Si një përshpirtje për lamtumirën e tij, përpjekja për të shkëputur pasazhet më interesante nga dokumentarët e realizuar me mjeshtrin e madh është pak e vështirë, për shkak të filozofisë së mjeshtrit, e përvojës jetësore të tij.Gjithsesi është një dokumentim i rrallë, duke bërë ndoshta këto realizime filmike të mbajmë gjallë, virtualitetin e imazhit të Kodrës, dhe fjalës së tij.
Takimi i parë me Kodrën u mundësia nga Stela Nura, me banim në Milano, piktore e pasionuar dhe entuziaste për njohjen me mjeshtrin e madh.
Në orarin e gjimanstikës së tij duhej të prisje pak, ndërsa në mjediset e shtëpisë binin në sy mjaft piktura dhe foto të panumërta. Më Papa Vojtilën- “është mesazher i paqes” do të thoshte më vonë piktori, ndërkohë që në mur qëndronte bashkë me Sali Berishën e shumë personalitete të tjerë të vendeve të ndryshme. Ndërsa në dokumentarin e dytë, mundësinë e realizimit do ta krijonte Fatos Faslliu, kryetar i shoqatës kulturore Itali-Shqipëri, i cili është kujdesur për mjeshtrin, familjarisht, deri në frymën e fundit.
Nadire Buzo: -Mjeshtër, (kështu preferonte t’i thërrisnin) jam e mahnitur dhe pak e çuditur që jemi këtu me ju, në një ambient kaq të thjeshte dhe shumë komod njëkohësisht, piktura, fotografi, medalione dhe relike të çmimeve dhe trofe të fituara, vegla muzikore, kafazë pëllumbash, lule, bojra, karrike prej kashte, mindere, kolltukë, tavolina e kavaleta pune, e çdo gjë në vendin e vet…
Ibrahim Kodra: -Kam lindur në Ishëm. E Ishmi është afër Durrësit e Tiranës. Nga Kodra e Ishmit shihet Tirana, Durresi, Lezha, Mamurrasi, Kruja dhe një pjesë e mirë e Detit Adriatik, është vend i bukur.
Nadire Buzo: -Para se të vinim këtu dhe të flisnim me ju, kemi lexuar dhe dëgjuar shumë, cila është e vërteta e ardhjes suaj deri Itali, pas shumë vuajtjesh dhe përpjekjesh, si dhe i mbetur jetim që në fëmijëri, kush tjetër është pjesë fatit tuaj?
Ibrahim Kodra: -Nëna Mbretëreshë më kish premtuar, se kur të mbarosh maturën në Shqipëri do të të dërgoj në Itali, në Artet e Bukura. Dhe vërtet kështu ndodhi së bashku me Buzën, Paskalin, Stamon e të tjerë, në fillim në Bari, në Romë e në fund në Milano në Akademinë e Arteve të Bukura, në Brera.
Nadire Buzo: -Akademia Brera është ndër më të famshmet dhe të hershmet në Botë, e cila ka nxjerrë një numër të madh artistësh me famë botërore. Ju si arritët mjeshtër t’ja dilni mbanë madje dhe të shquheni deri në marrjen e titullit “Ylli i Breras”?
Ibrahim Kodra -Pata fat me thënë të drejtën, kam punuar shumë. Por edhe shokët e Akademisë më kanë ndihmuar e më kanë qëndruar shumë afër.Kur shkova atje ata u treguan shumë të mirë e shumë të butë. Profesoresha Eva Tea, e cila më ka ndenjur shumë pranë duke më dhënë mjaft këshilla, po edhe qortime: “pasi vjen koha-thoshte ajo- dhe mbetesh në rrugë pa punë, prandaj duhet të punosh shumë që të jesh dikushi”.
Këshillat e saj i pata gjithë jetën parasysh, që kur isha i ri, isha i kërkuar nga gazetarët dhe kritikët. Kur mbarova Akademinë shumë galeri më kërkonin. Nga një galeri e madhe, më modernia e Napolit, “Brudi Pruse”, erdh për të më marrë disa vizatime për një ekspozitë, gjithashtu një qendër e kulturës e quajtur Akulia, e Brindisit, Galeria Kupola nga Bolonja, Galeria Marinia, me e madhja në Milano, galeritë e Venecias etj- në të gjitha këto hapa ekspozitë pikturë dhe kështu gazetat shkruanin përtej Parisit, gjithashtu edhe kritikët e artit.
Nën atë kohe lufte Partia Komuniste solli në Milano, poetin Pol Elyar, për të recituar poezitë e tij përpara popullit, aty Xhan Karlo Rigoreli, një kritik i madh letrar më pat thënë mua të bëja një vizatim për Pol Elyarin, i cili do ta botonte atë në revistën “Molburi”, ku ai ishte drejtor. Unë e bëra vizatimin, dhe poshtë portretit kisha shkruar poezinë e tij “La Guerra”. Ishte kohe lufte imagjino në Francë, aty poeti shkruante se nuk mund të dilte prej shtëpisë, se ishin guardat (rojet) gjermane dhe bëri këtë poezi.
Pas dy ditesh ai erdhi dhe vizitoi studion time bashkë me dramaturgun Beniamino Opolo nga Siçilia, që frekuentonte Via Brera Vois. Via Brera ishte me rëndësi quhej Kartela Martine, atje ishin njerëzit më të mëdhenj të botës. Pol Elyar pasi pa punët e mia, doli me këo fjalë– “Kodra është primitivi i fundit i një civilizimi të ri”. Këto fjalë i morën dhe i komentuan të gjitha gazetat e të gjithë kritikët e veçanërisht Sabiatore Vero në “Corriere De la Sera” i cili shkroi – “Kodra dhe tre fjalët e Elyarit me të cilat shkruhet një roman”.
Nadire Buzo:-Mjeshtër meqë jemi te lufta shoh në albumin tuaj dhe në mure piktura të mrekullueshme me mjerimet dhe shkatërrimet e luftës, ndërkohë që në të gjitha kohët mbeteni modern dhe bashkëkohor…
Ibrahim Kodra : -Në kohën e luftës bëra shumë vizatime, pasi ishte koha me shumë ngjarje në botë, punët e mia pëlqeheshin sepse shprehnin kohën. Në atë kohë punët e mia ishin të ndikuara prej ekspresionizmit Francez. Gjithashtu bëra disa punime të inspiruara nga Neoklasicizmi, p.sh. nga F.Goja e prefeksionova punën time. Në një kohë kur rrymat ishin komunizmo- marksizmo e suralizmo. Shumë tablo janë të frymëzuara nga veprat e Heminguejt, Folknerit, Frederiko Garsia Lorka, kurse këto pikturat këtu ( tregon në mur) janë ilustrime nga vepra e Brehtit “homazh për Bertol Breht”.
Nadire Buzo: -Për kuriozitetin e të gjithëve, a mund të na thoni sa rryma arti ekzistojnë dhe cilat prej tyre ju keni ndjekur, pasi shoh në studio disa lloje pikturash në stil e teknika të ndryshme, nga koha në kohë?
Ibrahim Kodra: Gjatë një diskutimi në një kongres të rëndësishëm, më bën një pyetje nga salla ku njerëzit donin të dinin se sa rryma arti ekzistojnë në botë. Unë ju thashë se, rryma janë vetëm dy dhe këto kanë lindur në Greqi, nga Aristoteli dhe nga Platoni. Aristoteli thotë që natyra nuk është e imitueshme, s`është aq perfeksion sa që njeriu s’mund ta bëj, por qëllimi i artistit i piktorit, i poetit është të shoh natyrën dhe të marrë nga inspirimi i natyrës atë që del nga brendësia e poetit e artistit, kjo është puna.
Ndërsa Plutoni tha se është e mirë ideja se duhet mendimi i njeriut-in piacere del uomo, interpretare la natura ( kënaqësia e njeriut të interpretojë natyrën). Interpretimi i natyrës është i mirë, porse egzistojnë dy rryma Naturalizmi dhe Platonizmi.
Këto dy rryma u studiuan dhe u përshkruan shumë prej kritikeve dhe historianëve si Xhordano Bruno, Kambanera . U influancua 100% Pesina, Piera de la Franceska, Rafaelo, Peruxhino, të cilët zhvilluan pikturën nën rrymën e Platonit, ndërsa Andrea del Sato e Mikelanxhelo idealistët që ndjekin rrymën e Aristotelit. Kohët e fundit shumë shkolla u ndikuan nga Pesino por nuk patën shumë sukses, atëhere Karavaxhio, Grandela del Mondo, punuan në punët e tyre duke e vënë dritën në një krah dhe patën shumë sukses.
Pas luftës në vitin 1945, u bënë disa mbledhje, u mblodhen disa piktorë që kishin mbaruar akademinë dhe biseduan të ndjekin rrymat, Astrotizmi me dy dimensione apo Kubizmi me tre dimensione. Atëhere ne filluam me Kubizmin tredimensional për përsosjen e imazhit dhe detajimin e imagjinatës, dhe patëm shumë sukses . Me shumë mundime dhe me punë gjeta këto forma gjeometrike, iderat e Platonit që atëhere u pëlqyen në të gjithë botën. Ndërsa Pikaso përdorte shpesh tridimensionizmin, une mendova teorinë time – Ku ka një vije vertikale duhet të mbështetet pa tjetër tek një vijë horizontale pra kubizmin katërdimensional. Pasi në atë kohë u prezantua koha e konsumizmës në botë, e cila e la njeriun viktimë, kjo është anatema e atij civilizimi, njeriu është “njeriu robot”.
Kur me pyesin mua ç’është kjo punë robot, unë i përgjigjem këto janë fytyrat tona. Ky jam unë, je ti.
Nadire Buzo:-Ju mjeshtër keni qenë mik i ngushtë me Pikason, çfarë ju ndante dhe ju bashkonte me të. Dhe, pse ju thonë Pikaso i gjallë?
Ibrahim Kodra: -Për ato çka ju tregova më lart përsa i përket artit, megjithëse edhe në art ndryshonim pak në karakteret. Ai ishte rebel por shpirtin e kishte të mirë. Unë mësova shumë prej tij.
Çdo fund jave unë shkoja me motorr nga Milano në Francë tek Pikaso, e shpesh jo vetem, në motor merrja edhe shokë e shoqe me vete, shkonim si grup. Ishin fundjava që ja kalonim shumë mire.
Pikaso ishte natyre rebele dhe i ndëshkonte femrat, ndërsa unë isha shumë xhentil me to. Kam pasur shume miq e shokë artiste si Dino Buxatin, Elyarin, Gutuzon, Kuazimondon, e shumë shkrimtarë, poetë, politikanë arkitektë dhe njerez të thjeshtë me të cilët kalonim kohë të gjatë bashkë dhe unë ju tregoja shumë herë për vendin tim, për Shqipërinë dhe i thoja se asht nji vend i bukur sa s’ka ma.
Nadire Buzo: -Mjeshtër çmime e trofe pa fund, nga e gjithë bota. Po kjo medalja “Milanezi i Artë”, që ua dorëzoi Kryetari i Bashkisë, Gabriele Albertini në konkursin kombëtar për arkitekturën . Ç’është ky pasion për arkitekturën? (fotot me mbishkrime në mur)
Ibrahim Kodra: Jo nuk jam arkitekt, por pjesë e arkitekturës. Qytetet e sotme e në veçanti qyteti i Milanos, janë për qytete muze, të gurta të larta e pa ajër e gjelbërim. Qyteti që kam paraqitur në konkurs është në një kodër me rrugë e ndërtesa të ulta e me shumë gjelbërim.
Nadire Buzo:Po kjo gdhendja në gur, pse e ke quajtur “guri i jetes”?
Ibrahim Kodra: Ti e di se ne e kemi traditë kur vdesim tek koka si shenjë na vënë një gur, një gur të sheshtë apo rrumbullakët, ku shkruhet emri, dhe syte të mbeteshin në atë gur sikur aty fshihet e tërë jeta. Aty shihet si në televizor e gjithë jeta e gjatë apo e shkurtër qoftë ajo, një cop gurë që flet për atë që prehet, e kjo se njeriu është i fortë si guri, e guri ku ai shkel e ndërton është vetë jeta.
Dhe unë këtu kam gdhendur fragmente të jetës sime, qytetin e lindjes e gjithçka që ka bërë thelbin e jetës sime pra “guri i jetës”.
Nadire Buzo:-Mjeshtër më befason intervista jote, kaq kohë i larguar nga vendlindja juaj, dhe ky mall e kjo dashuri për të dhe trojet e saj kudo që janë, dhe aq më shumë një artist i artit viziv të jetë një politikan e patriot i zjarrtë. Atëherë po në Kosove a keni qenë?
Ibrahim Kodra -Po në pranverën e këtij viti (2002) dhe me pritën jashtëzakonisht mirë, kosovarët i dua shumë janë trima dhe mikpritës, historia e Kosovës është e dhimbshme. E endërroj pavarësinë e saj kam shkruar një vjershë…(e reciton me lot në sy)…shqipja flutroi në qiell/ dhe me krahët e saj/ në fluturim shkriu në qiell/ emrin Liri dhe Arbëri.
Nadire Buzo: -Ju në Itali jeni pagëzuar me fenë kristiane, por emrin e mbani përsëri Ibrahim Kodra, si ka mundësi, ky është një përjashtim i rrallë për regullat e fesë kristiane?
Ibrahim Kodra: Edhe fenë edhe emrin i kam për të qenë përbrenda identitetit tim.
Nadire Buzo: Pse s’jeni martuar mjeshtër, me gjithë këto artiste rrotull, me gjithë këto mike të mrekullueshme që ju adhuronin, i ri, i bukur, i famshëm? (duke treguar fotot që kishte në mure)
Ibrahim Kodra: Kisha shumë mike që më adhuronin dhe më deshën shumë dhe po të martohesha me njerën do të largoheshin të tjerat. Pastaj familja është shumë e rëndësishme dhe kërkon përkushtim dhe s’ka më shoqëri e aktivitete dhe punë pa fund dhe unë zgjodha këtë rrugë.
Nadire Buzo: S’ju tremb vetmia?
Ibrahim Kodra: Nuk jam kurrë vetëm, jam gjithmonë me shokë e miq. Të gjithë më duan dhe më respektojnë, tek shumë prej tyre jam pjesëtar i familjes ja si tek Fatosi, Timi e të tjerë.
Nadire Buzo: Shumë na kanë treguar për ndihmat humane që ju keni kontribuar shumë kohë më parë por edhe tani. Keni mbajtur edhe studentë shqiptarë në shtëpi. Si ka ndodhur?
Ibrahim Kodra:Dikur njërëzit më kërkonin para për të hapur dyqane e klube të ndryshme dhe më vonë kur s’kishin të m’i kthenin, miqtë e mi, njerëz të varfër emigrantë, hanin ushqim tek ata me nje firmën time.
S’ka shumë kohë që kam qenë inisiatori kryesor i restaurimit të “Teatrit Masimo” në Palermo ku me pikturat e riprodhimet e “12 muzikantëve” të Teatrit Masimo u restaurua pothuajse i gjithë teatri. Artisti nga vetë natyra është human ndryshe ç’u kuptua se je njeri i ndjeshëm e artist, ndryshe nga të tjerët, cilido mund të kontribuojë në mënyrën e vet. Dhe unë ju përgjigja thirrjes së Kryetarit të bashkisë Leoluka Orlando dhe kur u inagurua teatri ai fjalën e tij e nisi me fjalën shqipe “Urime”, kjo është fjala e pagëzimit Shqiptar. Kjo ishte një kënaqësi për mua si artist dhe si shqiptar, ne jemi bujar apo jo.
Nadire Buzo: Mjeshtër, ju vetë na treguat se 26 shtete kanë bërë filma dhe dokumentarë për ju, si dhe jeni qytetar nderi në shumë qytete të Italisë dhe botës e madje deri në Tokio. Kam shumë gazeta përpara, ku s’dijmë kë të citojmë më parë, por një shkrim i “Corriere De la Sera”-s ku është botuar një intervistë e juaja “Arti i të jetuarit shëndet plotë”. Një përçapje krijuese për të qenë në harmoni me jetën. A është Ibrahim Kodra edhe mjeshtër i sekreteve të “ formës fizike”?
Ibrahim Kodra: Arti është liri sepse nëpërmjet tij ne prekim natyrën dhe gjithë bukuritë natyrore, të cilat janë armiq për çdo sëmundje. Arti na dhuron gëzimin e të jetuarit, na dhuron atë gjendje shpirtërore, pa të cilën ne nuk do të mund t’i bënim ballë ankthit dhe mllefit të përditshëm. Të kultivosh art do të thotë të mbetesh i ri. Njeriu ka tre armiq të mëdhenj; duhani, grykësia dhe pasiviteti.
Çdo mëngjes duhet të bëjmë 20 minuta gjimnastikë.Dhe të pijmë një gote ujë të freskët.Ushqimi duhet të jetë i thjeshtë dhe i lehtë. Uji që buron nga gurët duke patur shumë forcë te jep energji jetësore.
Në përgjithësi, sekreti i të qënit në harmoni me jetën është inteligjenca krijuese e aftë t’i ofrohet të tjerëve me modesti, pa ambicje të shfrenuara dhe arrivizëm, që krijojnë vetëm strese dhe sëmundje.
Të bësh të mira është gjimnastika më e rëndësishme për të pasur shëndet të mirë, për të qenë në harmoni me veten dhe të tjerët.
Nadire Buzo
Komentet