maj 1944; Dali Ndreu dhe Tuk Jakova, që drejtuan etapën e tretë të luftës, deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë. Këta ishin heroj të vërtetë legjendarë. Lufta e popullit shqiptarë, ka qënë heroike, madhështore dhe e lavdishme, e njohur dhe e vlerësuar si e tillë nga popujt e gjithë botës. Shqipëria është e nderuar me rradhitjen e saj në krye të vëndeve të koalicionit fitues të luftës së dytë botërore.
Por kush janë ata që kanë hedhur baltë mbi Luftën Nacional-Çlirimtare të popullit shqiptar? Është fakt se gjatë zhvillimit të luftës së popullit shqiptar për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashistë, ndërmjet PKSH dhe Ballit Kombëtar dhe Legaliteti është zhvilluar një luftë politike shumë e ashpër, duke sabotuar vendimet e konferencës pluraliste që u zhvillua në Pezën e Madhe më 16 Shtator 1942.
Pala jugosllave, prezente në PKSH, ishte e i nteresuar që Shqipëria të çlirohej sa më parë dhe të përfshihej në federatën jugosllave, si republika e shtatë e saj. Për realizimin e këtij qëllimi ajo përdori Enver Hoxhën dhe njerëzit e tij në PKSH. Për interesat jugosllave dhe të tijat personale Enver Hoxha, me vrasje pas shpine dhe me gjyqe e burgosje eleminoi shumicën e kuadrove kryesore që drejtuan luftën e popullit shqiptar deri në fitore.
Përsa i përket etiketimit të Luftës Nacional-Çlirimtare si luftë civile, kjo nuk është e vërtetë historike. Konkretisht nga Konferenca e Pezës deri në Konferencën e Mukjes, janë zhvilluar operacione të përbashkëta të suksesshme të partizanëve e ballistëve kundër pushtuesit, si në Gjorm e Barmash. Pra deri në Konferencën e Mukjes, luftë civile nuk ka patur. Pas Konferencës së Mukjes dhe deri në çlirimin e Shqipërisë, Balli Kombëtar është bërë aleat me okupatorin gjerman, për asgjësimin e ushtrisë nacional-çlirimtare. Pra edhe në këtë periudhë luftë civile nuk ka patur. Balli Kombëtar dhe Legaliteti, duke pushuar luftën kundra pushtuesit italian dhe më pas duke lidhur aleanca me pushtuesit gjerman dhe duke marrë pjesë në operacionet e tij për asgjësimin e ushtrisë nacional-çlirimtare, u renditën në fakt në anën e kundërt të koalicionit anglo-sovjeto-amerikan. Balli Kombëtar dhe Legaliteti e kanë humbur luftën bashkë me gjermanët dhe nën mbrojtjen e tyre Mit-hat Frashëri dhe Abaz Kupi janë larguan nga Shqipëria si bashkëpunëtorë të tyre. Po të ishte asgjësuar ushtria nacional-çlirimtare, Shqipëria do të ishte radhitur me vëndet që humbën luftën. Lufta ishte luftë antifashiste e koalicionit anglo-sovieto-amerikan dhe jo luftë antikomuniste. Këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë, edhe ballistët edhe legalistët, edhe ata që shkruajnë historinë.
-Kush e ka drejtuar Luftën Nacional-Çlirimtare?
Përgjigje: Sikurse e përmëndëm më lart, Enver Hoxha u zgjodh kryetar i PKSH nën ndikimin e jugosllavit Miladin Popoviç, duke qënë elementi më pa vlerë, më i papregatitur dhe pa eksperiencë ndër përfaqësuesit e grupeve komuniste të mbledhur në Tiranë më 8 Nëntor 1941, për themelimin e PKSH, si Qemal Stafa, Vasil Shanto, Sadik Premtja, Koço Tashko, Kristo Themelko, Koçi Xoxe, Anastas Lula, Tuk Jakova,Ramadan Çitaku, etj. Duke qënë Kryetar i PKSH, Enver Hoxha u zgjodh në fillim Komisar dhe më vonë Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare. Por Enver Hoxha veç mbështetjes pa kufi nga Miladin Popoviç dhe PKJ, ai ishte nën presjonin e sindromës së inferioritetit. Ai ishte pa arsim të lartë, pa arsim ushtarak dhe pa përvojë ushtarake dhe në të njëjtën kohë duhet të komandonte elementë shumë të aftë dhe më të përgatitur se ai. Në këto kushtet strategjia që ai ndoqi, duke u bazuar fillimisht në mësimet e Miladinit, më pas ato të Stalinit, ishte eleminimi i kuadrove të larta dhe të afta që mund ta konkuronin në drejtimin e ushtrisë dhe të partisë. Dinakëria, që figurave të tilla nuk u mungon, e ndihmoi që të arrinte qëllimin e tij. Kuadrot më të afta i ngarkonte më detyra të rëndësishme për drejtimin e luftës dhe më pas i akuzonte për veprime armiqësore dhe i eleminonte edhe fizikisht. Në këto kushte lavdia e luftës do t’i mbetej vetëm Enver Hoxhës.
Në fillimin e etapës së parë të luftës, që shkon deri në Korrik 1943, kur në Shqipëri ekzistonin vetëm tre çeta të vogla: Çeta e Myslym Pezës, Çeta e Ismail Petrelës dhe Çeta e Mestan Ujanikut, Enver Hoxha dhe Miladin Popoviç, ranë dakord me inisiativën e Mustafa Gjinishit, për organizimin e një konference pluraliste ku do të merrnin pjesë të gjithë patriotët nacionalistë dhe komunistët, e cila do të hidhte bazat e luftës dhe do të krijonte ushtrinë nacional-çlirimtare. Interesat jugosllave për momentin përputheshin me organizimin e kësaj konference pluraliste dhe ata nuk e penguan atë.
Pra, sikurse e theksuam edhe më lart, Mustafa Gjinishi si autori i organizimit të Konferncës së Pezës dhe krijimit të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, është edhe figura e parë e shquar e Luftës Nacional-Çlirimtare
– Figurat më të shquara drejtuese të Luftës Nacional-Çlirmtare, sipasvlerësimit Tuaj?
Përgjigje: Në etapën e dytë të Luftës Nacional-Çlirimtare, deri në Kongresin e Përmetit, më 24 Maj 1944, Enver Hoxha ngarkoi Mehmet Shehun për drejtimin e luftës, duke qënë njëkohësisht edhe Komandant i Brigadës I-rë Sulmuse, me zonë veprimi të gjithë territorin e Shqipërisë. Që në ditën e inagurimit të saj më 10 Korrik 1943 në Vithkuq, Brigada I-rë Sulmuse u ndesh me forcat pushtuese italiane dhe i shpartalloi ato, duke u shkaktuar humbje të mëdha. Brigada I-rë Sulmuse e komanduar nga Mehmet Shehu ishte gjithnjë në lëvizje, duke kryer marshime të gjata dhe të shpejta, duke e goditur armikun aty ku ai nuk e priste. Ajo i dha hov luftës nacional-çlirimtare dhe u kthye në një tmerr për forcat pushtuese italiane dhe më vonë për forcat pushtuese gjermane. Komandanti i Brigadës I-rë Sulmuse, në këtë mënyrë njëkohësisht ngriti lart figurën e tij si ushtarak i shquar trim dhe hero legjendar. Por ky popullaritet nuk i pëlqente Enver Hoxhës, mbasi lavdia e luftës duhej t’i përkiste vetëm atij. Për këtë arësye ai merr masa për kufizimin e kësaj veprimtarie të Mehmet Shehut. Konkretisht, në Kongresin e Përmetit Mehmet Shehu nuk gradohet me gradën Gjeneral, kur atij kjo gradë i takonte përpara të gjithë të tjerëve. Gjithashtu ai nuk ngarkohet më me detyra të rëndësishme për çlirimin e Shqipërisë. Mehmet Shehu ishte trim që nuk përfillte frikën para pushtuesve të vendit, poj jo para komandatit të tij, i cili me njerëzit e tij të vriste mbas shpine pa lënë gjurmë. Për këtë ai ishte tepër i bindur. Një ngjarje e ndodhur mbas çlirimit ilustron këtë frikë të tij nga Enver Hoxha: Mehmet Shehu si kryeministër kishte shkuar për kontroll në Uzinën e Tankeve në Tiranë. Drejtori i uzinës ishte një kolonel tankist. Gjatë bisedës me kolonelin për punën në uzinë,në një rast i thotë atij me zë kërcënues: -“Kush t’i ka dhënë ato grada”? Koloneli serbes i përgjigjet menjëherë:-“Ai që t’i ka dhënë edhe ty”! Mehmet Shehu nuk e hapi gojën dhe u largua nga uzina.
Në etapën e tretë të Luftës Nacional-Çlirimtare, nga Kongresi i Përmetit, më 24 Maj 1944, deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë, Enver Hoxha ngarkoi Dali Ndreun(Komandant) dhe Tuk Jakovën(Komisar) për drejtimin e Forcave të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare.
Detyra e parë e rëndësishme e tyre ishte dështimi i Operacionit Strategjik Gjerman i Qershorit 1944. Ky operacion, me forca të shumta gjermane me mbi tre divizione këmbësorie, kishte për qëllim rrethimin dhe asgjësimin e forcave kryesore të ushtrisë nacional-çlirimtare, duke dhënë njëkohësisht brenda dhjetë ditësh, katër goditje koncentrike: nga Kakavija, nga Korça, nga Berati dhe nga Vlora në drejtim të Kuçit. Por në fakt ky qëllim i operacionit gjerman të qershorit nuk u arrit. Forcat e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare ditën t’i japin goditje të befasishme armikut dhe menjëherë të shkëpusnin kontaktin me të për të evituar rrethimin e tyre dhe kështu bënë të dështoi operacioni strategjik i gjermaneve. Pa përfunduar plotësisht operacioni i qershorit, Dali Ndreu dhe Tuk Jakova marrin iniciativën në dorën e tyre dhe me forca të konsiderueshme kalojnë në mësymjen e përgjithshme për çlirimin e Shqipërisë së Veriut. Gjermanët kundërsulmuan, por nuk arritën të mposhtin mësymjen e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare dhe Shqipëria e Veriut u çlirua. Në këtë betejë të rëndësishme, Dali Ndreu dhe Tuk Jakova, treguan aftësi drejtuese dhe u dalluan për trimëri dhe veprime të guximshme.
Por beteja më e madhe dhe e rëndësishme për Dali Ndreun dhe Tuk Jakovën në drejtimin e Forcave të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, ka qënë beteja për çlirimin e Tiranës. Tirana mbahej e pushtuar nga gjermanët me dy divizione të këmbësorisë, të përhapura për mbrojtjen e objekteve kryesore dhe të rrugëve që i lidhnin ato. Nga jugu i Shqipërisë në drejtim të Tiranës ishin nisur forca të tjera të shumta gjermane. Këtyre forcave ju dha betejë pa u futur në Tiranë, gjatë rrugës së Elbasanit duke ju shkaktuar humbje të mëdha. Ndërkohë në Tiranë lufta zhvillohej për çdo lagje dhe për çdo shtëpi, me sulme e kundërsulme të vazhdueshme deri më 17 Nëntor, që shënon edhe ditën e çlirimit të Tiranës.
Pas çlirimit të Tiranës, Forcat e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare kalojnë në ndjekjen dhe asgjësimin e mbeturinave të ushtrisë gjermane, deri në mëngjezin e datës 29 Nëntor 1944, që shënon edhe ditën e çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë
Përfundimisht, mbas Mustafa Gjinishit, krijuesit të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, Mehmet Shehu, Dali Ndreu dhe Tuk Jakova, janë tre nga figurat më të shquara drejtuese të Luftës Nacional-Çlirimtare. Të katërt të eleminuar nga Enver Hoxha.
– Mbas Luftës keni kryer dy Akademi Ushtarake në BS. Çfarë përshtypjesh ju kanë lënë?
Përgjigje: Në vitet 1945-1947 kam kryer dhe jam dipllomuar në Akademinë Ushtarake “FRUNZE”. Në këtë Akademi paiseshe me njohuri taktike për drejtimin në front të Reparteve dhe Njësive Ushtarake deri në Korpus Këmbësorie. Mbas dhjetë vjetësh, në vitet 1957-1959, kam kryer dhe jam dipllomuar në Akademinë Ushtarake “VOROSHILLOV”, Që konsiderohej Akademia më e lartë në botë për kohën. Në këtë Akademi paiseshe me njohuri operative dhe strategjike për drejtimin në front të Njësive Operative deri në Armatë. Në Akademinë Ushtarake “VOROSHILLOV”, në fillimin e vitit të dytë, me short caktoheshin Temat e Dipllomave që do të mbroheshin në vund të vitit. Mua më ra tema “Përdorimi i desantëve ajrorë taktik në operacionin mësymës të armatës”. Tema duhej përgatitur me shkrim në 35 faqe dhe duhej të mbrohej para Komisionit, me gojë pa lexuar materjalin, për një kohë të fiksuar prej 45 minutash. Temën e mbrojta brenda të gjitha rregullave dhe Kryetari i Komisjonit, me gradën gjeneral, më përgëzoi dhe më komunikoi: “Mbrojtja e Temës-Shumë mirë”.
Por me mbrojtjen e Temës dhe Dipllomimin në Akademi cikli nuk është akoma i mbyllur. Në Ministrinë e Mbrojtjes ndonse ishte vënë detyrë që Temat e Dipllomave të Aplikoheshin në kushtet e Ushtrisë Shqiptare, asnjë i dipllomuar nuk e kishte zbatuar këtë porosi dhe po kështu askush nuk kishte kërkuar llogari. Megjithëatë unë vendosa ta kryhej këtë detyrë. Por kur fillova nga puna konstatova se realizimi i saj në kushtet e Ushtrisë Shqiptare ishte pothuajse i pamundur. Konkretisht për desantimin e një batalioni në prapavijat e armikut nevojiten:
-Dy-tre divizione ajrore gjuajtës-bombardues, për asgjësimin e armikut në rajonin e desantimit;
-Për mbulimin nga ajri duheshin një-dy divizione ajrore gjuajtës;
-Për desantimine e batalionit në prapavijat e armikut duhej një divizion helikopterësh.
Pra duhej një armatë e vogël ajrore, ndërkohë që Ushtrisë Shqiptare kishte në atë kohë vetëm dy regjimente me gjuajtës. Pra Tema e Dipllomës ishte e pa aplikueshme në “kushtet e ushtrisë shqiptare”. Por pikërisht duke studiuar “kushtet e ushtrisë shqiptare”, arsyetova ndryshe për realizimin e Temës së Dipllomës. Konkretisht arsyetimi ishte:
“Në teren malor, si ky yni, mbrojtja nuk organizohet e pashkëputur, por me intervale e hapësira, ku mund të gjëndet një shteg i përshtatshëm për kalimin e batalionit, në këmbë dhe pa u ndjerë, në prapavijat e armikut. Detyrat për tu kryer në prapavijat e armikut, janë po ato që kryhen desanti ajror”.
Duke qënë se në këtë rast nuk kemi desantim ajror Tema do te jetë: “Detashmenti i veprimit në prapavijat e armikut”. Së pari këtë punim e botova në Revistën “Njohuri Ushtarake”. Më vonë, mbasi ajo u eksperimentua me sukses, u fut në Referatin e Ministrisë së Mbrojtjes, më vonë në rregulloret e ushtrisë dhe së fundi në Tezat e Këshillit të Mbrojtjes.
-: Çfarë ndryshimi pruri për Ushtrinë Shqiptare prishja me BS në vitet ’60?
Përgjigje: Kur Shqipëria ishte pjestare e Kampit Socialist dhe anëtare e Traktatit të Varshavës, armatimi i Ushtrisë Shqiptare realizohej nga BS me armatime trofe të Luftës së Dytë Botërore, në sasi të kufizuara. Mbrojtja e Shqipërisë ishte pjesë e mbrojtjes së Traktatit të Varshavës. Arti Ushtarak i Ushtrisë Shqiptare ishte Arti Ushtarak Sovjetik i gërshetuar me Artin Ushtarak të luftës sonë popullore. Prishja me BS në vitet ’60 dhe dalja nga Traktati i Varshavës më pas, bëri që BS nga aleat u kthye në armik i rrezikshëm. Kjo situatë e re nxorri në pah nevojën urgjente për krijimin e Artit tonë Ushtarak të luftës popullore. Menjëherë kuadrot kryesorë ushtarakë të Ushtrisë Shqiptare u angazhuan dhe krijuan këtë art ushtarak të paraqitur në “Referatin e Ministrisë së Mbrojtjes”, i cili u aprovua nga Enver Hoxha në vitin 1963 dhe hyri në fuqi për stërvitjen e ushtrisë.
Brënda katër viteve, deri në vitin 1967, Ushtrisë Shqiptare e armatosur me pushkë automatike të reja, me altileri, tanke moderne që lëviznin edhe natën, avionë Mig, të gjitha të markës së fundit, të furnizuara nga Kina në sasi të bollshme dhe municione të bollshme, si dhe e stërvitur intensivisht në bazë të “Referatin e Ministrisë së Mbrojtjes”, arrin të cilësohet si “Ushtria Shqiptare më e fortë e të gjitha kohrave”. Këtu duhet theksuar se merita për përgtitjen e lartë të Ushtrisë Shqiptare i përket kuadrove kryesore ushtarake të ushtrisë nën drejtimin këmbëngulës të Shefit të Shtabit të Ushtrisë Shqiptare-Petrit Dume.
– Çfarë mund të thoni për Tezat e Këshillit të Mbrojtjes?
Përgjigje: Arritjet e larta të kuadrot kryesorë ushtarakë në përgatitjen e Ushtrisë Shqiptare, sikurse e thamë më sipër, nuk i kanë pëlqyer Enver Hoxhës. Ushtria Shqiptare duhej të stërvitej sipas “ideve” të tij, të cilat duhet të paraqiteshin në Tezat e Këshillit të Mbrojtjes. Por duke e parë vehten të pa aftë, ngarkoi Mehmet Shehun për përpilimin e tyre. Tezat e Këshillit të Mbrojtjes u përpiluan fshehurazi kuadrove të ushtrisë, pra ma marrë mendimin e tyre dhe hynë në fuqi në Dhjetor 1967. Në përmbajtje Tezat e Këshillit të Mbrojtjes nuk kishin asnjë ndryshim nga “Referati i Ministrisë së Mbrojtjes”, i përpiluar nga kuadrot kryesorë ushtarakë në vitin 1963. I vetmi ndryshim ishte se në Tezat e Këshillit të Mbrojtjes ishte shtuar një kapitull i ri i emërtuar “Operacioni i kalimit të ushtrisë nga lufta me front në luftën pa front partizane”. Ky kapitull, që do të quhej më pas “Teoria e Rrëshqitjes”, parashikonte përgatitjen e ushtrisë për të përballuar edhe një situatë tepër të vështirë, që mundet të paraqitej. Kjo ide është e drejtë dhe nuk ka asgjë të veçantë veç përgatitjes për një situatë hipotetike. Mirëpo Enver Hoxha, në Këshillin e Mbrojtjes e kundërshtoi rëndë këtë kapitull në Tezat e Këshillit të Mbrojtjes, duke e konsideruar qëllimisht sikur ishte një variant bazëpër mbrojtjen e vëndit dhe e akuzon Mehmet Shehun, si autori i Tezave të Këshillit të Mbrojtjes dhe kuadrot kryesorë ushtarakë në Këshillin e Mbrojtjes se po lënë fushat për tu mbrojtur në male. Në raste të tilla, kur Enver Hoxha bënte gafa të tilla, Mehmet Shehu nuk e kundërshtonte por e anashkalonte atë dhe nuk bëri asnjë ndryshim në Tezat e Këshillit të Mbrojtjes. Pikërisht po atë vit Veli Llakaj, që studionte në Kursin e Lartë të “Akademisë Mehmet Shehu”, mbronte Temën e Dipllomës-“Operacioni i Kalimit të Korpusit të Këmbësorisë”, që mbështetej pikërisht në kapitullin eTezave të Këshillit të Mbrojtjes-“Operacioni i kalimit të ushtrisë nga lufta me front në luftën pa front partizane”.
Paradoksi qëndron në atë që edhe pse Tezat e Këshillit të Mbrojtjes të vitit1967, në përmbajtje nuk kishin asnjë ndryshim nga “Referati i Ministrisë së Mbrojtjes” i përpiluar nga kuadrot kryesorë ushtarakë në vitin 1963, ato u përdorën nga Enver Hoxha si alibi për të akuzuar kuadrot kryesorë të ushtrisë si kundërshtarë Tezave të Këshillit të Mbrojtjes.
– Çfarë mund të thoni për Pleniumin e 12 të KQ-për ushtrinë, të vitit 1971?
Përgjigje: Mbasi kishte kundërshtuar rëndë Mehmet Shehun dhe kuadrot kryesorë ushtarakë në Këshillin e Mbrojtjes, Enver Hoxha merr guximin për ta paraqitur vehten si ideolog ushtarak mbi gjithë të tjerët dhe për demostrimin e kësaj ideje përgatit materjalin teorik “Ta bëjmë fushën mal të pakalueshme për armikun”. Këtë materjal teorik e paraqet në Pleniumin e 12 të KQ-për ushtrinë, për të marrë miratimin e tij. Në këtë Plenium Mehmet Shehu mbajti diskutimin “Të kemi dy lloj forcash, Frenuese-Bllokuese dhe Operative-Goditëse”. Në një nga pushimet e punimeve të Pleniumit, Enver Hoxha, në prezencën e Mehmet Shehut dhe Hysni Kapos, ngarkon Beqir Ballukun që bashkë me disa nga kuadrot ushtarakë më të përgatitur, t’i zgjeronin materialet teorike të mbajtur në Pleniumin e 12. Por çfarë ndodhi? Beqir Balluku, edhe ai si Enver Hoxha, pa përgatitjen e duhur për shkencat ushtarake, krijoi njërin pas tjetrit tre komisione, të cilët përgatitën tre materjale teorike: i pari, i dyti, i treti. Por asnjëri nga materjalet teorikë nuk doli për të qënë dhe arësyeja kryesore ishte se kuadrot ushtarakë të tre komisioneve, nuk punonin sipas ideve të tyre racionale të mbështetura mbi shkencën ushtarake, por duhet tu përmbaheshin ideve të materjaleve teorike të Pleniumit të 12, të cilat ishin të pa mbështetura në teorinë ushtarake dhe si të tilla ishin të pa aplikueshme për ushtrinë. Përfundimisht të tre materialet teorikë u futën në arshivë. Askush nuk kishte guxuar të vinte në dijeni Enver Hoxhën për atë që ndodhi. Edhe ai vetë nuk u ndje dhe çështja u la në heshtje.
– Pse u akuzua Beqir Balluku për përgatitjen, e një materjali teorik antiparti?
Përgjigje: Në një mbledhje të Byrosë Politike të KQ të PPSH, në Korrik 1974, Petrit Dume papritur akuzon Beqir Ballukun për përgatjen e një materjali teorik antiparti! Beqir Balluku, i kapur në befasi, menjëherë e mohon. Por, pasi në kasafortën e Vehbi Hoxhës u gjet një kopje e materjalit teorik, me vërejtjet e bëra nga dora e tij, ai pranoi dhe nga frika nuk tha të vërtetën, që ai materjal teorik ishte përgatitur në zbatim të urdhërit të Enver Hoxhës për zgjerimin e materjaleve teorikë të Pleniumit të 12 të KQ. Vetë Enver Hoxha nuk mund të pranonte dështimin e materjalit të tij teorik, mbajtur në Pleniumin e 12 dhe akuzon Beqir Ballukun, se materjalin teorik antiparti, të gjetur në kasafortë, e ka bërë sipas mëndjes së tij dhe fshehurazi partisë. Enver Hoxha kërkoi gjithashtu edhe ndihmën e Petrit Dumes dhe Muharrem Prodanit dhe në Pleniumin e 5 të KQ, në Korrik 1974, Beqir Balluku përjashtohet nga partia, shkarkohet nga të gjitha funksionet qeveritare dhe internohet në Berat.
Por çështja nuk mbaron me kaq. Enver Hoxha që kur u prish me BS, në fantazinë e tij, priste një puç ushtarak nga kuadrot e ushtrisë. Tani i kishte ardhur momenti më i përshtatshëm për t’i eleminuar ata. Dhe ai, i ndihmuar edhe nga Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo, e vuri në jetë planin për eleminimin e kuadrove kryesorë ushtarakë duke i quajtur të gjithë puçistë. U pushkatuan Beqir Balluku, Petrit Dume dhe Hito Çako. Me dhjetra kuadro të tjera kryesorë të ushtrisë u burgosën apo u internuan pa afat me gjithë familjet. Ky ishte shkatërrimi i plotë i Ushtrisë Shqiptare, kishte ngelur vetëm Komandanti Legjendar!!! i Ushtrisë Shqiptare. Duhet theksuar këtu që edhe mbas shumë vitesh akuzat për puç ushtarak dhe akuza që kuadrot kryesorë të ushtrisë ishin kundër Tezave të Këshillit të Mbrojtjes, nuk u vërtetuan kurrë.
– A ka qënë Enver Hoxha diktatori më gjakatar në Europë?
Përgjigje: Të gjithë ato kuadro të Partisë, të Ushtrisë dhe të Pushtetit, që ishin të aftë, të ditur, trima, apo nuk pranonin t’i shërbenin atij, Enver Hoxha, sipas situatave konkrete dhe interesave të tija personale, i ka konsideruar kundërshtarë. Të gjithë këta i ka mbajtur në evidencë në kërkim të pretekseve dhe të kohës më të përshtatëshme për eleminimin gradual të tyre, deri në eleminimin fizik. Dhe pasi të akuzonte Enver Hoxha, gjykimi dhe dënimi për viktimën ishte i pa shmangshëm. Por Enver Hoxha kishte shumë kujdes kur “armiku” i radhës ishte ndër kuadrot më të shquar, të njohur dhe të vlerësuar nga populli, si Qemal Stafa, Mustafa Gjinishi, Myslym Keta, Hilmi Seiti dhe shumë të tjerë. Këta ai i ka eleminuar me vrasje pas shpine dhe më pas i ka nderuar deri me titullin dëshmor i kombit. Ka individë që e mbrojnë Enver Hoxhën për këto vrasje, duke thënë “Nuk ka fakte”. Por ja që faktet janë të shumta. Ato dalin me vonesë, por nuk mbesin pa dalë, si vrasja e Mustafa Gjinishit në pritë:
-Liri Gega, anëtare e Byrosë Politike, përgjegjëse për Veriun, që ndodhej në Peshkopi, kishte marrë një telegram me shifër nga Enver Hoxha:
“Të vritet Mustafa Gjinishi”.
Liria kishte organizuar dy prita, në njërën vuri Hito Çakon dhe në tjetrën vuri B.D. Mustafa Gjinishi, Anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, i transferuar apostafat nga Peza në Dibër, që më 23 Gusht 1944, po udhëtonte me kalë nga Peshkopia për në Sllatinë, ra në pritën e B.D. dhe vritet me një plumb në zemër. Shpejt vjen aty edhe Hito Çako, që e qëllon me një plumb në kokë. Ngarkuar në kalë, Mustafa Gjinishin e çojnë në Peshkopi, ku e varrosin me nderime të mëdha, sikur ishte vrarë pas shpine nga armiku. Liri Gega menjëherë lajmëron me radiogram me shifër:
“Çdo gjë mbaroi sipas porosisë suaj”.
Këtë ngjarje ma ka treguar gojarisht, njëri nga rojet e dy atentatorëve, Kolonel J.S. që e ka jetuar vetë ngjarjen.
Në mënyra të ngjashme, kondicionuar nga kushtet konkrete, është vrarë, Qemal Stafa- më 5 Maj 1942, në pritë në Tiranë, Myslym Keta- më 26 Shkurt 1966, në aksident, në Fushë-Arrëz, apo është helmuar Hilmi Seiti, më 28 Prill 1960, në Shkodër. Dhe të gjitha vrasjet janë shoqëruar me nderimët më të mëdha për të ekzekutuarit.
Shumë nga krimet e Enver Hoxhës, ishin të mpleksura edhe me tradheti të lartë ndaj atdheut. Të tilla janë vrasjet pas shpine të Qemal Stafës, Mustafa Gjinishit, Nako Spiru, etj., të kryera për interesat e jugosllavëve, si dhe vrasjet me akuza të pabaza të herojve legjendarë të luftës, si Dali Ndreu, Tuk Jakova, Mehmet Shehu Tahir Kadareja, Petrit Dume, etj.
Enver Hoxha tregonte kujdes të veçantë për fshehjen e krimeve të tij, duke ja atribuar ato partisë si e pagabueshme dhe anëtarëve të partisë, duke vënë çdo herë të gjithë kundra njërit, viktimës. Dhe në këtë zinxhir të gjithë kalonin me radhë njëri pas tjetrit. Për secilin më parë bëhej gjyqi i partisë në mbledhjen e KQ, ku të gjithë i turreshin viktimës së radhës me akuza të sajuara dhe në prezencën dhe ndikimin e Enver Hoxhës. Të gjithë pjesëmarrësve në këtë gjykim makabër, ju merreshin firmat. Pasi viktima përjashtohej nga partia dhe të gjitha funksjonet shtetërore, i jepej për gjykim Gjykatës së Lartë, e cila e dënonte sipas akuzave fallso të ngritura nga partia, me pushkatim apo me burgim. Këto besoj se mjaftojnë për ta cilësuar Enver Hoxhën një nga diktatorët më gjakatarë në Europën e pas Luftës së II-të Botërore.
Të gjitha këto që trajtuam në këtë intervistë, janë përshkruar më hollësisht në një libër, mbi jetën time ushtarake dhe mbi artin ushtarak, që jam duke e përfunduar.Librin do ta botoj së shpejti.
Komentet