Shkrimtarët shqiptarë përballen me probleme jo pak me aktivitetin e tyre në krijimtarinë letrare. Ata pohojnë se premtohet institucionalisht, por pak bëhet për autorët. E në këtë situatë ata flasin për mungesë promovimi, ndihme, mungesë konkursesh letrare, etj. Shkrimtari dhe studiuesi Xhahid Bushati për këto probleme shprehet se mungon klima për aktivitetin e autorëve në krijimtarinë letrare. Në intervistën për “SOT” shkrimtari Xhahid Bushati mes të tjerave pohon se nuk duhet harruar se letërsi nuk bëhet vetëm në kryeqytet, por edhe në periferi. Sipas tij, në qoftë se nuk e njohim edhe këtë, nuk ka se si të flasim për një grafik vlerash. Problem sipas tij është jo vetëm ndihma e munguar institucionale, por dhe në ato aktivitete që zhvillohen për librin mungojnë autorët shqiptarë. Si studiues ai flet dhe për nivelin e krijimtarisë letrare sot, ku sipas tij niveli artistik i veprave është nën nivelin mesatar, pak të emocionojnë, estetikisht kanë mangësi të mëdha.
-Në aktivitetin tuaj shkruani prozë dhe poezi, pjesë për fëmijë, merreni me publicistikë e studime të letërsisë për të rritur e fëmijë. Nëse flasim për krijimtarinë letrare për ju ku qëndrojnë sot problemet me të cilat përballen autorët shqiptarë?
Shpesh, ku më shumë e ku më pak, përballja e autorëve shqiptarë fillimisht me probleme ekonomike, më pas me probleme letrare e artistike ka gjetur pasqyrim veçanërisht në shtypin tonë të përditshëm. Për këtë përballje sigurisht flitet shumë, premtohet institucionalisht shumë, por pak e aspak nuk bëhet. Ky ritual vazhdon me të njëjtin gjykim e paragjykim edhe sot e kësaj dite. Një gjë duhet kuptuar, jemi vend i vogël, me letërsi të vogël. Sigurisht pretendimet i kemi të mëdha. Për këtë arsye, krijuesit e talentuar t’i trajtojmë si gurë të çmuar. T’u krijojmë klimë, që të rrezatojnë. Realisht klima mungon. Kur flasim për klimë, flasim për shumëçka. Spontaniteti mbizotëron. Edhe aty, ku nganjëherë diktohen vlerat nuk respektohen. Të mos harrojmë: letërsi nuk bëhet vetëm në kryeqytet, por edhe në periferi. Në qoftë se nuk e njohim edhe këtë, nuk ka se si të flasim për një grafik vlerash. Mediokriteti ka veti të marrë e krijojë pushtet. Ky rrezik është i kudondodhur në këtë përballje.
-Në aktivitetin tuaj ju keni qenë i përkushtuar edhe në fushën e letërsisë për fëmijë. Kjo krijimtari për autorë të ndryshëm ka mungesë vëmendje. Çfarë mungon sipas jush në promovimin apo dhe në ndihmë të autorëve?
Letërsinë shqipe për fëmijë e të rinj, mendoj se e njoh mirë. Jo vetëm që jam autor i saj, por edhe e studio atë. A ka mungesë vëmendjeje ndaj kësaj letërsie? Po, ka. Institucionalisht nuk njihet, teorikisht po. Nuk investohet. Ç’po ndodh me këtë letërsi? Aktualisht shkrimtarët e vërtetë janë të paktë. Ka pak botime cilësore. Nuk ka strategji. Nuk ka projekte. Nuk ka, por e kemi të gjithë një fëmijëri. Po sjell dy shembuj. I pari, në fund të vitit 2017, Ministria e Kulturës organizoi veprimtarinë e bukur me titull: “Takohemi për një libër”. Kam bindjen që janë bërë aktivitete shumë të bukura, ndonëse pak kanë gjetur pasqyrim. Por në këtë gjerdan aktivitetesh, në të shumtën e rasteve kanë munguar shkrimtarët e kësaj letërsie. Ose një shkrimtar ka shkuar në disa aktivitete. Ndaj, le “T’i kthejmë sytë nga shkrimtarët e kësaj letërsie”. I dyti, në Panairin e Librit 2016 e 2017 ka fituar Çmimin e letërsisë për fëmijë, i njëjti tipologji libri (koncepti i përshtatje, i njohjes së figurave historike). Jo letërsi e mirëfilltë. Ajo ka qenë aty, në stendat e botuesve. Pra, tregon se kjo letërsi nuk njihet, më saktë nuk duan ta njohin.
-Mungesa e konkurseve të kësaj krijimtarie ka qenë një tjetër problem. Ju vetë ashtu si dhe autorë të tjerë jeni shprehur se duhet të ketë konkurse. Çfarë sjell mungesa e tyre?
Konkurset, në lidhje me këtë letërsi kanë pasur fillimisht një përkujdesje shembullore. Kishte çmime edhe nga shoqata, kontribuonin edhe ambasadat. Kishte çmime edhe nga Ministria e Kulturës për disa gjini të kësaj letërsie. Vlerësim. Por nga viti në vit u zbehën dhe u reduktuan këto çmime pak e nga pak dhe sot nuk ka qoftë edhe një çmim. Një tregues tjetër mosvlerësimi. Konkursi ka vlera se, njihet botimet e një viti, përzgjidhen më të mirët, vlerësohen objektivisht. Dhe mbi këtë bazë diskutohet niveli i kësaj letërsie. Konkursi e bën të jetueshëm këtë letërsi, i fal jetë. Dhe, edhe për këtë ‘jetë’ ka nevojë kjo letërsi e çmueshme. Po t’i hedhim sytë nga tradita jonë letrare, kemi emra shkrimtarësh që e kanë nderuar këtë letërsi, i kanë dhënë dritë. Do të ishte e udhës, të ishte “Dita e Mitrush Kutelit”, “Dita e Bedri Dedjes”, “Dita e Odhise K. Grillos”, “Dita e Adelina R. Mamaqit”, “Dita e Xhevat Beqarajt”, “Dita e Tasim Gjokutajt”, etj. Ndaj nuk duhet t’ia privojmë konkursin kësaj letërsie, kur ajo për të rritur ka disa. Letërsia për fëmijë nuk është jetime.
-Jeni shprehur se dhe shpërndarja e librit është një problem që vijon prej vitesh. Çfarë mendoni se duhet bërë?
Shpërndarja e librit mbetet problem. Lexuesi i vogël duhet të rritet më librin, të kulturohet. Në këtë marrëdhënie zënë e lindin intelektualët e ardhshëm. Të dinë që në moshë të vogël të njohin e të lexojnë një poezi, ta komentojnë atë; të dinë ta lexojnë një tregim, të njohin personazhet e të flasin bukur e rrjedhshëm për to etj, etj. Pra, duhen projekte, duhet përkushtimi. E kur flasim për përkushtim, çojeni pak mendjen dhe ofroni zemrën dashamirësisht te modeli i Drejtoreshës së Bibliotekës së Lezhës, zj. Suela Bala. Një model i papërsëritshëm dhe i rrallë. Ajo për mua është një Nënë Terezë e librit. Mjafton të merret modeli i saj, dhe libri e ka kryer misionin e tij. E lexuesi, patjetër që do bëhet tjetër lexues. Prindërit do të kenë një fëmijë me të tjera vlera. Provojeni këtë model, dhe do të më jepni të drejtë.
-Bibliotekat të varfra dhe pa libra, për ju çfarë duhet bërë me një politikë shtetërore për të pasuruar bibliotekat?
Bibliotekat e shkollave mbeten ende të varfra, për të mos thënë se në disa shkolla ende “jetojnë” libra të shkruara me metodën e realizmit socialist. Pasurimi i një biblioteke fillon me përkushtimin e mësuesit, t’i lihet kohë e mjaftueshme për ta kryer këtë mision. Jo punë angari. Jo, sa për të kaluar rradhën. Pasurimi i bibliotekës fillon si vazhdim i përmbushjes së librit shkollor. Mundësisht një nxënës- një libër.
-Sa problem është për ju mungesa e kritikës në letërsi?
Mungesa e kritikës letrare mbetet një problem, që siç e shoh unë, mbetet gjithnjë një problem që s’ka për t’u ndrequr. Aktualisht ajo ka disa rrafshe studimi. Më të studiuar janë shkrimtarët e traditës. Ndërsa krijimtaria e pas ’90 është e pa studiuar. Nuk ka kritikë serioze. Mungon investimi në përgatitjen dhe specializimin, veçanërisht, i të rinjve jashtë shtetit. E përsëris specializimi është i domosdoshëm. Kritika letrare kërkon kulturologji, njohje problematikash, rrymash, shkollash, të përdorimit të nocioneve. Në Shqipëri nuk u krijuan modele. Në Kosovë, po. Ishte Shkolla e Ibrahim Rugovës dhe e Prof. Rexhep Qoses. Kritika aktualisht, tek ne, është në kufijtë e informacionit dhe asaj recensionales. Mungojnë studimet e thelluara dhe kemi nevojë për to. Investimi është i domosdoshëm.
-Me këto probleme që ju pohuat për ju sa kanë ndihmuar politikat e Ministrisë së Kulturës në fushën e letërsisë, çfarë duhet bërë për autorët dhe letërsinë?
Ministria e Kulturës e ka marrë këtë përgjegjësi dhe duhet t’i dalë zot kulturës. Ajo është e zonja e shtëpisë. Të kërkojë më shumë modele të karakterit organizativ dhe investues në shtete të tjera dhe t’i praktikojnë, t’i realizojnë më së miri, që letërsia dhe kultura të marrin frymë më lirisht, të jenë më produktive dhe artisti të ndjehet artist dhe letërsia të rrezatojë më shumë jashtë kufijve, të njihet.
-Çfarë mendoni për letërsinë sot si po zhvillohet, niveli si saj, apo ku ka probleme si krijimtari letrare?
E them me modesti, se e ndjek procesin letrar, pra botimet. Lexoj dhe mbaj shënime. Kjo është fal një miku timin librar z. Arian Gokaj, dashamirës i librit. Ai më sjell nga Tirana librat e sapobotuara. Sipas meje dhe leximeve të mia, kemi fluks botimesh. Më shumë nga letërsia e huaj se sa shqipe. Të ndalemi tek kjo ‘shqipja’. Niveli artistik i veprave është nën nivelin mesatar. Pak të emocionojnë. Estetikisht kanë mangësi të mëdha. Po përmend disa: tek romani ku ka shumicë botimesh të kësaj gjinie, mungon kultura e shkrimtarit, problemet që trajtohen janë sipërfaqësore, shpesh fabula është qëllim në vetvete. Këtë gjini e lodh veçanërisht ndikimi i romaneve të realizmit socialist. Ky ndryshk që na ndjek, shpesh gjejmë që shkrimtarët e kanë në natyrën dhe psikologjinë e tyre. Romani që të ecë më tej në nivel, duhet të ketë mjeshtërinë e tregimtarëve që shkruajnë tregimin e shkurtër. Kemi shpërpjestime gjinish e zhanresh. Është vështirë të thuash për hope të reja zhvillimi të letërsisë, sepse përgjithësisht autorët nuk po e justifikojnë këtë akt krijimi. Ka tek-tuk dritëza yjesh, por janë të largëta. Mungon kulturologjia dhe e veçanta brenda universit njerëzor të shpirtit, psikologjisë, historisë, natyrës, traditës, dokeve, zakoneve të njeriut shqiptar. Botuesit shqiptarë nuk janë shumë të interesuar për letërsinë shqipe. Më shumë sytë i kanë nga letërsia e huaj. Siç duket aty është dhe fitimi. Mendimet dhe konceptet e tyre si: “Nuk kemi letërsi”, “Nuk kemi autorë” etj., etj., janë të thëna e të stërthëna. Kanë dalë boje. Të lodhen t’i kërkojnë doemos i gjejnë. I bëjnë nder vetes, letërsisë shqipe, shkrimtarit, lexuesit. Dhe duke iu referuar idealizmit të Shkrimtarëve të Rilindjes, them: Letërsia shqipe mbart dhe ka vlera, do të prodhojë vlera. Ajo pra, letërsia shqipe është mision, por edhe amanet./Intervistoi: Julia VRAPI
Komentet